Dr.Yllka FILIPI/
Figura e Fan Nolit është e njohur tashmë si një figurë poliedrike, brenda së cilës janë shkrirë në një të vetëm zjarri i poetit, zemërpushtuesshmëria e oratorit, ethshmëria e përkthyesit, vrulli i reporterit, mençuria e diplomatit, gjakftohtësia e politikanit, drithërima e muzikantit dhe mbi të gjitha dashuria sublime për Shqipërinë dhe popullin shqiptar, duke bërë çdo gjë të mundur për t’i nxjerrë nga errësira e tejzgjatur social-ekonomiko-kulturoro-shpirtërore e më gjerë. Në kohën kur veproi Fan Noli, një ëndërr e tillë kaq e guximshme, dukej pothuajse e pamundur. Poezia e Nolit ndërthuret me muzikën, simbolikën, metaforën poetike, kontrastet e fuqishme, ironinë apo groteskun . Konfigurime dhe thyerje të tilla ndërtekstore i hasim dhe në publicistikën e tij në formën e intertekstualitetit (prania aktuale e një a më shumë teksti brenda një tjetri), apo hipertekstualitetetit (Teksti A shartuar me tekstin B). Le të marim një fragment ilustrues për ta përimtuar nën dritën e këtij konteksti: Është fjala për një luftëtar të përgjakur të cilin e thërret nëpër mjegull, Liria. Identifikimi i Figurës së Nolit shkrihet në një me atë të personazhit që krijon në vetvete, duke simbolizuar gjithë sakrificën e figurës së tij në vite:
Sot këtë ditë një luftëtar i përgjakosur, i stolisur me kurorë dafinash mundëse, i lodhur nga mundimet e tërë motit që shkoi, qëndron përposh një lisi të gjatë, var armët dhe kurorët e tij përmi dëborën e bardhë që të çlodhet si luani. Sytë i dremisin dhe lëvezgat i rëndojnë plump, trupi i tij është i kapitur dhe dëshiron çlodhje dhe prehje.Po nuk i mbyll dot syte se mendja, zemra dhe shpirti i lëftojnë brenda dhe i thërresin.ngrehu, ngrehu!…(…)Nuk shëkon atje në mjegull ca shkaba të zeza që lozin krahët? Ty të thërrasin e ty të presin o luftëtar! (shkëputur nga Noli, vepra 2, publicistika) E ndërtuar mbi bazën e kontrasteve të forta metaforike kontekstuale. Një karakteristikë e tillë i vesh rreshtat publicistikë në të gjitha faqet e veprës me ngjyresa të forta poetike e mesazhe të thella patriotike.
Ty të thërrasin e ty të presin o luftëtar! Ky lejtmotiv dhe kjo thirrje e kanë ndjekur pas gjithë jetën Nolin, duke i hapur shtigjet drejt zgjidhjes së fateve të mëmëdheut. Atij fati që përsëritet çdo mot, që e ndërron lëkurën si gjarpër, i bardhë a i zi, sidoqoftë: Fatnë tim që përsëritet çdo mot të ri, e ndërron lëkurën porsi gjarpër, fatnë tim të keq, e dua si më parë dhe e puth me mall si vashë…pas këtij fati do vdes dhe përmbi varrë do të mbinjë një lule që do ta quajnë “dashuri e fatit shqiptar”! Autori shpreson shumë tek shqiptarët duke i motivuar të bëhen ca më të mënçur e më luftëtarë. Le të bëhemi të palodhur si armiqtë!(…) Mjaltin e zemrës suaj o vëllezër, mbajeni për veten tuaj, mos ua hidhni armiqve!
Duke qenë se arti postmodern është, nga vetë natyra e tij, i ndarë dhe kundërthënës, rishikimi i raportit kompleks shenjë-referencë në veprën e Nolit hap shtigje për interpretime largpamëse, duke e bërë më gjithëpërfshirës makrokozmosin e vlerave unikale të kësaj krijimtarie. Thurja e ideve nuk është thjesht një tendencë atdhedashurie, jo thjesht paraqitje verbale eks phrases, aty pështjellohen mesazhe universale në funksion të Lirisë së të gjithë kombeve mbarë, në funksion të të drejtave njerëzore, në shërbim të shpirtit të sakrificës. Lidhja botë reale, botë trillimtare është e pashmangshme. Krijimtaria artistike e Nolit përfshin një gamë të gjerë veprash letrare, pamfletesh, artikujsh publicistikë, përkthimesh, të cilat nën dritën e leximeve bashkëkohore që synojnë kërkime të thelluara intertekstuale gjithnjë në kërkim të teksteve të hapura, nën këndvështrimin e letërsisë si differentia specifica, e veçon veprën e tij si klasike-universale. Ndërsa për sa i takon poezisë ajo rrjedh e qetë në shtratin e modernizmit brenda së cilës autori shpalos një sërë kumtesh novatore universale. Vepra e Nolit është e qartë që ofron diskurse teorike dhe vlerësuese – substanciale, në skemën komplekse të komunikimit letrar. Parateksti (periteksti dhe epiteksti), pra intra-teksti, (mes lexuesit dhe tekstit), e vendos në kohë autorin dhe veprën, duke bërë që introduktet me të cilat shoqërohen përkthimet e tij, të zbulojnë jo vetëm Nolin e ideve, por sidomos të vendosin në një suazë kulturat shpirtërore të kombeve, pavarësisht se shpesh janë parë nga kritika eksplicide si tepër personale e të mbyllura.
Ay që tha fjalën e fundit për Shekspirin ishte filozofi gjerman Niçe ”S’duhet ta kuptojmë Shekspirin, po ta ndiejmë.”(Shekspiri në rrezik,“Kombi”1906,20 dhjetor, nr.20, fq.121) Konstatime të këtij lloji, nga pena e Nolit, në mos e grish lexuesin e vëmendshmëm, e ndih të paktën të ravijëzojë ide dhe ta ngacmojë intuitivisht. A luajti rol krijimtaria e Nolit në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, në bashkimin kombëtar?
U bëjmë thirrje të gjithë miqve të popujve të shtypur,(…) të na përkrahin në luftën tonë për të fituar lirinë.
Kjo nuk është thjesht dëshmi neutrale për diskurset postmoderne, por semiotikë historike e ndërmjetësuar në suazën e novatorizmit, si ujë i bekuar në Fronin e të Madhërishmit, ku shërohen plagë dhe mjekohen dhimbje. Maratonomaku shqiptar është trumbeta ku përulen gjunjësisht diplomatët, politikanët, mbretërit, liderët e së kaluarës e të së ardhmes, udhëheqësit dhe gjithë utopitë e njerëzimit
mbarë. Rend or rend, rend e u thuaj, se betejën e fituam…! Kjo ishte ëndrra e pavdekshme e Nolit, anës lumenjve të atdheut, pranë deteve të Ballkanit dhe Evropës, përtej oqeaneve të Amerikës, ku Noli ishte përfshirë jo vetëm fizikisht, por sidomos shpirtërisht. A mos kurdiset tani violia e cila do na këndonjë këngë me të cilën të kërcejnë vallen e bukur përmi varret e armiqve tanë?… Le t’i gëzohemi punës së djeshme duke përgatitur punën e nesërme.Më në fund le të bëhemi europianë nga karakteri, siç jemi dhe nga raca. Në rrethanat kur shteti kombëtar shqiptar u paralizua dhe Shqipëria u kthye në shesh lufte midis ushtrive armike, Noli shfrytëzonte çdo ngjarje apo fakt politik për të konfirmuar idene se shteti shqiptar kombëtar nuk ishte zhdukur… Ja si klith Rilindasi i fundit në lutjen dëshpëruese drejtuar Perëndisë: O Zoti madh, i drejtë dhe i dhembshur, shpëtoje popullin dhe vendin tonë të mjerë dhe nderoje përsëri me liri nën flamurin tonë, flamurin e Skënderbeut, flamurin e kuq me shkabën e zezë me dy krerë!5
Noli kurrë nuk u struk nën guackën e dëshpërimit, pasi e dinte mirë potencialin e shpirtit shqiptar: Ja si shprehet autori, ndërkohë që e drejton gishtin tregues, ndaj të vetëzgjedhurve:
Sheh një popull plot vitalitet brenda në Shqipëri, plot trimëri, plot me të pastajme, plot me instikte të shëndosha dhe të virgjra, dhe sheh të vetëthënët krerë anemikë…
Ish-studenti i shkëlqyer i Harvardit, me një kulturë të gjerë enciklopedike, patrioti më i madh në Amerikë, një nga kryeministrat më të kulturuar të Ballkanit, e vuri gjithë jetën e tij në shërbim të interesave kombëtare. Nëpërmjet punës së tij të palodhur u arrit bashkimi kombëtar i shqiptarëve të Amerikës më 1912. Triumfi më i madh i diasporës deri në ditët tona. Ky popull meriton çdo sakrificë që të fitojë lirinë!- jo pa domethënie, titullohet një nga pamfletet e tij politike. Autori konstaton nga thellësia e dhimbjes fatin e keq të atdheut të tij:
Shqipëria u bë!S’është as e lirë, as e popullit! Është e bejlerëve, e tradhëtarëve, e kusarëve…(
… Se çlirimi dhe shpëtimi i popullit mund të vijë nga populli vetë, e askurrë nga ndonjë veqil i tij i vetëzgjedhur!
Është një rast unikal që peshkopi orthodox që themeloi Kishën Orthodokse autoqefale Shqiptare duke pavarësuar orthodoksinë shqiptare nga zgjedha e Patriarkanës së Stambollit, e duke përmbysur paragjykimet e Ballkanit mbi muslimanizmin, të vijë në pushtet si lider me kabinetin e tij në shërbim të idealeve të larta kombëtare Së shpejti do të themelohet një kishë në Boston, e cila kemi shpresë që do t’i mbledhë tërë shqiptarët orthodoksë një ditë. Poeti i jep kurajo shqiptarëve, të mos i dorëzohen gjendjes së rëndë, të hapin shkolla, të ndërtojnë udhë, të thellojnë lumenjtë e të thajnë moçalet, të kërkojnë vetëqeverisje. Duke mbajtur mbi supe pikëllimin e jetëgjatëve që bëjnë dritë, Noli përfytet jetë a vdekje me brengën e bashkëkombasve, duke u dhënë zemër e forcë: A! Mos u dëshpëreni! Se në qoftë se i vemë me punë këto, ja, Agimi i një Shqipërie të qytetëruar e vetëdijëse do mos mënojë të lindë nër malabrezat (shkrepat) e saj. Duke bërë paralelizëm me fjalët e Jugurtas, Mbretit të Numidisë (shek.II,para erës sonë), lidhur me Romën, shkëputur nga libri i Salustit, Noli kërkon t’i vejë në sedër Shqiptarët.
Urbem venalem et mature perituram, si emptoren invenerit!!! 6 lat. (XXXV, f..183)
(Qytetin e korruptuar të destinuar për t’u zhdukur shpejt, në qoftë se do të gjejë blerës!!!
Por shpesh autori dëshpërohet edhe vetë, ndaj ironizon: Se ne shqiptarët duhet të thyejmë kokën më parë, pastaj të vemë ment
Uria, pra, dhe zia do ta mbarojnë punën që la përgjysmë torguti.(…) Uria në gergëri, dëshpërimi në toskëri… A do të ketë vallë verë, pas këtij dimri?
Rrebeshi shkoi, por të ligat e tij mbetën… do të kemi çesa vjet varfërie dhe zie. Me qindëra, pra do të lenë vendin e tyre që të shkojnë nëpër mërgime të larkma për të fituar bukën. Me kohë Shqipëria do të shkretohet fare. Më tej: Duket që një fat i lik po i ndjek shqiptarët dhe çështjen e tyre këmbë për këmbë. Por Noli sërish gjen forcë, i ngre zemrat e shqiptarëve peshë, me kurajë e guxim mëmëdhedashësi dhe jep kushtrimin. Largon mjegullën dhe bëhët pishtar për të ndriçuar ndërgjegjen primitive, si një figurë e spikatur e nacionalizmit për t’i ndihur fateve të Atdheut në çaste të vështira historike. Shqipëria e gjorë ka nevojë për diellin dhe gazin e një qytetërie të kthjellët si të rimtë e qiellit… Tani është rasja… Le t’i shpëtojmë… Evokon fjalët që tha Bajroni për shqiptarët njëqind vjet më parë duke aprovuar vërtetësinë e tyre edhe në atë kohë.
Their wrath how deadly but their/ friendship sure;(Sa i tmerruar për vdekje është zemërimi, aq e sigurtë është miqësia e tyre)
When gratitude or valor bids/ them bleed,(kur mirënjohja a trimëria i shtyn të derdhin gjakun)
Unshaken rushing on where’er/ their chef may lead. (sulen pa frikë kudo që t’i shpjerë kryetari i tyre) (Shqiptari i shkelmuar,”Dielli”, 1916, 8 shkurt, nr.585), (Publ.,fq.433)
Pse gjithë ky dëshpërim i autorit në mes të Amerikës? E gjithë kjo për dy arsye madhore: Dashuria sublime për Shqipërinë dhe domosdoshmëria për të qenë shërbëtori kokëulur i atdheut të tij. Filozofia mbi liderët, drejtuesit, udhëheqësit ka shqetësuar penën e shumë filozofëve botërorë duke kaluar që nga thellësitë e shekujve, nëpër hullitë e antikitetit e deri tek Marksi, Friedrich Nietsche, Shopenhauer, Widgenstein etj, por përcaktimi i figurës së drejtuesit madhor nga mendja e Nolit është tepër i thellë, unikal.
Kryen nuk e zgjedh populli, po ay zgjidhet vetë përmbi popullin, lindet krye që në djept. Kështu flet shpirti i natyrës. Duket ay që mund të bëhet krye.Vetëm besë lipset t’i kemi. Ajo është detyra e popullit. Mjerët ne fatzestë që nuk shikojmë të shpëtojmë vetveten tonë, pa në priçim nga të huajtë ta dimë shigur që do shpëtojmë një Shqipëri pa kokë, pa këmbë dhe pa krahë. (…) Gjëkund gjer më sot s’u mblodhë tre shqiptarë që të punojnë me mish e me shpirt për një qëllim.(…) Nuk nxjerr më trima vendi ynë? Vetëm për të huajt e mbajmë trimërinë dhe gjaknë tonë?
Figura polidimensionale e Nolit është e lidhur ngushtë me kontributin e tij përmes shqiptarëve në SH.B.A. “Dielli” nisi të botohej në Boston,
O burrani, ta bëjmë!”Dielli” i hap shtyllat e tij… dhe kemi shpresë…
Mbrojtjen e çështjeve shqiptare nga Vatra, bashkimi me Konicën duke u bërë shtylla të lëvizjes kombëtare për Frontin e Bashkuar Shqiptar.
Kur u mbarua ky udhëtim tragjik në Rockland, më ish mbushur shpirti dhe zemra dhe shëkonja orën që të më ikenj me vapor të detit për në Boston, Mass.Po vapori mënonte shumë dhe vajta në një birrari dhe kërkova “something burning” (gjëkafshë që djek). Më dha birrë dhe wiski, po gjithë ato ishin si vesë për gjoksin tim që digjej. Gjëkafshë që djeg dhe turbullon mendjen i thashë, nuk ke? Si vetëpersonifikohet Noli? Ç’domethënie kanë nënshkrimet me emra simbolikë? Theofanis Mavromatis, Ali Dervish Qyteza, Ali Baba Qyteza, Pesimisti, Pa emër, Protagora, Diximus, Nirvana, Meshëtar i ulët për ndriçim, Hieronymus, Fan S.Noli.
Identifikimi i shenjave letrare (gjuha kriptike sipas nuancave frojdiane), depërton thellë në ndërgjegjen e çdo shqiptari të vërtetë duke pësuar atë që Umberto Eco do ta quante Katarzë homepatike, në analogji me të cilën do të personifikonim Nolin si zëdhënësi shpirtëror i Shqipërisë dhe Shqiptarëve që përdor mëshirën dhe terrorin deri në spazmë për t’u pastruar nëpërmjet vuajtjes, e dalë prej përvojës tragjike. Është ky itinerar blatim, ideal, rrënjë, ngjizje? Ky është vizion, në ndijimin e formave mbizotëruese dhe të dendura të komunikimit publik në estetikën receptive, e cila tjerr zinë e Shqipërisë në shumë plane.
Nëpërmjet forcës së fjalës, tekstit, imazhit, figuracionit, simbolikës, duhet vënë në dukje se në krijimtarinë e këtij autori ka toka të pashkeluara e zona të mbetura shkretë të cilat duhen hulumtuar e lëvruar, me shumë kujdes nën dritën e vizioneve bashkëkohore, nga studiuesit e sotëm. Klithma e Nolit bën të mundur që gjuha si mjet i mjeteve të flasë hapur brenda performancës filozofike të maratonomakut shqiptar, luftëtarit të brengosur për fatet e kombit-mallit të tij të vazhdueshëm, brenda kumteve, shenjave gjuhësore, duke u bërë kështu symbol i një epoke, arsye, intuitë, dëshmi, kuptim, esencë për të ngritur ura në sheshimin e mosmarrëveshjeve universale të veprimtarisë poliedrike. Gulçimi i frymëmarrjes së maratonës së tij ndërkontinentale do të ndjehet në ankthin e lexuesve të shumë brezave që do të vijnë, por me një ndryshim: Vrapi i tij do të rendë nëpër kohëra, si maratonë e përjetësisë ku strehohet liria. Dhe do të arrijë shpejtësinë e dritës: Rron or rron, nuk vdes shqiptari!