Nga Artur Vrekaj/
Poeti jeton të sotmen duke vargëzuar më shumë për të nesërmen.
Ai vërtet nuk fle ose fle shumë më pak se të tjerët.
Endërron dashurisht të nesërmen që të jetë e bukur për të gjithë, pa dallim.
Për të bardhët, të zestë, të verdhët e rracëshartuarit.
Edhe për të salindurit, edhe për të palindurit .
Ashtu si lulërimi, edhe trashëgimia e jetës njerëzore ka bukurinë e saj.
Nëse lulet flasin me gjuhën e ngjyrave, njerëzit ua kanë dhënë këtë mision poetëve pa ndonjë testament.
Sepse ata dinë :
të përzgjedhin fjalën që duhet të vargëzojnë;
ta duan dashurisht vargun si nëna – fëmijën;
të plotësojnë sadopak atë zgavërim shpirtëror që krijohet nga plagë të vjetra e të reja.
Poetët lindin vetvetiu. Pa mik.
Kemi fat që pasioni i përzgjedh poetët.
Poetët nuk bien nga qielli. Ata e zbresin qiellin në sytë Tuaj.
Ata dinë ta thërresin Diellin edhe në ditë me re.
Sepse edukojnë e zbukurojnë jetesën në komunitet. Pa detyrim.
Thjesht me respekt njerëzor të njeriut ndaj njeriut por edhe të mirësjelljes së njeriut ndaj natyrës.
Poeti sugjeron më shumë ligjet e pashkruara që e zbukurojnë jetën, sepse ato vijnë përmes gjakut pse jo edhe përmes vargut poetik.
Këtë nënkupton dhe me vargje!
Mirëkuptimin.
Për më shumë harmoni.
Sepse nuk ka shkollë dashurie!
Përvec asaj dashurie që kemi në gene prej prindërve, por edhe permes trashëgimise dashurore po prej tyre ne na duhet ta ushqejmë dashurinë me ëndrra dhe me fjalëmjalta të përditshme!
Vetëm poeti e hymnizon këtë fakt.
Se jeta ka vërtetë kuptim!
Si ligji i gravitetit!
Si dita me Diell!
Si e qeshura e bujkut në arë kur ka marrë frytet e të lashtave që ka mbjellë.
Si buzëqeshja jonë e lindur dashurisht fytyrave tona njerëzore si nënkuptim i sa e sa fjalëve të pathëna për të dashurit tanë.
Ndaj pasioni thërret poetin që ta përsosë edhe fjalën e pathënë!
Ti kemi shpirtrat e lulëruar edhe kur pranvera vjen vonë!
Se ka poetë ndaj edhe lulërimi është ndër ne edhe i pandihur nga ne.
Nëse mbjellim të gjithë nga një lule si shprehje e ëndrrave të bukura që shohim apo duam të shohim, patjetër që do të frymëzojmë më shumë vajza e djem të bëhen poetë.
Dhe shoqëria do të mrekullohet më shumë!
Sikundër cdonjëri nga ne! Do të marrë më shumë erë parfumi të freskët!
Edhe Dielli do të ndritë më shumë kur do të shohë njerëz të lumturuar.
Sepse sheh më shumë dashuri të ripërtërië ndër ne!
Edhe një poet i vetëm përndez ndjenja të forta tek njeriu sikundër tek një shoqëri e tërë!
E thërret koha!
Zoti ja bën më të lehtë misionin kur e ngre edhe këtë të fundit nga gjumi!
Që gjurmët e vargjeve të mbeten edhe gurëve si qemerë të domethënieve të jetëve tona!
Se ka një horizont që pret ta puthë Diellin, ndaj ka njerëz të bukur jetëdashës e vargjedashës që vërtet dinë të lumturojnë shpirtat me lexim të parë!
Ndaj edhe poeti shtegton qielllëndinave të rrëfejë ëndrrën e së nesërmes në rrugëtimin e pandalshëm të kohës.
Një hap më përpara se të gjithë ne!
Për fatin e ëndrrave të bëra! Jo vetëm për vete!
Ndaj edhe vargjet kanë më shumë peshë mendimi kur u këndohen të gjithëve,
ne!
Dhe misioni i poetit vazhdon! Fjalë pas fjale! Varg pas vargu!
Librat e poetit janë një bashkëbisedim në formë amaneti.
Që përjetësia e fjalës poetike të dritohet më shumë!
Ndaj misioni i poetit është i pambaruar!
26Mars 2013