Dr. Nikollë Loka/
Hasan Prishtina ishte politikan me bindje nacionaliste të djathta, por në kushtet e mungesës së reflektimit të qartë nga ana e Lidhjes së Kombeve dhe Fuqive të Mëdha, e pa me interes lëvizjen e majtë ballkanike që kishte në program një çasje tjetër ndaj pakicave kombëtare. Në prill të vitit 1927, organizata disidente e njohur si Komiteti Nacional Revolucionar (KONARE), e formuar në Vjenë me anëtarët majtist të qeverisë së Fan Nolit, që u larguan jashtë në dhjetor të vitit 1924, u organizuan nën emrin e Komitetit për Lirimin Kombëtar. Ky Komitet formoi një koalicion me Komitetin për Mbrojtjen e Kosovës, i cili nga ana e tij u lidh me Seksionin Komunist Ballkanik të Kominternit, ndoshta nën ndikimin e shqiptarit nga Kosova Ali Kelmendit, personalitetit më të shquar të Komitetit Komunist shqiptar në Moskë.
Keqësimi i marrëdhënieve të Zogut me Italinë në kohën kur Hasan Prishtina konsiderohej si njëri ndër politikanët më të njohur shqiptar, i aftë që të merrte përsipër drejtimin e vendit, kishte bërë që Zogu t’i jepte Prishtinës goditjen e radhës. Me 2 korrik 1928, Gjyqi i posaçëm për faje politike i Tiranës me kryetar Shefki Shatku dhe prokuror Kiço Bisha mori aktvendimin me të cilin Hasan Prishtina shpallet fajtor për rrezikimin e jetës së Ahmet Zogut dhe për faje politike, duke e dënuan me vdekje në mungesë.
Në këtë periudhë, çështja e Kosovës nuk prekte vetëm interesat shqiptaro- jugosllave. Edhe Italia u përfshi në përkrahje të mbretit Zog për zhvillimin e lëvizjes irridentiste ndër shqiptarë. Pas vitit 1927, Musolini ndërmori një fushatë agresive me intensitet të madh për të shpërbërë Jugosllavinë, me synimin për të forcuar ndikimin italian në Adriatik përmes përkrahjes së lëvizjeve nacionaliste (ustashët kroatë, rebelët shqipatrë dhe terroristët maqedonë), duke e dhënë këtë mbështetje në funksoon të interesave italiane në skenën ndërkombëtare. Politika italiane alternnoi periudhat e qetësisë dhe të ngatërresave kundërthënëse, për t’i prishur shtetit jugosllav mjetet e subversionit.
Në kushtet e marrëdhënieve të vështira me italianët dhe fqinjët ballkanikë, i pasigurtë për të ardhmen e pushtetit të tij, Ahmet Zogu kishte menduar për ta likujduar Hasan Prishtinën. Për realizimin e këtij vendimi do të dërgohen nëpër Europë pesë atentatorë që dihen: Pjetër Kallmeti në nëntor 1927; Ibrahim Lika (Lisi) – Kruja janar 1928; Hasan Sedi, shkurt 1928; Ibrahim Tabaku, prill 1928 e ndoshta edhe Hasan Kosova.
Me rëndësi është të konstatohet se të gjithë vrasësit ishin me lidhje të dyfishta, – me qarqet politike të Qeverisë shqiptare dhe të asaj jugosllave. Në fakt, Hasan Prishtina ishte armik i betuar i Ahmet Zogut dhe të dy ishin përpjekur ta vrasin njëri-tjetrin. Dokumentat e zbuluara nxjerrin në dritë faktin se organizimi i atentatit kundër Zogut në Vjenë me 20 shkurt 1931 ishte organizuar nga Hasan Prishtina. Me 2 mars 1931 Drejtoria Federale e Policisë Austriake i dha Hasan Prishtinës letërnjoftimin dhe dokumentet e udhëtimit, duke e larguar prej Austrie me 28 mars 1931.
Pas një ndërprerje të shkurtër për shkaqe shëndetësore, Zogu rikthehet në detyrë. Rikthimi i tij e vendoste Italinë përpara përgjegjësisë për të ndryshuar marshin e saj politik. Përderisa Zogu do të vazhdonte të ishte në pushtet, Italia hoqi dorë edhe nga mbështetja financiare e grupit antizogist të kryesuar nga Mustafa Kruja, pasi nuk ia vlente të harxhonte më para për këtë çështje. Megjithatë, Italia nuk hoqi dorë nga financimet për Hasan Prishtinën, pasi mendonte se ndoshta do të vinte momenti që do t’i duhej.
Në jetën e tij Hasan Prishtina kishte mundur t’u shpëtonte katër atentateve, ishte burgosur dy herë nga serbo-malazezët dhe flitet se ishte dënuar gjashtë herë me vdekje nga xhonturqit, Esad Toptani, qarqet shoviniste serbomadhe dhe tri herë nga qeveria e Zogut. Më 13 gusht 1933, ai vritet në Selanik nga njerëzit e paguar prej Ahmet Zogut dhe qarqet shoviniste serbe. Për këtë vrasje gazeta greke “Maqedonia e re”, shkroi: “Një vrasje tjetër që u bë në rrugën Çimisqi, tronditi Selanikun. Politikani shqiptar Hasan Prishtina u vra në qoshen Çimisqi në Vogaxhiku, përpara bakallhanes “IVI” nga shqiptari Ibrahim Çelo, 28 vjeçar, i papunë, që qëlloi pesë herë mbi ish-kryeministrin shqiptar”.
Vrasja e Hasan Prishtinës kishte ndodhur në kohën kur Zogu do t’i kthehet çështjes së Kosovës. Në këtë periudhë, shteti shqiptar u angazhua më tepër në mbrojtje të elementit shqiptar në Jugosllavi. Zogut i leverdiste që të shfaqej si nacionalist, pasi në këtë mënyrë do të siguronte një mbështetje nga të gjithë shqiptarët, si brenda dhe jashtë vendit, me synim konsolidimin e regjimit të tij dhe të shtetit të brishtë shqiptar. Shtimin e veprimtarisë nacionaliste për Kosovën e ndiqte me kujdes Beogradi zyrtar. Prefektura e Kosovës bënte të ditur, se Kryetari i Shtatmadhorisë në Beograd, u ka njoftuar komandove të ushtrisë në Kosovë, se “në Shqipëri është formuar “Komiteti i Kosovës”. Për ta mbajtur këtë komitet, Zogu kishte marrë ndihma në të holla nga qeveria italiane. Ky komitet ishte duke organizuar komitete të tjera në tokën jugosllave dhe kishte urdhëruar të merreshin masat e duhura”. Edhe në rrafshin diplomatik, Ahmet Zogu në këtë periudhë zhvilloi një veprimtari të gjerë me Fuqitë e Mëdha në lidhje me çështjen e shqiptarëve të Kosovës.
Hasan Prishtina dhe Ahmet Zogu janë dy nga personalitetet politike më me ndikim në historinë e Shqipërisë së gjysmës së parë të shekullit të njëzetë. Kundërshtitë dhe përplasjet në mes tyre kishin të bënin me mënyrën se si e kishin projektuar secili të ardhmen e shqiptarëve në trojet e veta. Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore, përfaqësues i nacionalizmit shqiptar, konsiderohet Hasan Prishtina. Ai i përmbahet parimit të bashkimit të trojeve etnike shqiptare. Format konkrete të veprimtarisë kombëtare të tij përcaktohen dhe logjikisht dalin nga ky parim.
Studiuesi Bernd Ficher ka gjetur shumë pak të dhëna që tregojnë vëmendjen e Zogut rreth çështjes së Kosovës. Në fakt, Zogu që në fillim të karrierës së tij politike kshte pohuar se Kosova ishte e humbur për Shqipërinë. Kjo nuk do të thotë që ai nuk e përdori irredentizmin në doza të vogla për qëllimet e tij, megjithëse nuk lejoi asnjëherë që kjo ide të shpërndahet gjerësisht. Zogu ishte pragmatist në politikë, ruajti aleanca të përkohëshme dhe u përpoq të manovronte në mes të shteteve me qëndrim armiqësor ndaj Shqipërisë, për të minimizuar sa të ishte e mundur efektet negative të pragmatizmit të tij. Si veprime me karakter nacionalist të Zogut mund të konsiderohen: Mungesa e zbatimit të plotë të marrëveshjes Zogu-Pashiç dhe marrëveshja sekrete e 26 gushtit 1925. Dekretet që nxori për të shpërngulurit dhe mijëra muhaxhirëve të përzënë nga tokat e tyre, që t’iu lehtësohet sadopak vuajtja.
Zogu i dha fund politikisht bashkëjetesës së të zgjedhurve të Kosovës dhe nëpunësve të saj me administratën e shtetit shqiptar. Përfundoi detyrat e lëna nga protokollet e Fuqive të Mëdha për territoret e diskutueshme në Shën Naumit dhe Vermoshit, si dhe u përpoq të zbuste problemet që krijoi spastrimi etnik serb në Kosovë, duke pranuar “muhaxhirë” nga Kosova dhe duke i sistemuar ata larg zonave kufitare. Për t’ia kthyer shpinën Beogradit ai ishte i vetëdijshëm se nevojitej që të bashkëpunonte me një shtet të fuqishëm që mund t’i kundërvihej Jugosllavisë.
Duke e gjykuar në tërësi veprimtarinë e tij në lidhje me Kosovën del se Zogu nuk mund të quhet njeri i jugosllavëve, por ai nuk mund të quhet kurrsesi një kundërshtar i tyre apo një burrë shteti shqiptar që kishte një program politik për shqiptarët në Jugosllavi. Politika zogiste u ndërtua mbi realitetet politike të krijuara dhe kishte për synim mbijetesën e tij politike dhe mbrojtjen e pavarësisë e zhvillimin e shtetit shqiptar.