Ashtu siç edhe kishte lajmëruar më herët, kreu i PS dhe kryeministëri i ardhshëm i vendit Edi Rama është pritur sot në një takim nga kryeministri i Turqisë Rexhep Taip Erdogan. Siç bën me dije dhe vetë Rama në rrjetin social twitter takimi ndërmjet dy Kryeministrave dhe një sërë Ministrash të dy qeverive ka zgjatur rreth 2 ore e 30 min, ku eshte diskutuar per mundesine e bashkepunimit mes dy paleve.
“Rreth 2 ore e 30 min me km Erdogan e nje sere ministrash te dy paleve. Nje plan i gjere bashkepunimi ne proces. Mikpritje e shkelqyer!” shkruan Rama.
Në pritje të marrjes së detyrës si kryeministër i vendit, Rama takohet me Erdogan për të dytën herë brenda një harku të shkurtër kohor. Në fund të muajit maj, lideri i PS-së u prit në Ankara nga kreu i ekzekutivit turk.
Kryesocialisti Rama ishte i ftuar dje në televizionin “CNN Turk”, për një intervistë, në qendër të së cilës ishte libri i tij “Kurbani” i botuar së fundmi në gjuhën turke, si dhe objektivat e qeverisë së re pas konstituimit në shtator.
Rama deklaroi se lufta ndaj korrupsionit do të jetë një nga pikat nga ku do të nisë edhe ndryshimi i Shqipërisë.
“Shpresoj që ju të mos mendoni se korrupsioni është një virus që i përket Shqipërisë. Por ju e dini që kudo që shkon dhe këdo që prek, korrupsioni përhapet në mënyrë shumë të shpejtë si sëmundje ngjitëse. Dhe situata në Shqipëri kështu është. Ajo që duhet të bëjmë ne është të marrim përsipër të bëjmë një luftë të madhe kundër këtij fenomeni”, deklaroi Rama në intervistën dhënë Hande Asik, drejtore e lajmeve të jashtme në CNN, Turqi.
Kryeministri i ri, Rama deklaroi gjithashtu se qëllimi i tij dhe i qeverisë së tij është të bëjë realitet ëndrrën e shqiptarëve për të qenë pjesë e familjes së madhe europiane.