PËR ROLIN E LETËRSISË NË FORMIMIN TONË:
1.Fillimisht vendosa një titull që lidhej me formimin e priftërinjve , por më pas mendova se, këto gjëra mund të thuhen në mënyrë të njëjtë edhe për të gjitha ata që udhëheqin të tjerët si dhe të çdo të krishteri. E kam fjalën për vlerën e letërsisë e të leximit të romaneve dhe poezive në rrugëtimin e pjekurisë e formimit individual.
2. Shpesh në mërzinë e pushimeve, vapën dhe vetminë e disa lagjeve të shkreta, të gjesh një libër të mirë për ta lexuar bëhet një oaz që na largon nga zgjedhjet e tjera, të cilat nuk janë të mira për ne. Atëherë kur nuk mungojnë momentet e lodhjes, zemërimit, zhgënjimit, dështimit e ,madje edhe kur tek lutja nuk gjejmë dot qetësinë e shpirtit, një libër i mirë na ndihmon të paktën të kalojmë stuhinë, derisa të kemi gjetur pak më shumë qetësi. Dhe mbase ky lexim na hap hapësira të reja brenda vetes të cilat na ndihmojnë të shmangim mbylljen tek ato ide robëruese që në mënyrë të pashmangshme nuk na lënë të ecim përpara. Para se të gjithëve të na përfshinin mediat, rrjetet isocale, celularët dhe pajisjet e tjera, kjo ishte një përvojë e shpeshtë dhe ata që e kanë përjetuar e dinë mirë se për çfarë po flas. Kjo nuk është diçka e vjetëruar.
3. Ndryshe nga mediat elektronike , ku materiali është më i plotë dhe zakonisht zvogëlohet hapësira dhe koha për ta “pasuruar” narrativën apo interpretuar atë, kur lexon një libër , lexuesi ndërvepron në mënyrë më të drejtpërdrejtë . Në një farë mënyre ai e rishkruan veprën, e përforcon me imagjinatë, krijon një botë ku, përdor aftësitë, kujtesën, ëndrrat dhe historinë e tij plot drama dhe simbolika.Në këtë mënyrë ajo që del është një vepër shumë e ndryshme nga ajo që autori ka dashur të shkruante. Si rrjedhojë një vepër letrare është një tekst i gjallë dhe gjithmonë i frytshëm, e aftë për të folur përsëri në shumë mënyra dhe për të krijuar një sintezë origjinale me çdo lexues që ndesh. Përmes leximit, lexuesi pasurohet me atë që merr nga autori duke e shtuar pasurië e tij të dijeve dhe ku përmes çdo vepre e re që lexon arrin të përtërijë dhe zgjerojë universin e tij individual.
4. Kjo më shtyn ta vlerësoj shumë pozitivisht faktin se, të paktën në disa seminare, është kapërcyer ngulitja pas ekraneve me lajmet e rreme helmuese, sipërfaqësore dhe të dhunsh e në këtë mënyrë është rritur koha që i kushtohet letërsisë, momenteve të leximit të qetë dhe të lirrë duke folur për libra, të rinj apo të vjetër, që vazhdojnë të na tregojnë kaq shumë gjëra. Por në përgjithësi , me keqardhje dua të theksoj se gjatë rrugës së formimit të atyre, që përgatiten të hyjnë në shërbimin e shuguruar, vëmendja ndaj letërsisë aktualisht nuk po gjen vendin e duhur. Kjo e fundit konsiderohet shpesh, në fakt, si një formë argëtimi, si një shprehje e vogël e kulturës që nuk i përket rrugës së përgatitjes dhe rrjedhimisht përvojës konkrete baritore të priftërinjve të ardhshëm. Me disa përjashtime, vëmendja ndaj letërsisë konsiderohet si diçka jo thelbësore. Në këtë drejtim, dua të them se kjo qasje nuk është e mirë. Kjo është origjina e një forme të varfërimit serioz intelektual dhe shpirtëror të priftërinjve të ardhshëm, të cilëve në këtë mënyrë pengohen të njohin nëpërmjet letërsisë zemrën e kulturës së njerëzimit dhe më konkretisht zemrën e vetë qenies njerëzore.
5. Me këtë shkrim, dëshiroj të propozoj një ndryshim rrënjësor në lidhje me vëmendjen e madhe që duhet t’i kushtohet letërsisë në kuadër të formimit të kandidatëve për priftërinj dhe në këtë drejtim, më duket shumë e dobishme ajo që thotë një teolog.
«Letërsia (…) vjen nga individi përmes asaj që është më e pakaoërcyeshme, misteri i tij (…) Është jeta ajo që ndërgjegjësohet për vetveten kur arrin plotësinë e shprehjes, duke na folur me të gjitha mjetet e gjuhës”.(1)
6. Letërsia, pra, në një mënyrë apo tjetër, ka të bëjë me atë që secili prej nesh dëshiron nga jeta, pasi ajo hyn në një marrëdhënie intime me ekzistencën tonë konkrete, me tensionet e saj thelbësore, me dëshirat dhe kuptimet.
7. Këtë e mësova kur isha i ri me nxënësit e mi. Ndërmjet viteve 1964 dhe 1965, në moshën 28-vjeçare, isha profesor i letërsisë në Santa Fe në një shkollë jezuite. Kam dhënë mësim dy vitet e fundit të shkollës së mesme dhe më duhej të sigurohesha që studentët e mi të studionin El Cid. Por fëmijëve nuk u pëlqeu dhe ata kërkonin të lexonin García Lorca. Kështu që vendosa që ata të studionin El Ci në shtëpi dhe gjatë mësimeve të diskutoja mbi autorët që u pëlqenin më shumë fëmijëve. Natyrisht ata donin të lexonin vepra letrare bashkëkohor, por, duke lexuar këto gjëra që i tërhiqnin në atë kohë, ata fituan një shije më të përgjithshme për letërsinë, poezinë dhe më pas kaluan te autorë të tjerë. Në fund, zemra kërkon më shumë dhe secili e gjen rrugën në letërsi(2). Unë, për shembull, i dua shkrimtarët tragjikë, sepse të gjithë ne mund t’i ndjenim veprat e tyre si tonat, si shprehje të dramave tona. Duke qarë për fatin e personazheve, ne në fund qajmë për veten, zbrazëtinë , të metat dhe vetminë tonë. Sigurisht, nuk po ju kërkoj të lexoni të njëjtat vepra që kam lexuar unë. Të gjithë do të gjejnë ato libra që do tu flasin për jetën e tyre dhe u bëhen shoqërues të vërtetë në udhëtimin e tyre në botën e letërsisë. Nuk ka asgjë më të pavlefshme sesa të lexosh diçka me detyrim, vetëm sepse të tjerët kanë thënë se është e rëndësishme Jo, ne duhet t’i zgjedhim veprat që lexojmë me çiltërsi, kërshëri, larmishmëri ,duke u këshilluar me dikë por të jemi të sinqertë me vetveten dhe të përpiqemi të gjejmë atë që na vlen në çdo moment të jetës sonë.
BESIMI DHE KULTURA
8. Nga ana tjetër për një besimtar që dëshiron sinqerisht të dialogojë me kulturën e kohës së tij, ose thjesht me jetën e njerëzve konkretë, letërsia është e domosdoshme. Në këtë kuadër Koncili i Dytë i Vatikanit pohon se “letërsia dhe artet (…) kërkojnë të shprehin natyrën e njeriut” dhe “të pasqyrojnë mjerimet dhe gëzimet nevojat dhe aftësitë e tij”.(3)Letërsia kërkon dhe frymëzimi i saj, në të vërtetë është nga rutina e përditshme e jetës, nga pasionet dhe ngjarjet e saj të vërteta si “, puna, dashuria, vdekja dhe të gjitha gjërat e zakonshme që mbushin jetën tonë”.(4)
9. Si mund të arrijmë në qendrën e kulturave të lashta dhe të reja nëse shpërfillim, hedhim poshtë dhe/ose nuk njohim simbolet, mesazhet, krijimet dhe rrëfimet e tyre me të cilat ata donin të zbulonin dhe tu bënin jehonë bëmave dhe idealeve më të bukura, apo të tregonin dhunën, frikën dhe pasionet e tyre më të thella? Si mund t’u flasim zemrave të njerëzve nëse i shpërfillim, i hedhim poshtë ose nuk i vlerësojmë “ato fjalë” me të cilat ata donin të tregonin dhe pse jo, të zbulonin dramën e jetës dhe ndjenjat e tyre përmes romaneve dhe poezive?
10. Misioni kishtar ka mundur të shpalosë gjithë bukurinë, freskinë dhe risinë e tij në takimin me kulturat e ndryshme – shpesh falë letërsisë – në të cilën ka zënë rrënjë pa frikë se do të përfshihet dhe nxjerr më të mirën e asaj që ka gjetur. . Është një qëndrim që e ka çliruar atë nga tundimi i një solipsizmi shurdhues dhe fondamentalist, i cili është i ngulitur në besimin se një gramatikë e caktuar historiko-kulturore ka aftësinë të shprehë gjithë pasurinë dhe thellësinë e Ungjillit.(5)Shumë nga profecitë e përpjekjet e sotme për të mbjellë dëshpërim i ka rrënjët pikërisht në këtë aspekt. Përballja me stile të ndryshme letrare dhe gjuhësorë do ta lejojë gjithmonë njeriun të thellohet në polifoninë e Zbulesës pa e cungur apo varfëruar atë në nevojat e veta historike apo strukturat e të menduarit.
11. Nuk është rastësi që krishterimi i hershëm, për shembull, e kishte kuptuar mirë nevojën e një krahasimi të ngushtë me kulturën klasike të kohës. Një nga etërit e Kishës Lindore sic ishte Basili i Cezaresë, për shembull, në Diskursin e tij për të Rinjtë, i hartuar midis viteve 370 dhe 375, ndoshta drejtuar nipërve të tij,e lartësoi vlerën e letërsisë klasike , të prodhuar nga ekzothenët (“ata nga jashtë” ), siç i quajti ai autorët paganë , Në këtë vepër ai I lavdëroi ata qoftë për argumentin e tyre , d.m.th. për ilógoi (“diskurset”) që do të përdoreshin në teologji dhe dhe për dëshmitë nga jeta d.m.th. për lepráxeis (“veprime, sjellje”) që merrnin në konsideratë përkorjen dhe moralin. Si rrjedhojë ai arrinte në përfundimin duke i nxitur të rinjtë e krishterë që ti konsideronin autorët klasikë si unephódion (“viaticum”) , pra si udhërrëyes për formimin e prej tyre (IV, 8-9). Dhe pikërisht nga ky përkim apo takimi i krishtërimit me kulturën e kohës doli një ripërpunim origjinal i vetë Ungjillit.
12. Falë dallimit ungjillor të kulturës, është e mundur të njihet prania e Shpirtit në realitetin e larmishëm njerëzor, domethënë të kapet fara tashmë e mbjellë e pranisë së Shpirtit në ngjarje, ndjenja, dëshira, tensionet e thella të zemrave dhe rrethanat sociale, kulturore e shpirtërore. Për shembull, ne mund të dallojmë një qasje të ngjashme në Veprat e Apostujve, ku flitet për praninë e Palit në Areopag në Athinë (shih Veprat e Apostujve 17:16-34). Pali, duke folur për Perëndinë, thotë: «Në të jetojmë, lëvizim dhe jemi, ashtu siç kanë thënë disa nga poetët tuaj: «Sepse ne jemi pasardhësit e tij» (Veprat 17:28). Në këtë varg ka dy citate: një jo i drejtpërdrejtë në pjesën e parë, ku citohet poeti Epimenides (shek. VI p.e.s.) dhe një i drejtpërdrejtë, i cili citon Dukuritë e poetit Aratus të Silos (shek. III p.e.s.), që i këndon yjësive dhe shenjave tq motit të mirë dhe të keq. Këtu «Pali shfaqet si një «lexues» i poezisë dhe sugjeron mënyrën e tij të qasjes ndaj tekstit letrar, e cila nuk mund të mos na bëjë të reflektojmë mbi një përqasje ungjillor të kulturës. Ai përkufizohet nga athinasit si permologos, domethënë “korbi, llafazan, sharlatan”, por fjalë për fjalë do të thotë “mbledhës farash”. Ajo që ishte padyshim një fyerje duket, se paradoksalisht është një e vërtetë e thellë. Pali mbledh farat e poezisë pagane dhe, duke dalë nga një qëndrim i mëparshëm i indinjatës së thellë (shih Veprat e Apostujve 17,16), arrin t’i njohë athinasit si “shumë fetarë” dhe sheh në ato faqe të letërsisë së tyre klasike një përgatitje të vërtetë ungjillore”(6)
13. Çfarë bëri Pali? Ai e kuptoi se “letërsia zbulon humnerat në të cilat banon njeriu, ndërsa Zbulesa dhe më pas teologjia i rimarrin ato për të treguar sesi Krishti arrin t’i kalojë dhe t’i ndriçojë”(7) Në lidhje me keto humnera, letërsia është pra një “mënyrë kalimi që e ndihmon pastorin të hyjë në një dialog të frytshëm me kulturën e kohës së tij.
KURRË NJË KRISHT PA ASPEKTIN E TIJ NJERËZOR
14. Përpara se të thellohemi në arsyet e vecanta pse duhet të nxitet vëmendja ndaj letërsisë në rrugën e formimit të priftërinjve të ardhshëm, më lejoni të rikujtoj këtu një thënie për rrethanat e sotme fetare: «Kthimi tek e shenjta dhe kërkimet drejt shpirtërores janë dukuri të paqarta që karakteriozjnë epokën tonë. Por më shumë se ateizmi, sot ne përballemi me sfidën për t’iu përgjigjur në mënyrën e duhur etjes së shumë njerëzve për Zotin, në mënyrë që ata të mos përpiqen ta shuajnë atë me hamendësime të tjetërsuara apo me një Jezus Krisht pa trupin njerëzor”.(9)
Detyra urgjente e shpalljes së Fjalës së Shenjtë në kohën tonë kërkon që besimtarët dhe priftërinjtë në veçanti të angazhohen e sigurohen që të gjithë mund të takojnë Jezu Krishtin me trupin njerëzor dhe historinë e tij. Të gjithë duhet të jemi të vëmendshëm që të mos e harrojmë kurrë “trupin” e Jezu Krishtit: atë trup të krijuar nga pasione, emocione, ndjenja, histori konkrete, duar që prekin dhe shërojnë, pamje që çlirojnë dhe inkurajojnë, mikpritje, falje , indinjatë dhe guxim: me një fjalë dashuri.
15. Dhe pikërisht në këtë nivel , leximi i zellshëm i letërsisë mund t’i bëjë priftërinjtë e ardhshëm dhe atë që kanë ndër mend të udhëheqin të tjerët më të ndjeshëm ndaj Jezu Krishtit ku është mishëruar Hyju dhe të shpallë Fjalën e Shenjtë me të gjithë vërtetësinë e saj sic e thotë Koncili i Dytë i Vatikanit: “Në realitet vetëm në misterin e Fjalës së mishëruar gjen dritën e vërtetë misteri i njeriut”.(10) Por këtu mendojmë për misterin e njeriut të vërtetë me të gjitha dhimbjet, plagët, dëshirat, kujtimet dhe shpresat e jetës së tij.
16. Nga një këndvështrim pragmatik, shumë shkencëtarë argumentojnë se zakoni i të lexuarit krijon efekte pozitive në jetën e një individi : i ndihmon ata të përvetësojnë një fjalor më të madh dhe si pasojë të zhvillojnë aspekte të ndryshme të inteligjencës së tyre. Gjithashtu leximi nxit imagjinatën dhe krijimtarinë duke bërë të mundur që ti tregojmë historitë tona në një mënyrë sa më origjinale.Ai përmirëson aftësinë e gjithsecilit për t’u përqendruar ndërkohë që përmes leximit ne mund të qetësojmë stresin dhe ankthin tonë.
17. Akoma më mirë : leximi na përgatit të kuptojmë dhe për këtë arsye të përballemi me situata të ndryshme që mund të lindin në jetë. Gjatë leximit zhytemi në personazhet, shqetësimet, dramat, rreziqet dhe frikën e njerëzve që më në fund i kanë kapërcyer sfidat e jetës. Gjatë leximit u japim personazheve këshilla që më vonë do të jenë të dobishme për veten tonë.
18. Për të nxitur më tej leximin, citoj me dëshirë disa tekste të autorëve të njohur, të cilët na mësojnë shumë: “Romanet shpalosin tek ne brenda një ore të gjitha gëzimet dhe fatkeqësitë e mundshme që në jetë do të na duheshin vite të tëra për t’i njohur e nuk do ti zbulonim kurrë për shkak të ngadalsisë me të cilat zhvillohen e kuptohen ngjarjet në jetë”.(11) “Duke lexuar veprat e mëdha të letërsisë bëhem mijëra burra dhe, në të njëjtën kohë, mbetem vetvetja. Ashtu si qielli i natës në poezinë greke, unë shoh me një mori sysh, por jam gjithmonë unë që shoh. Në letërsi ashtu si në fe, dashuri, moral dhe dituri, e kaloj veten, e megjithatë, kur e bëj këtë, jam më vetvetja se kurrë”.(12)
19. Megjithatë, nuk është qëllimi im të përqendrohem vetëm në këtë nivel të dobisë individuale, por të reflektoj mbi arsyet më vendimtare për të rizgjuar dashurinë për të lexuar.
DËGJO ZËRIN E DIKUJT
20. Kur mendimet e mia kthehen tek letërsia, më kujtohet ajo cfarë u thoshte studentëve të tij, shkrimtari i madh argjentinas Jorge Luis Borges: “Gjëja më e rëndësishme është të lexosh, të biesh në kontakt të drejtpërdrejtë me letërsinë, të zhytesh në tekstin e gjallë që qëndron përpara nesh, në vend që të ngulisim vetëm idetë dhe kritikat letrare” Dhe Borges ua shpjegoi këtë ide studentëve të tij duke u thënë atyre se ndoshta në fillim ata do të kuptonin pak nga ajo që lexonin, por në çdo rast do të dëgjonin “zërin e dikujt”. Këtu është një përkufizim i letërsisë që më pëlqen shumë: të dëgjojmë zërin e dikujt dhe të mos harrojmë se sa e rrezikshme është të mos dëgjojmë zërin e tjetrit që na sfidon! Menjëherë futemi në izolim, përfshihemi në një lloj shurdhimi “shpirtëror”, i cili gjithashtu ndikon negativisht në marrëdhënien tonë me veten dhe me Zotin, pavarësisht se sa teologji apo psikologji kemi mundur të studiojmë.
21. Duke ndjekur këtë rrugë, e cila na bën të ndjeshëm ndaj misterit të të tjerëve, letërsia na ndihmon të mësojmë të prekim zemrat e tyre. Si mund të mos kujtojmë në këtë pikë fjalën e guximshme që Papa Pali VI u drejtoi artistëve dhe si rrjedhim edhe shkrimtarëve të mëdhenj më 7 Maj 1964? “Ne kemi nevojë për ju. Kisha jonë ka nevojë për bashkëpunimin tuaj sepse, siç e dini, shërbimi ynë është të predikojmë dhe ta bëjmë me të vërtetë të arritshme, të kuptueshme prekëse botën e shpirtit, të padukshmes, të pashprehurës të Zotit .Në këtë veprim, që e derdh botën e padukshme në forma të prekshme, ju jeni mësues”.(14)Këtu është çështja: detyra e besimtarëve, dhe e priftërinjve në veçanti, është pikërisht të “prekin” zemrën e njeriut të sotëm , në mënyrë që ai të emocionohet dhe të jetë më i hapur ndaj besimit ndaj kontributi që mund të japë letërsia dhe poezia është me vlerë të pashoqe.
22. Toma. S Eliot, poeti që me veprat letrare e shpirtin e krishterë ka shënuar kohën tonë, me të drejtë e përshkroi krizën moderne të besimit si atë të një “paaftësie emocionale të përhapur”(15) Në dritën e këtij leximi të realitetit, sot problemi i besimit nuk është kryesisht ajo e të besuarit më shumë ose më pak në doktrinat e fesë. Ai lidhet më tepër me paaftësinë e shumë njerëzve për t’u prekur nga Zoti, nga krijesat tij, nga qeniet e tjera njerëzore. Këtu, pra, është detyra për të shëruar dhe pasuruar ndjeshmërinë tonë. Për këtë arsye, kur u ktheva nga Udhëtimi Apostolik në Japoni, kur më pyetën se çfarë ka për të mësuar Perëndimi nga Lindja, unë u përgjigja: “Mendoj se Perëndimit i mungon pak poezia”.(16)
LETËRSIA SI NJË LLOJ PALESTRE PËR TË ZBULUAR SHPIRTIN
23. Çfarë përfiton, pra, prifti nga ky kontakt me letërsinë? Pse është e nevojshme të merret në konsideratë dhe të nxitet leximi i romaneve të mëdha si një element i rëndësishëm i edukimit e formimit të priftërinjve të ardhshëm .?Pse është e rëndësishme të rikthehet dhe përdoret intuita gjatë procesit të formimit , sic e përshkruan teologu gjerman Karl Rahner, duke parë një afërsi të thellë shpirtërore midis priftit dhe poetit?(17)
24. Le të përpiqemi t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve duke theksuar ato që përmend teologu gjerma Rahner. Fjalët e poetit, shkruan Rahner, janë “plot nostalgji”, janë “dyer që hapen drejt së pafundmes,. Ato I bëjnë jehohë të pashprehurës dhe , priren drejt saj”. Kjo fjalë poetike “e shikon të pafundmen, por nuk mund të na e japë , mbajë apo fshehë brenda vetes atë që është i Pafundmi”. Kjo është tipike për Fjalën e Zotit, në fakt, dhe – vazhdon Rahner – “fjala poetike, pra, thërret fjalën e Zotit”.[(9) Për të krishterët Fjala është Zot dhe të gjitha fjalët njerëzore mbajnë gjurmë të një nostalgjie të brendshme për Zotin , duke u prirur drejt asaj fjale. Mund të thuhet se fjala poetike e vertetw merr pjesë në mënyrë analogjike në Fjalën e Perëndisë, pasi Letra drejtuar Hebrenjve në Bibël na e paraqet atë në një mënyrë të tillë( Heb 4, 12-13).
25. Dhe kështu Karl Rahner mund të krijojë një paralele të bukur midis priftit dhe poetit: «Vetëm fjala është e aftë të çlirojë thellësisht atë që mban në burg gjithë realitetet e pashprehura: ndryshimin e prirjes së tyre ndaj Zotit».[(0)
26. Pra, në letërsi janë në pikëpyetje çështjet e formës së shprehjes dhe kuptimit. Prandaj, letërsia e leximi përfaqësojnë një lloj palestre të aftësive për të dalluar , ku përmirësohen aftësitë e zgjuarsia e priftit të ardhshëm për të shqyrtuar botën e brendshme të besimtarit. Vendi në të cilin hapet kjo rrugë e qasjes në të vërtetën e vet është brendësia e lexuesit, që përfshihet drejtpërdrejt në procesin e leximit. Këtu shpaloset më pas skenari i dallimit të shpirtit individual ku nuk do të mungojnë ankthet e madje edhe krizat. Në fakt, ka shumë faqe të letërsisë që mund t’i përgjigjen përkufizimit injacian të “shkretimit”.
27. «Me shkretim […] nënkuptojmë errësirën e shpirtit, shqetësimin e brendshëm, nxitjen drejt gjërave të ulëta dhe tokësore, shqetësimin për shkak të brengave dhe tundimeve të ndryshme: kështu shpirti është i prirur drejt mosbesimit, është pa shpresë dhe pa dashuri, dhe e gjen veten të dembelosur , të vakët, të trishtuar dhe si të ndarë nga Krijuesi dhe Zoti i saj”.(21)
28. Dhimbja ose mërzia që ndjen duke lexuar disa tekste nuk janë domosdoshmërisht ndjesi të këqija ose të padobishme. Vetë Ignatius i Loyola kishte vënë re se tek “ata që ecinn nga e keqja drejt më të keqes ” shpirti i mirë vepron duke shkaktuar shqetësim, mërzi, bezdi e , pakënaqësi.(22).Ky do të ishte zbatimi fjalë për fjalë i rregullit të parë injacian të dallimit të shpirtrave të atyre që “kalojnë nga mëkati në mëkat ” dhe kjo është se te këta njerëz shpirti i mirë sillet “duke i shpuar dhe kafshuar ndërgjegjen e tyre me armën e arsyes”(23) për t’i çuar drejt së mirës dhe të bukurës.
29. Pra, kuptohet që lexuesi nuk është marrësi i një mesazh, por është një person që inkurajohet të lëvizë në një terren të paqëndrueshëm ku kufijtë midis shpëtimit dhe humbjes nuk janë të përcaktuara dhe të ndara përgjithmonë. Akti i leximit është, pra, si një akt “dallimi”, falë të cilit lexuesi përfshihet individualish si “subjekt” i leximit dhe, në të njëjtën kohë, si “objekt” i asaj që lexon. Duke lexuar një roman apo një vepër poetike, lexuesi në fakt jeton përvojën e “të lexuarit” nga fjalët që lexon.(24). Në këtë mënyrë lexuesi është i ngjashëm me një lojtar në fushë: ai luan lojën, por në të njëjtën kohë loja luhet nëpërmjet tij, në kuptimin që ai është tërësisht i përfshirë në atë që po bën(25).
VËMENDJE DHE TRETJE
30. Për sa i përket përmbajtjes, duhet pranuar se letërsia është si “një teleskop” – sipas imazhit të famshëm të shpikur nga Proust(26) – që synon qeniet dhe sendet, e domosdoshëme për tu përqendruar te“largësitë e mëdha” që gërmon në të përditshmen ndërmjet perceptimit dhe të gjithë përvojës tonë njerëzore. “Letërsia është si një laborator fotografik, në të cilin është e mundur të përpunohen imazhet e jetës në mënyrë që ato të zbulojnë konturet dhe nuancat e tyre. Ja, pra, për çfarë është letërsia: të “zhvillojë” imazhet e jetës”(27), të pyesim veten për kuptimin e saj. Shërben, me pak fjalë, për ta përjetuar në mënyrë efektive jetën. në mënyrë të dobishme .
31. Dhe, në të vërtetë, vështrimi ynë i zakonshëm ndaj botës është “reduktuar” për shkak të presionit që ushtrojnë mbi ne qëllimet e aktivitetet tona të përditshme. Edhe shërbimi kishtar apo bamirës mund të bëhet një mjet që i drejton forcat dhe vëmendjen tonë vetëm te objektivat që duhen arritur. Por, siç na kujton Jezusi në shëmbëlltyrën e mbjellësit, fara duhet të bjerë në tokë të thellë që të piqet frytshëm me kalimin e kohës, pa u mbytur nga sipërfaqësia ose gjembat (Mateu13,18-23). Kështu, është rreziku i rënies në një dobi mekanike që banalizon aftësinë tonë për të dalluar , varfëron ndjeshmërinë dhe zvogëlon cilësitë tona për të parë drejt gjërave më të ndërlikuara. Prandaj është e nevojshme dhe e menjëhershme që të kundërpeshojmë këtë thjeshtim të pashmangshëm të jetës sonë të përditshme . Në këtë mënyrë duhet të mëojmë të distancohemi nga ajo që është e menjëhershme, të ngadalësojmë, të meditojmë dhe të dëgjojmë. Të gjittha këto që sapo përmenda mund të ndodhin kur një individ ndalon së lexuari një libër .
32. Është e nevojshme të rikthehen mënyra më të thjeshta të lidhjes me realitetin, që nuk synojnë drejtpërdrejt një rezultat, në të cilin duhet lënë e gjithë teprica e pafundme e qenies tonë. Largësia, ngadalësia, liria janë karakteristikat e një qasjeje ndaj realitetit që në letërsi gjen një formë shprehjeje e cila sigurisht nuk është vetëm e saj , por ajo është e privilegjuar për këtë. Më pas, letërsia bëhet një fushë ku njeriu mund të stërvitë shikimin për të kërkuar dhe shqyrtuar të vërtetën e njerëzve dhe situatave . Në këtë rast duket si një mister që është i ngarkuar me kuptime të shumta që mund të shfaqen vetëm pjesërisht në kategori, skema shpjeguese apo në dinamikën vijëdrejtë të lidhjeve shkak-pasojë ose mjet-qëllim.
33. Një tjetër imazh i bukur për të shprehur rolin e letërsisë vjen nga fiziologjia e sistemit njerëzor dhe në veçanti nga akti i tretjes. Këtu modeli i saj jepet nga akti i ripërtypjes e lopës, siç përcaktohet nga murgu i shekullit të 11-të Guillaume de Saint-Thierry dhe jezuiti i shekullit të 17-të Jean-Joseph Surin. Ky i fundit nga ana e tij flet për “stomak të shpirtit” ndërsa murgu jezuit Michel De Certeau ka treguar një “fiziologji të vërtetë të tretjes së leximit “.(28), . Në këtë mënyrë ai ka kapur atë që shkon përtej sipërfaqes së përvojës dhe prandaj ajo shërben për të interpretuar jetën, duke dalluar kuptimet dhe tensionet themelore të saj(29).
DUKE PARË ME SYTË E TË TJERËVE
34. Përsa i përket formës së ligjërimit, kjo ndodh: duke lexuar një tekst letrar, ne vihemi në një pozicion që “të shohim me sytë e të tjerëve”,(30) duke arritur të kemi një gjerësi këndvështrimi e cila e zgjeron hapësirën tonë njerëzore. Kështu aktivizohet tek ne fuqia empatike e imagjinatës, e cila është një mjet themelor për atë aftësi që identifikohet me këndvështrimin, gjendjen dhe ndjenjat e të tjerëve, pa të cilat nuk ka solidaritet, dhembshuri apo mëshirë. Duke lexuar zbulojmë se ajo që ndiejmë nuk është vetëm e jona, ajo është universale dhe si rrjedhojë edhe njeriu më i braktisur nuk ndihet i vetëm.
35. Larmia e mrekullueshme i qenies njerëzore dhe shumësia e dikurshme dhe e sotme e kulturave apo njohurive janë përfaqësur në letërsi me një gjuhë e cila është e aftë të respektojë dhe shprehë shumëllojshmërinë e tyre .Por në të njëjtën kohë ato përkthehen në një gramatikë simbolike të kuptueshme që na i bën ato të afërta e të përbashkëta. Origjinaliteti i fjalës letrare qëndron në faktin se ajo shpreh dhe transmeton pasurinë e përvojës jo duke e objektivizuar atë përmes paraqitjes përshkruese e analitike të njohurive ose nëpërmjet gjykimit kritik. Ajo e bën ketë si përmbajtje dhe një përpjekjeje shprehëse e interpretuese duke i dhënë kuptim përvojës në fjalë.
36. Kur lexon një tregim, falë vizionit të autorit, secili përfytyron në mënyrën e vet të qarën e një vajze të braktisur, të plakës që mbulon trupin e nipit që po fle, pasionin e një biznesmeni të vogël që përpiqet të ecë përpara pavarësisht vështirësive, poshtërimin e atyre që ndihen të braktisur nga të gjithë apo djalit që ëndërron të vetmen rrugëdalje nga dhimbja prej një jete të mjerë e të dhunshme. Teksa ndiejmë gjurmë të botës sonë të brendshme në mes të atyre historive, bëhemi më të ndjeshëm ndaj përvojave të të tjerëve, dalim jashtë vetes për të hyrë në thellësitë e tyre dhe mund të kuptojmë pak më shumë përpjekjet dhe dëshirat që ata kanë . Në këtë mënyrë e shohim realitetin me sytë e tyre dhe në fund bëhemi shoqërues në këtë udhëtim të përvojave që ata përjetojnë . Kështu zhytemi në ekzistencën konkrete dhe të brendshme tw prostitutës, fëmijës që rritet pa prindërit apo gruas së muratorit. Dhe ne mund ta bëjmë këtë me ndjeshmëri e ndonjëherë me tolerancë dhe mirëkuptim.
37. Jean Cocteau i shkruante Jacques Maritain: «Letërsia është e pamundur, ne duhet të dalim prej saj dhe është e kotë të përpiqemi të dalim prej saj me letërsi, sepse vetëm dashuria dhe besimi na lejojnë të dalim nga vetja».(31 )Por me të vërtetë a dalim jashtë vetes nëse vuajtjet dhe gëzimet e të tjerëve nuk digjen në zemrat tona? Më pëlqen të kujtoj se, duke qenë të krishterë, asgjë njerëzore nuk është indiferente për mua.
38. Për më tepër, letërsia nuk është relativiste, sepse nuk na zhvesh nga kriteret e vlerës. Paraqitja simbolike e së mirës dhe së keqes, e së vërtetës dhe të gënjeshtrës , janë elementë që në letërsi marrin formë në ekzistencën e individëve dhe ngjarjeve historike kolektive Kjo nuk e përjashton gjykimin moral, por e pengon atë të bëhet i verbër apo sipërfaqësor. “Pse shikon lëmishten në syrin e vëllait dhe nuk e vëren traun në syrin tënd?” – na pyet Jezusi (Mateu 7, 3).
39. Edhe përsa i përket dhunës, kufizimit ose brishtësisë së të tjerëve, ne kemi mundësinë të reflektojmë më mirë vetë. Duke i krijuar lexuesit një vizion të gjerë të pasurisë dhe varfërisë të përvojës njerëzore, letërsia e edukon këndvështrimin e gjithsecilit mbi ngadalësinë e të kuptuarit, përulësinë e mosthjeshtimit apo butësinë e të mospretendimit për të kontrolluar realitetin dhe gjendjen njerëzore përmes gjykimit. Sigurisht që ka nevojë për gjykim, por nuk duhet harruar kurrë qëllimi i tij i kufizuar : në fakt, gjykimi nuk duhet të përkthehet kurrë në një dënim me vdekje, në mohim, në shtypje të njerëzimit në favor të një totalitarizmi të thatë të ligjit.
40. Qasja ndaj letërsisë e stërvit lexuesin në gjykimin individual përsa i përket kufijve të tij, e bën të heqë dorë nga njohja mbizotëruese dhe kritike mbi përvojën, duke i mësuar atij se edhe një varfëri është burim pasurie e jashtëzakonshme. Duke njohur padobinë dhe ndoshta edhe pamundësinë për të zvogëluar misterin e botës dhe të qenies njerëzore në një kundërvie antonimike si e vërtetë/e gabuar ose të drejtë/të padrejtë, lexuesi e mirëpret detyrën e gjykimit jo si një instrument për të sunduar, por si një shtytje në mënyrë të pandërprerë drejt dëgjimit . Nga ana tjetër ai e sheh atë edhe si gatishmëri për t’u përfshirë në atë pasuri të jashtëzakonshme të historisë për shkak të pranisë së Shpirtit .Në këtë rast ao jepet edhe si Hiri, domethënë si një ngjarje e paparashikueshme dhe e pakuptueshme që nuk varet nga veprimi njerëzor, por që e ripërcakton njeriun si shpresë për shpëtim.
FUQIA SHPIRTËRORE E LETËRSISË
41. Besoj se në këto reflektime të shkurtra kam theksuar rolin që mund të luajë letërsia në edukimin e zemrës dhe mendjes së pastorit ose pastorit të ardhshëm drejt një ushtrimi të lirë dhe të përulur të racionalitetit të dikujt, drejt një njohjeje të frytshme të pluralizmit të gjuhëve njerëzore, të një zgjerimi të ndjeshmërisë njerëzore dhe së fundi të një hapjeje të madhe shpirtërore për të dëgjuar Zërin përmes shumë zërave.
42. Në këtë kuptim, letërsia e ndihmon lexuesin të thyejë idhujt e gjuhëve vetëreferuese, të vetë-mjaftueshme në mënyrë të rreme, statikisht konvencionale, të cilat ndonjëherë rrezikojnë të ndotin edhe diskursin tonë kishtar, duke burgosur lirinë e Fjalës. Fjala letrare është një fjalë që e vë në lëvizje gjuhën, e çliron dhe e pastron: më në fund, e hap atë ndaj mundësive të saj të mëtejshme shprehëse e hulumtuese, e bën atë mikpritëse për Fjalën që zë vend në fjalën njerëzore, jo kur ajo. e kupton veten si njohje tashmë të plotë, përfundimtare dhe të plotë, por kur bëhet një vigjilje dëgjimi dhe pritjeje për Atë që vjen për t’i bërë të gjitha gjërat të reja (shih Zbul. 21, 5).
43. Fuqia shpirtërore e letërsisë kujton, më në fund, detyrën parësore që Perëndia i besoi njeriut: detyrën e “emërtimit” të qenieve dhe sendeve (shih Zanafilla 2, 19-20). Misioni i kujdestarit të krijimit, i caktuar nga Zoti për Adamin, kalon para së gjithash pikërisht nga njohja e realitetit të vet dhe nga kuptimi që ka ekzistenca e qenieve të tjera. Priftit i është kushtuar edhe kjo detyrë origjinale e “emërtimit”, të dhënies së kuptimit, të shndërrimit në një instrument bashkimi midis krijimit dhe Fjalës së mishëruar dhe fuqisë së saj për të ndriçuar çdo aspekt të gjendjes njerëzore.
44. Afiniteti midis priftit dhe poetit manifestohet kështu në këtë bashkim misterioz dhe të pazgjidhshëm sakramental midis Fjalës hyjnore dhe fjalës njerëzore, duke i dhënë jetë një shërbese që bëhet një shërbim plot dëgjim dhe dhembshuri, në një karizëm që bëhet përgjegjësi, një vizion i së vërtetës dhe mirësisë që shpaloset si bukuri. Nuk mund të mos dëgjojmë fjalët që na ka lënë poeti Paul Celan: “Ai që mëson vërtet të shohë i afrohet të padukshmes”(32)
Përktheu Geron Kamberi
BIBLIOGRAFI
[1]Rene Latourelle, «Letteratura», inR. Latourelle – R. Fisichella,Dizionario di Teologia Fondamentale, Assisi (PG) 1990, 631.
[2] Antonio Spadaro, «J. M. Bergoglio, il “maestrillo” creativo. Intervista all’alunno Jorge Milia», inLa Civiltà Cattolica2014 I 523-534.
[3]Concilio Ecumunico. Vat. II, Cost. past. sulla Chiesa nel mondo contemporaneoGaudium et spes62.
[4]Karl Rahner, «Il futuro del libro religioso», inNuovi saggi II, Roma 1968, 647.
[5] Esortazione ApostolicaEvangelii gaudium117.
[6]Antonio Spadaro,Svolta di respiro. Spiritualità della vita contemporanea, Milano, Vita e Pensiero, 101.
[7]Rene. Latourelle, «Letteratura», 633.
[8]Santo Giovanni Paolo II,Lettera agli artisti, n.6.
[9]Esortazione ApostolicaEvangelii gaudium89.
[10]Costituzione pastorale sulla Chiesa nel mondo contemporaneoGaudium et spes22.
[11]Marcel Proust,Alla ricerca del tempo perduto.I.La strada di Swann, Milano, Mondadori, 1983, 104 s.
[12]Clive S. Lewis,Lettori e letture.Un esperimento di critica, Milano 1997, 165.
[13]Jorges Lous Borges,Borges,Oral, Buenos Aires 1979, 22.
[14]Santo PaoloVI, Omelia, «Messa degli Artisti» nella Cappella Sistina, 7 Maggio 1964.
[15]Thomas.S. Eliot,The Idea of a Christian Society, London 1946, 30.
[16]Conferenza stampa del Santo Padre durante il volo di ritorno dal Viaggio Apostolico di Sua Santità Francesco in Thailandia e Giappone, 26 novembre 2019.
[17]Antonio Spadaro,La grazia della parola. Karl Rahner e la poesia, Milano, Jaca Book, 2006.
[18]Karl Rahner, «Sacerdote e poeta» inLa fede in mezzo al mondo, Alba 1963, 131-173.
[19]Ivi 171 s.
[20]Ivi, 146.
[21]Saint Ignazio di Loyola,Esercizi Spirituali, n. 317.
[22]ivi, n. 335.
[23]Ivi, n. 314
[24]Karl Rahner, «Sacerdote e poeta» inLa Fede in mezzo al mondo, Alba 1963, 141.
[25]Antonio Spadaro,La pagina che illumina. Scrittura creativa come esercizio spirituale, Milano, Ares, 2023, 46-47.
[26]Marcel Proust,À la recherche du temps perdu. Le temps retrouvé, Paris 1954, Vol.III, 1041.
[27]Antonio Spadaro,La pagina che illumina…cit., 14.
[28]Michel De Certeau,Il parlare angelico. Figure per una poetica della lingua (Secoli XVI e XVII), Firenze 1989, 139 s.
[29]Antonio Spadaro,La pagina che illumina…cit., 16.
[30] Clive .S. Lewis,Lettori e letture. Un esperimento di critica, Milano 1997, 165.
[31]Jean Cocteau – J. Maritain,Dialogo sulla fede, Firenze, Passigli, 1988, 56.Cfr. A.Spadaro,La pagina che illumina…cit., 11-12.
[32]Paul Celan,Microliti, Milano
Marrë nga “Institutet e Albanologjisë”