
Ambasador Flamur Gashi/
Medvegja, Bujanoci, Presheva, Pazari i Ri dhe Sanxhaku–Gjithmonë në zemrën time! Ka lidhje që nuk lindin nga detyrat shtetërore dhe nuk përfundojnë me mbarimin e tyre. E tillë është lidhja ime shumëvjeçare me shqiptarët e Medvegjës, Bujanocit, Preshevës dhe me njerëzit e Pazarit të Ri e të Sanxhakut.
Nga këto treva kam disa prej shokëve më të mirë e më të ngushtë të jetës. Miqësi të sprovuara nga koha, të ndërtuara mbi besim, respekt dhe përkushtim të ndërsjellë. Kam qenë shpesh mes tyre, në vendlindjet e tyre, në Shqipëri, Kosovë dhe në mërgatë, kudo ku ata jetojnë. Vizitat shtetërore e diplomatike, takimet me përfaqësuesit politikë, bashkëpunimi me mërgatën, vizitat e nxënësve e arsimtarëve në Shqipëri dhe angazhimi për mbrojtjen e të drejtave të tyre janë pjesë e kësaj lidhjeje të pandërprerë.
Por mbi çdo funksion e detyrë kanë qëndruar gjithmonë njerëzit dhe përgjegjësia ndaj tyre!
Medvegja – kërkon vëmendje të veçantë për pasivizimin e adresave, shpërnguljen dhe ruajtjen e pranisë shqiptare në vendlindje.
Bujanoci – ka nevojë për arsim në gjuhën shqipe, përfaqësim të drejtë institucional, zhvillim ekonomik dhe perspektivë për të rinjtë.
Presheva – kërkon respektimin e të drejtave kombëtare, forcimin e institucioneve dhe mbështetje për zhvillim e qëndrueshmëri.
Pazari i Ri dhe Sanxhaku – meritojnë përkujdesje të veçantë për njohjen e historisë, ruajtjen e trashëgimisë dhe rigjallërimin e vetëdijes për rrënjët e origjinën shqiptare te familjet dhe komunitetet që e trashëgojnë këtë prejardhje, me respekt për vetëpërcaktimin e secilit.
Të gjithë shqiptarët jemi një!
Çamëria, Pazari i Ri, Sanxhaku, Rozhaja, Plava, Gucia, Tivari, Ulqini dhe Malësia janë pjesë e kujtesës sonë historike, e dhimbjes për ndarjet dhe padrejtësitë që ka përjetuar kombi ynë. Janë plagë që vazhdojnë të dhembin në ndërgjegjen e çdo atdhetari shqiptar.
Por kujtesa historike nuk duhet të mbetet vetëm dhimbje. Ajo duhet të na bashkojë në mbrojtjen e gjuhës, identitetit, dinjitetit dhe të drejtave tona për bashkim.
Kur bëhet fjalë për çështjet kombëtare, dallimet partiake e krahinore nuk duhet të na ndajnë!
Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit 2026 në Serbi, rëndësia e bashkëpunimit dhe e përfaqësimit politik merr një vëmendje të veçantë. Në këto zgjedhje merr pjesë edhe Koalicioni Shqiptar, me numrin 17 në fletëvotim.
Pjesëmarrja e lirë dhe e ndërgjegjshme në zgjedhje është një mundësi për çdo qytetar me të drejtë vote që të shprehë bindjet dhe të ndikojë në përfaqësimin demokratik.
Të dashur bashkëkombës të Medvegjës, Bujanocit, Preshevës, Pazarit të Ri dhe Sanxhakut!
Organizohuni, informohuni dhe merrni pjesë sa më gjerësisht në zgjedhje!
Votoni:
Koalicioni Shqiptar – 17
Shqipëria dhe Kosova kanë përgjegjësi të veçantë që mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve të këtyre trevave të jetë pjesë e vazhdueshme e angazhimit shtetëror e diplomatik, jo vetëm në ditë zgjedhjesh.
Asnjë shqiptar nuk duhet të ndihet i harruar vetëm sepse jeton përtej kufijve shtetërorë!
Kufijtë mund të ndajnë shtetet, por nuk mund të shuajnë kujtesën, miqësinë dhe përkatësinë kombëtare.
Medvegjë, Bujanoc, Preshevë, Pazar i Ri dhe Sanxhak!
Ju kam pasur dhe do t’ju kem gjithmonë në zemër e në mendje.
Unë jam pjesë e juaja, ashtu siç ju jeni pjesë e imja!
VETËM TË BASHKUAR FITOJMË! ![]()