
Dr. Ardiana MICI/
Fan Noli përfaqëson një nga personalitetet më të shquara shqiptare, i evidentuar si një mendje e ndritur në disa dimensione. Shkrimtar, përkthyes dhe aktivist i çështjes shqiptare për pavarësi ai shfaqi një mendim dhe penë të mprehtë në shërbim të zgjimit kombëtar, kulmoi me një karrierë të shkurtër por intensive si politikan e diplomat, ndërsa mbajti postin e personalitetit më të lartë fetar në Amerikë, nën petkun e të cilit përmbylli karrierën dhe jetën e tij.
Midis Shqipërisë dhe Amerikës, midis peshkopit dhe politikanit, midis shkrimtarit dhe diplomatit Fan Noli e drejtoi energjinë dhe veprimtarinë e tij atje ku Shqipëria kishte më shumë nevojë. Ai ishte i gatshëm të vishte petkun e priftit në moshë të re atëherë kur nevoja e kërkoi krijimin e kishës autoqefale, veshi petkun e diplomatit për të shkëlqyer në Gjenevë ndonëse ishte nisur të përfaqësonte Vatrën në parlamentin shqiptar, dhe në të njëjtën mënyrë ai veshi petkun e kryeministrit të Shqipërisë atëherë kur e pa të udhës se duhej ta drejtonte anijen shqiptare drejt perëndimit dhe modernizimit.
Kisha autoqefale shqiptare e Amerikës dhe Federata Vatra ishin dy institucione ku Fan Noli prej mëse një dekade ngjizte nacionalizmën në një komunitet shqiptarësh që rritej dhe forcohej ekonomikisht. Fan Noli do ta bënte të njohur çështjen kombëtare (mes shumë vendeve pjesëmarrëse në Kongresin e Kombeve të Shtypura) në takimin me Presidentin Amerikan Wilson në 4 korrik 1918. Mbështetja amerikane u bë garancia për rikonfirmimin e pavarësisë së Shqipërisë pas LIB, të cilën Noli e vulosi me anëtarësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve (17 Dhjetor 1920). Tani që sfida e rradhës për shqiptarët ishte organizimi dhe përparimi i shtetit të pavarur, për Nolin kishte ardhur momenti i shumëpritur që ti shërbente atdheut në atdhe. Përveçse vinte në Shqipëri me një background të pasur që u përmend më lart, ai kishte një autoritet që buronte nga bagazhi kulturor dhe intelektual, eksperienca e të jetuarit në perëndim dhe njohja e këtij qytetërimi, nga buronte edhe vizioni që Noli kishte për Shqipërinë, një shtet modern i stilit perëndimor. Por çfarë gjeti ai në realitetin shqiptar?
Shqipëria e viteve 20’ prezantonte një vend të dalë nga pushtimi osman me mbeturina feudale prezente si në asnjë vend tjetër europian, një vend që LIB nuk e la të organizohej si shtet më vete, me kufij ende të pa siguruar dhe strukturë sociale dhe administrative të prapambetur, me mungesë kulture politike dhe traditash parlamentare. Dega kryesore e ekonomisë ishte bujqësia me një bilanc të qartë negativ, ku 85% e popullsisë jetonte në fshat, por vetëm 9% e tokës ishte e punueshme. Fshatarësia ishte e varfër, e paarsimuar dhe e varur krejtësisht prej bejlerëve që zotëronin pronat e mëdha.
Klasa politike shqiptare e viteve 20’ vinte kryesisht nga shtresa e bejlerëve, pronarë tokash që përfaqësonin interesat feudale, grupi i të rinjve të shkolluar jashtë dhe me ide përparimtare ishte i vogël, fshatarësia e paarsimuar dhe e painteresuar për proceset politike. Përmes sensibilizimit të shqiptarëve të Amerikës nga Federata Vatra, në ndihmë të Shqipërisë, pas LIB u kthyen në Shqipëri rreth 15.000 emigrantë nga SHBA, nga të cilët një pjesë u përfshi në jetën politike dhe kulturore shqiptare. Fan Noli nuk ishte i vetmi “Vatran” në Shqipërinë e kësaj kohe. Në Këshillin Kombëtar të emëruar nga Kongresi i Lushnjes, 3 anëtarë ishin nga “Vatra”, nga zgjedhjet e vitit 1921, 8 deputetë ishin vatranë, ndërsa nga zgjedhjet e vitit 1923, 5 deputetë, ishin vatranë. Shumë të tjerë u angazhuan në nivelin lokal të qeverisjes.
Në skenën politike ishin krijuar dy parti, Partia Përparimtare dhe Partia Popullore, por ato nuk ishin të qëndrueshme, disa grupime të tjera zgjeruan skenën e pluralizmit politik dhe debatin në parlament. Vatranët e ardhur në Shqipëri u angazhuan në të dyja partitë politike, ata nuk mbajtën qëndrim politik të unifikuar, shpesh u bënë kundërshtarë, duke bërë opozitë të fortë edhe me njëri tjetrin. Fan Noli u pozicionua fillimisht me Partinë Popullore ku aderonte edhe Ahmet Zogu, ai mbajti postin e Ministrit të Jashtëm në qeverinë e Xhafer Ypit, kur në janar 1922 nënshkroi kërkesën mbi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA. Më pas u largua nga kjo parti dhe u pozicionua në opozitë së bashku me disa grupime të rinjsh. I dalluar për oratorinë e tij brilante, ai mbajti gjatë kësaj kohe fjalime kritike të forta në parlament duke shprehur nevojën për një sistem ligjor dhe demokratik.
Pas zgjedhjeve të vitit 1923 klima politike në Shqipëri u ashpërsua. Qeveritë u ndërruan disa herë dhe skena politike u radikalizua nga vrasje dhe konflikte. Ishte pikërisht vrasja e Avni Rustemit që do ta çonte opozitën drejt veprimeve të armatosura, në të cilat do të përfshihej dhe ushtria. Nën këtë presion qeveria Vrioni në pushtet dhe Ahmet Zogu të akuzuar për goditjen ndaj opozitës u detyruan të largohen drejt vendeve fqinje.
Noli u bë kryeministri i qeverisë të dalë nga kjo lëvizje e armatosur, që është njohur si Revolucioni i qershorit i vitit 1924. Kabineti me Nolin si kryeministër përbëhej nga 7 ministra të cilët përfaqësonin të gjitha grupimet opozitare kundërshtarë të Zogut por pa krijuar ndonjë një kohesion mes tyre dhe interesave që ata përfaqësonin.
Programi prej 20 pikash që qeveria Noli shpalli menjëherë, përfaqësonte një sistem reformash të thella të cilat synonin të ndryshonin krejtësisht panoramën shqiptare të viteve 20’. Blloku i parë i reformave synonte vendosjen e rendit dhe sigurisë, ndarjen e pushteteve dhe riorganizimin e administratës (civile dhe ushtatrake). Blloku i dytë kishte qëllim zhdukjen e mbeturinave feudale dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik përmes reformës agrare dhe zhvillimit të kapitalit të huaj e vendas. Në vazhdim projektohej përmirësimi i infrastrukturës së rëndë dhe shërbimeve, ndërsa një zë i veçantë i kushtohej politikës së fqinjësisë së mirë dhe prestigjit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Si program politik, ky i Nolit është vlerësuar nga studiues dhe diplomatë të kohës si një program ambicioz që e çonte Shqipërinë drejt modernizimit dhe zhvillimit shoqëror. Disa e kanë quajtur edhe radikal ose të parakohshëm, por në thelb programi është vlerësuar si një drejtim progresiv dhe perëndimor. Por a ia doli Noli të realizonte programin e tij?
Qeveria Noli mori urimet e para nga disa vende, përfshi edhe Francën e cila e njohu fillimisht si një ndërrim qeverie, ndërkohë që Britania ishte skeptike në lidhje me mënyrën e ardhjes në pushtet të Nolit. Gjermania e njohu zyrtarisht e u përfshi në marrëveshje, ndërsa vendet fqinje dhe fuqitë kryesore të kohës, përfshi edhe SHBA-të, qëndruan në pritje të zhvillimeve në Shqipëri duke mos lidhur marrëveshje zyrtare me Nolin.
Si kryeministër, Noli njohu projektet dhe marrëveshjet e lidhura nga qeveria e mëparshme me shtetet e tjera, duke dëshmuar vazhdimësi dhe pjekuri në drejtimin e shtetit. Ai u ofroi fqinjëve qartazi politikën e fqinjësisë së mirë, por refuzoi marrëveshje që preknin sovranitetin e Shqipërisë. Në politkën e jashtme, Noli iu përkushtua mbrojtjes së të drejtave të minoritetit shqiptar dhe përcaktimit të kufijve të mbetur pezull duke përdorur arenën e Lidhjes së Kombeve. Kohë dhe energji morën çështje të tilla si 14 fshatrat që Greqia duhej ti dorëzonte Shqipërisë; vendimi mbi Vermoshin dhe Shën Numin, shpërngulja e çamëve nga Greqia, nga të cilat e para mori zgjidhje në favor të Shqipërisë e dy të tjerat mbetën pezull, (30 tetor 1924). Këto veprime u treguan fqinjëve vendosmërinë e Nolit për këto çështje të ndjeshme.
Në politikën e brendshme, reforma agrare ishte shtylla e programit ekonomik, që do ti hapte rrugë zhvillimit shoqëror dhe politik, por realizimi ishte shumë i vështirë. Qeveria Noli e filloi me shpërndarjen e tokës në pronësi shtetërore për bujqit dhe më pas do të vazhdonte me shpronësimin e pronarëve të mëdhenj dhe ndarjen e tokës por këtu u përball me kundërshti të forta si brenda dhe jashtë vendit, në lidhje me mënyrën se si do të prekej prona private. Në këtë çështje Noli kishte kundërshti edhe brenda qeverisë së tij. Reformat në tërësi kishin kosto të madhe dhe qeveria nuk kishte mundësi financiare. Ajo arriti të balanconte buxhetin, si një nga pikat e programit, por kjo nuk mjaftonte.
Për të realizuar programin, Noli do të preferonte një kredi nga Lidhja e Kombeve ose Amerika për të mos kompromentuar pavarësinë e vendit, por këtë rradhë ai nuk gjeti përkrahje nga asnjëra, edhe pse i kushtoi mjaft energji kësaj çështje në Lidhjen e Kombeve. Refuzimi i mbështetjes u pasua nga një fjalim i Nolit, në të cilin ai ironizoi konceptin e parlamentit, kur ndërkohë qeveriste si kryeministër pa parlament dhe nuk kishte përgatitur zgjedhjet për ta bërë qeverinë legjitime. Përfundimisht kjo ngjarje do të ndante Lidhjen e Kombeve dhe fuqitë kryesore nga mbështetja e qeverisë Noli. Tendencat e Nolit për të hyrë në bisedime me Bashkimin Sovjetik e ftohën më shumë situatën me perëndimin. Pas këtyre ngjarjeve perëndimi ishte i gatshëm të mbështeste rikthimin e Ahmet Zogut në pushtet në Shqipëri, i cili nga ana e tij kishte gjetur mbështetje tek fqinjët veriorë dhe kishte përgatitur terrenin për rikthim.
Në politikën e brendshme, reforma agrare dhe mungesa 2 mujore (shtator-tetor 1924) e Nolit kur ishte në Gjenevë kishte bërë kundër Nolit nga njëra anë një pjesë të qeverisë, që ishte kundër reformës agrare dhe nga ana tjetër fshatarësinë për moszbatimin e saj. Gjithashtu krijimi i gjyqit special për dënimin e elementëve pro Zogut kishte krijuar pakënaqësi dhe përçarje në politikën e brendshme. Kur në 13 Nëntor 1924, Noli vendosi për mbajtjen e zgjedhjeve situata kishte precipituar, aq shumë sa ai nuk e kishte më atë përkrahje dhe nuk mund të ngjallte entuziazëm në popull për të mbrojtur qeverisjen nga sulmi i jashtëm dhe rikthimi i Ahmet Zogut.
Fan Noli qeverisi vetëm 6 muaj si kryeministër në kushte të vështira brenda vendit dhe nën një pritje që krijoi izolim nga jashtë, ai arriti të konkretizonte shumë pak nga reformat e premtuara, që kërkonin jo vetëm mbështetje financiare, por edhe një vullnet shoqëror për një transformim thelbësor politik dhe social. Deri në fund të vitit 1924 Fan Noli nuk e gjeti dhe nuk arriti të ndërtonte atë klimë politike në Shqipëri dhe në arenën ndërkombëtare që do ti siguronte mbështetje për të konkretizuar programin e tij për zhvillimin e Shqipërisë. Evropa dhe politikat e saj po ndryshonin shpejt gjithashtu. Fan Noli u largua nga Shqipëria për të mos u kthyer më kurrë.
Në thelb të gjithë veprimtarisë shumëdimensionale të Nolit qëndronte vullneti për ta bërë Shqipërinë me vete dhe për ta çuar atë drejt përparimit, nisur nga motive të larta patriotike. Ndonëse vizioni, idetë dhe programi qeverisës i Nolit ishin shumë më përpara sesa vetë shoqëria shqiptare e asaj kohe, rëndësi pati prezantimi i tyre përballë modelit qeverisës të vjetër të bejlerëve. Largimin nga Shqipëria, Noli e konsideronte dëshpërimin e tij më të madh pasi ai nuk arriti të ndërtonte atë Shqipëri që ai kishte ëndërruar pas fitores së pavarësisë. Kontributi i Nolit dhe i vatranëve në Shqipërinë e viteve 20’, edhe pse ata nuk ishin gjithnjë në sinergji me njëri tjetrin, pati rëndësi të madhe në ngritjen e institucioneve shtetërore dhe kulturore sipas modelit amerikan. Secili prej tyre vendosi gurin e vet në themelet e shtetit të ri shqiptar dhe pati rrugëtimin e vet, në disa raste edhe me fund tragjik.
Fan Noli u kthye në Amerikë, veshi përsëri petkun fetar dhe iu përkushtua krijesës së tij të parë, Kishës (Autoqefale Shqiptare të Amerikës), për të ruajtur dhe gjallëruar gjuhën dhe ndjenjat kombëtare dhe komunitare mes shqiptarëve të Amerikës. Ai e konsideron fenë si subjektin e tij më të preferuar, duke u shprehur se “Feja ka qenë puna e jetës sime”.
Të dyja krijesat ku Fan Noli derdhi energjinë e tij, si Vatra edhe Kisha shqiptare vazhojnë edhe sot të luajnë po të njëjtin rol në Amerikë, ku shqiptarët vazhdojnë të vijnë si emigrantë ekonomikë nga ajo Shqipëri që edhe pas një shekulli nuk është bërë ende ai vendi me demokraci perëndimore dhe me prosperitet ekonomik siç e ëndërronte Fan Noli.