Sevi Lami Agolli/
Si t’i shkruajmë saktë disa fjalë të reja të futura në leksikun e gjuhës shqipe? Çdo sistem gjuhësor, ashtu si çdo sistem tjetër i gjallë, zhvillohet vazhdimisht. Edhe gjuha shqipe është një sistem i gjallë që zhvillohet çdo ditë, duke marrë dhe dhënë me gjuhët e tjera. Kjo bën që fonti leksikor i gjuhëve që ndërveprojnë, të marrin dhe të japin me njëri-tjetrin. Nga ky ndërveprim, sot në leksikun e gjuhës shqipe janë shtuar një mori fjalësh të huaja, sidomos nga gjuha angleze, frënge, italiane, gjermane, gjuhët sllave etj.
Sipas prof. Ragip Gjoshit, “gjuha shqipe është prej gjuhëve të pakta, të cilat terminologjinë gjuhësore e kanë nga vetë brumi i tyre, falë punës madhore të S. Frashërit, K. Kristoforidhit, A. Xhuvanit, L. Gurakuqit, J. Rrotës, M. Domit, Sh. Demirajt etj. Huazimet në gjuhën shqipe nisin që në kohën e veprimtarëve të Rilindjes, të cilët futën në përdorim fjalë të huaja nga terminologjia administrative, juridike, gjuhësore, e edukimit, e teknologjisë së komunikimit, e arsimit etj.”. Faktorët që kanë ndikuar dhe ndikojnë më së shumti në dukurinë e huazimeve në gjuhën shqipe janë faktori gjeografik (pushtimet nga vende të ndryshme dhe afërsia me popujt e tjerë); globalizimi (përhapja e termave shkencorë të papërkthyeshëm në shqip); migrimi, arsimimi jashtë vendit i të rinjve, folësi dygjuhësh, globalizmi, martesat e përziera, mosnjohja si duhet e leksikut të gjuhës shqipe nga përkthyesit dhe jo vetëm, që lë shtigje për futjen e huazimeve, shumë herë të panevojshme në gjuhën tonë etj. Pra, rrugët e futjes së huazimeve në shqipe janë të shumta dhe secila prej tyre ka rëndësinë dhe specifikën e vet.
Një ndër këto fjalë të huazuara dhe me një përdorim të dendur sot është edhe fjala “MEDIE”, që vjen nga fjala latine “medius”, që do të thotë “i mesëm” ose “i ndërmjetëm”. Ky term filloi të përdorej pas vitit 1920, për të emërtuar tërësinë e gazetave të asaj periudhe.
Sipas fjalorit të gjuhës shqipe të vitit 2006, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, médi/e-a është tërësia e mjeteve të informimit masiv (radio, televizion etj.); rrjeti i lajmeve nëpërmjet këtyre mjeteve; masmedie. Duke qenë se në leksikun e gjuhës shqipe nuk ka një fjalë shqipe që shpreh kuptimin e plotë të kësaj fjale të huaj, e cila ka një përdorim aq të dendur në ditët e sotme, atëherë gjuha shqipe e ka bërë “nevojë” të vetën përdorimin e këtij huazimi, si dhe të shumë e shumë termave të tjerë teknikë, shkencorë etj.
Mirëpo në gjuhën shqipe, bashkë me futjen e kësaj fjale për të emërtuar një ose tërësinë e mjeteve të informimit, është futur edhe debati gjuhësor se si të përdoret saktë kjo fjalë sipas rregullave të shqipes. Disa studiues shprehen për format dublete të saj: media/medie; medias/medies; mediet/mediat; mediave/medieve etj., disa të tjerë shprehen për shmangien e këtyre formave dublete, që sjellin edhe çoroditje ndër shqipfolës, edhe pse në rrethe akademike nuk ka një argument bindës për këtë. Dhe për sa kohë nuk kemi një rregull gjuhësore të miratuar për këtë fjalë dhe fjalë të tjera të futura tashmë në leksikun e gjuhës shqipe, le të ecim sipas mendimit të profesionistëve të fushës, të cilët sugjerojnë përdorimin e trajtave të kësaj fjale, sipas tabelës së lakimit më poshtë: