– Një betejë “brumësore” për sheshet heroike /
(Disidenca, termi dhe vlera e saj, si çlirim shpirtëror nga autoriteti dhunëtar i Kishës apo tiranisë politike, ekziston tash 400 e ca vjet (1573). Porse, fatmjerisht, ky nënqiell nuk i njohu kurrë!)/
Shkruan: Endrit Dukagjini/
1.
Një tepih i kuq i shtrirë, si rëndom, me elegancë solemne. Në në skaj të tij qeveritarë e homologë dhe, natyrisht, gazetarë të shumtë. Prisnin një zonjë të largët nga Europa. Ishte opozitarja e kierarkisë së epërme gjermane Angela M., që zbriste për vizitë në Vashington. Rrëfimi i saj i parë kje idhnak e gjithë pezm. Flet e nxinë keq politikën e oponentëve të saj pushtetarë. E, përmes tyre dhe vëndin e saj të mirë. Ja që nuk paskësh qenë ky cen vetëm ballkanës. Pushtetdashja errëson arsyen e pështjellon ndjesitë gjithkund. Pra edhe në Europën e ligjeve dhe skrupulave, të rregullsisë dhe traditave shtetërore. Një urtak me nam e i veçantë, ndjek kronikat e ligjërimit ankimor të Angelës dhe reflekton i trishtuar. Nobelisti i letërsisë Günter Grass nuk zgjedh heshtjen. Ngre zërin e revoltës si sot e përherë. Dhe s’kish si t’mos bëzante për këtë cinizëm. Të rrëzosh gurë mbi Atdheun nëpër botën e huaj vetëm për një post politik? Për një karrierë kancelareske? E ultë, shpërthente ai. E mnershme dhe e papërkitshme me edukatën kombëtare. Këtë jokonformizëm lapidar (ndonëse afektivisht majtist) do ta dëshmonte ai përjetë. Poezia e bukur e rebeltare kundër shantazhit që shteti izraelit, me mbështetjen dhe uratën e fuqive perëndimore, i bën paqes së përbotshme, ishte prova dhe përndritja e gjallë e yllit të tij të lirë.
2.
Dijetari i vërtetë është, prandaj, prore në opozitë. Është armik racor i të keqes. Veçanërisht kur ajo vjen, jo nga Hyu, po nga bijtë e njerëzëve mbi tokë. Në viset e Arbërit, ndërkaq, ka ende shumë për të mësuar mbi refuzimin e pakëmbyeshëm intelektual. Largina ndaj princit dhe konzistenca e munguar, janë pikëdobëta, squllosja dhe raporti problematik me ndërgjegjen krijuese. E, gjithësesi, dhe me ftomat udhëkryqëse kolektive. Piketat e shenjëzimet dhe referencat e animet – ndërrojnë ritmikisht me lëvizjen diellore në kupën e kaltër. Luledjellësa të kulluar, ata pohojnë e mohojnë, shejtnojnë e profanojnë milje, procese e titaj fuqie në orët e përbaltura a zenitore e tyre. E bardha nxiroset, teksa e zeza zbardhet e borëton argjendërisht në lavjerrësin nuhatës të konjukturës.
Nuk bëj aspak mohësin e meritorsisë së tyre (për çka kam shkruar qindra herë) – në letra publicistike dhe burgje, megjithëse i pari është ekzemplar i pashoq për kundërthënësinë, tautologjinë lodhëse e gjuhën e drunjtë, kurse i dyti, një pëndestar e kaotist i moshës së muzgët i cili, në një roman të tij që i përket letërsisë serbo-shqiptare, i dedikon dashnores imagjinare, ose jetës vetë, ofshamën zhgënjyese “se isha (e nuk duhej) vetëmohim, e tani, e dashur, do të jem vetëpohim”! Mirëpo klaviatura e luajtur së fundmi në debatin e ethshëm e plot zhurmë, vulos rrotullimet e befta e dëshpëruese mbi piemontët e lirisë. Për hirin e të drejtës, evokojmë ca dromca që, disi, autoportretojnë ata në këtë shtjellën e sertë pasvajtëse.
3.
“Gjëndja jonë është si buka”, thoshte gjatë vitesh të 90-ta (për shtypin kosovar, para luftës) më i shquari tribun popullor e nismëtar diskursi të tanishëm mbi shqiponjat e laraskat, në ngasjen për të shestuar një shtegdalje nga realiteti represiv dhe i përbuzshëm kolonial. “Pajtimisht me këtë simbolikë”, elaboronte ai mëtej, “dhe rezistenca kundërserbiane nuk mund të jetë as korja e sipërme e armëve dhe as korja e poshtme e agonisë pacifiste”. Po cila aherë? Duke përjashtuar pa asnjë ndërdyshje luftën si opsion çlirimtar, ai ofronte në vend të saj, strategjinë skofiare e mëshirëplotë të asnjanësisë dhe përgjigjej: brumi midis tyre! As luftë, as paqe! Vetëm brum i paformë, i pashije dhe frymëkëputës. Kjo dhe bredhëritja e tij anekdotike prej shterpari konceptesh e taktikash të pambara, ndoshta, do të ketë qënë një nga shtysat e ligjshme që një tjetër figurë e lakuar si epiqendrore a supreme e arenës publike, të pohonte asokohe pendueshëm: “Mendoja se ai” (aluzion për autorin e tezës së koreve ekstreme), “me të dalë nga burgu duhej të vëhej në ballë të frontit qëndrestar, por tash nuk mendoj më ashtu”!
E, ç’ndodhi pas kaq motesh? I qëndronte ende, me besë e parimësi, vlerësimit të atëhershëm? Jo, jo! Tani është rrethnajë tjetër. Gjetësi intuitiv i “dy koreve” të bekuara ka nisur, tashmë, një betejë të re jetëvdekëse që i vete fort për shtat “Supremësit epiqendror”, në rendjen e kahershme për olimpin e perëndishëm. Ndaj riqarkullon ai fjalësinë e pietetshme e glamuroze për “Admiruesin e brumit”, si luftëtar të paepur kundër paqësorizmit nënshtrimtarë që kje sabotuar e ndërskëmbcuar padrejtësisht për të marrë, si shprehet, “atë çka i takonte”: frerët e Lëvizjes kombëtare. E çuditshme? Aspak! Lakadredhjet janë ves, normë dhe gjallim i tij. Më parë ishte një tjetër, “Korifeu i pushkës” drenicare, varri i establishmentit sërbian në Kosovë, kurse tash, kur këtë e dikton kodi i pështymëlëpirjes, ai sposton atë, duke glorifikuar sërish të parin, “Veteranin e hapsanës”, si themelësin e lirisë. Gjithnjë brënda këtij kodi të pështirosur, ai dhe mandantët e zvargur, shlyejnë dominancën e pashlyeshme të një faktori të tretë fuqidhënës: metamorfozën gjeopolitike të Europës, e cila, me daltimin mjeshtëror amerikan, do të rrafshonte kryeqytetet sllave të territ e robnisë. Jashtë rrezes së tij, as pushka e as hapsanja nuk do mjaftonin të jetohej ëndrra e bukur pavarësiste. Është e ditur, gjithashtu, se pa vullnetin mëndjes dhe sakrificës elitare, asnjë popull nuk mund të trokiste në dyert e hekurta të interesave të mëdhenj. Por në Europë vijon të ekzistojë “Shoqata e popujve të rrezikuar” (Göttingen). Përse? Sepse ende (Baskë, Irlandezë) ka të tillë. Edhe ata kanë epopetë e veta të grilave e të zjarrit. Veç, fatkobsisht, projekti i tyre i bardhë bie ndesh me planimetrinë e zezë të skenaristëve të epërm. Kurse dhimbja e loti nuk i lëvizin dot politikat e strategjitë e kancelarive të hirta dhe zemrat e gurta të krerëve të tyre.
Ndaj, si u bë që “Supremësi”, anise absolvent i shumë stileve të mundjes, të katapultojë tejdukshëm kështu? Të vëngërojë a heshtojë kaq lehtësisht kornizimet e hershme mohore që i bënte dhe, poaq, të bëmat e të thënmet tjera ingjenioze që kontrastojnë pikëllueshëm profilin e shpellosur të “anti-korësit”?
”Brumësi anti-kore” pat hedhur në tregtizën politike dhe margaritarë të tjerë nëpër stuhi vitesh. Do të prononcohej botërisht (për Televizionin frëng, gjatë luftës): “Edhe tek unë erdhi e trokiti në derë milicia serbe, por me dy-tri fjalë u morëm vesh paq dhe ata shkuan në punë të vet.” Mrekullore! I fajshëm ishte, rrjedhimisht, vetë njeriu shqiptar që, duke qenë i pakulturuar, nuk mirëkuptohej dot me këtë milici fine millosheviqjane tek vriste prej zori, e zënë ngusht nga keqsjellja e atyre që donin jetën. Dhe e ëndërronin atë të lirë. A s’ishte kjo një dhuratë e kushtueshme për mbeturinat imperiale të Rendit të moçëm, në revanshin e tyre ndanë legjitimitetit të së drejtës indipendiste të Kosovës?
Pastaj, kulmorja (për shtypin e ish jugo-zonës, pas luftës): “ Nato-Pakti hyri në Ballkan si elefanti në qelqëtore lulesh. Nuk pati nëvojë për ndërhyrjen e forcës, sepse ne do të binim në ujdi shumë më mirë pa të”! Linte, ashtu, të instrumentohej vullnetarisht e krekosshëm për makiazhin belgradas që duhej të përçonte fisnikëri dhe legalizëm anëpërtej rrokullisë. Rezultonte, që këtej, përfundimi brilantin se Diplomacitë dhe Ushtritë perëndimore kishin ndëshkuar fashizmin e paqenë dhe armikun e gabuar. Madje më keq akoma, do t’kenë prishur idilën e fiseve gadishullore që ishin gati të gjenin dashunisht formulën e bashkëjetesës prrallore! Mesazh më fatal s’mund ti dërgohej aleatëve që ende përplaseshin për legjitimitetin intervencionist dhe, ndërkohë, kishin atashuar asistencën e shtetndërtimit në truallin e lirë!
Dhe prapë (në paraqitjen për mediat serbiane, krejt tevona): “- A frikësoheni zotni që ndodheni në Belgrad”? “- Jo aspak, shpirti jeton edhe pas vdekjes”! Besimi në përtejsinë ishte në të drejtën e tij, por kishte vajtur atje për të mbrojtur vetëjetesën sovrane të popullit të tij në këtë rendin toksor të papërkryer të gjërave, apo të teologjizonte për kurmin e frymën, për pluhurin e qiellsinë? Në pyetjen eminente politike, përgjigja jepej dredhshëm e me gjuhë të marrëzishme klerike. Po të gjykojmë me këtë mëndësi religjioze punët politike, aherë për ç’iu desh shqiptarëve shteti i dytë? Gjaku i shtrenjtë i lindjes a djersa kotnare e kultivimit të tij? Le të mbaheshin më mirë larg helmit të jetës së përkohshme mashtruese, në pritje të lumnisë së amshuar!..
4.
Mirëpo dhe “Supremësi” s’mbetet aspak poshtë “Brumësit” dhe kredos së tij mjegullore. Ka një pirg me diamantinë të ngjashëm të zinj. E imagjinoni dot një humanist të proveniencës etike të identifikohet shërbyeshëm me qendrën e fuqisë politike e të kërkojë arrestime për kundërshtarët e saj? Të prejudikojë verdikte dhe t’bëj vaj pse s’pati e të hymnizojë gjyqet ushtarake? Apo t’ia shohë për të madhe një letrari tjetër që s’kishte bërë burg nën diktaturë, ndërsa vetë kishte njëmijë e një arsye më tepër për këtë në tokën e okupuar. Biles, një të vetme herë gjatë atyre viteve do ta përmendte burgun, por për të fyer ata që kalbeshin qelive të errta të tij. Që në krye të një libri polemist ai, në vetëprezantimin lajelulës, mburrej: “ Nuk kam qenë kurrë i burgosur”! A nënkuptonte kjo se, ndërsa ky krenohej, ata duhej të turpëroheshin pse digjeshin, jo si ordinerë – por për kauzën liridashëse? Kur këtë ia kërkonte një tjetri, pse vetë nuk ishte aty? Klasa e të burgosurve, dalëzotës i së cilës do të vetëshpallej vetëm kur do të abrogohej penalizimi i deliktit verbal dhe pa qenë i ftuar a i dinjtetshëm për këtë, nuk kallej atje poshtë as për luksin e demokracisë nën krusmën e pushtimit – por për mëvetësinë nacionale. Po ky, “Supremësi” nuk e bënte as njërën dhe as tjetrën. Përkundrazi, gëzonte ofiqet e dheljen e ngrohtë oficiale të eprorëve bolshevikë, sllavë e shqiptarë, që i përligjë e justifikon përulshëm gjithherë!
Është i pafund pusi i përjagieve, por kësaj here fokusojmë veç një hark kohor specifik.
Në prakçlirim, ai theksonte: “Nuk them se politika lëdëkëiste është një vepër trathtie të paramenduar, por ajo është, thjeshtë, e gabuar!” Pra nuk implikonte fare qëllimin e keq. As mëndjen e ligë. Apo dhe mefistofelizmin demoniak. Ndërsa këtoditshëm, menjëherë pasi zbulestari i “dy koreve” do të shprushte hirin, Ati kujdestar i gjithçkajes që merr frymë në universin shqiptar, me instinkt dhelpëror, kapte nervin e çastit të maturuar për të dalë letargjie dhe frike të shuarjes. Kur “Brumësi” e cilësonte “frikacak” një mëtues tjetër për epitetin e Mandelës që ky e kishte rezervuar për vete, ndihmëtari i tij, “Supremësi” zelltar, do ta korrektonte atë shpejt, preras e rëndshëm: ”Jo”, thoshte, “nuk ishte frikë”. Dhe shtonte dënueshëm: “Ishte trathti”!
I lëndueshëm keq në temën e frikës, sepse ishte dhe vetë ikanak i tebdilosur i Bllacës, ai bën distinkcionin manovrues. Tërhiqet dhe adopton rrafshin e “trathtisë” ku pretendon dëlirësinë. Po a është kjo struhera e sigurtë e tij? Nuk ngjan shumë e besueshme. Fundja, a nuk është oborrtarizmi intelektual, sidomos në regjimet autokratike, një trathti e lartë morale? E ishin, ai e galeristët e tij, verniltarë të pamposhtur klikash tek vëzhgonin vetëm fanarin e polit të mujshisë. Për sa kohë do të shtrëngohej në grushtin bravuroz të së kuqes jugosllaviste, vegjetonin aty dhe herrnin privilegjet e arta, por kur piramida shkërmoqej e dërgonte kumtin e kalesës në anën përballëse të së kuqes që përshfaqte dimension tjetër kombëtarizme, behte papritur kapërcimi i bujshëm, e çuditërisht krenar, në krahun e saj. Natyrisht, spërkatja e gjithmonshme e të kuqes me gjakun pafajsor, është krejt dytësore. Përparsia i përkiste prehjes në lozhën e epërme dhe në ballë të aradhës së intelektualëve të shtruar: dhe ky interes vetor, të cilin do ta njëjtësojë me interesin kombëtar, e shpesh të shaluar mbi te, mund të mëkohej më së miri duke qenë afër prijësit kodosh të instancës komitetare, atëbotë dhe të elitës së ish-ilegalistëve të pushtetuar, sot. Në fakt, brejën e afrimitetit nuk e kishte imanente e të çiltër. Nuk e lëngonte aspak kuqosjen e tij të alltë herake. Madje, do ta ruante merakosshëm në kujtesën e begatuar me shërbesa lojale, emnesa e tituj kierarkikë, rrudhje të drejtash të tjetrit, arbitrimin e parë… E kuqja ishte vetë ai. Prej saj, ashtu si prej vdekjes, edhe po të donte, nuk mund të këputej dot. Po përse ta bënte? Ai s’mund t’ishte askush tjetër përveçse e kaluara e tij, një lulnajë vëllazërisë së ngrohtë proletare. Ndaj, për idhujtarët që dezhurojnë prore pranë tempujsh ideologjikë, e kuqja, komitetëse dhe ilegaliste, këto dy skaje që i përbashkonte ngjyra, por i përveçonte virtyti i flijimit, mbeten përjetësisht drama përkallëse e fundjetës: rroba dhe, njëkohësisht, qefini i tyre!
E, pra, termi “frikacak” i poentuar në kundrimin e “Brumësit” që i ngjante i kadifenjtë e amnestues, ishte, si me thënë, pjesë e këtij kalvari shndërrestar. Mbase “Frikacaku” kje i tillë. I poshtënënshkruari i këtyre radhëve nuk i bën apotheozë atij dhe asnjë kooperative të përtashme politike, aq më pak ansamblit të tyre paraçlirimtar. Po këta të dy? Ishin frikamanë? Nëse nuk patën frikë, aherë përse nuk u flijuan në zallahinë e flakës kryengritëse? Apo, nëse nuk e bënë këtë vetë, aherë përse i kurseu dora e gjatë serbiane, kur, sado të mbuluar nga protagonizmi ose ferexhja, mund ti arrinte gjithmonë?
Tani, si kurorë e trajektores së “Supremësit”, vjen fragmenti hijekeq në stuhinë e atij fundmijëvjeti dramatik. Në një rast (e në një libër) tjetër, që do ta mësonim pas luftës, ai, si një arnesar i përvuajtshëm i kultit të tij zhelan, monologonte : “eh o i mjerë, erdhe këtu në Parisin dimëror dhe nënshkrove autonominë për Kosovën nën Sërbi”! Akti ishte, padurueshëm, i vërtetë. Grafikoni i vrojtimeve tejpamëse të tij rrëzohej vazhdimisht. Shkelte mbi ide e fillesa, si mbi barin e fushës së shkretë. Kishte pleduar fillimisht bashkimin e Kombit nga ambientet komode kabinetike, më pas, kur themelonte një Lëvizje politike alternative në mesdekadën e fundme të qindvjetshit të ikur, pati rënë në Republikë (të federuar, mbase, me Jugosllavinë e tretë të Zhablakut të cilën e preferonte dhe folësi i Ushtrisë çlirimtare J.K., në një prononcim për “Europën e lirë”) dhe në Konferencën parisiene të paqes (viti 1999), vegimi i tij politik mbyllej me status Autonomie nën stemën e shtetit sërbian. Meqë gjëma, me shkronjë e mes tyre (më pas do të interpretohej si pragmatizëm dhe real-politikë) ishte e ligë, a ishte, njëherësh, vërtetësisht i paqtë e katarsist, pranimi i hapur i saj apo veçse një shtirje e shplarje hipokrite para popullit dhe historisë?
5.
E kësisoj, krejt ndryshe nga kolosi Grass, këta miqët e tij të penës e aktivizmit, kanë njësuar mënyrat e instrumentet, kanë retushuar biografitë e figurat dhe kanë rinuar pozicionet e aleancat për të arritur caksynimin e dyfishtë: pakti me politikën dhe vëndzënja në tempullin e lavdisë. Meraku sfilitës është i përnatshëm e gjumëprishës. Kurse sheshi, ah ky sheshi i ngratë, është aq i vocërr për tu lënë pak hapsirë të gjithë heronjëve të luftës e punës, të burgjeve e letrave, të korrupsioneve patriotike dhe të pushteteve të shkërdhyera. Emblema ngado. Merita. Supore. Por dhe populli, ah ky popull, tepër i vogël i gjori për madhështinë e tyre. Ndaj, mbase, nuk duhet vonuar e Guverna vizionare, pedante e altruiste e Kosovës, të ndajë fonde buxhetore për një shesh të ri madhor. Mbi të ose poshtë tij. S’ka rëndësi. Mjaft që të ketë vënd për kuaj me njerëz dhe për njerëz pa kuaj, dinjitozë të dytë, për shtatoret e përjetësisë. E populli? Si ta shtojmë e përzgjërojmë atë? Vështirë, mjerisht! Mirëpo, për ngushëllim, nëse jo numërin – aherë, së paku, ta përnaltësojmë shpirtin e tij, që të njohë e parzmojë madhnorët në arkivin e tij! E, diku në një nga raftet e veçuar, të palosë edhe “Brumësin” që s’i trëmbet mortit trupor, edhe “Supremësin” që heq e vuan për grabitjen e shesheve heroike. Le të lutemi për ta. Për jetën e këndejme të statujtë dhe për faljen e andejme të Rregullatorit suprem.
Është vështirë të bësh jetëshkrimin e kohëve dhe rendeve politikë, shkruan Ch.G. von Krockow (“Portret burrash të shquar gjermanë”), sepse vetëm në shekullin e 20-të, gati të gjithë, 4 në Perëndim e 5 sish në Lindje, afishoheshin si armiqë të sistemit pararendës. Është e dhimbshme të mendosh, ndërkaq, që dinjitarë të quajtur formatmëdhenj, ishin përherë në bedena kundër armiqësorëve të ikur dhe asnjëherë (ose rrallëherë) kundër sistemeve a rendeve pozitivë, nga të shumtët e poshtnorët që përftuan këtyre trojeve. Disidenca, termi dhe vetë vlera e saj, si çlirim shpirtëror nga autoriteti dhunëtar i Kishës apo tiranisë politike, ekziston tash 400 e ca vjet (1573). Porse, mjerisht, ky nënqiell nuk i njohu kurrë!
Kushedi, mbase ka gjithnjë kohë për fisnikërim a përdhosje. Të rënët dhe kujtimi i tyre nuk janë drynuar ende thellë e paprekshëm në legjendën e lashtësisë. Janë promemorje e gjallë mes nesh. Currilët e rinj të gjakut pikëzojnë sërish mbi gjurmët e vjetra të tyre!.. (Ilustrimi: Karikature nga mjeshtri Medi Belortaja)