Prof.Asc.Dr. Gëzim MUSTAFAJ/
Shtetet dhe grupet mund të hyjnë në konflikt ose të bashkëpunojnë për shumë arsye që kanë të bëjnë me motive apo konflikte të shkaktuara nga politika ndërkombëtare, mjedisi ekonomik apo impulset psikologjike dhe kulturore. Në këtë rrafsh ideologjia ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare, veçanërisht që nga Revolucioni Francez. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore u duk sikur idealizmi liberal po ndërhynte në marrëdhëniet ndërkombëtare me një politikë më të ndjeshme. Idealizmi liberal tentoi të vendoste parimet mbi veprimet dhe ngatërroi moralin në marrëdhëniet ndërkombëtare me moralitetin universal qe përputhej me vetë interesat e fituesve të Luftës së Parë Botërore. Pasojat e kësaj ngatërrese ishin të mëdha. Shekulli XX u mbizotërua nga përplasja globale e rrymave ideologjike, si liberalizmi, komunizmi dhe fashizmi. Në fillim përplasjet e fashizmit me komunizmin e më vonë edhe me liberalizmin shkaktuan Luftën e Dytë Botërore. Pas saj për gjysmë shekulli me radhë përplasja e liberalizmit me komunizmin i karakterizoi marrëdhëniet në rrafshin ndërkombëtarë. Kjo periudhë e ndau botën në bllokun komunist me në krye BS dhe në bllokun demokratik të udhëhequr nga Amerika. Kjo ndarje e botës u shoqërua nga ajo që u quajt Lufta e Ftohtë e cila mbizotroi boten deri në vitet 90-të dhe ruajti balancat midis fuqive të globale.
Ideologjia mund të jetë një formë e identifikimit të një grupi të caktuar njerëzish të përfshirë në një botëkuptim. Ata mund të nxisin skeptikët ndaj kësaj ideologjie drejt grindjeve të cilat mund të rezultojnë edhe me konflikt. Në regjimet totalitare ideologjia serviret si një plan i së ardhmes, ku gjërat do të jenë më mirë. Burimi dhe baza e ideologjisë së gjithanshme është një ideologji e përpunuar nga ideologë, siç u konsideruan në regjimin komunist Marksi, Engelsi, Lenini, Stalini dhe të tjer udhëheqes. Kjo e konsideruar si ideologji e vetme e trajton shoqërinë si një të tërë, pa shumëllojshmërinë e grupeve sociale të interesit, të mjeteve dhe të formave të pronësisë private dhe mbi të gjitha e çvesh njeriun nga personaliteti individual i tij. Të gjitha vlerat individuale i dedikohen partisë dhe udhëheqësit. Ideologjia e nënshtron individin dhe e shkëput atë nga realiteti ekzistues i zgjidhjes së nevojave të përditshme dhe e vë atë në pozitën e luftës për “shoqërinë e ardhshme”. Kjo idologji në themel ka luftën e klasave si forcë lëvizëse.
Në të kundërtën e kësaj është ideologjia e lidhur me shoqërinë pluraliste për vetë rolin pajtues të politikës. Këto shoqëri, që ruajnë vlerat e civilizimit, lejojnë ideologji të ndryshme në territorin e tyre në format e alternativave. Alternativat mund të paraqiten ideologji të tilla si, liberalizmi, liberalizmi modern, neoliberalizmi, neokonservatorizmi, socialdemokracia, etj. Këto janë për zhvillime dhe ndryshime të rendit ekzistues, të lidhura si me realitetin e ditës, ashtu edhe me të ardhmen. Ideologjia e kufizuar, në dallim nga ideologjia e gjithanshme, favorizon individualitetin dhe pavarësinë personale. Ajo merr trajtën e kulturës së përbashkët, e cila në mënyrë të veçantë, përfshin disa gjykime rreth formës së qeverisjes. Këto të fundit përfshihen në atë që quhet kulturë politike.
Identiteti si nocion është mjaft kompleks dhe shumëdimensional. Ai nuk është një nocion statik, por dinamik. Kjo nënkupton se asnjë formë e identitetit nuk është e kompletuar apo tërësisht e qëndrueshme. Identiteti nuk mund të vështrohet si një ngjitje, por pak a shumë strukturë e integruar simbolike me përmasa kohore, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e cila u ofron kompetenca të rëndësishme individëve, siç është sigurimi i vazhdimësisë dhe i konsekuencës. Individët për nga natyra kanë shumë identitete, që mund të jenë të pajtueshme me persona të tjerë në një situatë të caktuar, por që në situata të tjera me personat e njëjtë mund të kenë identitete të ndryshme. Për shembull, identiteti gjeografik mund të jetë i njëjtë me një person tek i cili mund të jetë i theksuar një identitet i besimit të ndryshëm. Në disa vende evropiane janë bërë gjë normale identitetet e dyfishta ose të shumëfishta. Në vitet 1950 dhe 1960 shumë njerëz që jetonin në Jugosllavi ndiheshin krenarë që i kishin rezistuar Bashkimit Sovjetik në vitin 1948 dhe kishin krijuar një sistem ekomonik që u dukej premtues. Në vitin 1990 pjesa më e madhe e njerëzve në Jugosllavi e ndjenë se identitetet e tyre si serbë, kroatë, sllovenë, boshnjakë u bënë më të spikatur se identiteti i tyre si jugosllav. Identiteti etnik shpesh shërben si bazë për mobilizime dhe organizime. Shumë identitete janë gjithashtu të bazuara në vlera të veçanta, besime ose interesa. Me anën e identitetit kombëtar pjesëtarët e një kombi bëhen të ndjeshëm në raport me pjesëtarët e kombit tjetër. Identiteti kombëtar si një pikënisje e formësimit të shteteve kombëtare kryesisht janë të ndërtuara mbi mite dhe histori të mëhershme të vendeve të veçanta. Shtetet e ndërtuara mbi bazë të miteve të identitetit janë të prirura që të futen në konflikte të mëvonshme, pikërisht me vendet kundrejt të cilave kanë shfaqur agresivitet më herët, me qëllim të nxjerrjes në sipërfaqe të identitetit të tyre. Në shprehjet e përditëshme popullore shtetet ndahen në dy kategori; shtetet e mira, paqësore dhe shtetet e këqija agresive. Perceptimi i parë është se shtetet e mira dhe paqësore janë shtete me demokraci liberale, ndërsa shtetet e këqija janë shtete të cilat drejtohen nga udhëheqja autoritare dhe kryesisht janë agresive.Tipike sot Serbia që identitetin e tyre e kanë ngritur në dem të kombeve të tjera. Siç nuk është e thënë të jetë e vërtetë se kuptimi i demokracisë si përfaqësim i shumicës dhe meqë natyra njerëzore nuk është agresive, atëherë rrjedhimisht demokracitë nuk janë agresive. Problemet më të mëdha janë krijuar me ngritjen e nacionalizmave dhe të rikthimit të ndërgjegjes nacionaliste në disa vende pas rënies së komunizmit. Nacionalizmi vepron si një forcë integruese politike, kur një populli apo një kombi i duhet ta afirmojë vetveten ndaj një tjetri. Ai fiton legjitimitet të paprekshëm aty ku ai ecën në rrugën e çlirimit prej një sundimi të huaj, duke u stilizuar kësisoj si një çështje e shenjtë. Shtetet e rrënjosura kombëtare në Perëndim duhet të zgjidhnin çështjet e lëvizjeve për autonomi në krahinat e tyre, ndërsa popujt në Lindje ndeshen akoma me lëvizjet nacionaliste. Evropa nuk e ka kapërcyer akoma epokën e nacionalizmit. Përvoja historike evropianiste prodhoi më shumë luftra se paqe, shkatërrime se zhvillime, humbje jetësh njerëzore se lumturi e prosperitet. Për shekuj, Evropa u shndërrua në arena betejash midis vet vëndeve europiane. Vetëm nga viti 1870 deri në vitin 1945 Franca e Gjermania u përleshën tre herë me njëra-tjetrën, me pasoja tepër tragjike. Prandaj koha kërkoj një zgjidhje tjetër, jo si kopje e të tjerëve dhe jo si të mëparshmet. Nevojitej një Evropë tjetër. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pamvarsisht lekundjeve të fundit, janë dhe do të vazhdojnë të mbeten edhe në shekullin e 21-të e vetmja superfuqi, me të cilën sot dhe për disa dhjetëvjeçarë të tjerë nuk do të mund të krahasohet asnjë fuqi tjetër e madhe, në asnjë nga dimensionet që përbëjnë elementët bazë të pushtetit të një fuqie globale. Amerika në dallim nga vendet e tjera është se amerikanët e duan me shpirt lirinë, të cilën shumë europianë e marrin si diçka të natyrshme, ose e quajnë naive apo cinike, madje deri në një fantazi amerikane. Perceptimi i përgjithshëm i një lufte në Shtetet e Bashkuara është krejt i ndryshëm nga ai që kanë europianët për të. Në Shtetet e Bashkuara, një luftë që zhvillohet prej tyre perceptohet dhe paraqitet shpesh në media si një ngjarje heroike, ku Amerika, me gjithçka që ajo përfaqëson, tregon se çfarë është e aftë të bëjë. Ndërsa për Europën, për shkak të historisë së saj, një luftë evokon qytetet që i shkatërrohen dhe civilët e pafajshëm që i vriten. Amerika është i vetmi vënd në botë që eksporton liri. Kurdoherë që rasti historik e ka kërkuar, SHBA kanë qenë të gatshme të paguajnë çmimin më të lartë për t’u ardhur në ndihmë të shtypurve, madje edhe në shtete që i kanë dashur asaj të keqen. Ndërsa luftrat e Ballkanit të pas Luftës së Ftohtë nxorën në pah mungesën e unitetit në radhët e Evropës dhe forcen e Amerikes, sepse Evropa nuk kishte as vullnetin dhe as aftësinë që të vendoste paqe dhe stabilitet në gadishullin e saj Jug-Lindor. Këtë e treguan qartë ngjarjet në Bosnje dhe Kosovë, ku Amerika ishte faktori shumë i rëndësishëm për zgjidhjeve krizave dhe rivendosjen e stabilitetit në këtë rajon të rëndësishëm të Evropës. Amerika ka rëndësi të jashtëzakonshme për shkak të fuqisë së saj ekonomike dhe ushtarake dhe rolit të saj në shumë aleanca.
Pasi amerikanët bënë zgjedhjen e tyre në votimet presidenciale, bota tani pret të shohë çfar do të marrë përgjegjësinë për të ardhshme. Tani do të prijë Donald Trump me shpresën e tij të amerikanizmit, jo globalizmit. Gjatë administrates Biden, vlera e ndikimit global të SHBA-së u vu në pikëpyetje. Fuqitë rajonale po shkojnë secila në rrugën e vet, regjimet autokratike po bëjnë aleancat e tyre dhe luftërat shkatërruese në Ukrainë e Lindjen e Mesme(Gaza) po ngrenë pyetje të pakëndshme për vlerën dhe rolin e Washingtonit. Presidentit Trump tani i duhet të punojë në një botë që përballet me rrezikun më të madh të konfrontimit mes fuqive të mëdha, që nga Lufta e Ftohtë, pasi luftërat po bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u dhënë fund. Trump gjatë fushates deklaroi se është koha që të “rikthehemi tek paqja dhe të ndalojmë vrasjen e njerëzve”. Gjithashtu në orët e para të mëngjesit të 6 nëntorit, në Floridë ai iu drejtua turmës së entuziazmuar të mbështetësve; “Nuk do të pushoj derisa të kemi arritur një Amerikë të fortë, të sigurt dhe të begatë, që fëmijët tanë meritojnë dhe që ju meritojeni”.
New York Dhjetor 2024