Nga IDAJET JAHAJ/
Jemi mësuar që heronjtë t’i kërkojmë e t’i njohim nga historia, nga e kaluara. Por harrojmë që shpesh ata, ose ato, janë edhe në kohën tonë, para nesh, e na duken të zakonshëm. Na bëjnë përshtypje me idealizmin e tyre, na rrisin admirimin me përkushtimin e tyre ndaj idealeve të një fushe të caktuar të veprimtarisë, veçanërisht atë atdhetare, e cila është më e qenësishmja ndër shqiptarë.
Fusha e arsimit kombëtar është nga më magjiket në këtë drejtim. Dhe, e arsimit jo vetëm këtu, në trevat brenda shtetit tonë, por edhe jashtë tij, në vendet fqinj. Kjo fushë, jashtë atdheut, për arsimin shqip, merr heroikë të veçantë. Mësuesit apo mësueset që kanë hapur shkolla shqipe në emigracion janë dyfish të nderuar e të vlerësuar, sepse punojnë me devocion të rrallë, në kuadrin e një vendi tjetër.
Një e tillë mësuese është Lefteri Metkaj, nga Vlora. Ajo ka hapur disa shkolla shqipe në kryeqytetin helen, natyrisht, me lejen dhe mirëkuptimin e enteve zyrtare atje, nga pushteti lokal dhe të organeve qendrore. Shembulli i saj është i rrallë dhe kërkon njohje e nderim të veçantë. Prej vitesh ajo punon në emigracion, në Athinë. Krahas punës për të siguruar jetesën e familjes saj, një pjesë të madhe të kohës ia ka kushtuar punës së mësimdhënies në shkollat që ka hapur për fëmijët e emigrantëve shqiptarë. Ka hapur tri pika shkollore të fillores, por edhe në klasa më të larta. Jep mësim pa u lodhur, në pika të ndryshme të kryeqytetit Helen,ku organizon fëmijët të marrin pjesë në mësimin e gjuhës shqipe. Zhvillon koncerte, ekspozita, teatro, projekte të ndryshme për njohjen e identitetit të tyre. Vazhdon në këtë ndërmarrje të vështirë, por të bukur, duke e konsoliduar dhe zgjeruar këtë veprimtari atdhetare.
Ndoshta termi “heroina” nuk shkon sa duhet, por përpjekjet, përkushtimi dhe rezultatet e një pune të tillë e shprehin këtë nocion. Lefteria, me shoqet që ka aktivizuar, është një mësuese e shquar në klasat e fëmijëve shqiptarë, të cilët, siç thotë ajo, “nuk i shikonte dot të luanin në sheshet e qytetit të huaj, duke folur greqisht”! Dhe përlotohej.
Le të kundrojmë pak kurrikulën e veprimtarisë së saj, si misionare e arsimit shqip. Kjo kurrikul është shumë e pasur. Pas mbarimit të gjimnazit “Ali Demi” në Vlorë, ajo ndoqi studimet në USH të Gjirokastrës, në degën e mësuesisë për ciklin e ulët. Pas studimeve, punoi mësuese në shkollat e qytetit të Vlorës: në “Teli Ndini”, “Marigo Posio”, “24 Maj” e në shkollën Artistike “Naim Frashëri”. Në të gjitha këto ajo u dallua si mësuese e talentuar, plot pasion e përkushtim për detyrat e arsimimit dhe edukimit të brezave të nxënësve. Kurdoherë e lidhur me punën, ajo nuk lodhej duke korrigjuar detyrat e nxënësve, duke u ngulitur atyre njohuri për vendin e kohën. Bile edhe në pushime e shikoje me fletoret e mjetet mësimore për orët e mësimit. Lavdërohej gjithnjë nga drejtoria e shkollës për cilësi e kalueshmëri të lartë në klasën e saj. Shpesh mësimet e orëve të hapura bëheshin tek ajo, si model rezultatesh e metodiste e mirë.
Në vitin e mbrapshtë 1997, kur qyteti gëlonte nga trazirat e rrëmuja pa kuptim, ku të gjitha shkollat pezulluan mësimin, Lefteria, edhe shtëpinë e saj e ktheu në shkollë. I mblidhte nxënësit, që të mos luanin me fishekë, por të vazhdonin mësimet e A.B.C-së, të përfundonin librin e Abetares. Po ashtu, në vitin 1999, priti me dashuri shqiptarët e Kosovës , ndihmoi mësuesit e tyre të sistemoheshin në punë në Vlorë, dha ndihma materiale për ta. Shprehu vullnetin për të qenë pranë fëmijëve dhe familjeve të tyre, për t’u lehtësuar dhimbjen fizike dhe shpirtërore, mundimet raskapitëse të shkaktuara nga genocidi serb, për shfarosjen e shqiptarëve.
Në vitin 2000 mërgoi në Greqi. Ndoqi për dy vite Universitetin e Athinës mësimet e gjuhës greke, organizuar nga Ministria e Arsimit të Greqisë, ku në provimin përfundimtar të nivelit D u vlerësua “MIRE”. Pas çertifikimit kreu shkollën dyvjeçare profesionale për infermieri. U punësua në Spitalin e Athinës. Por mendjen e kishte te profesioni i dashur i mësuesisë në gjuhën shqipe. Trishtohej kur shikonte fëmijët shqiptarë që flisnin me njëri-tjetrin greqisht. Kjo gjë i sëmbonte në zemër. Kjo e shtyu të trokasë e të kërkojë në zyrat e shtetit grek lejen për të hapur shkollë shqipe atje. Fillimisht gjeti shurdhëri, por ja ku u ndodh një grek i arsyeshëm. Ai ishte kryetari i Bashkisë së rajonit ku banonte Lefteria. Ai ia miratoi kërkesën, i dha edhe lokalet ku të hapte klasat. Të tillë njerëz janë humanistë të vërtetë midis kombeve. Ai u tregua internacionalist i lartë. E përkrahu aspiratën e mësimit të gjuhës shqipe nga fëmijët e emigrantëve shqiptarë. “Po t’u mohohej fëmijëve tanë, të grekërve, një e drejtë e tillë”?- u thoshte shpesh shokëve e zyrtarëve. Dhe e përgëzoi mësuesen shqiptare, aq të përkushtuar.
Lefteria hapi disa klasa në zonën e Rendit, në Athinë që në vitin 2012. U shqua si veprimtare në komunitetin shqiptar atje. I mblodhi nxënësit, u gjeti abetare, përpiloi programe. U ndihmua nga motra e saj mësuese, dhe nga disa kolege këtu në Vlorë. Duhet thënë se pati edhe pengesa fillimisht nga organet e pushtetit lokal këtu. E vazhdoi punën fisnike të mësimdhënies, duke patur përkrahjen pa rezerva të prindërve të nxënësve, atje në emigracion. Përmes emocionit të madh u hap shkolla dhe vazhdoi në vite. Lotët e gëzimit për shqipen nuk reshtnin, në çdo shtator, në çdo festë abetareje apo mbylljeje të vitit mësimor. Kjo e lumturonte, I jepte krahë mësueses së palodhur. Prindërit e falënderonin mësuese Lefton guximtare, siç i thërrisnin me dashamirësi emigrantët. Ajo u bë tashmë një veterane e vërtetë e shqipes dhe e diturisë. Pra, prej shumë vitesh ajo vazhdon të japë mësim në disa klasa në Athinë, por ka hapur edhe në lagje të tjera të kryeqytetit. Një heroizëm i vërtetë.
Shqipes nuk u mbarojnë vuajtjet. Por kënga e saj vazhdon të këndohet në shekuj .
Stoicizmi, talenti dhe vetmohimi i kësaj mësueseje janë konstante. Në sa e sa mbledhje , veprimtari, takime, konferenca, në vende të ndryshme të Evropës ka referuar ajo, po për punën e përhapjes së gjuhës së shkruar ndër brezat e rinj të shqiptarëve emigrantë. Në dhjetra . Me të tille atdhetarë e atdhetare shqipja përparon. Mësuese Lefteria, si një cicerone e vërtetë, referon kudo duke propaganduar sukseset e saj. Dhe suksesin e respektojnë të gjithë, edhe humanistët e kombit tjetër. Ka edhe shoqe të tjera nëpër vende të ndryshme të Greqisë apo vendeve të tjera, ku banojnë shqiptarë, që kanë hapur klasat e mësimin shqip, por Lefteria dha shembullin e para në Athine, dhe e përhapi më shumë se të tjerat këtë ndërmarrje të guximshme patriotike. Si ato rilindaset e dikurshme. Bukur e tha Zv. Kryetari i Bashkisë së Vlorës, në ditën e dekorimit të kësaj mesueseje, në Vlorë: ” Ju thoni që Lefteria u ngjan atyre grave rilindase. Por ajo është vetë, që tani, një rilindase e vërtetë”.
Nuk mjaftoi me këto veprimtari, por ajo, si një humaniste e palodhur e kulturës atdhetare, sponsorizoi edhe dy libra me vlerë fondamentale për kulturën e Vlorës, librat e një autori vlonjat “Kur çelin shkronjat “(rreth 400 faqe) dhe librin tjetër, po aq voluminoz “Gra vlonjate në histori”. Heroikë.