NGA THANAS L. GJIKA*/
Në këtë jetë, si ka thënë i paharrueshmi Peshkop Fan Noli, të gjithë jemi kalimtarë. Kush më shpejt e kush më vonë largohet nga jeta duke lënë pas kujtimin e tij. Të lesh një kujtim të mirë është gjëja më me vlerë që mund t’u lesh pasardhësve të tu. Nuk ka rëndësi se sa gjatë rron, se çfarë postesh e pasurish ke pasur, se çfarë postesh dhe pasurish u le pasardhësve. Rëndësi më të madhe ka të lesh emrin e mirë, sepse emri të ndjek edhe pas vdekjes. Askush nuk do, që pas vdekjes, njerëzit e tij të ndjehen me turp, kur t’i përmendet emri, por secili do që familjarët dhe miqtë e tij të ndjehen krenarë.
Ju keni dëgjuar, që pasi largohet nga jeta një njeri i mirë, thuhet: “Zoti e ndjeftë, ishte zemërmirë!” Por unë, që e njoha nga afër jetën e familjes Qeleshi, po ju them se Mihallaqi ishte një nga ata burrat e rrallë, për të cilët thuhet në mënyrë figurative: “Ai e kishte zemrën më të madhe se krahërori”. Dhe kjo shprehje thuhet për një njeri që e ha jetuar jetën si qytetar i ndershëm që u ka qëndruar larg tundimeve të djallit, që ka punuar e jetuar si trim, që ka mbrojtur të vërtetën, që ka përkrahur të dobëtit dhe ka ndihmuar të varfërit. Për ne që jetojmë larg atdheut ka rëndësi të ndihmojmë mëkëmbjen e komunitetit, pra dhe të institucioneve fetare dhe shoqërore që na bashkojnë dhe na përfaqësojnë në diasporë. Të gjitha këto aspekte të jetës Mihallaqi i ka plotësuar në mënyrë shembullore që në rininë e tij.
Ai u lind në Korçë më 31 gusht 1954 në një familje atdhetare që kishte qenë e lidhur ngushtë me Luftën Antifashiste në krahun e Partisë Komuniste, por që kjo parti pasi erdhi në fuqi i shkaktoi shumë trauma kësaj familjeje. Mihallaqi ëndërronte të bëhej mjek për të shëruar njerëzit nga sëmundjet, por pas arrestimit të dytë të babait, atë e dëbuan nga Fakulteti i Mjekësisë dhe e detyruan të punonte vetëm punë krahu. Në jetën e tij pas kësaj ngjarjeje ky djalosh shpesh herë gëlltiti më shumë lot se bukë. Të tillë ishin momentet kur pas dënimit të babait me 25 vjet burg, nëna u trondit rëndë dhe u shtrua në spitalin psikiatrik të Elbasanit dhe e vogla Katerinë e Mihallaqi mbetën jetimë edhe pse babanë dhe nënën i kishin gjallë. Pas ca kohe u erdhi fëmijëve nga burgu një porosi nga babai: “Mihallaq dhe Katerinë, mos ajdeni të më takoni në burg!” Dy fëmijët, që e dinin sa i dhemshur ishte babai i tyre, u prekën thellë nga kjo porosi me të cilën ai ia mohonte vetes mundësinë e takimit dhe të çmalljes me ta. Por, ish-komunisti Thanas Qeleshi donte t’i shpëtonte fëmijët nga pasojat e politikës çnerëzore të asaj kohe.
Tronditës ishte për Mihallaqin dhe takimi i parë me babanë në burgun e Gjinokastrës pas 13 vjet ndarjeje. Për fat të mirë me të kishte shkuar në atë takim dhe Agroni, burrin i Katerinës, për ta shoqëruar e kurajuar. Kur u organizua takimi, baba Thanasi nuk dha asnjë shenjë njohjeje. Edhe pasi Mihallaqi i tha se kush ishte, babai iu përgjigj: “Nuk të njoh”. Djali, i trembur se mos vitet e jetës në izolim ia kishin shkatërruar kujtesën. Iu afrua dhe i tha: “Baba jam unë, Malaka, si më thërrisje kur isha i vogël. Nuk të kujtohet? Përqendrohu!” Me lot në sy iu afrua babait dhe e përqafoi. Pastaj i tregoi se ai dhe Katerina ishin martuar dhe se të dy kishin nga dy fëmijë, ia prezantoi Agronin, dhëndrin e tyre. Pas kësaj, at e bir u qetësuan, por shqetësimet nuk iu ndanë as babait as të birit edhe pas daljes nga burgu. Regjimi u ndërrua , por demokracia e vërtetë, si e donin të përndjekurit e vërtetë të ndërgjegjes si Thanas Qeleshi dhe fëmijët e tij, nuk erdhi. Trazirat e vitit të mbrapshtë 1997 i detyruan familjet e përndjekura të Mihallaqit dhe të Katerinës të kërkonin strehim politik në ShBA, ku erdhën më 1999.
Jeta në Amerikë, ku ka më shumë demokraci se kudo, i dha mundësi Mihallaqit të shpalosë më mirë aftësitë e tij. Ai provoi punë dhe zanate që nuk i kishte menduar më parë. Duke punuar me ndershmëri, guxim dhe zemër të hapur arriti të bëhej biznesmen që diti të fitonte dollarë dhe t’i prishte si duhej për të shijuar jetën bashkë me familjarët dhe shoqërinë.
Me jetën e përkorë si anëtar dhe veprimtar i Kishës “Fjetja e Shën Mërisë”, si anëtar i regullt i “Federatës Vatra” dhe abonent i gazetës “Dielli”, si qytatar aktiv në face book-un e tij, ku shkruante komente të mençura; si bashkëshort, si baba e gjysh shembullor; si shok e mik i dashur i shumë shqiptarëve dhe amerikanëve, Mihallaq Qeleshi e realizoi ëndrrën e tij për t’u bërë mjek. Ai u bë Mjek, me “M” të madhe, sepse me jetën dhe punën e tij na ndihmoi dhe do na ndihmojë, jo thjesht për të shëruar sëmundje e plagë në trupat tanë, por për të na treguar rrugën e qytetarisë së ndershme për të na shëruar dhe shpëtuar shpirtrat tanë.
Të gjithë ne që kemi qenë shokë e miq të Mihallaqit do ta mbajmë kokën lart sa herë të përmendet emri i tij, prandaj ju lutem dhe familjarëve, bashkëshortes Efi, vajzave Mariolla e Adelaida, dhëndurëve Scot St. Jean dhe Jani Tego, si dhe mbesave Jessica, Savanah, Brielle dhe Allison, mos u dëshpëroni për largimin para kohe të njeriut tuaj të dashur, sepse ai iku sipas thirrjes që iu bë prej Zotit. Këtë Thirrje, si tha Julia në poezinë e saj dhe Father Mark sot, shpirti i tij e ndjeu, prandaj këto muajt e fundit bëri disa gosti për të lënë kujtime të gëzuara, dhe në mbrëmjen e 22 dhjetorit 2019, shkoi i ngopur nga jeta me suksese.
Lamtumira që i dha mbrëmë komuniteti ynë me pjesëmarrje të jashtzakonshme para dhe pas trisaisë që mbajtën Father Mark Doku dhe Father Nicolas Apostula, tregoi se largimi i këtij njeriu të mirë nga gjiri ynë, frymëzon dhe nxit për afrimin me njëri tjetrin, për afrim me kishën tonë që na bashkon nga lindja deri në vdekje…
I Përjetshëm qoftë kujtimi i të dashurit dhe të mirit Mihallaq Qeleshi!
*Fjalimi i mbajtur gjate ceremonise percjellse.