Arjeta Ferlushkaj Kotrri/
Eljona Kodra është poete, mësuese dhe gazetare. Ka studiuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Shkodër dhe u largua nga Shqipëria për në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2011. E ushtroi profesionin e mësueses vetëm për dy vite në Shkodër, për të vazhduar më pas një tjetër mision në Londër. Nuk ishtë i lehtë ndryshimi rrënjësor i jetës, sidomos për një vajzë që nuk e kishte menduar kurrë se do ta linte Shqipërinë. Angazhimin për t’u mbrojtur nga asimilimi e nisi duke iu mësuar gjuhën shqipe fëmijëve shqiptarë përmes skype. Të qenurit nënë e bënte pak më të vështirë ndjekjen e aktiviteteve që organizonte komuniteti shqiptar në Londër por edhe me fëmijë të vegjël, Eljona nuk mungonte dhe bashkë me të ishte edhe karroca e fëmijëve të saj. Malli për vendlindjen e shtynte që të mos mungonte, dhe një pjesëmarrje e tillë i jepte emocionin që i duhej për të ushqyer shpirtin. Eljona Kodra është autore e librit me poezi “Qerpikët mbetën hapun”, botuar dhe promovuar në Shkodër në vitin 2020. Në planet e afërta të saj është edhe një debutim në zhanrin e prozës.Nga angazhimet e diasporës në Londër, Eljona vlerëson punën e tyre por do të dëshironte që disa prej tyre, të linin mënjanë nevojën e etshme për t’u dukur dhe të bashkëpunonin më shumë me njëri-tjetrin, për një të mirë të përbashkët. Eljona shprehet: “Detyra jonë e përbashkët, që duhet të jetë primare, është promovimi i artit dhe i kulturës shqiptare, të trashëgohen ndër breza traditat tona si dhe të ruhen me fanatizëm gjuha e bukur dhe e pashoqe shqipe”.Eljona është e angazhuar edhe tek i vetmi televizion shqiptar në Londër, siç është “ALB UK TV”, i cili është një mbështetje shumë e madhe për komunitetin shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar. Bashkë me stafin e televizionit, Eljona shprehet se mundohen të trajtojnë tema nga më të ndryshmet, pra jo vetëm artistike por edhe nga aktualiteti, nga historia, nga bota shqiptare në përgjithësi. Sa i takon shkollave shqipe në Londër, Eljona na pohon se janë disa. Ajo sugjeron që bashkëpunimi mes këtyre shkollave e shoqatave duhej të ishte më i gjerë e më i shpeshtë, megjithatë ajo nuk ngurron të na thotë se “Eshtë e admirueshme puna që bëhet në shkollat shqipe në Londër. Po ashtu, shqiptarët janë familjarë model. Me gjithë angazhimet e jetës së përditshme, e cila është jo pak e ngarkuar, ata sërish gjejnë kohën për t’i ndjekur fëmijët e tyre në angazhime të tilla. Është madhështi t’i trashëgosh fëmijës tënd vlerat e gjuhës amë dhe t’i ruash traditat.” Për Eljonën, do të ishte një ëndërr e realizuar sikur në Londër të kishte një qendër kulturore për komunitetin shqiptar. Ajo fton bashkëkombasit e vet që përmes një investimi që është i domosdoshëm, të mund të kenë edhe shqiptarët e Londrës një qendër ku të mblidhen të gjithë bashkë. Për diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara, Eljona ka një ndjeshmëri mjaft pozitive. Ajo ndjek vazhdimisht angazhimet e organizatave e shkollave të ndryshme shqipe këtej në SHBA dhe mendon se nga një bashkëharmoni e tillë, duhet të marrin shembull edhe diasporat e tjera. “Kur lexoj për aktivtitetet e juaja, ndjej një kënaqësi të veçantë dhe ju arrini të përcillni emocionin e kërkuar dhe sidomos e përforconi bindjen e shqiptarëve se po, më të vërtetë, Shqipëria dhe shqiptarët, kanë për çfarë të krenohen.” Kur nga fundi i bisedës tonë, i kërkojmë Eljonës të na përcjellë një mesazh, ajo na thotë: “Të mos harrojmë se, dikur, diaspora ka qenë një zë i fortë dhe ne e kemi për detyrë jo vetëm të çojmë zërin kur Shqipëria nuk është mirë, por edhe të vazhdojmë misionin e nisur nga të parët tanë.”