Rilindja,17 tetor 1978: U dha Çmimi Nobel për Paqe NËNË TEREZA-LAUREATE/
-Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja shkruante historinë/
PRISHTINË, 18 Tetor 2016- Gazeta DIELLI- Behlul Jashari / “U dha Çmimi Nobel për Paqe NËNË TEREZA – LAUREATE”, ishin mbititulli e titulli i gazetës Rilindja në 18 tetor 1979, ku në nëntitull theksohej: “Fituesja, që përndryshe është shqiptare, deklaroi se të hollat prapë do t’i shpenzojë për qëllime bëmirësie”. Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja raportonte për ngjarjen e madhe në Oslo të një dite më parë.
Në 10 dhjetor 1979 Nana Terezë, pasi kishte pranuar Çmimin Nobël për Paqe në Oslo ka deklaruar: “Përsa i përket prejardhjes, unë jam shqiptare, indiane përkah nënshtetësia, motër murgeshë katolike, përkah thirrja, që i përkas tërë botës…” Këto fjalë të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, të shënuara në “Rilindja”, mbushën gëzim e krenari gjithë kombin.
Kështu kam shkruar në RILINDJA 60 VJET MONOGRAFI, botuar shtojcë speciale e gazetës tradicionale të Kosovës për ditën e jubileut -12 shkurtit 2005, ku kam cituar fjalët e nobelistes shqiptare Nëna Terezë në ditën e pranimit të Çmimit Nobël.
Nën foton në monografi shkruan: Nënë Tereza në bisedë me dr. Mehmet Begracën dhe redaktorin e gazetës sonë (Rilindja) Nehat Islamin (qershor, 1980).
TË TJERA NGA MONOGRAFIA RILINDJA 60 VJET:
SHKRONJA PËR “RILINDJEN” DËRGOI TIRANA
Në Shtypshkronjën e “Rilindjes” në Prizren nuk kishte shkronja të mjaftueshme të derdhura në plumb për shkrim në gjuhën shqipe. Shkronja plumbi të alfabetit shqip në një sasi më të madhe u sollën me arka nga Shqipëria pas një marrveshje të nivelit më të lartë në Tiranë të udhëheqjes së atëhershme të Shqipërisë dhe të Kosovës, marrjveshje që përfshinte edhe dërgimin e mësuesve shumë të nevojshëm për shkollat e hapura kosovare.
HISTORIA NË NJË FJALI
“Rilindja” filloi të dalë më 12 Shkurt 1945 në Prizren, në kuadrin e vendimeve të Kuvendit të Bujanit, e mandej vazhdoi të dalë në kryeqytetin Prishtinë, si gazetë institucionale, gjegjësisht me një status të medias publike, ndërsa që nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta doli edhe në kushtet e ndalimit e të mbylljes së dhunshme, doli edhe me emrin “Bujku” si gazetë gjysëmilegale dhe e rezistencës, që e sfidoi ndalimin, doli e pavarur dhe do të mbetet e pavarur.
RILINDJA MË 1962: KOSOVA FITOI BANORIN E NJIMILIONIT
RILINDJA e datës 6 Korrik 1962 shkruante se Kosova “fitoi këto ditë banorin e njimilionit…”
“Simbas regjistrimit të fundit të 31 marsit të vitit të kaluem, në këtë teritor ka pasë 963.551 banorë…” shkruante gazeta duke shtuar se “asht interesante” se në Kosovë “ka afër 40 mijë mashkuj ma shumë se femna”.
ABETARJA E PARË NË GJUHËN SHQIPE
Sot duel nga shtypi abetarja e parë në gjuhën shqipe e cila me punen vetmohuese të punëtorëve grafik u shtyp, për një kohë realtivisht të shkurtë…Abetarja përmbanë 58 faqe dhe asht shtyp në 5.000 ekzemplarë.
(RILINDJA, 19 nanduer 1946)
GJUHA E NJËSUAR LETRARE NË RILINDJA NGA 12 SHKURTI 1970
RILINDJA në 25-vjetorin e saj, më 12 Shkurt 1970, filloi të dalë me gjuhën e njësuar letrare shqipe. Me këtë rast, në artikllin “Të mësojmë me vullnet gjuhën letrare” bënte thirrje që gjuhës letrare t’i kushtohet kujdes më i madh nga të gjithë.
PALLATI I SHTYPIT FILLOI TË NDËRTOHET NË NËNTOR 1971
RILINDJA më 20 Nëntor 1971 informonte se një ditë më parë në afërsi të Stadiumit të Prishtinës me një solemnitet rasti filloi ndërtimi i Pallatit të Shtypit. RILINDJA pasi kishte investuar në truallin e Pallatit filloi edhe nëdrtimin e tij, duke qenë udhëheqëse e punimeve dhe investitore.