
Prof. dr. Lush Culaj/
Senati apo Këshilli Kombëtar, siç u vetëquajt, u hap në Tiranë më 27 mars 1920. Siç dihet deputetët apo senatorët e tij për shkak të rrethanave u zgjodhën nga Kongresi i Lushnjës. Si parlament i parë punimet i filloi në kushte të vështira ekonomike dhe politike. Nuk kishte përvojë nga e kaluara dhe asnjë rregullore të brendshme të parlamentit që do të ishte domosdoshmëri juridike e kushtetuese. Qysh kur nisi punimet “Këshilli Kombëtar”, apo “Senati” në fjalën e mbajtur nga Këshilli i Lartë (Regjenca), u theksua se “qëllimi kombëtar asht mbrojtja e Atdheut pavarësia dhe sigurimi i kufijve të përcaktuar nga Konferenca e Londrës më 1913. Senatori i Vlorës dhe njëherësh nënkryetar i Këshillit Kombëtar, Spiro Koleka, “çfaqi idhnimin e tij nga se, sheh qi, dy pjesë të Shqipnies, Kosova e Çamëria s’përfaqësohen në Këshillin Kombëtar e lyp qi, ky idhnim të çfaqet prej gjith Këshillës e të shënohet në procesverbal”. Në diskutimet e Këshillit në ditët në vazhdim u bë e qartë se për të gjithë preokupimi ishte nëse Jugosllavia do të pranonte Shqipërinë në kufijtë e 1913-ës dhe nëse ajo dhe të tjerët do ta njihnin apo jo qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjës.
U theksua gjithashtu se “Me fqinjët tanë Jugosllavët e Grekët, kemi dëshirë të rrojmë në nji armonie miqësore” dhe, sigurisht me shumë ndrojtje e diplomaci, më tej u deklarua se “Kemi shpresë të madhe se, edhe fqinjët t’anë kanë me njoft të drejtat t’ona etnike e jetike”. Në Parlament midis shumë problemeve që debatoheshin, një vend të rëndësishëm do ta kishte edhe trajtimi i çështjes së minoriteteve shqiptare jashtë kufijve ekzistues të Shqipërisë. Shqipëria nuk pati kohë të ndërtonte jetë parlamentare me standarde moderne europiane në vorbu-llën e destabilitetit politik dhe të konflikteve rajonale dhe botërore të viteve 1912-1918. Por edhe pas 27 marsit 1920, kur parlamentarizmi filloi të sendërtohej si një rregull legal, si një sistem qeverimi, pra pas çeljes së të parit parlament kombëtar”, trajtimi i çështjes së Kosovës dhe viseve të tjera të shkëputura nga shteti shqiptar më 1913, do të mbetej më tepër çështje dëshire e retorike, por jo e alternativave konkrete që prodhojnë zgjidhje.
Qysh në prill të vitit 1920, në Këshillin Kombëtar evidentohen replikat për orientimin e politikës pro e kundër mbështetjes tek Italia apo Jugosllavia, akuza se kryengritjet në Kosovë “bahen me gjishtin e Italies nga ana e Qeveries”, thashetheme e akuza se misioni i S. Vllamasit në Beograd duhej lexuar si veprim “për t’ia shitur definitivisht Kosovën Jugosllavisë” etj. Rryma që kërkonte dëbimin e Italisë nga Vlora për të shpëtuar Shqipërinë, ishte e qartë që Italia përpiqej për të rrëzuar qeverinë e Sulejman Delvinës, të dalë nga Kongresi i Lushnjës dhe për ta zëvendësuar me një qeveri proitaliane.
Për Parlamentin nuk ishin tabu edhe diskutimet, siç theksonin vetë ata, që dëmtonin bashkimin vëllazëror. Kështu në mbledhjen e 53-të të radhës, më 6.10.1920, deputeti Ramiz Dacisi përfaqësues i Prefekturës të Dib-rës, rrëfen para Këshillit Kombëtar se në Kavajë ishte organizuar një miting kundër kosovarëve, i cili e dëmton bashkimin vëllazëror dhe për këtë çështje kërkon shpjegime nga ministri i Brendshëm. Ecuria e çështjes së Kosovës në Këshill ishte e ndryshme jo vetëm nga inskenimet e disa tubimeve me parulla provokuese si “Nuk e duam Shqipërinë pa Kosovën” , apo “Toskët nuk e duan Kosovën” etj., por edhe nga kërkesat maksimaliste të plat-formave të organizatave prestigjioze siç ishte Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës.
Deputeti Adem Gjinushi, nga Prefektura e Elbasanit, duke rrëfyer për atdhetarinë e shqiptarëve nga Kosova, proteston për çështjen e mitingut dhe dëshiron që kjo punë të shqyrtohet me kujdes. Por, cili ishte shkaku i këtij mitingu? Për këtë do të rrëfejë deputeti Hil Mosi përfa-qësues i Prefekturës të Shkodrës, i cili, ndër të tjera, para Këshillit Kombëtar do të deklarojë: “Popullin e Kavajës për këtë miting e ka shtërngue nënprefekti, tue i thanë se kosovasit thanë se nji Shqipni pa Kosovë nuk mbahet e qi ato kosovas qi kanë të tilla mendime të dëbohen prej Shqipnies. Asnji kosovas nuk asht i mendjes qi pa ba Shqipninë e 1913-s të liron Kosovën (do të ketë Shqipëri) se veprimet e tilla janë jashtë detyrës së një nënpunësi dhe prishin qetësinë e vendit”. Në mbledhjen e radhës, e cila vazhdoi të nesërmen deputeti R. Daci theksoi se fitimi i kombit ka ardhur si rezultat i lëvizjeve të kosovarëve dhe se edhe sot kosovarët kundër serbëve po luftojnë krahas me Shkodrën. Me këtë rast kërkoi nga qeveria që të bëhen hetimet e nevojshme për ta nxjerrë në shesh burimin e kësaj çështjeje. I këtij mendimi ishte edhe deputeti Mosi, kurse deputeti Beqir Rusi si përfaqësues i Prefekturës të Gjirokastrës shprehu mendimin që “nuk beson të gjindet ndonjë shqiptar që t’i mohojë vuajtjet dhe patriotizmin e kosovarëve dhe se çdo shqiptar mjerohet kur shikon që ato vise vuajnë nën sundimin e armikut”.
Mendimi i Irfan Ohrit ishte se disa nëpunës të vegjël ishin duke bërë propagandë të tillë dhe kërkoi nga qeveria që t’i jepej fund kësaj çështjeje. Këshilli Kombëtar duke e konsideruar çështjen të rëndësishme vendosi që për të nesërmen të ftohej në Këshill Ministri i Brendshëm dhe të bëhej një mbledhje e jashtëzakonshme. Ministri i Brendshëm, Ahmet Zogu, në mbledhjen e datës 8.10.1920 shjegon se Ministria e Brendshme është përpjekur që nëpunësit t’i mbajë larg nga politika, por mjerisht nëpunësit dëshirojnë të formojnë parti (dëshirojnë të merrën me politikë L. Culaj). Çështja e mitingut të Kavajës, sipas ministrit është çështje që e kanë nxitur disa njerëz të nxitur nga të huajt me të holla dhe se për këtë çështje janë duke u bërë hetimet e nevojshme. Me këtë rast lexohet teksti i shkresës së Komunës së Kavajës drejtuar nënprefekturës me të cilën protestohet kundër lajmeve që po shpërndahen nga disa kosovarë se Shqipërinë pa Kosovë nuk e duam, me ç’rast kërkohen hetime kundër atyre njerëzve që përhapin lajme të tilla.
Në vijim ministri Zogu theksoi: “Desh të bëhej edhe në Durrës një miting i tillë, por është ndaluar nga ana e Qeverisë dhe se është urdhëruar që nuk lejohen kurrfarë mitingjesh pa lejen e qeverisë”. Për një hetim më të thellë të mitingut të Kavajës ishte dërguar një oficer nga qeveria dhe ishte caktuar një nëpunës vendës. Kurse pyetjes së Irfan Ohrit se çfarë sigurimesh mund t’u japim kosovarëve që mitingu nuk ishte me qëllim kundër tyre, ministri u përgjigj se kjo do të arrihet pasi të sigurohen dokumentet e nevojshme, duke shtuar se qeveria është e bindur që elementi i Kosovës është më i forti element, se kosovarët janë përpjekur çdoherë dhe ende po përpiqen për sigurimin dhe mbrojtjen e kufijve të vitit 1913. Dëshmia më e mirë është se edhe sot gjenden 300 vetë në Shkodër, duke luftuar kundër serbit.
Apeli i deputetit Hil Mosi ishte t’u ndihmohet bashkatdhetarëve
Në vitin 1920 filluan të shfaqeshin në Parlament mendime se kishte ardhur koha për zbatimin e reformave që do ta forconin gjendjen e fshatarësisë dhe forcimin e shtetit të pavarur shqiptar në kufijtë ekzistues. Në mbledhjen e datës 27. IX 1920, duke diskutuar për mungesën e sasisë të duhura ushqimore në disa vise deputeti Hil Mosi theksoi se për shkak se serbët kanë bërë shumë rrënime në vise të Dibrës të Vogël dhe Lumës shumë muhaxhirë kanë ardhur këndej dhe kjo e rëndon situatën ushqimore. Edhe në mbledhjen e 13 tetorit 1920 deputeti Hil Mosi shpreh shqetësimin në Parlament se ndonëse Jugosllavia deklarohej se e pranonte Shqipërinë në kufijtë e vitit 1913, ajo e kaloi kufirin dhe dogji 135 katunde. Ajo u fut deri në Shëngjergj, Kastrat Vrrakë e Tarabosh. Deputeti Mosi i shqetësuar lidhur me këtë çështje i parashtron pyetje Qeverisë se a ka marrë masa lidhur me këtë çështje të rëndësisë të veçantë. Shpjegimi qeveritar ishte se ata kanë përmbushur detyrën e vet duke theksuar se për këtë veprim të Mbretërisë SKS kanë protestuar edhe Anglia, SHBA-të dhe Italia.
Në rrethanat e tilla shqetësuese për muhaxhirët në mbledhjen e datës 25.10.1920 deputeti Irfan Ohri shprehu shqetësimin se sot gjenden në Tiranë 7000 emigrantë dibranë në kushte jashtëzakonisht të dobëta. Deputeti Ramiz Daci deklaroi se një numër i dibranëve edhe sot po qëndrojnë në kufi duke rezistuar kundër armikut në shi e borë, zbathur e zhdeshur dhe me fëmijët madje pa bukë.
Në mbledhjen e 1 nëntorit 1920 deputeti Sejfi Vllamasi, si përfaqësues i Prefekturës të Korçës, duke qenë i shqetësuar për problemin e muhaxhirëve parashtron pye-tjen se çfarë masash kishte marrë Qeveria për çështjen e muhaxhirëve, ndërkaq përgjigjja qeveritare ishte se ishin marrë masat e nevojshme në suaza të mundësive.
Në mbledhjen e 6 nëntorit 1920 deputeti Qazim Kaculi informonte se krerët e Malësisë të Gjakovës ishin mbledhur në zyrën e nënprefekturës dhe në vend të Bajram Currit e kishin zgjedhur deputet Rexhep Mitrovicën. Në Parlament lexohet një telegram i Mulla Sadikut, si përfaqësues i Gashit, Bytyqit dhe Tropojës, i cili proteston për këtë zgjedhje. Pas kësaj lexohet një telegram tjetër i Hasan Batushës, përfaqësues i fisit Gash, Bytyq e Rekë, ku luste që Rexhep Mitrovica të njihej si deputet i Malë-sisë të Gjakovës. Vlen të theksohet se krahas rrethanave të rënda, si për qytetarët ashtu për Qeverinë Shqiptare, ekzistonin kundërthënie dhe mospajtime të mëdha edhe në mes vetë shqiptarëve. Në këtë situatë deputeti Qazim Kaculi propozoi që të formohet një komision për shqyrtimin e dokumentacionit dhe derisa të vërtetohet rregullsia e tyre kërkon që deputeti i ri i zgjedhur të marrë pjesë në Këshill, por pa pasur të drejtë vote.
Ndërsa, më 12 tetor, delegacioni shqiptar në Konferencën e Paqes i kishte paraqitur zyrtarisht sekretarit të përgjithshëm kërkesën e Qeverisë Shqiptare për pranimin e Shqipërisë në Lidhje.
Me atë rast nga Parisi i ishte shkruar Drummondit: “Qeveria Shqiptare shprehëse besnike e ndjenjave të gjithë shqiptarëve, duke dashur me gjithë shpirt të konsolidojë paqen në Ballkan, kërkon të pranohet në Lidhjen e Kombeve dhe të marrë pjesë në Asamblenë e madhe që do të mblidhet në Gjenevë më 15 nëntorin që vjen…”. Kërkesa për anëtarësim e shtroi menjëherë edhe çështjen e statusit ndërkombëtar të Shqi-përisë. Kjo gjë ishte e precizuar në artikullin 1 të statutit të Lidhjes, ku theksohej: “Mund të bëhet anëtar i Lidhjes çdo shtet që qeveriset lirisht”, që nënkupton sigurisht sovranitetin e jashtëm. Në letrën e 20 tetorit sekretari i përgjithshëm Drummondi kërkonte dy lloj dokumentesh:
dokument mbi shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe
dokumente mbi deklaratat ku dëshmohet se qeveritë e tjera e kanë njohur Qeverinë e Shqipërisë si qeveri de facto ose de jure.
Për Shqipërinë u duk një dritë shprese për tejkalimin e gjendjes së amullisë. Që të shfrytëzohen sa më mirë këto mundësi Qeveria Shqiptare vendosi që ta dërgonte në Gjenevë një delegacion të posaçëm të kryesuar nga Fan Noli. Puna parësore e delegacionit shqiptar me të arritur në Gjenevë ishte paraqitja e dokumenteve të kërkuara në Sekretariatin e Lidhjes, ku dëshmohej se Qeveria Shqiptare i plotësonte të gjitha parakushtet për t’u konsideruar si qeveri e ligjshme e shtetit shqiptar. Shqyrtimi në thelb i çështjes kaloi nëpër dy etapa kryesore: etapën e parë e përbëjnë debatet në Komisionin V dhe të dytën në mbledhjen plenare të Asamblesë. Me gjithë kundërshtimet, delegati britanik Robert Sesil dhe delegati i Kanadasë Rowell ishin mbrojtës të denjë të kërkesës për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, përderisa jugosllavi Spalajkoviq e quajti Shqipërinë vetëm një embrion shte-ti.
Asambleja e mori përsëri në shqyrtim çështjen në seancën plenare të 17 dhjetorit, ku qëndrimet kishin ndryshuar rrënjësisht. Tani Italia propozonte pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Rezultati përfundimtar ishte fantastik: 35 në favor, 7 abstenime dhe asnjë kundër. Po atë ditë delegacioni shqiptar u ftua që të zinte vend në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve. Pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve e qartësoi vetëqeverisjen e saj dhe ishte mbështetje e qëllimeve të sinqerta për t’i respektuar detyrimet e veta ndërkombëtare. Pra, duhej rregulluar në mënyrë përfundimtare problemi i kufijve që kishte mbetur i pazgjidhur nga Konferenca e Parisit.
Zogu do ta shfaqte talentin e tij të rrallë si burrë shteti për stabilizimin e Shqipërisë. Ai përdori potencialin e tij ushtarak dhe politik, të akumuluar nga nëntori i vitit 1920, për të rrëzuar qeverinë e Sylejman Delvinës duke shpresuar në përfitimin e tij.
Në nëntor të vitit 1920 Qeveria u detyrua të pranonte mbajtjen e zgjedhjeve dhe kryeministri S. Delvina dha dorëheqjen. Po atë ditë Këshillit Kombëtar pranoi dorëheqjen e Qeverisë Delvina dhe shtroi për bisedim dhënien e votëbesimit të Qeverisë së Iljaz Vrionit, i cili u emërua nga Këshilli i Lartë i Shtetit. Me dhënien e votëbesimit të Qeverisë së I. Vrionit, Këshilli Kombëtar nuk u mblodh më. Ndërsa fillimisht qeveria premtoi se ligji i ri i zgjedhjeve do të miratohej nga Këshilli Kombëtar, në fakt ajo veproi ndryshe.
Më 2 dhjetor, 1920 Ministria e Brendshme njoftoi zyrtarisht shpërndarjen e Këshillit Kombëtar dhe më 5 dhjetor nxori ligjin për zgjedhjet e reja, pa e kaluar për miratim në Këshillin Kombëtar. Me përcaktimin e zgjedhjeve të Këshillit të ri Kombëtar, si Këshilli i Lartë ashtu edhe Qeveria shkelën vendimin e Kongresit të Lushnjës, i cili parashikonte se Këshilli Kombëtar i caktuar prej tij do t’ia linte vendin një Asambleje Kushtetuese.
Në fillim të vitit 1921 u vunë bazat kryesore të sistemit politik. U vendos që të thirreshin zgjedhjet për krijimin e një këshilli të ri kombëtar ose parlamenti për zëvëndësimin e zyrtarëve të pa zgjedhur të emëruar nga Kongresi i Lushnjës.
Këshilli Kombëtar i vitit 1920 qëndrimin ndaj problemit kombëtar e pa në gjithanshmërinë e problemeve, pa dyshim duke e vlerësuar shqiptarizmin e treguar nga shqiptarët e Kosovës në Lëvizjen Kombëtare. Megjithatë për çdo politikan e analist realist pas Paqes së Versajës dhe Kongresit të Lushnjës ishte e qartë se së pari duhej shpëtuar Shqipëria e 1913 dhe nuk ishte momenti për të kërkuar nga fqinjët atë që asnjë llogaritje e saktë nuk e konsideronte të mundur të merrej. Prandaj dëshirat dhe patriotizmi verbal mbeteshin të shpreheshin brenda mureve të “Këshillit Kombëtar” apo Senatit dhe gradualisht do të reflektonin përplasjet midis opozitës dhe pozitës.