Dr. Doc. SHERIF SELIMI
UNIVERSITETI FON – SHKUP
Poetika e simbolizmit paraqet ndoshta problematikën më komplekse lidhur me ndryshimin teorik të simbolizmit në përgjithësi. Ashtu siç ndodh me letërsitë e popujve të tjerë në botë, ku bëhen transformime të ndryshme, po kështu diçka e ngjashme do të ndodhte edhe në letërsinë shqiptare. Procesi i transformimit në letërsinë moderne shqiptare karakterizohet me zgjerimin e tematikës dhe të hulumtimit, pra, vihet në kërkim të formave të reja të krijimtarisë poetike. Një gjë të tillë e mundësojnë kontaktet e poetëve (krijuesve) shqiptarë me lëvizjet letrare, ose fraksionet letrare që paraqiten në kulturat e popujve të mëdhenj të Europës Perëndimore, në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX.
Në një periudhë të ngushtë kohore, në letërsinë europiane paraqiten lëvizje të shumta letrare (simbolizmi, futurizmi, surrealizmi etj.), të cilat në mënyrë radikale i kundërvihen realizmit dhe natyralizmit, kurse vazhdimësinë e kërkojnë me një epokë të mëparshme, që do të thotë – me epokën e romantizmit. Kjo epokë mund të quhet si epoka e pluralizmit letraro-artistik. Duke rënë në kontakt me këto lëvizje, një proces i tillë zhvillohet edhe në letërsinë shqiptare, duke shkuar drejt vizioneve të llojllojshme dhe duke kërkuar mënyra të reja të shprehjes. Por kuptohet se letërsia shqiptare nuk do të zhvillohej me hapa të njëjtë, sikurse edhe letërsitë e tjera të popujve të mëdhenj të Europës Perëndimore.
Nëse marrim parasysh teorinë e Mihail Bahtin-it, pra, duke e shikuar nga aspekti i intertekstualitetit që lidhet me pluralizmin kulturor (Bahtin, Mihail, f. 252-253), natyra e ideve të procesit kulturor lidhet me të gjitha segmentet, duke përfshirë këtu edhe kontaktet ndërgjuhësore. Këto kontakte mund të përdoren edhe në kulturën shqiptare, e cila, sipas pozicionit të saj, nuk e ka pasur problem që të kontaktonte me kulturat tjera, sepse një numër i konsiderueshëm i poetëve të letërsisë shqiptare kanë studiuar nëpër qendra të ndryshme të Europës Perëndimore, si: Asdreni, Noli, Konica, Kuteli, Poradeci etj. Kështu, përmes këtyre kontakteve, letërsia shqiptare do të ishte e hapur për dialog me letërsitë tjera. Edhe kategoria e bi dhe poliliteraritetit, si variant i tyre polidimensional, do të aplikohej në poezinë e poetëve shqiptarë të lartpërmendur.
Sharl Bodler-i është paraprijës i simbolizmit në letërsinë franceze, por gjithashtu merret edhe si modernisti i parë i letërsisë franceze dhe i asaj botërore. Ai është i pari i cili bëri përjashtimin nga utilitariteti i atëhershëm dhe funksioni dekorativ i poezisë. Poezia e Bodler-it ka misionin e vet: “ajo hap dritaren në një drejtim tjetër të botës spirituale, që është e ngjashme me tonën, dhe i mundëson egos të dalë nga kufijtë e vet dhe të shtrihet në mënyrë të pakufizuar. Në këtë proces të shtrirjes fillon dhe përfundon hulumtimi i bashkimit shpirtëror të njeriut”. (Rajmon, Marsel f.92). Sipas kësaj, shihet qartë se simbolizmi europian lidhet me poetin e njohur të letërsisë franceze Sharl Bodler-in, i cili me poezinë e tij hapi dyer të reja në zhvillimin e lirikës franceze dhe asaj europiane në përgjithësi.
Poezia lirike mund të shihet në tri rrafshe: rrafshi emocional – ku shprehet funksioni emotiv; rrafshi figurativ– ku përshkruhen aspektet domethënëse semantike të poezisë lirike dhe rrafshi i njohjes, në të cilin vijnë në shprehje referencialja e lirikës ose funksioni tregimtar. Shtrirja në këto rrafshe paraqet orientimin themelor për zgjedhjen dhe analizën e ashtuquajtur differentia specifica të lirikës, specifikë me të cilën lirika themelon llojin e vet të njohur letraro-artistik, pikëpamjen e vet për botën dhe parimin krijues. (Ќулавкова, Катица, стр.5-6).
Në rrethana të tilla, letërsia shqiptare ka filluar ta artikulojë shprehjen e saj moderne, duke u paraqitur në situata të caktuara të cilat bartin me vete edhe specifikat (elementet dalluese), ndërsa terreni ku është zhvilluar, kuptohet që është një faktor i rëndësishëm. Pra, elementet e para të lirikës moderne shqiptare paraqiten në veprat e Asdrenit dhe Poradecit – posaçërisht te Kolonia Shqiptare e Bukureshtit. Në planin krijues, lirika moderne e zhvendos interesin kolektiv kah shprehja subjektive, nga e përgjithshmja kah personalja, nga retorikja kah emocionalja, dhe kjo bëhet për shkak të vetëdijësimit për pluralizmin estetik të krijuesve. Në këtë drejtim, këto elemente janë më të dukshme te poezia e Lasgush Poradecit, i cili në njërën nga poezitë e tij shprehet:
“Këng’ e lasht’ e vjershërisë më pëlqen aq fare pak
Do t’j-a marr që sot e tutje si bilbil parëverak ,
Që nga fund’ i vetëvetes do këndoj një mall të ri…..” (Poradeci, Lasgush, f.51).
Me këto vargje dëshmohet se Lasgush Poradeci largohet nga “mënyra e vjetër e këndimit” dhe do të “këndojë një këngë të re”. Kështu përcjell një mesazh të qartë deri te lexuesi. Pra, ai bën një hap përpara në lirikën shqiptare, pasi poezia e tij karakterizohet nga funksioni i shprehjes emotive, si dhe është e pasur me shumë shprehje figurative. Këto elemente, në mënyra dhe forma tjera, i gjejmë edhe te F. Noli, Migjeni, M. Kuteli, F. Konica etj. Kuptohet se kjo është koha kur në poezinë shqiptare dallojmë mënyra të ndryshme të shprehjes letrare, të cilat janë rezultat i kontakteve dhe i ndikimeve të kulturave të ndryshme europiane dhe më gjerë. Kjo vlen konkretisht për poezinë moderne, ku “liriku bëhet magjistar”, sipas Fridrih Hugos. “Poezia krijohet nga impulset e gjuhës, që nga ana e tyre, duke e dëgjuar zërin paragjuhësor, (që i paraprin gjuhës së menduar) shpie te përmbajtja apo kuptimi, dhe jo anasjelltas. Domethënë, përmbajtja bëhet rezultat dhe ajo është në funksion të fuqisë së zërit, që është i mbifuqishëm në raport me kuptimin.” (Hugo, Fridrih, str.54-55).
Kështu, në fazën e modernizmit në letërsinë tonë vijnë në shprehje mundësitë e shpeshta të gjuhës poetike përmes përdorimit të mjetit kryesor stilistik të poezisë së simbolizmit, pra, sinestezionit. (Речник на книжевни термини,стр.727-728). Sinestezioni nuk është term ekskluziv letrar; ai shënon përzierje të shfaqjeve ose lidhje të dukurive të fushave të ndryshme stilistike. Klasifikimi i tij ka të bëjë me: vizualen, auditiven, olfaktoren, gustativen, taktilen dhe psikikën. Në teorinë e letërsisë quhet edhe si “audition coloree” ose “dëgjim i ngjyrosur” (dëgjim me ngjyra), që e ka bazën psikike dhe biologjike, por, jo rrallë herë është kontestuar dhe i është dhënë drejtim kah mënyra që të trajtohen si “shenja për gjendje patologjike të shpirtit”. Sinestezioni do të përdorej në realitetin gjuhësor dhe poetik të simbolistëve duke u bërë shenjë e të folurit poetik, si dhe element i poetikës së poezisë gjithëpërfshirëse moderne europiane.
Sinestezioni i takon grupit të figurave semantike, për të cilat është karakteristike ndryshimi i kuptimeve themelore të disa fjalëve të caktuara. Poeti modern ecën nëpër rrugën e matematikanit që lidhet me numrat irracionalë dhe transhendentalë, dhe, sipas operacioneve të veçanta, ndërton botën imagjinare të simboleve matematikore, të cilat kanë logjikën e tyre të brendshme. Sinestezioni arrin funksionin referencial të gjuhës poetike dhe e rrënon logjikën kauzale të botës reale dhe mendimin racional: “Syri na mashtron duke ia veshur lules cilësitë e rrezes së diellit. Veshi na mashtron duke ia veshur valëzimin e zërit ziles që bie. E gjithë vetëdija jonë na mashtron duke bartur cilësitë e veta, kushtet e veprimit të vet ndaj objekteve të jashtme” thekson udhëheqësi i simbolizmit rus, Valerij Bruesov. (Стојменич, Мирослав, 8-12).
Shembuj ku zëri paraqitet si zë artistik vizual ( auditivo-vizual) ose të fotografisë së paraqitur si fotografi tingullore (vizualo-auditive), dhe se si “aromat posedojnë ngjyrë”, gjegjësisht cilësi zanore (auditive-alfaktorike, vizuale-alfaktorike), ka edhe në poezinë e Lasgush Poradecit: “fjalë më shumë të ëmbla”, “aromë e flaktë”, “këngë me vrer, vrer të zi”, “gjuhë e zjarrtë” etj.
Sinestezioni kontribuon për rinovim apo freski të shprehjes poetike. Sipas studiuesve të këtij fenomeni poetik, Gi Misho-s, Fridrih Hugo-s , Roman Jakobson-it, Svetozar Koleviq-it, Zoran Kravar-it etj., duke i fshirë kufijtë e perceptimit shqisor, sinestezioni, jo vetëm që nuk e përfill përjetimin fragmentar shqisor të botës së paraqitur, por në emër të disa mundësive të pandiera të shpirtit njerëzor, kthehet në shkallën zero të njohjes dhe kështu, gjërat bëhen kategori esenciale dhe produkte të një lloji të caktuar të receptimit sensorik.
Përmes këtij teksti, tendenca jonë e përforcon bindjen e kritikës imanente të Sabri Hamitit dhe Moikom Zeqos, se në thelb poezia e Lasgush Poradecit është simboliste.
BIBLIOGRAFIA
- Bahtin, Mihail, “Reč kod Dostojevskog” te: Problemi poetike Dostojevskog, Beograd, “Nolit”, 1981.
- Hamiti, Sabri, Lasgush Poradeci : Trashigimi; I – Testamenti poetik i Lasgushit; II – Kështu thoshte Lasgushi , Arti i leximit, Rilindja, Prishtinë, 1983.
- Hamiti, Sabri, Arti poetik i Lasgushit, “Drita”, Tiranë, 5 maj 1996.
- Hugo, Fridrih, “Struktura moderne lirike”, Stvarnost, Zagreb, 1989.
- Konsantinovic, Zoran, “Savremene naucne misao o simbolizmu”, Savremenik (tema simbolizam), Beograd, (XXXIX) maj-juni, 1983.
- Michaud, Guy, “Message poetique du simbolisme”, “Librarie Nizet”, 1974.
- Ќулавкова, Катица, “Одлики на лириката”, Наша книга, Скопје, 1986.
- Rajmond, Marsel, “Od Bodlera do nadrealizma”, Sarajevo, Veselin Maslesa, 1958.
- Речник на книжевни термини, 1986.
- Стојниħ, Мирослав, “Подударности и сличности руског и српског симболизма”, у : Српског симболизма (типолошка проучавања), Меħународни научни скуп, Београд 8 – 11 , новембар 1983.
- Zeqo, Moikom, Krijime poetike të L. Poradecit, “Drita”, Tiranë, 13 nëntor 1988.
- Zeqo, Moikom, “Të dhëna të reja për L. Poradecin”, Bashkimi, Tiranë.
VEPRA TË CITUARA
- Poradeci, Lasgush, “Vdekja e Nositit”, Rilindja, Prishtinë, 1986.