-Opinon nga jashtë Vatrës:Bëjeni VATREN jo vetëm të vatranëve, por të të gjithë shqiptarëve./
Nga Sami Mulaj/New Jersey/
Ta dashur e të shtrenjtë vatranë e vatrane!
Ju lutemi ruajeni Vatrën nga vatranët.
Të jesh vatran nuk do të thotë se je patriot, E të jesh patriot, padyshim do të thotë se je vatran…Vatran me ose pa testë anëtarësie, se Vatra nuk është e nuk duhet të jetë Parti, as si Parti, me antarsi si bateri ushtarësh, por as si një kope me ose pa dashin Ogiç.
Vatra me mbijetesën e saj na ka mësuar diçka, … se si të jetohet gjatë, dhe si të bëhesh shekullorë…E Vatra ka të drejtë të mburret me vehtëveten, e pse jo dhe vatranët,,,por vetëm kaq pra: vetëm se jemi shekullorë.
Kjo është mjaftueshëm, pa u bërë e bezdisshme si Nëna e Kombit e vatranët Baballarët e Kombit?!! Dhe vatranët pa u bërë si veteranët në Shqipëri, që shfaqeshin e vazhdojnë kudo me gjoksdekoratash, e grusht lart deri në vdekje?!!! Heronj pa mbarim, patriotë pa fund, flamuj e trima kudo… e Këngë e marshe deri në varr por pa Shqipëri në Europë, pa Kosovë të cliruar e shqiptarët më të varfërit e më të izoluarit në mes të Europës,?!! E kështu jemi dhe në shekullin e Ri, përsëri me mburrje të shpifur e pa arritje…
Edhe Vatra duhet të gjej rrugën e vet, pa i humbur rruga në Oborr…
Përpara se të mendojë për Kryesi e Kryetar(!!) të mendojë për përshtatje me kohën,,
Nuk është Vatra e Lisave Noli e Konica, dhe e kohës së Shqipërisë pa shtet a me diktaturë, e me Kosovë nën Jugosllavi.
Nuk është Vatra e një mërgate të vogël, por është e një mërgate më se milionshe.
Nuk është Vatra e të ikurve, por është Vatra edhe e të lindurve e të atyre që rriten me Emigrim.
Pra është krejt tjetër kohë e tjetër brumë e tjetër gjeografi për Vatrën tonë.
Nuk e mbrojnë kuvendet as kryetarët!!
E mban përshtatshmëria me kohën.
Sa do të mirë e të zotë të jenë kryetarët, ata nuk mund të jenë Konicë e Nol, ata do të jenë nënhije lisash.
Sado të mirë e me plot histori luftrash të jenë Kryesitë, ato do të jenë nënhije lisash…Se tani, nuk janë e mbeten Lisa vetëm Noli e Konica, por janë me mijëra ata që janë bërë Lisa, këtu në Amerikë e gjetkë…Janë fëmijtë tanë, brezi i dytë e i tretë i Nol-Konicës, porse nuk duam ti njohim, e nuk duam ti vlerësojmë. Ne prindërit e “mirë”vetëm duam ti përdorim, a ti duam si lodra.
Prandaj pa u zgjatë do t’ju lutem:
Hiqni dorë nga kryesitë e Mëdha a kryetarët e Mëdhenj!
Zgjidhni ata që e organizojnë Vatrën e jo ta drejtojnë Vatrën.
Zgjidhni ata që e bëjnë Vatrën edhe shërbyesë të komunitetit e jo Flamurmbajtëse të komunitetit.
Zgjidhni për Vatrën kohën e Re, dhe hapni rrugën e ndërtoni infrastrukturën e shekullit të Ri.
Zgjidhni një kryetar Nderi, të pranueshëm nga të gjithë, e që nuk zgjidhet e ndryshohet shpesh e Vatrën ta bëni me drejtor organizativ e administratorë profesional dhe jo me Kryesi a Kryetarë që mburren me biografi e heroizma si brigadjerët e arave!
Është më e thjeshtë, dhe Vatrën e bëni jo vetëm të vatranëve, por të gjithë shqiptarëve.