Veri Talushllari/
(Sipas poezisë REKLAMË PËR BOTËN TJETËR të poetit VAID HYZOTI)
Tregim.
Sa kthyem dhe dopion e dytë, një raki e kthjellët si kristal e që nuk i këputej zinxhiri nga kreu i gotës në pikën e fundit, të dy u ngritëm të iknim kur u dha pronari i barit.
– Uluni, uluni!
– Rrofsh! U kënaqëm. Kemi një punë.
– Nuk do të ikni! Keni një dopio nga unë!
– Jo!
– Po!
– Fal…
– Lërini falenderimet.
E pa mbaruar fjalën, zinxhiri në buzë të gotave të merte sytë.
– Ç’do bëjmë?
– Si ç’do bëjmë?! Do ta pimë! Si dy, si tre, ne e kemi ndarë mëndjen. Do të shkojmë se s’bën!
– Ashtu?
– Ashtu po si?!
– Gëzojuni kësaj njëherë,- tha pronari, – ju çoj unë ku të doni.-Dhe na tregoi një Mercedez të bukur, të hollë, të gjatë e të zi, që mua dhe shokut tim na solli para syve derën e Agjencisë ku ishim nisur. -Mos e çani kokën, edhe larg të jetë…
– Ty të faleminferit- tha shoku im, një 120-130 kilogram burrë me barkun sa perimetri i tavolinës, në kontrast me mua, 50 e pak me gjithë rrobat e lagura, – po do shkojmë në këmbë. Ja ku është, dy blloqe ndërtesash larg.- Dhe tregoi me dorë andej ku do të shkonim.
Tjetri vështroi i çuditur. Ai drejtim të çonte në varreza.
– Pse çuditesh?!- e pyeti shoku im. – Është edhe një Agjenci Varrimi aty afër, apo jo? Atje kemi punë.
Tjetri vështroi i çmeritur.
– Mos u ka vd…
– Jo, nuk na vdekur kush. Shkojmë për vete.
Ai hapi sytë. Nga që nuk dinte ç’të thoshte, ngriti shishen dhe ktheu nja dy gllënjka. Ashtu bëmë dhe ne.
-Si… për vete…nuk…nuk…u mar vesh.
Shoku im u përkul dhe nga një çantë që mbante te këmbët, nxori një dosje. Ishte një dosje lluksoze, ashtu si dhe çantat tona, se dhe unë kisha një të tillë, me emrin dhe stemën e kompanisë shtypur me bojë ari. Të mbeteshin sytë që te kapaku. Unë shikoja i qetë. Fytyra e pronarit të barit u shtrembërua edhe më. “Ftesë për të Vdekur”- lexoi ai te kapaku i dosjes. Dhe më poshtë: “50% e më shumë ulje për shpenzimet e varrimit tuaj! Çfarë prisni?!”
-Është ofertë e shkëlqyer!- tha shoku im.- Para dy vjetësh nuk e ulnin çmimin as 10%.
– Po pse e kanë ngritur kaq shumë ofertën?- pyeta unë.
-Është krizë.Ka mungesë të vdekurish . Nuk duan njerëzit të vdesin.
-Jo, nuk e besoj.
-Të siguroj unë! I kam ndjekur statistikat me shumë vëmendje.
Tjetri i hidhte sytë e shqyer sa te unë tek shoku im dhe nuk u besonte veshëve. Fytyra i kish mbetur e shtrembëruar dhe goja hapur.
– Ore jeni në vete?…Çfarë po flis…
– Ja, lexo!- ja preu fjalën shoku im dhe nga dosja mori një fletë-palosje. Mbi faqen e ndritshme të saj shkëlqenin figura të mrekullueshme arkëmortesh dhe disa vazo që edhe kinezët e rinj e të lashtë do tu a kishin zili bukurinë e formave dhe të gdhendjeve.
-Këto i kuptoj- mërmëriti tjetri,- po këto vazot, për ç’dreqin i shesin?!
– Për djegie. Kremim i thonë,- thashë unë.
– Është ide e bukur,- tha shoku im.- S’kanë punë krimbat me trupin tënd.
– Pastaj fëmijët…-ndërhyra unë.
– Çfarë fëmijët?!
– Të kanë aty.Po të duan të marin dhe të vënë në një kënd të bukur të shtëpisë, nën një lule – shqiponje psh., e të kanë gjithnjë para syve.
– Ore jeni në rregull?! Ju zuri rakia ju?!
– Ne vendimin e kemi marë para se të vinim këtu,- tha shoku im.- E në do të dish kemi 2-3 muaj që e diskutojmë. Që kur na erdhën reklamat e para.- Mbushe, mbushe dhe njëherë,- tha ai pasi e thau gotën. Pronarit po i dridheshin duart kur mbushi gotat dhe sytë i mbante përdhe. Pastaj i rrëshqiti ngadalë dhe i nguli mbi një nga figurat e fletë-palosjes.
– Po ky arkëmorti? Pse e kanë vënë vertikalisht?
– Për kursim. Të varrosin në këmbë, kursen edhe tokën edhe paratë.
– Jo jo.- tha pronari.- Dua shtrirë. Dua të më rrinë shpatullat rehat. Pak kam qëndruar e po qëndroj në këmbë tani që jam gjallë?!
– Si të duash,- tha shoku im- Nëqoftëse ke para zgjidh këtë. Shiko sa i bukur është.
– Shumë i bukur!- thashë unë.
– Edhe mua më pëlqen, – tha pronari.- E sa për para, s’e çaj kokën, kam plot.
– Po ç’pret?! – tha shoku im.- Zgjidh nga këta këtu,- dhe futi dorën në çantë e mori një flet- palosje tjetër.Dukej që ishte më e bukur, më cilësore.- Janë varre me kate. Dy, tre e më shumë. Fantastikë!
– Pooo. Qënkan vërtet të bukur. Po pse ta marësh me dy kate? Një mjafton.
-Po për gruan o budalla.
– Oho. Lëre. Nuk kam grua. Jam divorcuar dy herë dhe nuk dua të martohem më.
– Si të duash. Ngrihemi? Se vajti dhe vonë dhe mos na mbyllet Agjencia.
– Në rregull. Ikim.- Dhe u ngritëm.
– Po vij dhe unë- tha pronari i barit.
– Ke lënë takim?
– Jo.
– Nuk të pranojnë.
– Ashtu? Po më jepni një numur telefoni.
E shënoi në një letër.
Ne dolëm. Mbanim njëri tjetrin për krahu se këmbët nuk i kishin mirë punët.
Te kryqëzimi afër varrezave po kërkonim me sy Agjencinë.
– Ore, shikon Agjenci ti
– Jo. Po ti?
– As unë. Po hajd’ të shikojmë nga kjo anë.
– Po pse andej?
– Po nga?
– Këtej.
-Po pse këtej?
– Po nga?
– Andej.
– E di si është puna?
– Si?
-A kthehemi në bar? Ajo rakia ishte e shkëlqyer.
– Ashtu them dhe unë.
-Po na mbetën këto dreq çantash në dorë.
– Ma jep mua.
Pas një sekonde ato ishin në një kosh plehrash.