
Valent Qafleshi
Master i arkivistikës/
Arkivat janë vende më të rëndësishme burimore të informimit për të kaluarën historike dhe të tanishmen, prandaj kanë rol dhe detyrë në kuadrin e sistemit informativ, historik, kulturor, administrativ, etj.
Pra, Shkenca arkivore merret me trashëgiminë. Termin trashëgimi sipas përkufizimit të autorit kroat Maroeviqi do të thotë, “Objekt i trashëgimisë është një objekt real që me materialin dhe formën e tij dokumenton realitetin në të cilin është krijuar, në të cilin ka jetuar dhe me të cilin ka hyrë në të tashmen”. Objektet e trashëgimisë kanë shtresa të pasura kuptimore që komunikojnë mesazhe nga e kaluara në të tashmen dhe i ruajnë ato për të ardhmen”. Shkenca arkivore, mbledhë, përpunon, mbron dhe prezanton trashëgiminë.
Duke u nisur nga rëndësia e arkivave, komuna e Prizreni, vendosi të formojë arkivin historik të saj.
Arkivi i sotëm Ndërkomunal i Prizreni fillimisht është quajtur Arkivi Komunal i Prizrenit, i cili u themelua në bazë të Ligjit Themelor mbi themelatat dhe mbi Ligjin materialin arkivor dhe Shërbimin e arkivës, me 26 dhjetor 1967, Komuna e Prizrenit nxori Vendimin për themelimin e Arkivit Historik të Prizrenit.
Arkivi Komunal i Prizrenit, punën e fillojë në një zyrë të vogël në ndërtesën e Komunës së Prizrenit, me dy punëtor, Syrea Paçarizi-drejtori dhe një punëtore.
Punën e nisën duke vizituar organizatat shoqërore në katër komunat nënshkruese, rëndësi ju kushtua materialit të regjistraturave, të cilat u morën për ruajtje të përhershme në Arkivin Historik të Prizrenit.
Fondi i parë nga punonjësit e këtij arkivi, merren në komunën e Dragashit, me 13 maj të vitit 1968, i cili fond u emërtua si: Fondi i Këshillave Popullor të Komunës së Dragashit.
Fondi i parë i këtij arkivi, është ai i Këshillit Popullor të Dragashit 1945-1961, me nën fondet e saja si:
Arsimi, Shëndetësia, Administrata, kadastra etj.
Fondi: Fondi Këshilli Popullor i Brodosanës
Fondi: Këshilli Popullor i Bellobradit
Fondi: Këshilli Popullor i Brodit
Fondi: Këshilli Popullor i Vranishtës
Fondi: Këshilli Popullor i Restelicës , pra këto ishin fondet e krijuara e të marra nga Komuna e Dragashit.
Për përgatitjen e fillimit të punës së Arkivit, u formua një Komision prej shtatë anëtarësh në këtë përbërje:
• Sherif Thaçi, përfaqësues i Kuvendit Komunal Prizren.
• Gjorgje Mlladenoviq, përfaqësues i Kuvendit Komunal Prizren.
• Fatim Dërguti, përfaqësues i Kuvendit Komunal Rahovec.
• Hysen Lushi, përfaqësues i Kuvendit Komunal Suha Rekë.
• Myrteza Kojçin, përfaqësues i Kuvendit Komunal Dragash.
Me shtimin e punës, pranohen edhe dy punëtor për punë të arkivistit ndërsa, ndërtesa e arkivit u ç’vendos në ish-objektin e Sigurimit Social, përball “Bajrakli” Xhamisë, me kushte shumë më të mira.
Më pas ndërron objekt dhe vendoset në ndërtesën e ish-Bankës Komerciale të Prishtinës, me seli në Prizren, me kushte dhe hapësira më të mëdha me dy zyra dhe një depo për vendosjen dhe ruajtjen e materialit të dokumenteve arkivore.
Do të ndërron edhe disa lokacione dhe atë:
• Në ish-objektin e Kuvendit Komunal të Prizrenit.
• Në ndërtesën e ish-internatit (i cili objekt ishte në pronësi të kishës katolik, por i konfiskuar).
• Pas luftës së Kosovës, ky arkiv ndërron prapë lokacion dhe vendoset në ndërtesën e Shoqatës së të Verbërve dhe të Shurdhëve-Prizren.
• Në ndërtesën e avokatëve shoqëror e publik (pronë komunale).
• Prapë ndërron objekt dhe vendoset në objektin e Gjykatës Komunale për Kundërvajtje të Prizrenit.
Qëllimi i themelimit të arkivit historik të Prizrenit
Qëllimi kryesor i çdo arkivi është grumbullimi, ruajtja dhe dhënia për shfrytëzim e materialit arkivor për punë hulumtuese – shkencore, profesionale, arsimore – edukative dhe për nevojat e tjera me interes publik, organet shtetërore, institucionet dhe organizatat si dhe bashkësitë tjera për qytetarët.
Detyrat dhe obligimet e arkivave si institucione janë të shumëfishta. Mirëpo, veprimtaria kryesore e tyre është: mbrojtja e lëndës arkivore në arkiv dhe jashtë arkivit (të poseduesi, përkatësisht krijuesi i lëndës arkivore); pranimi, vendosja dhe ruajtja e lëndës arkivore.
Seksionet për mbrojtjen dhe pranimin e Lëndës arkivore në Arkivin Ndër Komunal të Prizrenit
Arkivi Ndër komunal i Prizrenit ka shërbimet:
• Shërbimi i mbrojtjes së lëndës arkivore jashtë arkivit (Shërbimi i jashtëm)
• Shërbimi i depos
• Seksioni për rregullimin dhe përpunimin e lëndës arkivore
• Seksioni për punë të përgjithshme dhe financiare
• Kuadri arkivor
• Biblioteka
Sektorit për mbrojtje dhe ruajtje të materialit arkivor, duke u mbështetur në politikat ligjdhënëse është: materiali arkivor i mbrojtur me ligj pa marrë parasysh se ku gjendet dhe pronë e kujt është; atë askush nuk guxon ta dëmtojë, shkatërrojë, huazojë ose të cenojë tërësinë e tij në çdo formë tjetër; çdo posedues i lëndës arkivore është i obliguar që të sigurojë kushtet e mbrojtjes dhe ruajtjes. Lënda arkivore në tërësi nuk mund të tjetërsohet, asgjësohet dhe të keqpërdoret, sepse dënohet me ligj.
Sektori për rregullimi dhe përpunimi i lëndës arkivore; informimi për fondet dhe lëndën arkivore nga kompetencat e arkivit; krijimi i kushteve për shfrytëzimin e lëndës arkivore; publikimi i lëndës arkivore, mjeteve informative për lëndën arkivore dhe publikimeve tjera, me të cilat lehtësohet shfrytëzimi i lëndës arkivore; ekspozimi i lëndës arkivore, organizimi i ligjëratave; hulumtimi dhe kopjimi i lëndës arkivore në vend dhe jashtë vendit me qëllim të kompletimit të fondeve në arkiv; sigurimi i mbrojtjes teknike të lëndës arkivore.
Depoja – dhomë e magazinimit, janë dhoma të destinuara për vendosjen e përhershme dhe ruajtjen e lëndës arkivore në ndërtesën e arkivit.
Depoja e arkivit është̈ pjesa më e rëndësishme dhe më delikate në të cilën vendoset dhe ruhet lënda arkivore. Në të është̈ i vendosur tërë̈ thesari i arkivit. Pra, vendi për vendosje dhe ruajtje të lendes arkivore në depo, e bënë̈ atë̈ pjesë më të rëndësishme në arkiv. Andaj ajo ka përparësi ndaj elementeve tjera në arkiv.
Meqenëse depoja e arkivit ka një rol shumë të rëndësishëm, ajo duhet të jetë e ndërtuar dhe siguruar sipas kritereve ndërkombëtare të depove të arkivave. Kur dihen shakataret të cilët ndikojnë në dëmtimin e lëndës arkivore, atëherë është e domosdoshme që të merren masat e nevojshme të mbrojtjes teknike.
Për lagështinë e caktuar dhe temperaturat e ajrit bëhet me aparatura klimatike të veçanta ose me ajrosjen dhe nxehjen e depove, andaj duhet të behët kontrolli i rregullt i lagështisë dhe temperaturave me ndihmën e higrogrameve dhe termometrave.
Pastaj mbrojtja e lëndës arkivore nga veprimet e rrezeve ultraviolete të diellit arrihet me mbrojtjen e xhamave speciale në dritaret e depos, vendosja e roletave mbrojtjes ose kapakëve.
Lokacioni i depos së arkivit si masë preventive e mbrojtjes së lëndës arkivore në depo është edhe pastrimi i rregullt nga pluhuri. Po ashtu lënda arkivore para se të vendoset në depo duhet të kalojë nëpër sallën e dezinfektimit, sepse me të pengohet mundësi e paraqitjes së mikroorganizmave të ndryshëm dhe proceseve në lëndë.
Të jetë e pajisur me aparatura për aktivizim kundra zjarrit si dhe bombola për shuarjen e zjarrit.
Me rafte metalik dhe stabil. Ndërtesa e tërë arkivit duhet të jetë me rrufepritës etj.
Por depoja e Arkivit Ndër Komunal të Prizrenit nuk i plotëson as kriteret minimale, ngase lagështia është e pranishme gjithkund, andaj edhe lënda arkivore e këtij arkivi është në rrezik të dëmtimit.
Pritet me ndërtimin e godinës së re të arkivit të jetë sipas standardeve dhe kritereve për arkivat.
Biblioteka e Arkivit Ndër Komunal të Prizrenit që në themelimin e saj u ka shërbyer dhe u shërben jo vetëm punonjësve të brendshëm, bashkëpunëtorëve dhe studiuesve të jashtëm
Ajo ka arritur të siguron një fond relativisht të pasur që mbulon të gjitha fushat e historisë, kulturës dhe literaturë të pasur në gjuhën shqipe, serbe turke dhe gjuhë të huaja.
Lënda dhe detyra e arkivit
Lënda dhe detyra e arkivit u plotësua në përputhje me zhvillimin e nevojave të shoqërisë, të cilat kushtëzohen nga dinamika e ndryshimeve shoqërore, si dhe nga nevojat e vetë shkencës në përdorimin e lëndës arkivore si burim i dorës së parë njohurish. Kjo nevojë dhe rritja e vazhdueshme e numrit të krijuesve dhe e sasisë së materialit arkivor kushtëzon zhvillimin e shkencës arkivore si shkencë për t’iu përgjigjur sfidave gjithnjë në rritje që i shtrohen. Disa nga sfidat e reja që zgjerojnë lëndën e studimeve arkivore janë një lloj i ri dokumentesh, si dhe mjetet e tyre të regjistrimit dhe mjetet e reja teknike të përdorura në krijimin dhe përdorimin e tyre. Ndër të tjera, lënda arkivore përdoret si pasuri kulturore, por edhe si dokumentacion operativ i nevojshëm për zhvillimin e mëtejshëm të veprimtarive të shumta shoqërore.
Puna kërkimore-shkencore në arkiv
Puna kërkimore-shkencore në arkiva ka për detyrë përkthimin e mendimit arkivor në praktikë arkivore dhe anasjelltas. Pa hulumtime dhe rezultate teoriko-praktike, shkenca arkivore si shkencë nuk do të ekzistonte, por do të mbetej në nivelin e një shkence ndihmëse. Karakteri kërkimor shkencor i arkivit modern është mjaft i dukshëm dhe paraqet gërshetim të punës shkencore dhe profesionale të punëtorëve shkencorë arkivorë.
Nga pohimet e mësipërme, mund të konkludojmë qartë se puna kërkimore-shkencore kërkon edhe personel të përshtatshëm, i cili para së gjithash duhet të jetë i përgatitur profesionalisht për të kryer detyra të tilla të përgjegjshme.
Arkivit Ndërkomunal të Prizrenit i ndahet trualli për ndërtimin e objekti modern arkivor
Akivi Ndërkomunal të Prizrenit deri në fund të vitit 2022, ka krijuar 63 Fonde, me 450 nën-fonde dhe 500 metra material arkivor të përpunuar.
Me 11 Nëntor 2022, në ambientet e Noterisë në Prizren, u nënshkrua Vendimi i Komunës së Prizrenit, për ndarjen e truallit për ndërtimin e objektit të Arkivit Ndër-Komunal të Prizrenit, mes kryetarit të Komunës Shaqir Totës dhe krye shefit të ASHAK-së Bedri Zyberajt.
Kështu do të zgjidhet një herë e mirë çështja e objektit të Arkivit Ndër-Komunal të Prizrenit, me objekt të përhershëm dhe me kritere bashkëkohore, ngase për disa dekada ka ndërrua disa herë lokacione, duke u vendosur e ç ‘vendosur nga një objekt në tjetrin, të cilat objekte nuk i plotësonin as kushtet minimale të kritereve të kërkuara për arkiva, ku punonjësit e këtij arkivi punonin në kushte të rënda dhe të vështira pune.
Përfundime
Siç dihet, arkivat janë institucione të rëndësisë së veçantë kujdesen për ruajtjen, mbrojtjen, sistemimin, pranimin, dhe publikimin (dhënien në shfrytëzim) të materialit arkivor për hulumtime shkencore, punë profesionale dhe nevoja të tjera në interes për shoqërinë, prandaj lëndët duhet të ruhen në vende adekuate dhe të sigurta, sipas standardeve bashkëkohore të arkivave. Ky punim me theks të veçanet trajton themelimin e këtij institucioni të rëndësishëm arkivor dhe rolin e saj në ruajtjen, mbrojtjen dhe kujdesin ndaj lëndës arkivore, parimet e mbrojtjes se dokumenteve, depon e arkivit dhe sigurinë fizike. Mbrojtja e lëndës arkivore ka qenë dhe mbetet problem i shoqërisë për qasje më pro-aktive ndaj arkivave. Për këtë duhet kuptuar rëndësia e arkivave, nevoja e krijimit të kushteve, hapësirës dhe mjeteve materiale për ruajtjen e lëndës arkivore.
Arkivat Ndër Komunal i Prizrenit fatkeqësisht nuk posedojnë kushte të mira dhe lëndët arkivore ruhen në kushtet minimale, i ekspozohen faktorëve objektiv të dëmtimit të natyrave fizike, kimike, biologjike dhe mekanike. Parimet duhet mbështetur në politikat ligjdhënëse në aspektin e mbrojtjes së lëndës arkivore, përderisa krijuesit dhe poseduesit janë të obliguar që lëndën arkivore ta mbrojnë sipas akteve ligjore.
Por nuk ka dyshim se me ndarjen e truallit për një objekt të ri të arkivit Ndër Komunal të Prizrenit do të sigurohen kushtet bashkëkohore, në shërbimit arkivor, veçanërisht me punën dhe pajisjet e e këtij arkivi rajonal, si dhe gjendjen e strukturës së tyre të personelit.