Shkruan: Arenc Leka – Violinist/
Mikpritja, që iu bë Sopranos Inva Mula në Town Hall, ishte një nga koncertet e muzikës klasike më të munguara prej vitesh nga audienca Shqiptare e New York-ut.
Mbasi kaluan 25 vjeçarin e parë jashtë Mëmëdheut, mërgimtarët Shqiptarë kanë akoma për zemër kulturën e këngët që iu sjellin emocione nga jeta në atdhe. Dhe si përmbushje e një boshllëku shumë vjeçar na vjen pikërisht në momentin e duhur Koncerti dhe CD-ja “Per Ty Atdhe” e sopranos Inva Mula.
Pa dyshim koncert me vlera te jashtëzakonshme i arritur në kohë të shkurtër dhe me volum pune te ngjeshur, shpërblen mundin shumë vjeçar të treshës – Mula, Tukiçi, Llapaj
Dalja në skenë e Inva Mulës bëri që salla të ndjente peshën e një artisteje dinjitoze. Një artiste e rrallë në llojin e saj, që na perfaqëson kudo ku jemi,, që arrin atje ku nuk arrin gjithkush, që kapërcen ato vështirësi që është e pamundur për shumëkënd,,, që emocionon dhe ngre në këmbë çdo botë Shqiptare dhe ndërkombëtare. Respekt për të !!!
Ishte përvoja e dirigjentit Bujar Llapaj bashkë me Artistët, që ndërthuri, aplikoi dhe përshtati në terren, tipike Shqiptare kjo e fundit, atë që i dha suksesin “Per Ty Atdhe”.
– Më kot nuk thonë se – Diamanti,i vogël është, por vlerën e ka të madhe.
Mbështetja drejtuese e Pianistit dhe Kompozitorit Genc Tukiçi ndjehej në çdo detaj të kësaj mbrëmje emocionuese. Harmonizimi i ri i këngëve prej tij, të sillte në mëndje gërshetimin e kultivimeve muzikore herë herë Hollivudiane, herë herë Shkodrane, remineshenca të Take Five, duke na fluturuar me drone përfytyrimin tonë në çdo skaj Shqiptar ndër filma e koncerte të së kaluarës dhe të tashmes. Një ngjyrim krejtësisht i ri i munguar në harmoninë klasike tipike Shqiptare.
Shpresojmë që kënga e Nënë Terezës t’i ngrejë edhe më shumë ato vlera të merituara plotësisht prej tij.
Sopranoja nga Shkupi, Dëshira Ahmeti Kërliu, një surprisë tjetër e Koncertit “Per Ty Atdhe”.
Jo vetëm që ka nje zë tipik të veçantë sopranoje të ngohtë e të gjerë, por harmonizimi i saj me Invën bëri pa dashur edhe atë bashkim Sopranor simbolik Shqiptar.
Kontributi i këngëtareve Kreshnik Zhabjaku dhe Riad R. Ymeri ishte një gjetje tjetër shumë e bukur e koncertit. Të dy në solot dhe duetet e tyre sollën ngjyra te vecanta interpretimi. Mbeshtetja që i dhanë Invës gjatë koncertit zëvëndësoi ne disa raste edhe korin me harmonizimet e tyre. Të dy të përsosur dhe të duartrokitur denjësisht.
Igli Tuga na përçoi tingujt kadife të kulturave Shqiptaro-Amerikane duke filluar me gërrnetën e kabasë Shqiptare e deri tek befasimi natyrshem swing i klarinetës se Benny Goodman. Edhe ky talent i dalë po nga shkolla Shqiptare.
Në përzgjedhjen e repertorit janë këngët më madhështore të muzikes klasike Shqiptare.
Hapja e siparit me muziken e filmit ” Skenderbeu” te Çesk Zadesë u dha Shqiptareve ate çka prisnin,,,,për të kaluar tek tjetra këngë “Per Ty Atdhe” e Pjeter Gacit.
Më pas “Shqiperi o Vendi Im” i Avni Mulës, “Fjalët e Qiririt” e Limoz Dizdarit, “Per Mëmëdhenë” Mihal Grameno, “Goca e Kaçanikut” Rauf Dhomi, “Unë Biri Yt Kosovë” Feim Ibrahimi, ” Vals Hyjnor” Genc Tukiçi, ” E Dua Shumë Shqiperinë” Thoma Avrami, ” Alfabeti” P. Qiriazi.
Për publikun që është rritur dhe edukuar me këte përzgjedhje këngësh dhe kulture ,,,,Bota Shqiptare e moshave të thyera dhe atyre më pak në moshë se mosha e trete, rrënqethjet dhe lotët ishin pjesë e kënaqesisë së paparë e ketij publiku të përzgjedhur. Të ardhur posaçërisht për atë që prisnin dhe njihnin, të përkushtuar për koncertin,,,, e për të mos thënë se gjysma e Tiranës të zhvendosur në New York ishte e pranishme në këtë Gala të jashtëzakonshme! Nuk ka pasur koncert me prani më të madhe pjesëmarresish se sa ky i fundit gjatë 25 vjetëve të fundit në NYC. Publiku i mbrujtur me këte kulturë i dhuroi konfort e shumë dashuri këngëtarëve.
Emocione te papërshkrueshme patën dhe Artistet tanë te cilët ndoshta nuk imagjinonin dot, një mbështetje kaq të madhe nga komuniteti Shqiptar i New Yorkut.
Të mos harrojmë se jo cdo i ri / e re, e njeh këtë muzikë nga brezi i mbas ’90 të rritur jashtë shtetit. Për aq më tepër, muzika klasike nuk ka qënë pjesë në edukimin e këtij brezi që çdo herë e më shumë i largohet kësaj muzike. Shumë prej tyre të pranishëm për herë të parë në këtë koncert panë se ky komb ka edhe një muzike tjetër tradicionale nga ajo që kanë dëgjuar deri më parë.
Shpresoj që Inva Mula ta thyejë edhe këtë akull të fortë, për ti hapur derën e madhe një brezi të ri, që me diturinë e tij ka arritur majat e Wall Street-it,,, por jo ato koncertore klasike të Metropolitanit në Lincoln Center.
Nga Arenc Leka
Violinist, New York – 3 Prill 2016