(Mes kujtimesh të një ditari)
DR. EDUARD A. SKUFI – ATHINE
A ka gjë më të bukur kur arsyeja njerëzore i nënshtron emocionet e dhimbjes dhe të trishtimit dhe lind dedikimin njerëzor në shkallën e humanizmit suprem dhe të pa besueshëm. Kur duhet të nënshtrosh instiktet, nënkoshiencën për të ndërmarr një akt, duke mohuar në një shkallë vetveten, deri në një vetsakrifikim heroik të vetëdijshëm.
Sado vite të kalojnë madhështia dhe magjepja e atij vendimi do të mbetet e amalguar mes shpirtit dhe zemrës time, një dramë që tranformohet në një lirikë sugjestionuese që lind vec admirim. Sepse bukuria dhe atraksioni i jetës fshihet në zakonshmërinë e saj, ku flet sonata spirituale. Dhe mendimi piketon në referimin esencial të filozofit modern englez, nobelistit B.Russell:” Jeta me vlera është ajo që inspirohet nga dashuria dhe udhëhiqet nga dijet “!
…Pranvera e vitit ’91 i ofroi doktorit të shquar athinas oftalmolog, Arit një surprizë të dhimbshme. Fëmijët morën biçikletat dhe bashkë me të jatin shëtisnin mes një lëndine. Vajza e tij e vetme rreth 6 vjeç, çapkënja Zoi mblidhte mimoza bashkë me lule fushe, thurte verore dhe ua dhuronte vëllezërve, mes tingujve të këngës së pranverës. Me mbarimin e asaj shëtitjeje të këndshme u kthyen në vorbullën e zhurmshme të qytetit. Kur nga tjetër e bulevardit u shfaq kiosku mes ngjyrash dhe lodrash, fëmijët kërkuan akullore, që ishin dhe të parat e stinës. Ari u dha paret dhe i këshilloi të jenë të kujdesshëm nga trafiku. Por Zoinë e rrëmbeu dëshira dhe vrapoi e vetme drejt kioskut. Mori akulloren dhe filloi ta shijoj me ëndje, duke mos kontrolluar në kthim rrugën automobilistike. Një klithmë “ mos!!”, thyeu zhurmën dhe në atë cast një makinë me shpejtësi e rrëmbeu dhe e përplasi në tokë. Ari fillimisht ngriu, mandej mblodhi veten dhe shpejt vrapoi drejt vajzës. Vajza e shtrirë, e kapitur në gjumin traumatik, rreth kokës i rridhnin rrëke gjaku, që vijëzonin në fytyrën ëngjëllore të zbehtë të saj, me sytë e kaltërtë pak të hapur. Por ruante refleksin pupilar dhe ritmikën e pulsit. Lulet e mimozës ishin shpërndarë si kurorë, ndërsa akullorja tashmë me gjak ngjyrosur ishte kthyer në imazhin e një lulekuqe të këputur, mbetur e vetmuar. Ato çaste të lumtura një moment i hidhur i ktheu në tragjedi. Me autoambulancën e urgjencës e transferuan në spital. Ju nënshtrua terapisë intensive në reanimacion, por pa rezultat. Mbas pak ditësh Ari pasi bisedoi me mjekët, tërhoqi gruan nga dora dhe në një drithmë të zërit i tha : “Shkojmë tek vajza “. Ajo nuk nxorri fjalë por shikimi thoshte “pse”? “ Ta takojmë për herë të fundit”. Po si ta duronte atë zemra e një nëne. U bënë një mbi trupin e vajzës, e mbytën me lot e dhimbje dhe u larguan. Ishte moment trishtimi që të afron por dhe të sposton, kur dallgët e mendimit dhe dilema të plasarit zemrën dhe shpirtin , sado i fortë qofsh!
Konfirmimi i vdekjes encefalike të vogëlushes i lindi mendimin sa madhështor aq dhe të pabesueshëm, duke e mposhtur sentimentin prindëror. Nuk donte të varroste zemrën e vajzës, donte që vdekja e saj të jepte jetë… kështu vendosi ti fali organet vitale të saj, si donator për transplantim. Papritmas u kthye nga shefi i reanimacionit dhe në një finale shpërtheu.
” Largojeni vajzën nga aparatet e suportit. Ajo do të mbetet në jetë qoftë dhe me metasarkosin në trupa të tjerë , duke i dhënë dritë jetës së tyre”…Ajo ishte si një finale Bethoviane që shkaktoi sizmikë në shpirtërat e të gjithëve dhe një heshtje respekti. Ari e ktheu dhimbjen në një ndjenjë humanitare sublime, hyjnore, në dedikim për të pamundurit. Ishte fytyra e mrekullisë të mjekësisë moderne dhe heronjëve të rinj, të saj. Pasi ndoqi me korrektësi anën legale dhe etikën deontologjike mjekësore, mposhti egon dhe filloi procedurën. Sfida e jetës i copëtoi shpirtin, por ai me vetmohim i bashkoi ato copëza me dhimbje në një mozaik dedikimi…“Kur madhështia e njeriut qëndron tek vendimi i tij, për të qenë më i fortë se gjendja në të cilën ndodhet”, sic referon me elegancë nobelisti aq i shquar francez Albert Camus.
Kështu në një “marathon” humanizmi e motivimi, mbase atipike, Zoija si engjëll virtual e shtriu shpirtin e saj në pesë vëllezërit e rinj spiritualë, në Paris tek Zhani dhuroi mëlcinë, në Gjenevë tek Ana Maria dhuroi veshkat, në Londër tek Wiliami mushkëritë, zemrën tek Aisheja në Konstandinopol, ndërsa kornenë e dhuroi në Tiranë tek Fatmira nga Tepelena. Por surprizën dhe sfidën më të bukur Dr.Arit ja bëri i ati i Fatmirës në një telefonatë: “ Doktor i nderuar, i tha . Na bëtë dhuratën më të çmuar për vajzën time me distrofi korneale dhe pamje të ulët, duke na dhuruar transplantin nga syri i vajzës tuaj. Ju lutem, çojeni misionin tuaj fisnik deri në fund, jepini dritën vajzës time me duartë dhe zemrën tuaj. Dhe ashtu ndodhi me ekipin e tij, në të cilin me kënaqësi kontribuova dhe unë, në një klinikë private në Athinë, u relizua operacioni me sukses. Kështu Fatmira ose “Ali Pashina” sic e quajti Dr.Ari, e suportoi transplantin me mikpritje dhe drita e Zoisë shkëlqeu në sytë e saj. Ishte moment tepër emocionant dhe mbresëlënës, kur Ari po vendoste transplantin e vajzës së tij në syrin e Fatmirës. Mbretëronte një qetësi e cuditëshme, një moment hyjnor mbase heroik, kur shkalla e humanizmit suprem nënshtron dhimbjen e shpirtit. Kështu mungesa e Zoisë u kthye në kufijtë e një relativiteti, pasi ajo mbeti prezente në jetë , duke ndricuar ato shpirtëra të vuajtura. Gjithashtu ajo u konvertua në skulpturë që zbukuron gliptotekën e humanizmit! Në përfundim të operacionit doktori hoqi maskën, ktheu kokën mënjanë, fshiu sytë e përlotur dhe puthi në ballë Fatmirën. Gazetat e atyre ditëve e publikuan si sensacion, por ai refuzoi intervistat. Referimi i Dr.Martin Luther King Jr. hedh dritë mbi të :”Njeriu vdes kur refuzon të mbajë qëndrim për atë që është e drejtë dhe e vërtetë”…
Mbas gjashtë muajsh në klinikë si me porosi u gjendën Fatmira dhe Aisheja si dy motra. U bashkua drita e fituar e syve dhe zemra e Zoisë, në një takim shpirtrash. Pak ditë më parë tre të tjerët, kishin njoftuar për pajtushmëri të plotë të transplantit me rivendosjen e funksioneve vitale. Sa lumturi…
Kështu Dr.Ari ofroi një standart të etikës njerëzore në përmasa të pazakonta. Ai ndryshoi mentalitetin e kohës por dhe hapi shtigje të reja të humanizmit dhe vlerave të transplantacionit, (i inspiruar nga mjekësia antike helene dhe si përkrahës i Dr.Ch.Bernard, aplikuesit të transplantit të parë në Cape Town). Si çështje që kërkon një shqyrtim të veçantë etik, duke u bazuar tek altruizmi dhe utilitarizmi dhe që simbolizonte shpresën dhe jetën.Madje ai vuri një raport logjik midis impaktit shkencor dhe atij spiritual, kur zakonisht kjo e fundit mbetet në inferioritet. Por “ madhështia e humanizmit nuk është në qënien njerëzore por në të qënit njerëzor “, citon eticisti i shquar M.Gandi. Ajo ndodhi shpërtheu, si “March”-i tronditës i Schubertit në kulminacion dhe në finale u transformua në “Serenadë”-n e tij, në një sens humanitar magjepës, veç për më tepër unikal. Pra, Jeta …si iluzion në vegim, ku lumturia matet me çaste, ku pasuria dhe lavdia kalojnë transit, ku vecse ikona e njeriut mbetet, por ku dhe vdekja mund ti japi dritë jetës, dhe jo vetëm…Një ditë të bukur pranvere mbas tre vjetësh, Fatmira ofroi një surprizë të bukur. Po ngjiste shkallët e mermerta të klinikës duke mbajtur nga dora vogëlushen e saj, ndërsa doktori po dilte. “Doktor tha, të solla Zoinë”. Ai për momentin shtangu, mandej vogëlushja ju hodh në qafë. Doktori mes emocionesh e puthi vajzën, dhe nga zëri tij i dridhur u dëgjuan fjalët “Shpirt i vogël, më solle gëzimin”. Kështu u bënë një dhe mes hares u larguan.
…Kaluan rreth katër dekada dhe kjo ngjarje ruan aktualitet dhe vlera të një humanizmi të vecantë, që kolegu e ktheu në postulat virtyti, kur drama u konvertua në një lirikë admiruese, që kontribuoi në perceptimin dhe pranimin e konceptit të rinovuar të transplantacionit.