Nga Aurenc Bebja*, Francë – 16 Tetor 2017/
Në librin “Voyage en Grèce, fait dans les années 1803 et 1804, par J. L. S. Bartholdy”, gjejmë një kapitull, që detajon luftën e ndërmarrë nga Ali Pashë Tepelena kundra suljotëve gjatë vitit 1792, me titull “Guerre d’Ali-Pacha contre les Souliotes”.
Në fakt, autori i këtij libri është mbështetur në veprën “A Survey of the Turkish Empire” të anglezit William Eton. Autori nuk ka folur vetë, por ka sjellë rrëfimin e një personi tjetër, që tregon se në vitin 1792, i gjendur në shërbim të Francës, në rolin e përkthyesit, u dërgua nga konsulli francez pranë Ali Pashës, në kryeqytetin e Epirit, Janinë.Në vijim, do të gjeni rrëfimin e plotë, në lidhje me shkembimet ndërmjet Llambro Xhavellas dhe Ali Pashë Tepelenës, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :…Dy ditë pasi vendosi kampin e tij ushtarak në fushat e Sulit, ai urdhëroi që të sillnin para tij kapiten Xhavellan (i zënë rob), dhe jo vetëm që i ofroi atij lirinë, por madje i propozoi që ta bënte atë “buluk-bash” të krahinës, vetëm nëse do të ndihmonte Ali Pashën që të bëhej zot i malit. Xhavella u përgjigj se, për sa kohë që ai ishte i lirë, ai ishte i gatshëm të shkonte në mal dhe të bindte mbështetësit e tij, domethënë gjysmën banorëve, që t’i nënshtrohen dhe të marrin armët kundër Bogias (Boçari); në këtë mënyrë, ai mund të fuste trupat e pashait në Tripë, ndërsa pala e kundërt do të ishte e lumtur të qëndronte në paqe pa luftuar. Pikërisht për këtë, Pashai e pyeti se çfarë garancie mund ti jepte atij në lidhje me mbajtjen e premtimit të tij :
“Djalin tim të vetëm, dymbëdhjetë vjeç – u përgjigj Xhavella – që unë do të të jap si peng, i cili është më i rëndësishëm sesa jeta ime, dhe që ti mund ta dënosh nëse unë të mashtroi.”Si rezultat, Xhavella e thirri të birin që të zbriste nga mali ; por sapo u ngjit vetë në mal, i shkroi Pashait letrën në vijim :“Ali Pasha, unë gëzohem që mashtrova një tradhtar. Tani jam këtu për të mbrojtur vendin tim kundër një kusari. Djali im do të vdesë ; por para se të shuhem, do të hakmerrem për të. Do të trajtohem si një baba i pashpirt, sepse kam sakrifikuar birin tim për sigurinë time personale ; por unë mund t’i përgjigjem kësaj, se nëse ti do të ngjiteshe në mal, ai do të vdiste gjithsesi me të gjithë pjesën tjetër të familjes sime, dhe se nuk do të kisha qenë më këtu për të marrë hakun e tij. Nëse fitojmë, mund të kem fëmijë të tjerë : gruaja ime është ende e re ; por nëse djali im, që është i ri, nuk di të vdesë i lumtur për të mirën e vendit të tij, atëherë ai nuk meriton që të jetojë, dhe as që ta pranoi atë për djalin tim. Eja, pra, tradhtar ! Po vloj të hakmerrem, dhe jam armiku yt i papajtueshëm.”
Kapiten Xhavella
Pashai, pavarësisht tërbimit të tij, nuk e gjykoi të domosdoshme që të digjte Xhavellën e ri, dhe e dërgoi atë në Janinë, pranë djalit të tij, Veli Pashës, i cili qeversite gjatë mungesës së tij. Unë kam qenë me të kur i dërgoi atij këtë fëmijë ; ai u përgjigj të gjitha pyetjeve që i bënë, me një lloj shpirti dhe guximi, që ngjalli admirim tek të gjithë. Veli Pasha i tha atij se priste urdhërin e babait të tij për ta pjekur në hell. “Unë nuk kam frikë prej teje” – iu përgjigj fëmija ; “Babai im do të bëjë të njëjtën gjë me babanë apo me vëllanë tënd, nëse ai do të mund ti zë robër.” Atë e hodhën në një birucë, me bukë dhe ujë.