Satirë nga Rafael Floqi
Gjykata e shkallës së parë të Fierit më në fund vendosi të mbyllë sagën 15-mujore të burgosjes së kryetarit të zgjedhur të bashkisë Himarë, Fredi Beleri. Ky kalvar filloi me mesazhet politike të Edi Ramës për goditjen e tij para zgjedhjeve të 14 majit, vijoi me pagesën e një provokatori fallco nga policia, dhe u pasua nga prova, dokumenta zyrtare dhe çertifikata penaliteti të falsifikuara. Proceset alla KGB, ku nuk u lejua ballafaqimi i dëshmitarëve, ishin vetëm qershia mbi tortë.
Por, çfarë ndodhi? Ish kryetari i zgjedhur i Bashkisë Himarë u lirua me kusht 6 javë para afatit. Zemërgjerësia e drejtësisë shqiptare nuk u ndikua as nga akuzat se ai ka qenë pjesëtar në vrasjen e Peshkëpisë, as nga ato se ka djegur flamurin shqiptar, as nga frika se do të rrëmbejë Vorio Epirin dhe helenizojë Himarën. Ai u trajtua si çdo qytetar tjetër i këtij vendi që për “sjellje të mirë” lirohet përpara përfundimit të dënimit.
Ai nuk u lirua per tu zgjedhur në Himarw por u lejua për t’u zgjedhur në Strasburg . Në Athinë Fredi Beleri nuk u prit si një hajdut votash, i liruar përkohësisht, por si një hero i helenizmit. Që në daljen nga burgu i Fierit, ai u rrethua nga mikrofonët e gazetarëve të ardhur posaçërisht, u shoqërua nga një makinë me tagra CD e ambasadës, u ndoq nga dhjetra media në aeroportin Elefteros Venizellos dhe pati një takim special me kryeministrin Mitsotakis, të cilit i’u dhanë notat e mbrojtjes minoritetit grek në vendin tonë.
Përmasat e këtij manifestimi, sa të bujshëm aq edhe pompoz, nuk janë të pafajshme. Ato janë menduar si një lloj karshillëku ndaj Tiranës zyrtare dhe si një lloj demostrimi force përkundrejt Edi Ramës, që preferoi të zgjidhte karrigen e shtrenjtë të kryebashkiakut të Himarës, përpara marëdhënies që kishte ndërtuar prej vitesh me homologun e tij të djathtë grek.
Natyrisht, të konceptuara si të tilla, ato mund të kenë prekur në tela sedrën nacionaliste të asaj pjese të shqiptarëve që mëkohen prej muajsh me portretin e pjesëmarrësit në masakrën e Peshkëpisë, me atë të dhunuesit të flamurit tonë kombëtar, apo atë të idhtarit të Vorio Epirit. Por, historia e deputetit europian Fredi Beleri, i bardhë për disa e zi për të tjerë, i zgjedhur tashmë me votat e një vendi tjetër, nuk është një çështje shqiptare. Ne mund të na vijë keq që ai do të shkojë drejt Strazburgut, mund të mos jemi fare dakord me arsyet që e shpunë atje, mund të rrudhim buzët me karshillëkun që na bëhet nga Athina, por në fund të fundit, këto janë aspekte që, së pari, i interesojnë një qeverie, dhe një populli tjetër. Ekzagjerimi i fqnjëve me “Fredy-n grek”, as nuk duhet të na errësojë sytë, as nuk duhet të na ulë ndjeshmërinë për atë që kemi parë këto 14 muaj, me Belerin, qytetar shqiptar.
Pikërisht në këto momente që zyrtarët grekë po celebronin “heroizmin” e tij, ne duhet ta shohim atë si lakmuesin e demokracisë sonë të çalë. Ish kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, është prova më ulëritëse për drejtësinë tonë të kapur politikisht. Administrata shqiptare nuk e lejoi atë, të marrë detyrën për të cilin e votuan zgjedhësit e 14 majit. Një zinxhir militantësh të infiltruar në “drejtësinë e re”, nuk e liruan as gjysmë ore për t’u betuar.
Interesant është fakti se ky aplikim elastik i ligjit nuk ishte i tillë për më shumë se një vit. Pasi u zgjodh kryebashkiak nga qytetarët e Himarës, ndonëse i burgosur prej dy ditësh me akuzën e vjedhjes së votave, Beleri kërkoi vetëm pak minuta për t’u betuar dhe sërish të kthehej në burg. Por një sërë institucionesh dhe mbarë sistemi i drejtësisë ia refuzuan këtë mundësi që vinte në vend vullnetin e sovranit.
Refuzimi i parë erdhi nga Drejtoria e Burgjeve. Në kërkesën e parë, Beleri kërkoi 4 orë leje për t’u betuar. Përgjigjia ishte negative. Justifikimi? Leja jepet për sëmundje, ceremoni mortore ose provime për të ndjekur studimet. Beleri s’plotësonte asnjë nga këto kushte.
Në shtator 2023, ai u ankua në gjykatën e Durrësit. Kërkesa ishte e njëjtë: disa orë leje për t’u betuar si kryetar bashkie i Himarës. Por gjykata e Durrësit filloi ta sorrollasë, duke e çuar kërkesën për interpretim në Gjykatën e Lartë. Në nëntor 2023, Gjykata e Lartë e pasoi vendimin tek Gjykata e Posaçme (GJKKO). Në dhjetor 2023, Gjykata e Posaçme e rrëzoi kërkesën e Belerit për lejen e betimit. Edhe prokurori i SPAK ishte kundër idesë së Fredi Belerit për t’u betuar.
Në janar 2024, Apeli i Gjykatës së Posaçme sërish ia mohoi Belerit të drejtën për t’u betuar si kryetar bashkie. Në mars 2024, Gjykata Kushtetuese nuk i dha të drejtë Belerit për lejen për t’u betuar, duke argumentuar se “kufizimi i lirisë personale të Belerit është bërë për një qëllim të ligjshëm dhe se kufizimi është proporcional”.
Kështu, për një vit Beleri nuk arriti ta ushtrojë detyrën për të cilën ishte votuar, ndonëse bashkinë e drejtonte ish kryetari humbës Jorgo Goro dhe pas burgosjes së tij disa kukulla të Ramës njëra pas tjetrës.
E bukura ndodhi kur politikanit shqiptaro-grek iu dha leja në 15 korrik për të shkuar në Strasburg në parlamentin Evropian pasi qytetarët grekë e kishin votuar për ta përfaqësuar aty. Përse kjo tolerancë për ta nxjerrë nga qelia? Vallë mos vota e fqinjëve tanë qenkësh më e rëndësishme se ajo e qytetarëve shqiptarë? Jo! Arsyeja është tjetër.
Në Himarë ishin shpallur zgjedhjet e reja dhe Fredi Beleri nuk përbënte më rrezik. Ai nuk mund të betohej më për të marrë detyrën që qytetarët i dhanë në 2023. Nga ky moment, edhe Drejtoria e Burgjeve u bë më tolerante. Me një justifikim që i bënte të qeshte edhe më naivët, administrata e qeverisë ia hodhi fajin drejtësisë: përpara nuk na lejonin prokurorët e SPAK ta lironim, tani që e kemi në dorë ne mund të marrë leje 5-ditore. Por nuk qe se drejtësia ishte më e ashpër se politika. Tani së fundi, edhe Gjykata e Fierit u tregua zemërgjerë duke e liruar 6 javë para kohe, atë që për një vit e kishin penguar të merrte 6 orë për t’u betuar.
Pavarësisht nga të gjitha justifikimet, një gjë është e qartë: gjithçka u bë me urdhrin politik që Rama e artikulloi publikisht: “mos më detyroni mua të ulem me atë gagaç të flas për projekte”. Administrata, SPAK dhe gjykatat e zbatuan gati-tu. Prandaj një nga fjalët e para që tha Beleri sapo doli nga burgu ishte: “edhe lirimi i sotëm qe politik”.
Fredi Beleri është liruar nga burgu pas 16 muajsh, dhe tani mund të kthehet në Parlamentin Evropian.
Duket se ai ka kaluar nga “burgosja” në “eurodeputet” më shpejt se sa mund të thuash “mund të blihet një votë “