Thanas L. Gjika/
Doli nga shtypi në italisht romani i Visar Zhitit “Funerali i pafund” (FUNERALE SENZA FINE). Ky krijim i autorit shqiptar shumë të talentuar është një vepër romanore me formë moderne pa personazhe e pa linja subjekti. Aty pasqyrohet e përgjithësuar gjendja mendore e një populli, që jeton nën diktaturë, pa e përcaktuar se është diktaturë nazi-fashiste, komuniste ose totalitare. Populli nuk përcaktohet se cilit komb i përket, ai jepet si një turmë që ecën me drejtim të paditurduke mbajtur një arkmort mbi vete.
Temën e jetës së popujve nën diktaturat e lartpërmendura e kishin pasqyruar dhe shumë shkrimtarë të tjerë para Zhitit në letërsinë europiane, si Haveli, Kundera, Solzenicini, etj, të cilët kishin pasqyruar konkretisht jetën e këtij apo atij populli përmes subjektesh të ndryshme. Në këtë rrugë kishte ecur dhe vetë Visar Zhiti në romanin dy-vëllimësh “Burgologjia”, ku pasqyroi me mjeshtëri jetën e vet plot vuajtje dhe të bashkëvuajtëve të burgosur në kampet burg të Spacit e të Qafë Barit.
Kurse në romanin e ri “Funerali i Pafund” ai ka ndjekur një rrugë të re për të pasqyruar në mënyrë të përgjithësuar gjendjen e percudnuar të të gjithë popujve që kanë vuajtur e vuajnë nën diktaturat cnjerëzore.
O. Orewll-i tek romani humoristik “Ferma e kafshëve” kishte demaskuar demagogjinë e totalitarizmit, kurse Zhiti arriti një sukses të ri përmes një metafore të goditur duke përshkruar ecjen e një populli që jeton nën një sistem diktatorial, si turmë amorfe. Turmë e cila ecën me arkivolin e vet në një funeral pa fund.
Kjo vepër do të marrë gjithnjë e më shumë vlerësime e çmime, por jo në Shqipërinë e sotme, ku shumica e qeveritarëve vuajnë nga të njëjtat sëmundje morale të sistemit diktatorial për shkak të nostalgjisë që ushqejnë ndaj regjimit komunist….
Ne shqiptarët jetuam variantin më të egër të diktaturës komuniste gjatë së cilës pësuam një deformim të madh moral, shpirtëror dhe mendor. Të trembur nga terrori dhe të pompuar nga propaganda e partisë-shtet populli ynë eci si turmë, si turmë pa shtyllë kurrizore, pa vetëdije, që endej pa pikësynime konkrete. Gjoja ndërtonte socializmin si fazë paraprake për të arritur tek komunizmi i lumtur, por nuk shikonte se po jetonte duke kaluar nga sistemi i triskave në sistemin e kufizimit të ushqimit me talona. Dhe kjo jetesë që keqësohej e varfërohej gjithnjë e më shumë nuk e revoltonte popullin tonë të masakruar nga trusnia e diktaturës.
Jeta që kaloi Visar Zhiti si i përndjekur politik nën diktaturën komuniste më të egër të Europës Lindore, ndihmuar dhe prej talentit të fuqishëm dhe imagjinatës së tij pjellore, e shpunë tek realizimi i këtij romani metaforik, ku ai përgjithësoi jetën e një populli nën shtypjen diktatoriale, si një turmë që vegjetonte në rrethana të vështira ku nuk mund të rigjenerohej mendërisht. Kjo turmë ecte drejt së panjohurës pa ideale, pa të ardhme, ecte gjithnjë drejt funeralit të vet që nuk kishte fund, si vetë sistemi shoqëror ku ai jetonte…
Turma e mbetur mendjempirë, pa ide e pa rrugëdalje, mban mbi kokë arkivolin e vetvetes, ecën drej asgjësimit, ecën në një funeral të pafund. Ajo nuk ka forca të brendshme për të gjetur rrugëdalje, shpëtimin e vet. Kjo pamundësi për të shpëtuar vetveten jepet përmes epilogut në fund të veprës.
Si person që kam jetuar në këtë gjendje gjatë 46 vjetëve të parë të jetës sime (1944-1990) po sjell një shembull për të kuptuar se si ecja dhe unë, një ish-punonjës shkencor i një instituti të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me titullin shkencor Docent deri në shtator-tetor të vitit 1990, pa kuptuar gjendjen e keqe dhe pa synuar shpëtim nga e keqja.
Pasi ishte shembur Muri i Berlinit dhe ishte marrë vendimi për bashkimin e dy Gjermanive, pra pasi ishte bërë e qartë se sistemi socialist po pranonte kapitullimin e vet, ndodhi që një vizitor i huaj më pyeti në Tiranë: “Si ndjehesh në Shqipëri?”, unë iu përgjigja si robot: “Mirë, mirë.”
Pra dhe unë vijoja të mendoja ashtu si isha pompuar prej propagandës së partisë-shtet dhe nuk e kuptoja se isha shumë keq, se rrogëza që merrja si punonjës shkencor nuk më mjaftonte as për t’u ushqyer, as për të blerë librat e nevojshëm; se nuk kisha asnjë kontakt me mendimet e teoritë shkencore moderne me të cilat operonin kolegët e mij të Europës Perëndimore; se jetoja si në vende të varfra në një apartament me një dhomë e një kuzhinë bashkë me nënën e moshuar, dy fëmijët me gjini të ndryshme e bashkëshorten poete, kur na nevojiteshin të paktën tri dhoma gjumi…
Në një gjendje më të keqe mendore se e imja ishin masat e gjera të punëtorëve dhe fshatarëve të Shqipërisë. Ndryshim kishte vetëm tek mendësia e të përndjekurve politikë që dergjeshin burgjeve dhe kampeve të internimit. Por mendësia e tyre nuk njihej prej popullit, e as prej ne të shkolluarve, sepse ajo luftohej prej propagandës së partisë-shtet si ideologji e armikut.
Kjo gjendje mendore e popullit shqiptar u shpalos hapur gjatë takimit që organizoi diktori pasardhës Ramiz Alia me intelektualët e kryeqytetit gjatë verës së vitit 1990 për të parë nëse ata do të kërkonin ndërrimin e regjimit njëpartiak me atë shumëpartiak. Mirëpo intelektualët shqiptarë nuk kërkuan asgjë të tillë. Kjo tregoi se pjesa më e shkolluar e vendit ishte pajtuar me gjendjen dhe nuk aspironte ndërrim të regjimit. Madje dhe vetë Ismail Kadareja në letrën, që i dërgoi R. Alisë para se të “arratisej” në Francë, i kërkonte vetëm shpejtim të reformave për të përmirësuar sistemin socialist dhe jo ndërrimin e këtij sistemi një-partiak me sistemin pluralist dhe as kalimin e ekonomisë së përqendruar tek ekonomia e tregut. Thjesht e shkurt populli ynë edhe më keq se popujt e Europës Lindore nuk kishte kuptuar se ndërrimi i sistemit diktatorial me pluralizmin ishte domosdoshmëri e kohës.
Ky hap u krye në saje të ndihmës së guximshme, që dha bota Perëndimore Euro-Atlantike me hapjen e kufijve, eksperiment që ishte kryer gjatë Luftës Civile në ShBA-të, kur shtetet e veriut hapën kufijtë për të shpëtuar popullin e shteteve të jugut që vuante ende nga skllavëria.
Përmes trajtimit metaforik të idesë filozofike për zhdukjen e së keqes univerasle që ua shkakton popujve sundimi diktatorial e totalitar, romani “Funeral i pafund” ka vlera botërore mbasi aty është trajtuar me nivel të lartë estetik ideja e nevojës së zhdukjes së të keqes universale ndaj së cilës popujt e shtypur nuk kanë mundësi të shpëtojnë pa ndihmën nga jashtë, ndihmën nga bota e lirë demokratike.
Uroj që pëkthimi anglisht të dalë sa më parë nga shtypi, sepse kështu do të marrë një vlerësim më të gjerë e më të thellë nga kritika botërore sesa ka marrë deri tani me botimet shqip e italisht!
Fatkeqësisht jemi popull i vogel me një armik të madh shekullor, Rusine pansllaviste, e cila i ka ndërsyer dhe i ndërsen kundër interesave tona qarqet sunduese të dy fqinjëve tanë për të na izoluar nga bota, për ta lënë problemin shqiptar si problem të vogël, që nuk përbën problem që i vlen mbarë shoqërisë njerëzore. Kështu që deri sot problemet shqiptare, si problemi ynë i krijimit të shtetit kombëtar (që duhej të ishte zgjidhur që në vitet 1912-1913, kur u njoh pavarësia e Shqipërisë, dhe nuk është zgjidhur ende), si dhe vlerësimi i arritjeve të artit, letërsisë dhe të shkencës shqiptare nuk u është dhënë mbështetja e duhur nga opinioni botëror.
Ndonëse sot situata ka ndryshuar, mbasi kemi në krah dy aleatë të fuqishëm ShBA-të dhe BE-në, përsëri është nevojë që edhe ne vetë, si popull i lashtë me tradita te cmuara, por që na ka abuzuar historia, duhet të punojmë që rtë kapërcejmë zilitë midis nesh dhe rezultatet e larta të letërsisë dhe të shkencës shqiptare t’i bëjmë të njohura përmes përkthimeve në anglisht, gjuhës në të cilën kapen dhe jepen vlerësimet më të rëndësishme botërore.
Në këtë gjuhë duhen përkthyer e botuar sa më parë veprat e V. Zhitit, si romani dy-vëllimsh “Burgologjia”, ku janë pasqyruar përmes përshkrimeve reale të jetës vuajtjet e popullit tonë nën diktaturën komuniste dhe romani “Funerali i pafund”, ku u shpalos me një formë të re romanore përmes metaforës dhe kuptimit filozofik, gjendja e pashpresë e mbarë popujve që kanë vuajtur e vuajnë nën regjimet totalitare.