Kosta Nake/
Ja se ç’bën koha e pamëshirshme! Ca faqe të veprës që 48 vjet më parë mund t’i këqyrnim sikur befas të kishin ngritur kapakun e një thesari, sot na detyrojmë të vëmë buzën në gaz dhe, padashur na vete mendja te linçimi. Është fjala për faqet 187, 188, 222, ku për herë të parë në një roman përmendet me emër e mbiemër Enver Hoxha. Në një vepër ku flitet për Gjirokastrën e viteve ’40 të shekullit të kaluar dhe ku rrëfyesi i vetës së parë mund të identifikohet me vetë shkrimtarin, përmendja e tij fillimisht është produkt i një të vërtetë historike, pastaj pasazhet për komunizmin, formimin e Javerit dhe Isait si komunistë, i shtojnë pashmangshëm ngarkesat politike dhe konstatimi i Arshi Pipës për konformizëm ka brenda një të vërtetë të hidhur. Sot është e lehtë ta vështrosh objektin nga një pikë e re vështrimi, por kjo do të thotë të krijosh një vepër të re. Ajo që u bë, nuk mund të zhbëhet.
Qyteti, koha, njerëzit, dukuritë vështrohen me naivitetin e një fëmije, prandaj ato marrin përmasa dhe ngjyresa të ndryshme nga mënyra se si i vështron një i rritur. Fëmijëria fillon si një pyetësor eksplorues në formatin e fletorkave të xhepit ku hidhen vjershat e para, për t’u kthyer në një enciklopedi që plotësohet gjatë gjithë jetës me shumë pyetje që nuk marrin asnjëherë përgjigje. Plakat Kako Pino, Xhexhua, Nazua, vjehrra e Bido Sherifit, zonja Majnur, plakat e jetës, plakat katënxhika krijojnë një mjedis shtrigash që e përthyejnë realitetin si të ishte një botë magjish. Shpikësi Dino Çiço, artilieri Avdo Babaramo, mësuesi Qani Kekezi, kronisti Xivo Gavo, Harilla Lluka, Çeço Kaili, Aqif Kashahu, Llukan Burgamadhi, Lame Kareco Spiri, Gjergji Pula, djali që kish puthur vajzën e Aqif Kashahut, hemafroditi Argjir Argjiri përftojnë një ansambël mashkullor që arrin të identifikohet. Kushdo që e merr në dorë këtë vepër, mund të gjejë pika takimi ose ngjashmëri mes fëmijërisë së vet dhe asaj të rrëfyesit. Në romanin e Thanas Jorgjit “E përmalluara Dede” që është një tjetër kryevepër për fëmijërinë, por për një periudhë 20-30 vite më pas, e shkruar pas rënies së diktaturës së proletariatit, rrjedhimisht në kushtet e lirisë së fjalës e mendimit, përmendet I Madhi, por në një konotacion negativ, gjë që as mund të mendohej, në se vepra do të shkruhej deri në fund të viteve ’80.
Ky roman ka diçka të ngjashme me romanet paraprijës: me “Rrethimin” sepse rrëfimi alternohet herë-herë me kronikat, me thëniet e plakës Sose, apo fragmente esesh; me “Përbindëshin” sepse u referohet veprave apo krijuesve të mëdhenj nga letërsia botërore, leximi i tragjedisë “Makbeth” e bën rrëfyesin që ta rimarrë disa herë motivin e vrasjes së mysafirit apo duke vendosur lidhje me Homerin e verbër.
Vepra merr jetë nga atmosfera e luftës dhe autori mjeshtërisht e ka kthyer në metonimi lojën e fëmijëve me pullat postare dhe në personifikim lëvizjen e minjve në tavan si ushtri që sulen për ta ndarë botën. Ja ca pyetje fëminore: Si futet drita në sy? Sytë a mund të bien përdhe? A mund të vizatonte Kako Pinua ylberin në fytyrën e një nuseje? Si lidhet njeriu me magji? Si mund të sëmuret një qytet? A mund t’i lexojë babazoti mizat e dheut? Përse quhet aeroport? Pse kalimtari kishte turp t’ia çonte të dashurës doktorin? Si mund t’i marrë era fjalët? Si mund të të bjerë dashuria në kokë? Pse i paudhi nuk kishte udhë? etj, etj.
Në këtë roman përvijohet për herë të parë ideja e krijimit të një korpusi veprash ku do gjallojnë herë pas here të njëjtët personazhe në kohë të ndryshme. Edhe pse në skalionin e dytë, nga romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” rivijnë Lame Kareco Spiri dhe Ramiz Kurti që lidhen me shtëpinë publike.
Së fundi, në vepër ka një pikturim të mrekullueshëm të natyrës dhe mjediseve duke vendosur paralele domethënëse me ngjarjet.
(Romani “Kronikë në gur” i Ismail Kadaresë, Vepra 4, Onufri 2008)