Lazër Stani/
Zonjusha është ulur në kolltukun përballë meje dhe vazhdon të flasë në telefon. Nuk e di se më kë flet dhe as çfarë thotë. Biseda bëhet në një gjuhë të panjohur për mua. Ka hedhur këmbën mbi këmbë dhe më dorën e majtë herë pas here shtrëngon kupën e gjurit të djathtë, sikur bezdiset nga një dhimbje e fshehtë kockash. Unë ndjek bisedën e saj të pakuptueshme, më vështrimin e humbur tej dritares, pa dalluar asgjë të qartë. Vetëm dëgjoj zërin e saj të thellë, fjalët që ajo pëshpërit e që në veshin tim vijnë të ngazëllyera, melodioze, të magjishme, hyjnore, Nuk mbartin kuptim, por ngjallin emocion, ndjejnjë, tronditje, magjepsje. Nuk ka ndodhur kurrë që një bisedë në një gjuhë tjetër, të pakupueshme për mua, të më pushtojë të tërin. Frëngjishtja e saj nuk është e kësojetëshme, është hyjnore.
Aty për aty mallkoj në heshtje dikatorin, që u bë shkak të mos mësoja kurrë një fjalë frëngjisht.
Kur mbylli telefonin, zonjusha u kthye nga unë dhe më pyeti në anglisht:
Do you understand French?
Jo, iu përgjigja thatë. E shumta katër pesë fjalë, si Bonjour dhe Au revoir.
M’u duk sikur po më dëgjoje me vemendje, tha.
Më fal, i thashë. Vërtetë po të dëgjoja, por jo se kuptoja.
Po përse ateherë? u bë kureshtare vajza.
Sepse frëngjishtja në gojën tënde po më tingëllonte si gjuhë hyjnore. Dhe me vete mallkova edhe njëherë diktatorin shqiptar.
Ç’hyn diktatori shqiptar këtu?
Histori tjetër kjo, i thashë. Edhe po ta tregoj mbase nuk do ta besosh.
Të lutem, tregoje, tha.
Në vitet tetëdhjetë isha student në Tiranë, e fillova unë historinë time me frëngjishten. Një ditë shkova në librari, bleva një fjalor të gjuhës frënge dhe një metodë për mësimin e frëngjishtes. Në atë kohë e gjithë elita e kryeqytetit mësonte frëngjisht. Mësonin frëngjisht pedagogët, që ëndërronin të specializoheshin në ndonjë universitet Francës, mësonin poetet e rinj, shkrimtarët, mjekët, gazetarët.
Në një nga ato ditë i bëra pyetje vetes: Po përse të gjithë intelektualët e rinj që njihja po mësonin frëngjisht. Po t’i pyesje të përgjigjeshin se po e mesonin ngaqë është gjuhë e madhe e kulturës, e qytetrimit, e progresit. Por unë e kuptoja se gënjenin. Në të vërtetë ata e mesonin se frëngjishtja ishte e vetmja gjuhë e huaj që fliste diktatori dhe si e vetmja, ishte dhe gjuha e tij e adhuruar. Kush mësonte frëngjisht atëherë shihej më sy të mirë, cilësohej si njeri me të ardhme.
Unë menjëherë hoqa dorë nga mësimi i frëngjishtes, duke i harruar diku në një raft të bibliotekës fjalorin dhe metodën e frëngjishtes.
Heshta një grimë dhe shtova:
A nuk e meritonte një mallkim diktatori?
Vajza buzëqeshi e shpërqendruar. Hapi çantën dhe kërkoi dicka brenda saj, po me sa duket nuk e gjeti atë që kërkonte. U kthye nga unë dhe më pyeti:
A mund ta kem numrin tënd të telefonit?
Patjetër, i thashë, dhe unë mora një fletë të bardhë që ta shkruaja.
Jo, tha, po e ruaj në telefon dhe po të bëj një thirrje që edhe ti ta kesh numrin tim.
Pasi shkëmbyem numrat, vajza tha duke buzeqeshur:
Sa herë të flasim do të mësoj nga një fjalë ose shprehje në frëngjisht.
U ngrit dhe duke afruar gojën fare pranë veshit, më pëshpëriti:
Unë sonte udhëtoj për në Francë, po do të takohemi sërish. Ti ke shumë histori për të më rrëfyer.