NGA MUSTAFA KRUJA/*
“Dënimi i Malvy-ut âsht’ shuplaka mâ e rânda qi i âsht’ dhânë shpirtit të mirë të partís pararojse pas vrasës se Jaurés-it. Na nuk do të hudhim vaj në zjarm; me gjith’ mënít e mia kundra gjygjtaret, me gjith’ sympathinë qi kam për të denuemin e “Gjykates së Naltë”, nuk do të baj farë gjâje, un’ për vete, për me ndezë idhnimin, atê idhnim qi na ndîejmë kundra gjygjtaret të “Gjykatës së Naltë” e kundra Clemenceau-it auktorit të vërtetë të dënimit : a kemi njêqind mijë herë mâ mëni Gjermanvet, e sod, si më të nesret te vrases së Jaurès-it, na nuk do te kemi tjetër anmik përveçe zaditësit!”.-Gustave Hervé./
Njeriu i arsyeshëm nga çdo ngjasë me rândësí qi sheh e ndëgjon në botë mundohet me tërhekë nji mësim për vete. Shprovimi âsht’ gjithmonë nji kohë e humbun ; por shum’ herë del edhe i dâmshëm e fator (fatal). E bash prandej të mêndshëmit e t’ urtit e motshëm na e kanë lânë me fjalë qi të marrim mësim prej shprovimevet të botës, saku me i bâ shprovimet vetë.
Gjygji i Malvy-ut në Francë, ka njê rândësi të posatshëme. Ay vênd i çudítshëm s’ka prâ kurrë tue i tregue botës, si nëpër shekujt e kaluem ashtu për të gjatë luftës së sodshëme, shêmbllat mâ të shkëlqyëshmit të moralit, t’atdhetarís e të sa e sa vërtyteve të tjera, si edhe ata mâ të vështvishëmit të poshtërsís, të tradhtís e të çdo farë faqesh të zeza qi pak popuj tjerë i njohin në vêndin e tyne. Kush ka këndue me oroe historín frênge e ndjekë me rregull e sy të prehët faktet e armvet të këtyne katër vjetve, do të na japë doemos arsye për sa po flasim.
Në gati të tâna vêndet qi gjinden në luftë gjêjmë shêmblla dënimi për “tradhtí të naltë”. Por “tradhtía e naltë” âsht nji dëftim ligjor qi s’i përgjigjet për herë së vërtetës. Gjermani Liebnecht, shoqalist deri në palsë, me mênd e me shpirt, mblodhi shokët e vet dhe i duel si burrat shesh për shesh nji qeverie qi e gjykonte si njê klikë gjaksorësh të popullit gjerman edhe të gjith’njerzís luftarake. Pra, burri me karakter e me vërtyte kreshnike, nuk u tut aspak me i dalë asaj qeveríe ballë për ballë e me shpatën shoqaliste në dorë. Por sa pare? Sod gjindet në burg, i dënuem me “tradhtí të naltë!”. Njê tjetër shqipe e kombsís italiane, Cesare Battista, deputet i Trentës në Parlamentin austriak, iu rrebelue mbretit të vet, sundimit të tij mbi njê vênd ku gjaku e gjuha ishin italianë, duel nga parlamenti e, me pushkë në dorë, vajti e zûni ledhinat italiane në ballin e luftës ; u zû gjallë dhe ligja austriake bâni detyrën e vet : e dënoi me “tradhti të naltë” dhe e vari!
Casament-i, quejti mâ anmik Britanín e Madhe, qi mban kombin e tij irlandas ka nji shekull nên robní, se Gjermanín me të cilën u lidh kundra asaj. Por posa ra ndër thôjt e ligjës qi e njihte nên urdhën kryengritës të saj e gjeti veten në grykët të mitraljozit!
Oh, ç’lumni e ç’ nderë për ta!
Në Francë, por, në sa dënime qi kanë ngjamë der sod, nuk gjêjmë as nji nga këto tradhtí rrênse qi e bâjnë njeriun me vuejtë e me vdekë në lumni e me nderë. Përkundra, të gjithë ata qi kanë gjetë burgun a varrin pas nji gjygji të rregullshëm, gjer te Malvy-u i mërguem, kanë qênë tradhtorë të vërtetë të kombit e t’ atheut të vet.
Malvy-u për shum’arsye nuk hŷn në radhët t’atyne krijesave të poshtëme. Malvy-u qe, për trí vjet e sa, në kohë lufte, në kryet të mâ të randsíëshmes ministrí, të Ministrís së Punvet të mbrêndshëme, të cilën e ka urdhënue e rregullue pas kriterevet të veta e të partís së tij; e rubas si në Francë partítë kanë pak të vështirë t’a shtypin njêna tjetrën edhe pa faj, por veç t’i gjêjnë ditën, Malvy-u, thonë, sod po merret më qafë vetëm si antar i nji partie politike e cila s’i pëlqen asaj qi ka fuqín në dorë. Ai âsht radikal, domethânë se i afrohet mâ fort se çdo tjetër partí, politikës shoqaliste. Madje nji pjesë e madhe e padisë qi iu bâ ish pse ai qe sjellë tepër i butë me puntorínë, krênët e projtësit e tyne, të cilët formojnë, gati, nji partí me shoqalistët.
Malvy-u, në gjygjin e tij, në Gjykatë të Naltë, pati për vete, jo vetëm tre ish-kryeministra mâ të përmêndëm e sa burra të tjerë të ndëgjuem, por edhe nji tok gjyqtarësh qi formojshin pak mâ mêt se gjymsën e gjykatës. E pra ishte e natyrshme qi nji pjesë e madhe e Francës të ngilte e idhnueme prej dënimit të tij.
Por ç’ka? “Në vênd!… ngulun e sŷt m’anmikun!… bërtet Gustave Hervéi, pioneri i shoqalismës frênge! Nuk âsht sod dita me u hângër vëlla me vëlla! Le të na vrasin, le të na dënojnë, le të na marrin nëpër kâmbë sa të duen e si t’u pëlqejë : shkoftë nâma e mallkimi i atdheut mbi kryet të tyne!”
E nuk mund të flasin e të bâjnë ndryshe njerzit e pjekun atdhetarë të vërtetë.
O!… si na rrënqethet mishi kurë mêndojmë sjellën e disa bashkatdhetarve t’anë qi për me i dalë zot s’díj se kujt, lânë pas kurrizi interesat e të tânë njê kombi, harrojnë atdheun, për të cilin s’kishin për të kursye as jetën e tyne, bërtasin, thërresin, shkunden e përpushen të zêmruem e t’ egërsuem për me i mbushë mênden shekullit se Hasani âsht i drejtë e Huseini i shtrêmbët, Lleshi i zoti e Gjoka pa mênd, Dhimitri atdhetar dhe Mihali tradhtor, plaku âsht Zoti e i riu Djalli!… O, të mjerët na! E pse kështu? A thue pse s’duem Shqipnín? Jo! Se, si thamë mâ nalt, njohim shumë vëllazën të dashun e miq të ndershëm prej ksi fatkëqijsh qi për njê pëllâmbë t’atdheut s’mêndojnë të kursejnë as shpirtin. Po pse pra? Cili âsht shkaku i këtij kobi të madh? Kurrgjâ tjetër përveçse pazotsia me çmue rreziqet e mëdha për atdheun të nji aso farë sjellje. Pazotsia me kuptue se pleqt vdesin, të rijtë plaken e atdheu âsht atdhe e ngel atdhe e qi vetëm e vetëm për atê duhet me e përdorë mênden, shpirtin dhe trupin, gojën dhe pêndën; e jo, kurrë, në nji të këtillë kohe e të këtilla rasa qi na qarkojnë sod, kurrë për me ruejtë e pruejtë njerëz kundra njerëzve!
Jaurès-i ishte “leader” i shoqalistvet të Francës, ndera e gojtarís dhe faqia e bardhë e doktrinës shoqaliste në të tânë botën. Kundrështarët e tij, të politikës së tij, të cilvet u ishin bâ trûtë thjesht tym e barut, i futën nji pushkë, posa kish nisë lufta, se e kujtojshin nji rrezik gjallnín e tij për at rrugë qi dojshin me ndjekë. E ç’bânë atëherë shoqalisma e gjithë puntoria frênge? Detyrën e vet : me dhâmbë të shtrënguet mbyllën gojën, forcuen bashkimin për me shpëtue atdheun prej anmiqvet të përjashtëm.
“Dënimi i Malvyut – thotë Hervéi – âsht shuplaka mâ e rânda, pas vrasës së Jaurès-it, për partín shoqaliste e puntore ; por : shtrëngoni rrjeshtat e sŷt ke anmiku!”.
E na, qi nuk kemi – se s’mund të kemi – partí e doktrina të vërteta, kërkojmë shkak të zîhemi kot njêni me tjetrin, krijojmë partína e krijojmë krênë, u japim këtyne nji rândësí e fuqí hyjnore dhe pastaj u biem në gjûj e u falemi ; bûj e u falemi; bâhemi aqë fanatikë në kët’idhulatrí të re e të çudítshëme, sa deri atdheu na del mêndsh e zêmret. O Zoti i Shqipnís na ço e na ndriço!
*Mak.Gazeta “Kuvendi”, 15 gusht 1918