
OMER KOSUMI
Fakulteti Filozofik, UP
“Qeverisja në hije” origjinën e saj e ka në Britani të Madhe, e zhvilluar si një proces joformal gjatë shekullit XIX, ndërsa zgjerimi dhe përhapja më e madhe e kësaj forme opozitarizmi ka ndodhur në gjysmën e shekullit XX. “Qeveria në hije” është mënyrë e opozitarizmit për partitët opozitare të cilat duke mos udhëhequr me ekzekutivin dhe nga pamundësia për vendimmarje të politikave krijojn mekanizmat të cilat ofrojnë politika alternative karshi partisë në pushtet e cila udhëheq me ekzekutivin. Qëllimet e saj janë organizimi i opozitës konstruktive dhe serioze; paraqitja si alternative për qeverisje të mire për elektoratin dhe ofrimi i përvojes së tyre në vendimmarrje. Ajo shërben si masë kritikuese apo vlerësuese duke ofruar alternativa për vendimet dhe veprimet politike nga qeveria.
Në sferën politike kosovare për herë të parë një opozitarizëm i ngjashëm i quajtur “Qeveria në hije” është shfaqur në vitin 2005, e formuar nga Partia Demokratike e Kosovës si partia më e madhe opozitare atëkohë. Ideja për “Qeverisje në hije” ishte nga Hashim Thaçi, atëkohë kryetarë i PDK-së, si revoltë ndaj koalicionit qeverisës pas zgjedhjeve të vitit 2004 ndërmjet LDK-së, të udhëhequr nga Ibrahim Rugova dhe AAK-së, të udhëhequr nga Ramush Haradinaj. Atëkohë Partia Demokratike e Kosovës kishte dalur partia e dytë më e madhe me 30 ulëse të siguruara në Kuvendin e Kosovës por që partia fituese LDK me 47 ulëse të sigurura kishte arritur koalicion për të qeverisur me AAK e cila kishte siguruar 7 ulëse duke e përjashtuar PDK-në nga mundësia për të bashkëqeverisur gjë që kishte bërë që Partia Demokratike e Kosovës të formojë “Qeverin në hije” të përbërë nga 14 departamente prej të cilave dy drejtoheshin nga shoqëria civile, ndërsa të tjerat nga Partia Demokratike. Në vitin 2007, PDK nga zgjedhet parlamentare del si partia më e madhe dhe që nga atëherë ka udhëhequr me pushtetin apo ka qenë pjesë e koalicioneve qeverisëse deri në tetor të vitit 2019.Pra për herën e parë mbas shpalljës së pavarësisë ajo do të ishte parti opozitare. Me rikthimin e PDK-së në opozitë sic duket është rikthyer edhe ideja për “Qeverisjen e mire apo në hije”, kështu kanë bërë të ditur strukturat e saj udhëheqëse të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të udhëhequr sërish duke ofruar një alternativë të re për qytetarët përmes propozimit të ideve dhe projekteve si dhe duke ofruar kuadro profesionistësh.
Keq-qeverisja gjatë mandateve të tyre, çfarë alternative mund të ofroj?
Fillimisht duhet bërë krahasimin ndërmjet rrethanave politike dhe shoqërore, pra dy periudhave me realitete të ndryshme, ndërmjet “Qeverisë në hije 1” dhe “Qeverisë në hije 2” të PDK-së.. E përbashkëta e të dy ideve është vetë ideja, kurse dallimi është shkaku. Në atëkohë ideja për “Qeverin në hije” lindi si shkak i përjashtimit të PDK-së për bashkqeverisje, edhepse ishte partia e dytë më e madhe për nga përkrahja elektorale. Mund të thuhet se atëbotë bënë një opozitarizëm të përligjur në përceptimin e qytetarëve, për dallim nga realiteti i sotshëm kur opozitarizmi i tyre nuk përligjet për shkak të mungesës së përkrahjes dhe fuqis elektorale, edhepse prap është partia e dytë më e madhe. Megjithatë zgjedhjet të fundit parlamentare ndryshuan realitetin politikë “konsociativistë” në Kosovë, duke bërë që të kemi vetëm një parti fituese e cila do të udhëheqë me ekzekutivin dhe shumicën e legjislativit, pra dallimi për nga shkaku themelor është substancial. Dallimi tjetër është tek lidershipi dhe struktura udhëheqëse. Atëkohë, Partia Demokratike e Kosovës është udhëhequr nga përfaqësues politikë apo figura të rëndësishme të UÇK-së, duke u cilësuar si “çlirimtarët” apo “heronjët e luftës”. Ose, figura të cilët në shoqërin tonë postkonfliktuale kanë pasur një përkrahje më të madhe popullore për shkak të bindjes qytetare në karizmin e tyre heroik apo ndjenjën e një përgjegjësie morale ndaj tyre. Ndërsa lidershipi i sotshëm për dallim nga ai në atëkohë, vuan nga antipatia nga një pjesë e madhe elektorale për shkak të paralelizmit të tyre me keqqeverisjen e PDK-së dhe për shkak të mosreformimit të struktures partiake nga poshtë-lart me kuadro profesionale..
Dallimi kryesorë duhet bërë mbi realitetet politike atëherë dhe sot, me alternativa të ndryshme shkaku i dallimit të problematikave. Atëkohë, shoqëria ishte në një kaos të organizimit të jetës politike dhe publike, e shkatërruar dhe në mungesë të mekanizmave adekuatë institucional për funksionim adekuat shoqërorë, përmbushja e kritereve nga standartet para statusit si dhe më e rëndësishmja mungesa e statusin përfundimtar të Kosovës, të gjitha si shkak-pasoj e luftës së fundit në Kosovë. Të qenurit në këto rrethana, alternativat e tyre ‘qeverisëse’ edhe janë pare nga qytetarët si ‘të drejta’. Arsyja tjetër e përligjjes së “Qeveris në hije” të PDK-së atëkohë ka qenë edhe mundësia e saj reale për të ndikuar në vendimmarjen politike për shkak të fuqisë parlamentare. Andaj shkaku i rrethanave socio-politike, fuqisë parlamentare si dhe kredibiliteti i atëhershëm politik i PDK-së e ‘arsyetonin’ “Qeverinë në hije” nga një parti politike opozitare.
Por a mund të ‘arsyetohet’ “Qeverisja në hije” e PDK-së në realitetin e sotshëm me rrethana dhe problematika ku shkaqet janë të ndryshme nga realiteti i atëhershëm si dhe a mund të këtë ndikim në vendimmarrje? Nëse bazohemi në atë që shkaku i problemeve politike dhe shoqërore e përligj ose jo një “Qeveri në hije”, atëherë mund të themi që JO. Së pari; sepse atëkohë problemet politike dhe shoqërore kanë qenë si shkak-pasoj e luftës së fundit në Kosovë, ndërsa problemet politike, ekonomike dhe shoqërore në shoqërinë tone pas zgjidhjes së statusit përfundimtar janë si shkak-pasoj e keqqeverisjes dhe abuzimit me pushtet nga partit politike dhe në këtë rast edhe të Partisë Demokratike.. Së dyti, nëse atëkohë është përligjur për shkak të fuqisë elektorale, atëherë sot nuk mundet përshkak të përkrahjes të saj të vogël e cila i’a pamundëson ndikimin në vendimmarrje, duke e pasur parasysh realitetin politik të krijuar pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, që ka bërë që të kemi një parti të vetme e cila udhëheq me ekzektutivin dhe shumicë legjislative. Së treti, është e lidhur direkt me arsyen e pare, “Qeveria në hije” e PDK-së nuk mund të përligjet përshkak të besueshmërisë, bindjes dhe përceptimit qytetarë ndaj saj si shkak i keqqeverisjes; keqpërdorimit të pushtetit për arritje dhe përmbushje të objektivave partiake; shfrytëzimit të institucioneve për interesa vetjake e nepotiste; instalim të korrupsionit dhe klientalizmit si mënyrë e marrjes dhe ruajtjes së pushtetit për shkak të mungesës së një programi të qartë që do i’u ofronte zgjidhje problemeve; privatizimit të aseteve shoqërore; keqpërdorimi i tendereve si shpërblim ndaj përkrahjes në fushata elektorale; krizat sociale si papunësia, varfëria, mungesa e ofrimeve cilësore shëndetësore; ndërhyrja në sistemin e drejtësisë si dhe punësimit nepotiste e klientaliste në sistemin arsimor. Së katërti, “Qeveria në hije” nuk mund të përligjet sepse nuk mund të flas PDK për “qeverisje të mirë”. Së pesti, “Qeveria në hije” e PDK-së nuk mund të përligjet për shkak të opozitarizmit të dobët, strukturës saj aktuale e cila pothuasje në përbërje është e ngjashme me atë që ka qenë gjatë keqqeverisjes dhe mungesa e vullnetit dhe seriozitetit për reformim.
“Qeverisja e mirë” e PDK-së, si alternativ për qytetarët dhe kritikë për qeverinë Kurti në fakt është kritikë kundër keqqeverisjes së tyre të deritanishme, sepse problemet me të cilat ballafaqohet qeveria Kurti janë probleme paraekzistuese të krijuar nga keqmenaximi i tyre, pra ‘alternativa’ e tyre bie ndesh me keqqeverisjen nga ta. “Qeverisja e mire” si alternativ për qytetarët formulohet, implementohet dhe konkretizohet gjatë ushtrimit të mandatit ekzekutiv dhe jo gjatë opozitarizmit. Në opozitë alternativa dhe kritika është çdohere e lehtë për t’u bërë sepse vendimmarja është në duart e të tjerëve.
Si përfundim, paradoksalisht partia e cila gjatë mandatit të saj ka abuzuar dhe keqpërdorur pushtetin për objektiva partiake e interesa personale; e cila duke u thirrur në të mirën e përgjithshme ka siguruar të mirën e një grupi të caktuar; e cila në mungesë të përgaditjes profesionale për të ofruar një program të qartë me të cilin do të fitonte pushtetin, ka pasur mënyrat korruptive, nepotiste dhe klientaliste shpreh gadishmërinë për të ofruar “Qeverisjen e mirë”!Kjo paralele, shpreh hipokrizin, injorancën dhe sharlantizmin e tyre. Me një opozitarizëm të këtill demokracia është në rrezikë si mungesë e konkurrencës karshi parties në pushtet. “Qeveria në hije” e PDK-së nuk do të jetë asgjë përvec e pashije, për aq kohë sa nuk reflekton me ndryshime radikale të strukturës përbërërse, duke përafruar njerëz me integritet të lart moral e profesional.