Policia e Vlorës ka nisur hetimet në lidhje me thirrjet për luftë për të çliruar Himarën, që u lëshuan më 11 gusht në Himarë, nga eksponentë të Agimit të Artë, të cilët shoqëroheshin edhe nga shtetas shqiptarë.
Në një deklaratë për mediat theksohet se nga ana e strukturave të Drejtorisë Policisë së Vlorës janë kryer të gjitha veprimet e para procedurale dhe materialet janë dërguar në Prokurorinë e këtij qyteti në ngarkim të disa shtetasve shqiptarë dhe grek për veprën penale “Thirrje për urrejtje nacionale”.
Njoftimi nuk saktëson se për sa persona bëhet fjalë, por theksohet se po vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje. Policia e Vlorës është institucioni i parë shqiptar që reagon në mënyrë zyrtare ndaj incidenteve që shkaktuan në Himarë përfaqësues të Agimit të Artë, si dhe ndaj thirrjeve për luftë.
Në fjalimin që mbajti para varrit të Arsitotel Gumes, një prej aktivistëve të “Agimit të Artë” Kristoforos Tsankas, theksoi se “nuk ikim nga Himara deri në çlirimin e saj”.
“Agimi i Artë nuk vjen ne Himare per te ikur. Bejme nderime mbi varrin e tij dhe premtojmë se do te vazhdojme luften, deri ne momentin e çlirimit”tha Tsankas.
Kjo deklaratë e publikuar si video në faqen zyrtare të Agimit të Artë nxiti policinë të nisë hetime, ndërsa të paktën zyrtarisht nuk ka asnjë reagim tjetër nga institucionet shtetërore. Eksponentët grekë të partisë ekstremiste u shoqëruan në Himarë edhe nga disa shtetas shqiptarë.