
Politikanët e ndrojtur në krye të kombeve të tua të vogla nuk kuptojnë se pa një bazë kulturore të përbashkët nuk do të ketë kurrë as bashkim, as solidaritet.
Nga OLIVIER GUEZ/
Perktheu nga “Corriere della Sera”, Eugjen Merlika/
Evropë e dashur, ose më mirë duhej të të shkruaja Evropa ime e mjerë. Po të flas në njëjës, sepse njihemi thellësisht, ti e dashura ime e vjetër, dhe un, djali i Strasburgut, kryeqyteti yt i zemrës. Jam rritur në brigjet e Rinit, një nga damarët e tu, e nuk e ndjej kurrë vehten më të lumtur se sa kur gjindem mbi autostradat e trenat që përshkojnë territorin tënd. Lakoret e lumenjve të tu, të deteve të tua e të maleve të tua; madhështia e qyteteve të tu e të fshattrave të tua, pasuria e kulturave të tua dhe magjia e gjuhëve të tua: Evropë e shtrenjtë vazhdon të jesh objekti i dëshirave të mia, ti, për të cilën mëtonjësit nuk janë më aq të shumtë, mjerisht; nuk harroj kurrë gjithshka që ti na ke dhuruar, paqen, mirëqënien, që nga hera e fundit që bijtë e tu u vranë me njëri tjetrin, shtatëdhjetëepesë vite më parë.
Por ata ç’kanë bërë me ty? “Ata”, politikanët e ndrojtur që drejtojnë – ose do të dëshironin të drejtonin – kombet e tua të vogla që prej njëzet vitesh. “Ata” që bëjnë të peshojnë mbi ty të gjitha të ligat, ndërsa të kanë ndërtuar të akulltë e të çalë, një të paaftë pa fytyrë, në mënyrë që ti të bëheshe dashi i kurbanit i poshtërsive dhe hipokrizive të tyre.
Evropë e mjerë, nuk mund të njihesh më. Ata të kanë shfytyruar, perëndeshë e hijshme, duke të kthyer në një kuçedër me gjashtë krerë (njëra kryeson këshillin e Bashkimit evropian e ndryshon çdo gjashtë muaj, e dyta drejton Komisionin evropian, e treta Këshillin evropian, e katërta Parlamentin evropian, e pesta Bankën qëndrore evropiane dhe e gjashta Evrogrupin). Si mund të njëjtësohemi në një përbindësh të tillë? Si t’a kuptojmë metabolizmin e tij? Në Bruksel e në Strasburg të kanë ndërtuar pallate funksionale. Fasadat e tyre janë të lëmuara, arkitekturat e tyre të ftohta: gjithshka është e shëmtuar dhe vagëlluese. Nuk kanë dashur t’i jepnin një identitet kartmonedhave të tua, monedhës sonë të përbashkët. Në vend që të shtypnin mbi to figurat e gjenijve të tu – Dante, Goethe, Mozart, Pikasso, panteoni është i gjërë – kanë zgjedhur ura, harqe e dritare të vizatuara në një kompiuter. Mund të kishin ftuar qytetarët e tu të shpreheshin mbi ato vizatime: nëpërmjet internetit, një këshillesë e njerëzishme, popullore e vërtetë kontinentale. Nuk kanë ditur të tregojnë historinë tënde, as të kremtojnë trashëgiminë tënde (të cilën nuk kanë guxuar as t’a përcaktojnë), amzën greko – latine dhe judeo- të krishterë (por edhe myslimane në gjysishujtë iberik e ballkanik; më të kundërshtueshme në Vendet e nënshtruara Perandorisë Otomane në shekuj, jam në një mëndje), dhe aventurën e madhe të Rilindjes dhe humanizmit, as të padisin kundërshtitë e tua mizore dhe krimet e tua të shkuara, fashizmin, komunizmin, kolonializmin. Brezave të ardhëshëm nuk kanë dashur t’i përcjellin traditat e tyre të përbashkëta, vetëm fjalë të zbrazura e formula të paqarta. Duhej të kishin ngritur kurse të historisë dhe edukatës qytetare evropiane në të gjitha shkollat e kontinentit, duke formuar poliglotë të vegjël! Merrni me mënd. A nuk e kuptojnë se pa edukim evropian, pa bazë kulturore të përbashkët, nuk do të ketë kurrë as bashkim as solidaritet? Sigurisht. Në fund të fundit nuk të duan. Ose të duan të lëkundëshme e pa gjak.
Kështu e dashur Evropë, të kanë braktisur në mes të vaut. Paraardhësit e tyre kanë rrezikuar çmendurisht, njihnin pjerrjet e tua kriminale, pjesa më e madhe i kishte provuar në lëkurën e tyre. Ecnim drejt një bashkësie të madhe, aventura ishte e përbashkët, lumnuese, kur gjithshka u ndal. Dhe ja ku jemi këtu të paralizuar, të pleksur në rrjetën e kompetencave të bashkëndara, të papërshkueshme, e së fundi të pambrojtëshme. E pamundur të të lemë, e pamundur të shkojmë përpara, për mungesë vullneti, guximi, kahu të historisë të burrave e grave që kryesojnë fatin tënd nga fillimi i shekullit. Ty të kanë lënë punën shpërnjohëse për të nxjerrë direktiva, norma e rregullore, të kontrollosh borxhet dhe defiçitet: ti je një xhandar i shëmtuar financiar, shtaza e zezë e populistëve, të së djathtës e të së majtës që lëvdohen duke përfituar nga ti. E ti je e pambrojtur. Ata shpresonin që kushuriri i yt amerikan, edhe gjithmonë e më i largët, e prej kohësh, do të kishte vigjëluar gjithmonë mbi sigurinë tënde. Ja tani robër të Donald Trump-it, sepse ata ishin të vetmit që kanë bërë sikur i kanë besuar fundit të historisë.
Kështu provincializmi mbretëron. Si në buletinet meteorologjike të televizionit francez, nuk dijmë se ç’ndodh përtej kufijve tanë të dashur, nuk dijmë si do të jetë moti, nuk duam t’a dijmë dhe s’çajmë kokën. Si në kanalet e njoftimeve franceze ku, prej kohësh, mikrofonët janë hapur për të gjithë tellallët kombëtaristë. Franca nuk din tjetër veçse të vetëgjymtohet e shikon vetëm kërthizën e vet. Mbretëria e Bashkuar shkon drejt rravgimit. Gjermania dridhet nga ideja për të taksuar Gafa-t (Guggle, Apple, Facebook, Amazon). Katalanasit duan të lenë Spanjën. Polonia, Hungaria, Italia e ndonjë tjetër shesin trimëri: të vetëm do të jenë t’aftë të luftojnë më mirë ngrohjen e përgjithëshme, mërgatat e mëdha, terrorizmin. Budallenj të mjerë! Rusia, Amerika, Kina, Turqia, islamizmi kataro – saudit lëpijnë mustaqet. Ëndërrojnë hakmarrjen dhe copëtimin tënd që i ke pushtuar ato prej shumë kohësh. Kuadri është i ngrysur, e dashura Evropë, jam i hidhëruar, vazhdoj të jem i zemëruar me ata që të kanë kthyer në një gjë pa shije e pa shpirt, pa histori e pa fytyrë, një anije pa një drejtim e pa një drejtues, në dorë të gjithë rrymave të dhunëshme.
Milan Kundera, në kohën e Luftës së ftohtë, shkruante se evropiani i vërtetë kishte mall për Evropën. Fatkeqësisht sot e nënëshkruaj këtë përcaktim.