

* FAN NOLI – REBELI, ndërsa i fton lexuesit të udhëtojnë në vitet “noliane”, është jo vetëm një mjet i mirë njohës për aktivitetin diplomatik të Fan Nolit, por edhe një burim informacioni shumë i dobishëm, interesant dhe informues për vitet kur vendi ndodhej në udhëkryqe të shumta të historisë!
– BOSTON, 08 Qershor 2025
Nga, Abedin KAJA
Në Katedralen “Shën Gjergji”- Boston, e themeluar nga imzot Fan Noli, e njohur ndryshe edhe si kisha e Nolit, ditën e diel u organizua takimi promovues i librit: FAN NOLI- REBELI, i autorit Ilir Ikonomi.
Eventit i parapriu një dokumentar prej 6 minuta përgatitur nga autori i librit Ilir Ikonomi.
Nëpërmjet dokumentarit, të pranishmit u njohën me aktivitetin e Nolit, në vitet 1920-1924, si dhe udhëtimin e autorit në arkivat e shtetit shqiptar, Austri, Gjermani, Arkivin e Nolit në Katedralen “Shën Gjergji” etj.
Ky libër vjen pas botimit dhe publikimit të një tjetër libri të studiuesit Ikonomi: “FAN NOLI – Apostulli” i promovuar më 16 mars 2024, në një nga ambientet e Universitetit të Harvardit.
Ndërkohë që pritet edhe vëllimi i tretë i librit, gazetarin e VOA, Ilir Ikonomi, njëherazi studiues i personaliteteve me kontribute të çështjes shqiptare, të fillim të shekullit XX-të, e bëjnë Konomin biografin më të mirë të figurës shumëpërmasore, Theofan Stiliano Noli, njëherazi personalitetet i spikatura në fushën e diplomacisë, letërsisë, historisë dhe të klerit ortodoksë shqiptar.
Ashtu si edhe në librin “Fan Noli-Apostulli”, edhe në këtë libër autori nëpërmjet “rebelit” Fan Noli ka arritur të sjellë ngjarje, personazhe, realitete njerëzore, situata dhe ambiente diplomatike ku zhvilloheshin ngjarje të vrullshme, për kohën e vorbullët ku ndodhej Shqipëria, jo vetëm për shkak të problemeve të brendshme, por edhe prej fqinjëve dhe fuqive të mëdha që e kërcënonin deri në mosekzistencë Shqipërinë e viteve 1920.
Në faqet e librit mësojmë përpjekjet e jashtëzakonshme të Nolit, që siç na shprehet autori, adhuronte heroin tonë kombëtar Skënderbeu dhe Napoleon Bonopartit, dhe mbase ëndërronte të ishte po aq i sukseshëm sa edhe ata.
Autori I. Konomi thot se librat studimor për Nolin janë mbështetur në të dhënat e shumta të nxjerra nga arkivat e Shqipërisë, ShBA-ve, Italisë, organet e shtypit shqiptar e të huaj, si dhe nga kujtimet e bashkëkohësve, të botuara, dorëshkrim etj.
Në dinamikën e ngjarjeve të shumta, ku F. Noli është një nga aktorët relevant, autori Ikonomi, pa shprehur vlerësimin e tij ideor, por referuar burimeve arkivore, veç guximit dhe mençurisë nuk nguron të vërë në dukje gabimet e “rebelit” Noli nga njëra anë dhe vlerat e kundërshtarëve të tij nga ana tjetër.
Në libër, autori shkruan se Kryeministri Sulejman Delvina dhe regjenti Sotir Paci kishin kërkuar që mos të lejohej Noli të hynte në Shqipëri në korrik 1920, sepse si pas tyre ishte një peshkop i shpallur në rrugë jo kanonike, por rebele.
Kundër tyre u shpreh Ahmet Zogu, ministër i Brendshëm, por që në fakt për nga forca e vendimmarrjes ishte gati Kryeministër.
Zogu vlerësonte aftësitë Nolit dhe kërkoi që ai të zgjidhej ministër i Jashtëm më 1921, fakt që Ikonomi vetëm e vë në dukje, pa shprehur vlerësimi personal për të.
Në vitet 1923-1924, kur Noli e shpalli Ahmet Zogun armik të përbetuar, dhe ngulte këmbë që ai të largohej patjetër nga atdheu; Ikonomi e kritikon indirekt Nolin, duke i kujtuar se Ahmet beu kishte qenë politikani që e kishte vlerësuar më shumë se të tjerët, por nuk ndalet për të dhënë vlerësimin e tij ndaj këtij qëndrimi të Nolit.
Edhe në rastin kur Luigj Gurakuqi doli kundër propozimit për ta zgjedhur Nolin kryeministër më 16 qershor 1924, çështje që u zgjidh me lotari.
Ikonomi nuk jep mendimet e veta për ta kritikuar qëndrimin e Gurakuqit, bashkëpunëtorit të afërt të Nolit.
Në fillim të qershorit 1924, kur gjithë anëtarët e qeverisë të trembur nga marshimi i forcave revolucionare drejt Tiranës ikën jashtë atdheut më 7 deri 8 qershor, vetëm Ahmet Zogu qëndroi në Tiranë deri më 10 qershor me 200 trimat e tij. Autori nuk komenton, por nuk rri pa e quajtur këtë akt të kundërshtarit të Nolit, “akt trimërie”.
Intersant është fakti që autori sjell në libër lidhur me Revolucion Demokratik të Qershorit, revolucion që solli Nolin Kryeminstër.
Më 17 qershor, kur Noli njoftoi qeveritë e huaja se krijoi një “qeveri librale, përfaqësuese të aspiratave të vërteta të popullit shqiptar drejt demokracisë”, autori shton se qeveria e tij ishte qeveri “laramane e përbërë nga demokratë, ushtarakë dhe bejlerë”. Më tej Ikonomi ndërsa ngre ppikëpyetjembi legjitimitetin e qeverisë, le të nënkuptohet se qeveria e Nolit nuk ishte legjitime. Këtë mendim ai e shtjellon më tej duke sjellë fakte konkrete, si mosmarrje e votëbesimit të kabinetit sipas statutit, i cili përcaktonte se çdo qeveri e re duhej të dilte para Asamblesë Kushtetuse brenda tri ditësh mbas formimit të saj; se përndryshe ajo do të ishte thjesht qeveri e përkohshme. Legjimilitetin ia dobësonte qeverisë së Nolit, shton autori, edhe fakti se ajo erdhi në fuqi me ndihmën e ushtrisë, gjë që e ndërlikonte njohjen e saj prej shteteve të huaja. Qeveria e Nolit nuk u betua as formalisht para regjentët të vetëm, Sotir Pecit.
Përmes faqeve të librit, mësojmë se Noli i ka njohur vetes disa të meta të karakterit, si “pazotësi për intriga”,
apo “besnikëri absurde ndaj njerëzish të pabesë dhe të korruptuar”.
– Gjithashtu, autori ka renditur momente të Nolit diplomat dhe ligjërues elitar në Lidhjen e Kombeve, kohë kur më 1920, me aftësitë e tij bëri për vete Lordin anglez Robert Cecil, roli i të cilit bëri që Shqipëria më 17 dhjetor 1920 të pranohet anëtare e Lidhjes së Kombeve.