Lezhë me 13 dhjetor 2021
Pjesëmarrës dhe miq të nderuar, të nderuar autoritete kishtare, vendore e shtetërore dhe ju dashamires të jetës kulturore të Kombit tonë. Sot në 109 vjetorin e lindjes, së Mons. Zef Oroshit, si do të ishte ndryshe, veçse një gëzim për të gjithë, kur pas 32 viteve të kalimit të tij në Amshim në qytetin e New Yorkut, nëpërmjet bustit në bronx, përjetësohet në atdheun e tij të dashur, pikërisht në qytetin e Besëlidhjes në Lezhë, kleriku, intelektuali e atdhetari, Mons. Dr. Zef Oroshi. Nuk është lehtë sot të flitet para kësaj përkujtimoreje, kur kemi parasysh jetën dhe veprën e tij që e kaloi përplot trazira shpirtërorë e fizike. Jeta e mundimshme e tij si dhe shumë klerikëve katolike, kishte filluar që nga koha e kthimit të tij si meshtar i ri nga Roma, në vitin 1940, për në Shqipëri, me pas arratisja e detyrueshme në vitin 1952, për në Jugosllavi, për shkak se mortja e zezë e kishte kapluar gjithë Shqipërinë e në veçanti me persekutimet e klerit katolik në mënyrë të pa mëshirëshme. Gjatë qëndrimit në mes refugjatëve në Itali, nga viti 1954-1960, edhe pse tani e kishte lirinë fizike, brengosjen e mbante në zëmër për Shqipërinë e robëruar nga bolshevizmi komunist. Po kështu shqetësimet dhe dhimbja shpirtërore e përcollën jetën e tij edhe gjatë veprimtarisë në mes emigrantëve shqiptare në Amerikë. Gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, për t’i mbajtur shqiptarët të bashkuar dhe të mbrojtur nga asimilimi, Oroshi, do zhvillonte aktivite të shumta, fetare, kulturore e atdhetare, në Kishë dhe në tribuna të ndryshme kudoqë shqiptarët bashkoheshin. Edhe pse qe i vëzhguar nga sigurimi i shtetit ateist shqiptar, ai kundër sistemit komunist fliste shpesh me mikun e tij Fan Nolin, dhe shkruante kudo në shtypin e diasporës shqiptare në SHBA dhe Europë.Forca, madhështia dhe serioziteti i fjalës së tij, dituria e gjerë dhe e thellë, bënte që ai të gëzonte gjithnjë respektin dhe admirimin e thellë nga të gjithë shqiptaret, pa dallim besimi e ndarje politike.Një ditë pas vdekjes, më 16 mars, 1989, gazeta “The New York Times” botoi një shkrim për vdekjen e këtij meshtari shqiptar, duke vënë në dukje veprimtarinë e tij fetare dhe kombëtare.Së fundi, Agjencia telegrafike shqiptare, më rastin e vdekjes se tij, ndër të tjera do shprehej me 17 mars 1989: “Mons. Zef Oroshi ishte veprimtar i shquar i çështjes fetare dhe kulturore në komunitetin shqiptar në Amerike”. Ne sot një gjë duhet ta kuptojmë se heronjtë e martirët, nuk kanë nevojë për ne, por ne kemi nevojë për të qenë të frymëzuar nga jeta e vepra e tyre. Për këtë vepër, duhet falënderuar, Kryetari i Bashkisë së Lezhës, dashamirësi e thekshëm i kulturës, z. Pjerin Ndreu, për dhënien e lejes së ndërtimit; prefektin fjalëmirë, Gjokë Jaku; pronarin e Restorantit Milenium, vullnetmirin, Martin Lleshi; biografin e Oroshit, atdhetarin, Tomë Mirjaj nga NewYorku; skulptorin e bustit Sadik Spahia, dhe ata që e mundësuan gjithë këtë vepër: Dy djemtë e vëllezërve të Mons. Oroshit: Gjon e Nikollë Prendi me djemtë e nipat të tyre. Ta gëzojmë këtë vepër më vlera kombëtare.Dom Nikë Ukgjini