

U shënua 26 vjetori i çlirimit të Kosovës në Linc (Linz) të Austrisë me një program kulturor ku u shfaq filmi dokumentar për atdhetarin Hysen Gegaj dhe u promovua libri i diplomatit kosovar Imer Lladrovci “Linja politike, diplomatike dhe shtetformuese”. Mbrëmjen e moderoi zonja Donjetë Bryma-Gashi, e cila në fillim kërkoi një minutë heshtje për dëshmorët.
Për Hysen Gegën foli Nasim Haradinaj, i cili një pjesë të dënimit të tij e kaloi në burg me Hysen Gegajn. Në fjalën e tij Nasim Haradinaj u ndërpre shumë herë nga brohoritjet dhe duatrokitjet. Në librin e Imer Lladrovcit flitet edhe për Hysen Gegajn. Për librin e Imer Lladrovcit “Linjat politike, diplomatike dhe shtetformuese“ foli gjerësisht dr. prof. Ahmet Hajrizi. Hajrizi i dha të dhënat themelore për librin e botuesit “Artini“ në Prishtinë. Në këtë libër janë mbledhur një pjesë e paraqitjeve të ndryshme publike të autorit të saj përgjatë viteve të fundit. Dr. Hajrizi tha se libri ka pesë kapituj dhe në to janë përfshirë materiale të ndryshme që bëjnë fjalë për zhvillimet e ndryshme politike që nga viti 1981 e këndej. Dr. Hajrizi në fjalën e tij u përqëndrua në disa pjesë të librit që përfaqësojnë më së miri boshtin tematik të librit. Ai foli për ngjarjet e vitit 1981 që përbëjnë pikën e kthesës në historinë tonë bashkëkohore.
Në libër janë tre njësi që për temë kanë këto ngjarje të mëdha politike. Kumtesa që Imer Lladrovci mbanë me rastin e 30 vjetorit të demonstratave të vitit 1981, pastaj kuntesa tjetër e tij në 40 vjetorin e këtyre ngjarjeve si dhe jeona e tyre mediale në shtypin gjermanishtfolës. Ndërsa trazirat politike të Kosovës në shtypin gjermanishtfolës dhe në atë perëndimor në përgjithësi gjetën një mbështetje të gjerë, në Europën Lindore për to u hesht në mënyrë kėmbëngulëse. Perëndimi tek këto zhvillime politike në Kosovë pa fillimin e një faze dramatike në bllokun e Lindjes, në BRSS dhe në vendet aleate pati një qëndrim krejt tjetër ndaj tyre. Në këtë bllok, zhvillimet në Kosovë u panë si një ndërhyrje e shteteve kapitaliste në shtetet socialiste, ndaj dhe si kërcënim për rendin politik socialist. Shqiptarët në Lindje të Europës u panë me skepticizëm dhe mosbesim, kurse në Perëndim problemet e tyre në Jugosllavi u morën seriozisht, ndaj dhe mediat perëmdimore folën gjerësisht për protestat shqiptare që vazhduan për një kohë të gjatë, derisa me 12 qershor 1999 gjithçka mori fund me hyrjen e trupave tokësore të shteteve të NATO-së në Kosovë.
Dr. Hajrizi tha se autori një pjesë të librit ia kushton personaliteteve të ndtyshme kombëtare. Adem Demaçit i kushtohen dy shkrime, njëra është një kumtesë që autori mbanë në një simpozium që i kushtohet veprimtarisë politike të Demaçit, kurse një shkrim ai e bën me rastin e 87 vjetorit të lindjes së Demaçit. Në vitin 2016 një profesor francez, Daniel Leuwers, ia propozon Komitetit të Çmimit Nobel për Paqe në Osllo Adem Demaçin si kandidat. Arsyetimi i profesorit francez ishte se „shteti më i ri i planetit, në mënyrë të pakontestueshme e meriton njohjen internacionale“ dhe se ai si propozues e ndiente veten të nderuar që mund të bënte një ndërmjetësim të tillë, duke i paraqitur Komitetit këtë ide për një protagonist të rëndësishëm politik të Europës Juglindore. Demaçi, në vitin 1991, kur gjithë Lindja e socializmit real ishte përfshirë nga një lëvizje e madhe politike, pati fituar Çmimin e madh Saharov të Parlamentit Europian.
Dr. Hajrizi, duke iu referuar shkrimit të Demaçit tha se ai në vitin 1996 ishte i pari dhe i vetmi që doli publikisht në mbështetjen të UÇsë. Në vitin 2025 kjo gjë ndoshta dikujt mund t’i duket një gjë e vogël, por atëherë ishte një trimëri e madhe. Vetë fakti që asnjë intelektual tjetër kurrë nuk e tha një fjalë mbështetëse në publik për UÇK-në flet mjaft për atmosferën e acaruar të atëhershme, sepse mbështetja politik për UÇK-së përbënte një tabu politike. Me 26 shkurt të vitit 2023 Imer Lladrovci në një gazetë kosovare boton një shkrim në 87 vjetorin e lindjes së Adem Demaçit, në një kohë kur ai kishte vite që s’ishte më gjallë. Me 25 gusht të vitit 2018 Adem Demaçi iku nga kjo jetë jo pa rezervat e tij politike për skenën tonë politike.
Dr. Hajrizi foli edhe për islamin politik dhe tradicional dhe për shqiptarinë si fe të shqiptarëve, siç thuhet në një varg të poetit rilindas Pashko Vasa.
Moderatorja e aktivitetit Bryma-Gashi ia dha fjalën edhe autorit të librit, Imer Lladrovci, i cili foli shkurtimisht për librin e tij, kurse një pjesë të fjalës së tij ia kushtoi zhvillimeve më të reja politike në Kosovë. Figura historike e Gjergj Kastriotit-Skenderbeut ka një rrezatim të tillë edhe në ditët tona, saqë me të vërtetë çdo politikan i kohës sonë do të duhej të pyeste veten sesi do të vepronte në këtë moment Gjergj Kastrioti-Skenderbeu. Lladrovci tha se zvarritja e konstituimit të Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve të suksesshme të 9 shkurtit përbën një brengë të madhe për të gjithë qytetarët e Kosovës. Një demokraci sigurisht nuk funksionon sipas diktateve, mirëpo edhe në demokraci ka rregulla e ligje që i zgjedhin mosmarrëveshjet. Kushtetuta e Kosovës nuk është e përsosur, por bllokada e tanishme nuk është rezultat i mangësive të kushtetutës në fuqi. Çështja është se një problem teknik është kthyer në çështje politike, por askush nuk do ta marrë përgjegjësinë për këtë transformim. Ekzistojnë mundësi reale për zgjidhjen e konflikteve të interesave, mirëpo këto mundësi po injorohen nga faktorët politikë. Shkurt, nuk shihet vullneti i mirë për ta zgjidhur këtë nyje. Demokraci do të thotë relativizim i pozicioneve të një pale në funksion të zgjidhjes më të mirë. Dikush ndoshta mund t‘i ketë numrat, por s‘i ka idetë. Demokraci do të thotë edhe respektim i përmasave. Pa respektimin e tjetrit, nuk mund të bëhet politikë demokratike.
Organizatori i tubimi z.Latif Krasniqi bashkë e me bashkëshorten e tij, Valbona Krasniqi, ndanë në fund të aktivitetit mirënjohje për kontributin e dhënë per lirinë e Kosovës. Gjeneral Nasim Haradinaj , Prof Dr.Hajriz Ahmeti, Imer Lladrovci dhe Ylber Gegen morën mirënjohjet e organizatorit. Djali i atdhetarit qëndrestar Hysen Gega, Ylber Gega shprehu falenderimin e tij ndaj organizatorëve, kurse për kontributin e tyre ndau çertifikata mirënjohjeje për prof. dr. Ahmet Hajrizin, dr.Sabedin Mustafën, Haxhi Krasniqin, Afrim Ajredinin, Valbona Krasniqin, Adnan Kaqiun dhe Shyqeri Bytyqin. Mësuesi Izri Rexha me nxënësit Eron, Ferona dhe Klea Mujaj iu paraqit publikut me poezinë “Vendi Im“.