
Prof. Dr. Ylli Pango/
…Këndej nga ne, rëndom, qëllimi i vockël i bisedës, nuk është, për të mësuar diçka nga dikush më i ditur. A lere pastaj, ca pak më i ditur.
As kur i dituri është profesionist i asaj fushe që flitet a përflitet. Apo dikush që di vërtet më shumë. Ka lexuar më shumë. Ka udhëtuar më shpesh, ka njohur më shumë.
Kjo ndodh sepse motori që ve në lēvizje bisedën, nuk është:
“Dua të di” por:
“Unë di…”(… gjithshka?…)
Përsëri kompleksi…frika mos shfaqesh inferior…
Sepse të duash të dish, të pyesësh, tek ne, shpesh për atë që pyet e për të tjerë që dëgjojnë, nënkupton: “O zot sa i paditur, injorant …budalla..”, “ Pse as këtë nuk e di”…
Dhe mbetet kësisoj i padituri, po i paditur.
…Dituria nuk është mall që shitet në pazar…Ca më pak mall i lirë që shitet në kafene…As mall tregu…
Dituria akoma…ca më pak, nuk është mall që jepet falas…
..Po ka dhe të ditur që kur rastis t’i takosh, ashtu e sjell rasti, a biseda, edhe emetojnë, rrezatojnë dije…Falas. Njeriu, edhe i dituri, qënie sociale, janë…Në këso rastesh, mos e humb shansin. Vetëm thith ca( nuk është “mall”). Të diturit janë si një libër i hapur. Edhe pêr ty ( sidomos kur nuk hap libra).
…Dituria fitohet me ngulm, durim, me kohë. Sidomos pasion.
…Dituria është thesar…
…Por edhe si thesar, jo nga ata që gjenden rastësisht. Zbulohet dalëngadalë. Duhen vite të tëra jete që të arrish ta mbledhësh. Ta kesh në kokē, tëndin: një thesar të vockël diturie. Ca më mirë në qoftë i madh A edhe jo aq i madh qoftë. Është i yti. Po dhe i atyre që e vlerësojnë e ndjehen se duan të ndriçohen ca prej tij…
…Pastaj dituria trashëgohet. Jo me testament…. Me vepër…Veprën që le pas…
Të shkruar, të folur, të kënduar, të pikturuar, xhiruar, skulptuar, xhiruar, regjistruar etj.,etj. Kur vlen, për mos tu harruar
…Pastaj në qofsh me fat a me vlerë, a tê dyja bashkë; qoftë edhe një thërrime nga dija jote, një grimë ar prodhuar nga ai mineral i yti, i mendjes, hyn në një hambar thesaresh. Atë të diturisë kombëtare. Po qe më e madhe ajo grimë, vete edhe më tej: Hyn në Hambar të madh tê Diturisë Njerëzore.
Paç fatin e bardhë të hysh atje me dijen tënde njeri i ditur e i mbarë.
…Atëhere do të duan të mësojnë diçka prej teje edhe ata që dikur nuk deshën të të dëgjojnê.
E vetëm atëhere ndryshe nga thënia e vjetër…, ku ta dish mund të bëhesh profet, edhe në atë fshatin tënd të vogël që nuk të njohu sa ishe gjallë…