
Andis Gjoni/
Ndoc Pistulli – Gjenialiteti i një muzikanti në ekstazën e një krijimi gjëmimtar, me tinguj që burojnë mbi tastierën që nuk ekziston, ajo është prej letre pasi pianon ja kanë marrë, por gishtat e tij lëvizin papushim, lëvizin mbi tastet e zeza dhe të bardha të vizatuara mbi letër dhe aty mollëzat shtypin pa nxjerrë asnjë tingull. Fluturojnë në imagjnatën e tij dhe bëzajnë vetëm në mendjen e tij në një pështjellje melodie hyjnore që formësohet në kudhrën e një fantazie të jashtëzakonshme. Notat e hedhura në pentagram vallëzojnë në ritmin e lashtë të një muzike plot ndjenjë, nga çdo fjalë ai frymëzohet për një kombinim të ri melodioz duke farkëtuar emocionin. Me shpresë ai imagjinon efektin që do kenë tek publiku, por ndoshta për një çast ka ndaluar. Po sikur vepra mos të arrijë kurrë tek publiku?
Çfarë force e ka bërë të vazhdojë në aventurën e tij të çmendur pa asnjë pishtar në dorë, në terrin që e rrethon ai vetëm ka parë dritën e një muzike të cilën asnjë nuk e shikonte e as e dëgjonte, dhe në shurdhërinë e mureve ai vazhdon të qendisë thurrnajën e një pëlhure që do zbukurojë ballin e Rozafës së tij. Kompozitori largpamës është në një gjendje transi, tingujt i burojnë dhe përzihen në akorde të pikturuara me ngjyrat e një larushie të çuditshme si motive të një qilimi të mbrujtur me traditën dhe ujin a pastër të gurrës shumë shekullore prej të cilës rrjedh nektari i jetës së vendit të tij. Emocioni të mbërthen dhe nuk të lëshon deri në fund. E përsëri mendja nuk ta rrok dot se ku e ka gjetur energjinë të shkruajë pa asnjë shpresë se vepra e tij do shihte dritën e skenës.
Ai kishte një mision, ndoshta e ndjente se nuk kishte shumë kohë, diçka donte të linte, të hidhte diçka në atë pentagram që përpëlitej si zemra e tij. Në fund e ka shikuar partiturën me sytë e tij të ndritshëm dhe e ka mbyllur, ndoshta ka menduar se është shumë moderne, ndoshta do i vijë koha, prandaj amanetin e tij ja le brezave. Por do kalonte mbi gjysëm shekulli që tingujt të ringjalleshin përsëri, të heshtur aty mes fletëve, me durim dhe besim se një ditë do ktheheshin më me forcë se kurrë në një orkestrim po aq madhështor të një mjeshtri tjetër që i dha jetë e frymë. Muzika madhështore e Ndoc Pistullit do shpërfaqej me forcën e një uragani të papërmbajtshëm artistik që mrekulloi ata që patën fatin të asistonin në rilindjen e Rozafës së tij.
(Pjesë nga libri “Historia e operas Rozafa”)