Koncepti i lirisë dhe patriotizmit në këndvështrimin e autorit Mihal Kalia në studimin monografik “Përqasje e çoroditur” /
MSc. Albert HABAZAJ/ përgjegjës i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë/
Për ju, miq të Librit, të Bibliotekës dhe të Autorit jemi falënderues, sepse këtë ditë, që natyrshëm e keni aq të çmuar, po na e falni mirësisht për të marrë dhe dhënë mesazhe qytetare të kulturës letrare, këtu, në tempullin e dijes të Qytetit të Flamurit, Shqipërisë Jugperëndimore e më gjerë, në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë, i kësaj Vlore me histori e kulturë, që është qyteti i dytë me universitetin më të madh në Shqipëri.
Pikërisht këtu, në Sallën e Madhe “Rilindja” të Universitetit tonë po realizojmë përurimin e librit “Përqasje e çoroditur”, dhuratë nga mendimi i kualifikuar dhe shpirti bujar i autorit Mihal Kalia. Sa nisëm kështu një punë të mirë, të bukur e të dobishme në funksion të edukimit, në shërbim të plotësimit me kulturë letrare, artistike dhe estetike, për një Vlorë, Shqipëri dhe shoqëri më qytetare, jo vetëm në fushën e letrave.
Studimi monografik i “Përqasje e çoroditur” i kritikut Mihal Kalia është një punim shkencor i thellë, për të cilin autori është marrë gjatë dhe në mënyrë krahasuese, sidomos për autorët më në zë të Letërsisë shqipe, duke vënë në peshore të mendimit të tij këndvështrimet e emrave të njohur apo artikujshkruesve tentues për të shprehur diçka në fushën e gjuhës, gjuhësisë/ filologjisë dhe letërsisë. Në një libër voluminoz prej 560 faqesh, me 28 shkrime (pa hyrjen në krye të veprës) vërejmë unitetin formë – përmbajtje, për çfarë autori trajton si zotim parësor intelektual nga veprat e letërsisë artistike si dhe teoria, mjeshtëria e të shkruarit, kritikat letrare, pa e nënvleftësuar, pa patur synim parësor historinë e letërsisë, biografinë e shkrimtarëve, por vlerat kulurore artistike në dobi të kombit, veçmas nëpërmjet kritikës letrare me standardet që ka kjo displinë shkencore, pa vegjetuar në akuarium si peshqit, monotonisht…
Autori Mihal Kalia, pasi notoi e notoi, qysh nga viti 1993 në Detin e Kritikës letrare, sot po hedh spirancën e anijes së tij të bardhë studimore në limanin e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, mbushur autorë, miq, pegagogë, studentë, dashamirës të letrave shqipe, edhe pse shqota ende rreh keq brigjet e Shkrimit e Leximit…
Kemi fatin e mirë, se nga profili i autorit Mihal Kalia shohim personalitetin e një mësuesi veteran, shembullor në mësimdhënie për gati një gjysëm shekulli, të kompletuar në arsim dhe kulturë; shohim kritikun e plotësuar, të talentuar në interpretim, të cilët Vlorës historikisht i janë numëruar me gishta dhe sot, ose nuk janë më fizikisht, ose kanë kaluar në jetë pasive përsa i përket kritikës dhe interpretimit të letërsisë shqipe dhe autorëve shqiptarë; shohim veprimtarin e duhur dhe në fushën e shkrimeve nëpërmjet korespodencës me shtypin, duke qenë aktiv me artikujt teorikë, origjinal dhe i prerë në opinionet e komentet e tij apo polemikat në gazetat qendrore etj. Pohojmë fatkeqësisht, se nga fundi i viteve ’90 të shekullit të kaluar e deri më sot letërsia shqiptare ka shfaqur edhe problemet e saj. Kush ka guximin t’i shohë dhe t’i artikulojë, si autori Mihal Kalia, e pranon me dhimbje këtë fakt dhe falë mundësive intelektule që zotëron, po e jep konkretisht ndihmesën e tij. Është pranuar dhe nga kritika, që kjo letërsi, të paktën brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë, në shumë pak raste e tejkaloi vetveten dhe shpesh letërsia e mirë hëngri nga dhjami i vjetër. Edhe pse ndonjë autor shkruan më i shpenguar, në këto vite ndodhi ajo që ndoshta si fenomen ka ngjarë rreth viteve ’30-’40. Dikush shkruan drithirambe dhe nuk do të pranojë realitetin e përditshëm; dikush sikur zhytet në të përditshmen pa vizion. Ka edhe disa autorë të rinj që sollën apo eksperimetojnë të sjellin forma e trajtime të reja.
Në shkencën e bibliotekonomisë flitet për klasifikim hierarkik dhe me hierarki numerike reflektohet hierarkia e koncepteve. Autori Mihal Kalia pasqyron çështje të rëndësishme në gjuhën dhe letërsinë shqipe nëpërmjet shkrimeve të përzgjedhur që, siç shprehet ai, edhe pse në kohë të ndryshme, përfshirë edhe atë të regjimit socialist, kanë të përbashkët frymën polemizuese me autorë dhe institucione kulturore-edukative, lidhur me qëndrimin dhe vlerësimin e figurave të spikatura të letërsisë shqiptare, drejtimeve letrare, raporteve me historinë dhe gjuhën shqipe, me traditën letrare dhe, çka është më e rëndësishmja, me Njeriun, bërthamën e shoqërisë që, nëse sot kemi arritur këtë shkallë emancipimi dhe ndërveprimi, kjo, falë luftës dhe përpjekjeve të vazhdueshme të Tij për t’u evidentuar si faktor dhe aktor substancial i ekzistencës, besimplotë në ngadhënjimin e pritshmërive.
Në hierarkinë vertikale dhe horizontale të vlerave, të dhjetë fushat e dijes janë në funksion të një jetese më të mirë të njeriut, familjes, atdheut konkret, të vërtetë; kuptueshmërisht në dobi të shoqërisë. Ato zhvillohen e pasurohen që ne të përparojmë duke u përmirësuar, që të kemi të mira materiale në jetën qytetare, të pasurojmë shpirtin me kulturën materiale dhe jomateriale, këtë shpirtërore, ku letërsia ka peshën e saj specifike. Kritiku Mihal Kalia, ndërkohë një qytetar korrekt dhe punëtor i mirë i fjalës së bekuar është serioz, këmbëngulës, i drejtë e dinjitoz në shkrimtarinë e tij, në këtë kohë të të turbullt, të shushatur, të çoroditur, me përqasjet e tij të karakterit debatues në funksion të së vërtetës së botës letrare thotë guximshëm në ballaqim shumë kurajoz: “Unë jam këtu. I tëri dhe i bëri. Ky jam unë! Ju ku jeni? Kush jeni? Cilën fytyrë letrare tuajën të besojmë, xhanëm? Dua t’ju shikoj fytyrën letrare dhe shkencore të fushës, more penëxhinj, sepse unë jam një ndër ata penëtarë, që nuk e turpëroj profesionin dhe dhuntinë e virtytshme që më ka falur natyra.
Pena e Mihal Kalisë nuk ka si qëllim analizën e veprave letrare, as të autorëve të tyre, edhe pse atë e kryen lartësisht sipas standardeve dhe vlerave të shfaqura në tekstin përkatës; synim ka përballjen me disa gjykime cungale, gjymtake për autorët më në zë të letërsisë sonë. Autori trajton 12 ndër autorët më të njohur të letrave shqipe, që nga Naim Frashëri, Pashko Vasa, Ndre Mjeda, Millosh Gjergj Nikolla-Migjeni, Faik Konica, Lasgush Poradeci, Ali Asllani, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Kryeakademiku i Kosovës – Rexhep Qose, Daut Gumeni- rrezëllitës lirie, diamantini i fjalës Ylli Polovina, gjuhëtarë të lartë si Gjovalin Shkurtaj, Rami Memushaj, Ali Dhrimo etj. Duke marrë në shqyrtim dhe katër autorë vlonjatë, pikërisht poetët Hiqmet Mehmetaj, Albert Habazaj, Luto Lamçe dhe romancierin Leka Skëndaj, ky tekst i autorit Mihal Kalia ka vlera të veçanta njohëse dhe emancipuese për letërsinë në qytetin e Vlorës, pasi veçse dëshmon provën identitare dhe natyrshëm imponuese të penës së tyre dhe frymëmarrjen letrare pastërtisht origjinale, deri më sot nuk është trajtuar nga asnjë kritik i nivelit lokal apo i rangut kombëtar. Në emër të të katërve, si dhe në emër të poetëve dhe shkrimtarëve dhe artistëve të qytetit: MIHAL KALIA FALEMINDERIT! MIRËNJOHJE! Autori ëshët qytetar, njeri i lirë, jo rob i natyrës. Si çdo njeri flet, por më tutje, falë dëshirës, vullnetit, guximit dhe diturisë që zotëron, shkruan edhe për filozofinë, politikën, sportin etj., por unë nuk mund të flas dot për mendimin filozofik të Mihal Kalisë. Të mos harrojmë se autori i këtij libri radhitet në krahun e optimistëve dhe shkruan me dritë shprese e besimi, edhe pse është një luftëtar i pamëshirshëm i ditirambeve lajkatare nga do që vijnë e për këdo emër të përveçëm të letrave shqipe pa veçuar as Kadarenë, Konicën etj. Ky libër nuk është një studim për studim, por një punim shkencor i mirëfilltë, që kërkon kohë e përqëndrim vëmendjeje për ta lexuar, kuptuar e reflektuar jo vetëm letrarisht, pse jo për të formuar reflekse letrare letrarët e tij, sidomos nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët e departamenteve të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. Koha nuk më lejon të bëj panoramën e librit, por kam bindjen që, të paktën për të shumëpërfolurën poezi “Pashallarët e kuq”, që është gati e papërfillshme në Opusin e të madhit Kadare, studiuesi Mihal Kalia ka bërë një vështrim mbushmendës, gati shterues të pakundërshtueshëm. Në një shkrim tjetër, Kalia na thotë se Pashko Vasa vetëm me 72 vargjet e të famshmes poezi “O moj Shqypni” jo vetëm që ka siguruar një vend të merituar në historinë e letërsisë shqiptare, por është sipër, në apogjeun e letërsisë shqiptare, sepse kjo poezi kushtrim është një aureolë e kurorës me vlerat më të spikatura të kësaj poezie. Dhe ne, logjikisht, njëmendjesohemi me deduksionin shkencor të autorit.
Ndërkohë shqetësimet e autorit janë se çfarë po ndodh me interpretimet “e reja” të veprave letrare të traditës? Shkrimet lënë gjurmë, sidomos tek brezi i ri, po çfarë gjurmësh se ky brez mund të jetë dhe ndoshta i paformuar, ndoshta i painformuar si duhet. Ndaj autori thekson: “Ka një çoroditje në përqasjen e re të asaj prodhimtarie letrare të periudhës së socializmit, ndaj së cilës nuk funksionon dot mekanizmi i bjerrjes së vlerave artistike, duke ua citosur ato parimeve të një tjetërsoji realiteti, që do të mbartte në vetvete sa tragjedi dhe dhimbje, siç mund të shkaktojë rrjepja, shqitja e lëkurës prej trupit të shëndetshëm, aq edhe komedi, kur mbështjell një trup të skeletosur për shndërrimin e shëmbëlltyrës” (f. 6). Vërtet liria e fjalës, e shkrimit, e shprehjes, janë themel i demokracisë, çelës i gëzimit të shumë të drejtave të tjera të njeriut, se liria është jetë dhe jeta liri, por jo liri pa kufi, sepse pa kufi ligjorë e moralë, shoqëria dëmtohet, shpërfytyrohet, shëmtohet, prishet, sepse liria pa kufi e fjalës, shkrimit e shprehjes na sjell imazhin e demonit të së keqes, që mirësinë e bën keqësi. Jo thjesht si studiues me merakun e mësimdhënësit, por shqetësimi kryesor i intelektualit qytetar Mihal Kalia është edukimi i brezit të ri, shkolla jonë, shëndeti fisnik i saj, prandaj i bie kambanës së fjalës së shkruar të lëshojë kushtrimin sepse tejduket më e keqja, qoftë larg e mos ndodhtë, pasi artikujgatuesit e paplotësuar: “Të shenduar prej rrethanave trallisëse, ushqejnë ngasjen për t’u shtrirë edhe më gjerë, të gërvishtin e ciflosin historinë, gjuhën, kulturën, traditat e shkëlqyera në çdo kohë e në çdo fushë të jetës, të krijuara këto me shumë mund, gjak e sakrifica, si emblemë e identitetit tonë kombëtar” (f. 6). Dhe na kujton kryerilindasin tonë, mësuesin e ndritur, bilbilin e gjuhës shqipe, Poetin Kombëtar Naim Frashërin, që thoshte “Një komb, ç’vleftë t’i vërë vetes, atë i vënë dhe të tjerët”. Kalia është i kthjellët në argumentet bindëse, që sjell, kur shtjellon sesi Naimi u bë simbol i gjallë i atdheut dhe lirisë, sepse “përdori metodën krijuese në funksion të qëllimit dhe ai ishte i karakterit kombëtar” (f. 156). Autori është trim i fjalës dhe nuk ua përton shkronjëzinjve të llojit [shih në tekst] M. Aleksi, K. Ujkaj, B. Cengu, A. Stefani, S. H. apo dhe të tipit [shih në tekst] P. Kulla e B. Beci, paçka se i pari është figurë e njohur e humorit shqiptar apo tjetri akademik, profesor i Gramatikës së Gjuhës Shqipe. Ai nuk “kursen” as emra të tjerë të dëgjuar dhe shumë të respektuar të penës shqiptare si [shih në tekst] M. Zeqo, apo N. Jorgaqi, kur ata gabojnë, shkasin në mendimin kritik që bëjnë si qoka për njëri-tjetrin apo të preferuarit e interesit të vockël. I vlerëson për vlerat universale në të shumtën e rasteve në fushën e studimeve letrare, të estetikës, kulturologjisë, për vargun apo prozën elegante, por nuk i ngre dot, siç mendon ai, të pavërtetët e tyre. Autori nderon fytyrën, nderon fjalën. E ka të shenjtë fjalën. Nderi i fjalës është thesar. Me këtë shqetësim, kërkon të dijë sa fytyra ka x zotni i nderuar që ka uzurpuar mediat, shtëpitë botuese, televizionet? Cilin Moikom apo Nasho të besojmë? Nderimi dhe çnderimi, fjala dhe llafet janë fushëbeteja e studiuesit.
Ai nuk i duron dot dhe nuk i fal gjithologët jo profesionistë, servilët, konformistët, magazinierët e llafeve pa inventar, sahanlëpirësit për një dekoratë të pamerituar varake. Atë e shqetëson shumë fakti që vargjet e Nolit të madh “Ti, Halim, që s’di këndim/ shko ministër në arsim janë ende realitet i hidhur e dëshpërues në organigramën e strukturës sonë vertikale dhe horizontale.
Falë ushtrimit të profesionit të bukur e të vështirë të mësuesit, metodistit, përvojës së gjatë në arsim dhe inspektimin e shkollave në fushën ku u arsimua e dha mësim, nëpërmjet këtij teksti autori synon të ndihmojë nxënësit e studentët në formimin e tyre, sepse libri ka vlera pedagogjike-arsimore dhe përbën një model edukimi për t’u ndjekur, sepse mendimet e autorit janë të rëndësishme për fushën që trajton, sepse është e dukshme ndihmesa që ai jep për shkollën, mësuesit dhe nxënësit. Kuptohet që gjuha e autorit në tekst është gjuha e specialistit të fushës, gjuhë e nivelit akademik dhe mund të jetë literaturë e duhur për edukimin shkollor dhe universitar të nxënësve të shkollave të mesme dhe studentëve të Departamentit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në Fakultetin e Shkencave Humane të paktën në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë.
Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, Albania, 08.01.2020