7th Annual World Focus on Autism Takes Place in NYC/
Nga BEQIR SINA – New York City/
NEW YORK CITY : Organizata më e madhe botërore “Autism Speaks” ka nderuar me Çmimin për Arritjet Globale për Autizmin, Presidenten e Fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”, zonjën Liri Berisha për Arritjet Globale në Luftën Kundër Autizmit. Ky është viti i dytë që “Autism Speaks” jep një çmim të tillë, ndërsa është hera e parë që i akordohet zonjës Berisha. Çmimi ju dorëzua gjatë punimeve të takimit të 7-vjetor të Fokusit Botëror për Autizmin, që po mbahet paralelisht me punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York.
E pranishme ishte Princesha e Monakos, zonja e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon si dhe zonja të tjera të para nga vende të ndryshme dhe personalitete të ndryshme në luftën kundër autizmit. Suzzane Wright, drejtuese e “Autism Speaks” vlerësoi punën e Presidentes së Fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”, duke u shprehur se, ajo ka ndryshuar të ardhmen për njerëzit me autizëm në Shqipëri dhe tani ajo po punon në të gjithë rajonin.
“Dr. Liri Berisha është një kombinim unik e një largpamëseje dhe luftëtareje. E dija, që nga momenti i parë që ne u takuam në Forumin e Shafallah-së në Katar, në 2008, se ajo do të ndryshonte botën. Ajo ka ndryshuar të ardhmen për njerëzit me autizëm në Shqipëri dhe tani ajo po punon në të gjithë rajonin”, u shpreh Suzzane Wright.
Çmimi i dhënë vjen për spikatjen e zonjës Berisha në Komunitetin Ndërkombëtar të Autizmit, si një drejtuese e shquar në rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe profesional për autizmin në Shqipëri, për ngritjen në Tiranë të qendrës klinike bashkëkohore si dhe për mbështetjen e saj në krijimin e Rrjetit të Autizmit për Evropën Juglindore të ministrave të Shëndetësisë nga vendet e Rajonit.
Zonja Berisha i falenderoi për këtë çmim dhe u shpreh se, ky çmim është një lajm i mirë për çdo shqiptar. Për zonjën Berisha ky është një vlerësim i përpjekjeve të të gjithë personelit të Qendrës Rajonale të Autizmit, në mënyrë të veçantë për prindërit e përkushtuar ndaj fëmijëve të tyre. “Të dashur Suzzane dhe Bob, ky çmim është një dedikim për ju, për ndriçimin e shpresës për të gjithë ata që sfidojnë autizmin në mbarë botën. Si nënë, pediatre dhe Presidente e Fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”, nuk mund të mendoj për një vlerësim më të mirë për punën e vështirë dhe arritjet që ne kemi bërë gjatë viteve të fundit, duke përmirësuar jetën e të gjithë atyre të prekur nga autizmi në Shqipëri”, u shpreh Liri Berisha.
Organizata Ndërkombëtare “Autism Speaks” në takimin e shtatë vjetor e vuri theksin në rritjen e shpejtë të numrit të fëmijëve autik në botë dhe nevojave në rritje të këtij komuniteti. Të dhënat tregojnë se, autizmi po prek rreth 1% të popullsisë globale.