Ankesë Patrikanës: Jeni tue ndërhy në të drejtat e Kishës Autoqefale Orthodokse./
Eminencës së Tij Arqbishop Vasalomeos I, /
Patriark në Istambul/
Rruga Sadriazën Ali Pasha, Istambul, Turqi/
Eminenca Juej,/
Na ka tërhjekë vëmendjen gabimi i madh që asht ba nga këshilltarët e Juej, kur sugjerojnë që Ju të emnoni Kryepeshkopin e Kishës Autoqefale Orthodokse Shqiptare. Me një veprimë të atillë Ju Eminencë, duhet ta dini se jeni tue ndërhy në të drejtat që i takojnë Kishës Autoqefale Orthodokse Shqiptare.Një e drejtë e tillë vendimi i takon Mbretit në konsultim me klerikët orthodoksë shqiptarë.Prandaj, Na me respekt kërkojmë që Ju të rikonsideroni vendimin, para se të bahet nji incident diplomatik.Kisha Orthodokse Shqiptare, në nji të ardhme të afërt, ka me pas mundësinë me zgjedhë nga gjini i klerit ortodoks shqiptar, personin e merituam për atë detyrë. Të drejtat e garantuese me Kushtetutën e vitit 1928, në marrëveshje në mes Mbretit dhe Klerit Orthodoks Shqiptar janë të kjarta dhe Na nuk lejojmë Ndërhymjen nga jashtë mbi këto të drejta.Këshillate Jueja, do të jenë të mirëprituna si bashkvëlla i besimit me Kishën Indipendente Orthodoks Autoqefale Shqiptare, dhe na shpresojmë, që në të ardhmen, relata në mesin e Kishës Orthodokse Autoqefale Shqiptare dhe Patrikanës së Instambulit kanë me qenë të përzemërta.
Johanesburg, Më 8 shtator 1992
Leka I – Mbret i Shqiptarëve
Pas ngjarjes së Përmetit, ku një ndërtesë është kthyer në mollë sherri mes Kishës Ortodokse dhe shtetit, dhe reagimeve të Athinës, që kanë reflektuar menjëherë në mbarëvajtjet e kalimeve në kufirin shqiptaro- grek, një përgjigje vjen edhe nga përfaqësues të diasporës shqiptare. Bëhet fjalë për një deklaratë të Skënder Zogut, nip i Mbretit Ahmet Zog, me banim në Francë, i cili përveç qëndrimit të tij në lidhje me këtë çështje, ofron edhe një dokument, që dëshmon protestën e familjes mbretërore shqiptare ndaj shugurimit si kryepeshkop i Kishës Shqiptare Ortodokse, Anastas Janullatosin, në vitin 1992. Skënder Zogu shpreh indinjatën e tij ndaj problemeve që po u shkaktohen bashkatdhetarëve tanë në Greqi, por sipas tij çështjet fetare nuk do të mund t’i përçajnë shqiptarët dhe se Shqipëria ka ditur të jetë gjithnjë një shembull sa i përket bashkëjetesës mes besimtarëve të të gjitha feve.
PROTESTA
“Mbas rrëzimit të regjimit komunist, shteti shqiptar pranoi me vend pluralizmin politik dhe lirinë fetare. Vetëm në këtë çështje shteti shqiptar gaboi dhe nuk e respektoi vendimin kombëtar që me veprën e Imzot Fan Nolit dhe me Kushtetutën e vitit 1928, që deklaronte zyrtarisht Kishën Autoqefale Ortodokse Shqiptare. Në vitin 1992, i pari personalitet shqiptar që kundërshtoi Patrikanën e Stambollit për emërimin e Janullatosit, ishte Mbreti Leka I. Në Diasporë, shqiptarët i kanë mbajtur gjallë të tria fetë sipas lidhjes kombëtare dhe kanë vepruar vëllazërisht, pa nevojën e klerikëve të huaj”, shprehet Zogu. Për këtë ai sjell si shembull historik për diasporën datat 6-7 maj 1980, kur u shpall në Paris sheshi i Skënderbeut. Sipas tij, në ceremoni morën pjesë me qindra shqiptarë të tri besimeve, në krye të të cilave ishin patër Mark Shestani, Papas Sotir Ferrara, Imam Isa Hoxha, në Katedralen e Notre Dame të Parisit. Ishte Mark Lipa i Kishës Ortodokse Shqiptare në Boston, po ashtu kolonel Lazer Bojaxhiu (vëllai i Nënë Terezës) dhe zonja Nermin Vlora Falaschi. Sipas Zogut, tashmë është koha që në krye të Kishës Autoqefale Ortodokse të vendoset një klerik shqiptar.
LETRA
Në shtator të vitit 1992, kur Patrikana e Stambollit kishte emëruar si kryepeshkop të Kishës Autoqefale Shqiptare klerikun grek Anastas Janullatos, pretendenti për fronin e Mbretit të Shqipërisë, Princi Leka I, i dërgoi një letër-protestë arqipeshkvit Vasalomeos I. Në të ai e quan gabim emërimin e Janullatosit, duke shkelur kështu të drejtat që i takojnë Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare. Të drejta këto të përcaktuara që me Kushtetutën e vitit 1928. Sipas tij, vendimi i takon Mbretit në konsultim me klerikët ortodoksë shqiptarë. Në këtë letër, ai shprehet se së shpejti Kisha Autoqefale Shqiptare do të ketë në krye të saj një klerik shqiptar.
(Kortezi:Alma Mile-Panorama)