Arben Iliazi/
“Dy pjesët e jetës sime mbetën si dy jetime,
Njëra humbur, pa atdhe, e tjetra larg shpirtit tim”.
Kujtim Hajdari zë një vend të veçantë në brezin e poetëve bashkëkohës, që kanë spikatur në 20-30 vitet e fundit. Vepra e tij është origjinale dhe e autentike, sepse të tilla ishin jeta, bota, interesat dhe prirja shoqërore e tij. Të vecanta kanë qenë sidomos marrëdhëniet e tij me rendin shoqëror, që sundoi gjatë në Shqipërinë komuniste dhe me censurën, si mjet permanent të saj, e cila nuk u tregua aspak indulgjente me të. Që në fëmijërinë e tij në Hajdaraj të Lushnjës, ku kishte lindur në prill të vitit 1956, Kujtim Hajdari ishte me të drejta njerëzore të mohuara.
Megjithëse një pjesë e krijimeve të tij, që kur ishte në moshë te re, u botuan në gazetën lokale “Shkëndija, si dhe në organet qendrore, “Drita” dhe “Zëri i rinisë”, veprat e para “Do të vijë pranvera?” (poezi), “Violinisti” (poezi) dhe “Netë pa gjumë” (dramë), nuk panë kurrë dritën e botimit, pasi poeti u akuzua për “frymë antiparti”.
Më pas poeti Hajdari ndjeu se i ishte mohuar jo vetëm e drejta e botimit në fushën e letërsisë, por edhe e drejta e shkollës së lartë, gjë që u realizua më pas me ndërhyrjen e shkrimtarit të shquar dhe humanistit D. Agolli, i cili zotëronte pozita të forta në strukturat e regjimit komunist. Jeta e Kujtimit, pas vuajtjeve të panumërta, fatmirësisht doli jashtë reve të fatit, nga muzgu në gjysmëdritë, pasi u diplomua si mësues letërsie. Talentin, intelektin, dhuntitë dhe virtytet i administron natyra njerëzore, e cila i shpërndan me spontanitetin e vet, me dashamirësinë më të madhe. Kështu ndodhi edhe me Kujtim Hajdarin, të cilit talenti i spikatur i dha këmbënguljen, mirësjelljen qytetare, fisnikërinë dhe konsekuencën krijuese, për të vazhduar rrugën e artit, edhe pse regjimi komunist i shkaktoi një traumë psiko-emocionale, që e detyroi të “ftohej” me poezinë për gati çerek shekulli. Por forca shpirtërore, sekreti për të ruajtur veten krejtësisht të papërlyer, dëshira për t’iu dhënë me gjith shpirt poezisë, që për të përfshinte gjithçka në jetë, ishte forca e vërtetë e poetit të përvuajtur, e cila triumfoi më pas dhe i solli poetit një sukses ndërkombëtar. Poezia, për Kujtim Hajdarin, mbeti forma më ekzistenciale e lirisë.
“Si nga një i ftohtë dimri i zi,
U thanë ëndrrat lule paçelur,
Për pak diell, për pak liri,
Te kjo baltë si dëshmi ngelur”.
(I Internuari)
Pas ndryshimit të sistemin politik, poeti u largua në mërgim në Itali, ku kaloi shumë vite, e më pas u vendos në SHBA, dhe sot jeton në Massachusetts.
Si gjatë kohës së mërgimit në Itali, ashtu edhe në SHBA, ai vazhdon të shkruajë dhe të jetë aktiv, duke publikuar rregullisht vëllime me poezi dhe duke marrë pjesë nëpër antologji të ndryshme. Është autor i 15 librave me poezi dhe, deri më tani, ka marrë pjesë në 62 antologji, 12 kombëtare dhe 50 ndërkombëtare, në tri gjuhë: shqip, italisht dhe anglisht, antologji me , pjesëmarrjen e poetëve të njohur nga shumë vende të botës. Poezitë e tij janë botuar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Itali, SHBA, India, Rumani, Marok, Egjipt, Danimarkë, Pakistan, Bangladesh, etj. Ka marrë pjesë në shumë kompeticione kombëtare e ndërkombëtare, ku ka fituar çmime të shumta në vende të ndryshme të botës. Në gusht të këtij viti (2024) fitoi në SHBA çmimin INTERNATIONAL MPACT BOOK AWARDS.
***
Veprat e Kujtim Hajdarit janë fryt i brendshëm i asaj ndërgjegjeje letrare që mbeti e pacënuar edhe nën censurë, edhe larg atdheut. Megjithëse u shkruan kryesisht jashtë truallit të vet, ato janë një dëshmi e mostjetërsimit dhe e jetësisë. Ndoshta këtu është dhe rëndësia e tyre më e madhe.
Kujtim Hajdari ka kapur në thelb dramën e bashkëkohësve të vet dhe e shprehu atë me mjeshtëri, me brishtësinë e shpirtit të vet, me poezi të shkëlqyera, në pauzat e një jete plot privacione.
“Këtu s’më vë rè asnjeri, kush jam unë,
Humbas mes turmës si pikë uji në oqean,
Me një barrë hallesh vij rrotull botës për punë,
Dhe shtrëngoj zemrën në kraharor që qan”.
(Udhëve të botës)
Arma më e fortë e poetit është humanizmi. Poezitë kanë në thelb dashurinë për njeriun. Është një dashuri pa sforcime përzgjedhjeje. Siç e pranon, ashtu dhe e kërkon njeriun, duke e zhveshur poezinë nga skematizmi dhe patetizmi, në vazhdën e një dëshpërimi të praruar.
“Por, megjithatë, do t’më ndjeni pranë,
Ashtu siç ju ndjej gjithmonë edhe unë,
Në hapësirat e shpirtit tim të paanë,
Miqësi e shoqëri në botë, gjithkund”.
(Këtë përvjetor)
Mjafton të mendohesh pak mbi vargjet dhe do të ndiesh shpërthimin e brendshëm, nga ku dëgjohet dashuria për njerëzit, për miqtë, ngazëllimi për jetën dhe dhimbja për vdekjen.
“Në qytetin tim, edhe pse vij rrallë, shumë rrallë,
Rrugët më njohin nga muzika e hapave kur shkel,
Zogjtë zgjatin kokën, mes luleve të bukura, me mall,
E mbushin ajrin me urimin, që cicërimave çel.
Njerëzit nuk e harrojnë buzëqeshjen time,
Edhe pse mungesa e gjatë hedh hije trishtimi…”
(Si dy jetimë)
Poezia e Hajdarit është aq tunduese për të na kujtuar se çdo minutë e jetës duhet të jetohet me dashuri dhe zemër të madhe. Ajo ngrihet nga fjala dhe nga ndjesia e së përditshmes, me një shkëlqim përdëllyes të metaforave stilistikore. Poetit i krijon dhimbshuri sakrifica e emigrimit, e të përditshmes njerëzore. Ai i këndon njeriut të thjeshtë, që siguron mes sakrificash një jetë të ndershme, apo sakrificave të një kombi, që gjithsesi mbetet fatkeq, në cikle të pafundme migratore.
“Për çastin qesh dhe gëzohem, por dhe qaj jetën time,
Një copë jete e braktisur, e flakur, e harruar,
Diçka të dhimbshur, më duket, kam lënë jetime,
Diçka, që kërkoj ta gjej, ta ruaj si pjesë të çmuar.
Pjesa tjetër mbeti jashtë, udhëve të botës pafund,
Me etjen, që një ditë djepi i Atdheut ta përkund,
Por ajo ditë mbeti një imazh i paarrirë,
Një imazh, që më shtrydh e më bren pa mëshirë”.
(Si dy jetimë)
Po kaq njerëzore shenjohet tek poeti edhe humbja, si dukuri bashkëshoqëruese e njeriut, parë në planin më të gjerë të saj. Mes humbjesh njeriu bëhet më i besueshëm, më i pranueshëm. Humanizmi duket se e ka origjinën te një melankoli karakteristike, e cila nuk është trishtim vetiak, apo zymti patologjike e shpirtit. Në një mënyrë të ngjashme me ekstazën, ajo ka lindur dhe është ushqyer brenda unit poetik, duke pasur edhe ushqim të bollshëm nga jeta e përjetuar. Impulsi poetik ndizet pikërisht për këtë vokacion, ku poeti është përqëndruar me tërë forcën e shpirtit, me një ekzaltim që gufon nga vetvetja dhe jo nga idetë apo dëshirat subjektive të të tjerëve.
Duke hapur vargjet e Hajdarit gjejmë perlën e shpirtit të tij, e cila është e tëra një fluturim lirik:
“Ti je e ëmbël dhe në ikje,
Dhe kur pëshpërit lamtumirë,
Dhe kur dy zemrat n’përpëlitje,
Zgjatin duart për mëshirë”.
Unë nga vdekja nuk kam frikë,
Po më trembin sytë e tu,
Kur ti dritën në ta e fik,
Për mua vdekja fillon këtu.
(Mos më thuaj lamtumirë)
Mendimi i mirëfilltë lirik nuk rrëmbehet kurrsesi nga dukja, as nga metafora e qëllimtë. Poezia konceptohet si një ëndërr, ku jeta shpaloset mes dritëhijesh, ndërsa natyra shpaloset mistike në bukuritë e veta.
Vargjet klasikë, figuracioni i dendur, thjeshtësia, spontaniteti, rimat apo vargjet e lira, përcjellin ndjeshmërinë e lartë dhe mprehtësinë e vështrimit, krijojnë një ansambël harmonik të dallgëzuar dhe një marrëdhënie të drejtëpërdrejtë e të paharrueshme me lexuesin.
“Me zërin e bilbilit më thërret çdo mëngjes,
Nga lulet e lara me të bukurën vesë.
Më shfaqesh me rrezet e agimit përtej,
Dhe unë mbaj zemrën që të mos shpërthejë”.
(Po të pres)
Me mrehtësinë, me lirizmin delikat dhe të tejdukshëm, me dhimbjen njerëzore, poezia e Kujtim Hajdarit është pasqyrë e jetës dhe e shpirtit të tij të madh.
“Njerëzit nuk e harrojnë buzëqeshjen time,
Edhe pse mungesa e gjatë hedh hije trishtimi,
Një vatër të ngrohtë oxhaku në zemrën e tyre,
Do ta gjej, si bir i mirë, pushtuar nga mallëngjimi”.
(Si dy jetimë)
Në disa poezi ngrihet kulti i njëlloj lirie njerëzore, që di të dalë mbi humbjet, trishtimet, brengat.
“Mendime të ndryshme seç më vijnë e bluaj,
Për njerëzit e mi, që rrinë diku, atje larg,
S’do t’më prisnin si këtu, ky vend i huaj,
Do të bënin festë, kur t’më shihnin në prag”.
(Udhëve të botës)
Në prizmin e të natyrshmes, të besueshmes, poezia e Hajdarit ka një këndvështrim bipolar për jetën. Brenda saj janë të mirat dhe të këqiat, ndaj ajo ka gjithë ngjyrat bazë dhe llojet që rrjedhin nga to: Të ngrohtat e gëzimit, të ftohtat e dhimbjes.Keqardhja apo mosaprovimi i poetit, nuk e çon atë drejt urrejtjes. Nuk gjejmë në vargjet e Hajdarit acarim, mllef, hakmarrje. Ka diell, tokë dhe ajër për të gjithë. Në fund të fundit kjo është jeta. Hajdari pasqyron në krijimet e tij sa qëndrime, aq dhe gjendje ekzistenciale, ku dominant është trishtimi. Ky trishtim jepet me gjithë magjinë e tij. Ai është i pashmangshëm dhe rrëzëllen me një bukuri mahnitëse, i shenjtëruar natyrshëm. Larg patetizmit. Në shpirtin e poetit dhimbja fisnike përjetohet si një lumturi, në prizmin e një njeriu që di të dalë mbi të.
“Ca lule shpirti përmbi varr,
Rinisë së vdekur i sjell përherë,
Rinia ime, rini e vrarë…!
Dhe lotë të nxehtë që pikojnë vrer”.
(I internuari)
Te poezia e Hajdarit nuk ndeshet vëmendja ndaj hymnizimit të historisë, por ka një deheroizëm, një zhvendosje nga heroi. Hajdari nuk e kërkon heroiken, të fortën, qëndresën, deri në llahtari.
“Dallgët që vijnë si prej miteve,
Kurora të bardha të dhurojnë,
Ato nuk u lodhën prej viteve,
Në garat e tyre t’na ftojnë”.
Kujtim Hajdari është aq bujar, dashamirës dhe i celët, saqë u përkushtohet edhe të tjerëve. Ndoshta është kjo një nga magjitë që e shton popullaritetin e tij të ndërtuar në vargje. Me pasion e përkushtim, ka përgatitur edhe vetë antologji poetike, siç ka qenë së fundi “Alltogether”, ku promovon shumë krijues shqiptarë, duke i shpërndarë krijimet e tyre në ente botuese dhe platforma ndërkombëtare.
VËLLIMET POETIKE TË KUJTIM HAJDARIT:
1. “Mbrëmë isha pa ty”, maj 2018, botuar nga “Create Space” në SHBA.
2. “Mbrëmë isha pa ty”, një botim tjetër (me ndryshime të vogla), pothuajse autentik, nga “ADA” në Tiranë.
3. “Do të vijë natën”, shtator 2018, botuar nga “Create Space” në SHBA.
4. “Emri i bukur dashuri”, mars 2019, botuar nga “ADA” në Tiranë.
5. “Do t’u them…”, tetor 2019, botuar nga “ADA” në Tiranë.
6. “I dolori del cuore”, botuar në janar 2020, në Romë, nga “Aletti Editori,” në italisht.
7. “Pse bëjmë kështu”, qershor 2020, botuar nga “ADA” në Tiranë.
8. “Kur shkoj në fshat”, korrik 2021, botuar nga “JOZEF” në Durrës.
9. “Come i fiori di aprile” në italisht, shtator 2021, botuar nga KDP Amazon në Poloni.
10. “You are everywhere” në anglisht, nëntor 2021, botuar nga KDP Amazon.
11. “Udhëve të Botës”, janar 2022, shtëpia botuese “Botimet Jozef” në Durrës.
12. “Do të vij natën”, ribotim, i ripunuar, janar 2023, Durrës, Shqipëri.
13. “You are everywhere” në anglisht, i ripunuar, në nëntor 2023, botuar në SHBA.
14. “Through the waves of life”, Përkthimi nga shqip në anglisht. (Antologji me poezi të zgjedhura nga 10 vëllimet e botuara), janar 2024, nga KDP Amazon, SHBA.
15. “I ngrita të rënët”, 2024, nga shtëpia botuese “Botimet Jozef” në Durrës.