
Bardh Spahia/
“Ditët e Kujtesës” nisën nga Shkodra këtë vit, duke na ftuar të reflektojmë mbi të shkuarën nën perspektivën e artit.
Nisma e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë e mbështetur nga Bashkia Shkodër dhe Konrad Adenauer është një aktivitet që synon të mbajë gjallë debatin shoqëror dhe kujtesën mbi pasojat e regjimit komunist në Shqipëri.
Shkodra e pagoi më shtrenjtë se çdo qytet tjetër dhunën dhe terrorin e një prej regjimeve më të egra në Europë për afro gjysëm shekulli. Ajo është dëshmitare e vuajtjes dhe shembull i rezistencës. Duhet punuar që kjo e shkuar të mos shtrembërohet dhe lihet në harresë, por t’jua mësojmë brezave të rinj, pasi në të kundërt rrezikojmë që ajo të na përsëritet. Ekspozita “European Gulag” në Vendin e Dëshmisë dhe Kujtesës na njohu me historinë e harruar të kampeve të stilit sovjetik të ndërtuar kudo në Europën Qendrore/Lindore, pas Luftës së Dytë Botërore. Një histori e kampeve të detyruar të punës në shumë vende komuniste, përfshirë edhe Shqipërinë.
Mbrëmja u përmbyll nën tingujt e muzikës përkujtimore të Gaspër Çurçisë, “Gaci in Jazz”, viktimë e terrorit dhe diktaturës komuniste, me kurator muzikantin Gent Rushi.