
Prof.Dr.Fejzulla BERISHA
Filadelfia, Pensilvani, SHBA/
Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 përbën një nga momentet më kulmore të historisë moderne shqiptare. Ajo nuk ishte vetëm akt juridik ndërkombëtar apo shpallje formale e një shteti të ri në hartën e botës, por përmbyllja e një epoke të gjatë përpjekjesh për liri, vetëvendosje dhe identitet kombëtar. Sot, Kosova është një shtet i pavarur, me institucione të konsoliduara dhe me një rol të pakontestueshëm në stabilitetin e rajonit. Por, kjo pavarësi politike dhe shtetërore nuk ka asnjëherë domethënien e ndarjes kulturore apo identitare nga Shqipëria kombëtare. Përkundrazi – ajo e konfirmon përkatësinë e saj si pjesë e pandarë e trungut të kombit shqiptar.
Historia e dëshmon qartë këtë të vërtetë. Dardania e lashtë, e cila përfaqëson themelet e identitetit shqiptar, ishte një nga qendrat më të rëndësishme të qytetërimit ilir. Në kohët mesjetare, Kosova ishte pjesë jetike e territoreve shqiptare, me qendra të rëndësishme në Prizren, Pejë, Gjakovë dhe Mitrovicë. Më vonë, me themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në vitin 1878, u konfirmua edhe njëherë se Kosova ishte zemra e lëvizjes kombëtare, jo një periferi, por një shtyllë qendrore e vetëdijes shqiptare.
Megjithatë, historia shqiptare nuk është shkruar vetëm me përpjekje për bashkim kombëtar, por edhe me plagë të rënda të copëtimit. Konferenca e Londrës e vitit 1913, nën diktatin e fuqive të mëdha të kohës, ndau padrejtësisht më shumë se gjysmën e territoreve shqiptare – përfshirë Kosovën – duke i lënë në mëshirën e dhunës dhe kolonizimit serb. Kjo copëtim nuk ishte vetëm territorial, por tentim për shuarje të identitetit shqiptar në Kosovë, përmes politikave të dhunshme të shpërnguljes, asimilimit dhe mohimit të të drejtave themelore.
Por historia nuk harroi. Kosova nuk u nda kurrë shpirtërisht, gjuhësisht apo kulturalisht nga Shqipëria. Në të gjitha fazat historike, lidhjet mes shqiptarëve përtej kufirit politik kanë mbetur të gjalla. Në vitet e shtypjes së egër gjatë Jugosllavisë, shqiptarët e Kosovës ruajtën gjuhën, flamurin, kulturën dhe ndjenjën kombëtare. Kjo ndjenjë kulmoi në vitet ’90 me lëvizjen për liri, me luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe me përkrahjen jetike që Kosova mori nga Shqipëria amë – në një kohë kur ajo vetë ndodhej në krizë të thellë.
Ndërhyrja vendimtare e NATO-s në vitin 1999 dhe çlirimi i Kosovës nuk ishin vetëm një fitore e drejtës ndërkombëtare, por edhe një konfirmim historik: se Kosova është tokë shqiptare dhe pjesë përbërëse e kombit shqiptar. Pavarësia e saj është akt sovraniteti për një popull që nuk ka kërkuar asgjë më shumë sesa të jetë zot në vendin e vet, në gjuhën e vet, në identitetin e vet.
Sot, shqiptarët kanë dy shtete të pavarura – Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës – por kanë një komb të vetëm, të lidhur me gjak, me gjuhë, me histori dhe me aspirata të përbashkëta. Kufijtë shtetërorë janë realitet i epokës moderne, por nuk mund të shërbejnë si justifikim për ndarje shpirtërore apo për krijimin artificial të një “kombi kosovar”, që në thelb do të përbënte mohimin më të rëndë të vetë historisë sonë kombëtare.
Është koha që ky realitet të pranohet edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Stabiliteti i Ballkanit nuk mund të ndërtohet mbi mohimin e të vërtetave historike, por mbi pranimin e tyre. Kosova nuk është një shtet multietnik në kuptimin klasik – ajo është shtet shqiptar, me të drejta për pakicat, por me identitet të qartë kombëtar shqiptar. Çdo përpjekje për të krijuar identitete të reja në funksion të interesave afatshkurtra gjeopolitike është e destinuar të dështojë.
E ardhmja e shqiptarëve qëndron në forcimin e unitetit kombëtar, në bashkëpunimin ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës në të gjitha fushat – në diplomaci, në arsim, në kulturë, në ekonomi dhe në mbrojtjen e interesave kombëtare në përballje me sfidat rajonale dhe globale. Kjo nuk është thirrje për bashkim politik në kuptimin klasik, por për integrim kombëtar në kuptimin më të thellë dhe më dinjitoz.
Kosova është shtet më vete – por jo komb më vete. Ajo është pjesë organike e Shqipërisë kombëtare dhe këtë të vërtetë nuk mund ta ndryshojë asnjë kufi, asnjë marrëveshje ndërkombëtare dhe asnjë propagandë politike. Ajo është e rrënjosur në ndërgjegjen historike dhe në frymën e çdo shqiptari që e ndien veten pjesë të pandashme të një trungu të përbashkët kombëtar.
Ky është realiteti që duhet afirmuar me dinjitet – në Tiranë, në Prishtinë, në Bruksel dhe në çdo forum ndërkombëtar. Shqiptarët janë një komb, me dy shtete, por me një zemër