Tri gra të reja, të cilat ishin zhdukur rreth një dekadë më parë në Ohajo të Shteteve të Bashkuara, janë gjetur të gjalla.
Amanda Berry është zhdukur në vitin 2003 në moshën 16 vjeçe, ndërsa Gina DeJesus një vit më vonë, në moshën 14 vjeçe.
Ato dhe Michele Knight, 32 vjeçe, e cila është zhdukur në vitin 2002, janë gjetur në një shtëpi në qytetin Kleveland.
Policia ka bërë të ditur se tre burra janë arrestuar në lidhje me rastin.
Po sipas policisë, tre të dyshuarit janë vëllezër dhe njëri prej tyre ka jetuar në shtëpinë ku janë gjetur vajzat.
Rasti thuhet të jetë zbuluar nga fqinjët, të cilët kanë dëgjuar britma brenda shtëpisë. Po ashtu thuhet se Berry ka përdorur dispeçerin për emergjenca në telefon për të kërkuar ndihmën e policisë.
Raportohet se së paku njëra nga vajzat ka një fëmijë. Të gjitha ato ndodhen në spital në gjendje stabile.
Berry u zhduk në moshën 16 vjeçe më 21 prill të vitit 2003, kur ajo e thirri të motrën për t’i treguar se po kthehej në shtëpi nga Burger King, ku edhe punonte.
DeJesus u zhduk në moshën 14 vjeçare kur po kthehej në shtëpi nga shkolla, rreth një vit më vonë. Ato u gjetën vetëm pak kilometra larg vendit ku ishin zhdukur.
Policia tha se Knight qe zhdukur në vitin 2002 dhe tani është 32 vjeçare. Policia nuk jep moshat aktuale për Berry dhe Dejesus.
Policia tha se një prej vëllezërve, një 52-vjeçar, ka jetuar në shtëpi, dhe vëllezërit tjerë të moshës 50 dhe 54 kanë jetuar diku tjetër.
Autoritetet nuk publikuan emrat dhe asnjë hollësi mbi ta, sikurse që nuk treguan as se me çfarë akuzash përballen.
Një nga fqinjët, tha se ka ndenjur me pronarin e shtëpisë, por asnjëherë nuk kishte dyshuar për asgjë.
Julio Castro, i cili drejton një dyqan ushqimesh gjysmë blloku larg nga vendi ku u gjetën gratë, tha se pronari i arrestuar është nipi i tij, Ariel Castro.
Berry gjithashtu identifikoi Ariel Castron me emër në thirrjen e saj emergjente.
Nëna e Berryt, Louwana Miller, që ishte hospitalizuar për disa muaj për shkak të pankreatisit dhe sëmundjeve tjera, ka vdekur në mars të vitit 2006.
Ajo i kishte kaluar tri vjet të fundit të jetës duke kërkuar të bijën, duke mos e shuar kurrë shpresën se ajo ishte gjallë.
Prefekti i qytetit, Frank Jackson ka shprehur mirënjohjen se gratë ishin gjallë. Ai tha se ende mbeten shumë pyetje pa përgjigje në lidhje me hetimin.