
Frano Kulli/
Po, po, pardje e kemi përcjellë për në banesën e fundit, në varrezën e përbashkët të Motrave Stigmatine në Vorret e Rr’majit, në Shkoder, Motren Marije. Shkodranë e ma shumë pistullorë, banorë të vjetër e të ri , besimtarë e shumta, por edhe të tjerë laikë, ndërmjet të cilëve e me të cilët ajo kishte bashkëndá rreth shtatëdhjetë vite të jetës së saj. Të përlotun , që nuk do ta kishim ma mes nesh Shejtneshën e gjallë. Se rrallë ndodh e ndoshta kurrë; asnjëherë nuk ka ndodhë që përreth një njeriu të përmblidhet vetëm e vetëm dashuri e respekt e aspak, po assnjë grimë shpërfillje e le mâ urrejtje. Porse besimtarët, në kapërcim të dhimbjes tokësore, të bindur se ajo tash e masandej , përjetësisht do të lutej për ta atje në qiell e kanë forcen e kapërdirjes të lotëve, që ua jep besimi. -Nuk kam ardhë të lutem për të – më tha dom Gjergj Meta, Ipeshkvi i Rrëshenit, mbas meshës së Dritës në Pistull, pranë arkëmortit të Motrës Marije, po kam ardhë t’i lutem asaj që tash sodit fytyren e bukur të dhëndërrit hyjnor, të cilit i qëndroi besnike në kohë të vështira, që të lutet për ne. E sigurisht që më përmalloi mua e të tjerët e pranishëm, miku i çmuar, dom Gjergji me kumtin e vet. Të nesërmen, në meshën e salikimit, që u dha në Kishën e vogël të Motrave Stigmatine, (e jo në Katedrale) në Shkoder ishin përsëri ata, pistullorë të ardhur prej katundit e shkodranë besimtarë, adhurues të shejtneshës së gjallë. Meshen e bashkëcelebroi Imzot Massafra, Arqipeshkvi i Shkodrës, me dy Ipeshvijtë e Sapës e të Rrëshenit. Syri të kërkonte në një rast si ky edhe françeskanët, bashkëvëllezërit e Motrës nga Kustodia françeskane…Edhe nga Nunciatura Apostolike, gjithashtu. Po Atit të Shejtë, Papa Françeskut, thua t’ia kishin bërë me dije ??… Në meshën e Pistullit, Dom Simoni, Ipeshkvi i Sapës, të cilin murgesha e kishte pagëzuar në kohën e diktaturës e ripërsëriti në predikimin e vet, ndjesinë që kishte përjetuar kur vetë Papa Françesku, në njërën prej audiencave i kishte bërë pyetjen retorike : ty të ka pagëzuar Motra… në kohën e diktaturës ? Kurse nga Presidenca e Shqipërisë, nga aty ku përditë jepen dekorata gjithfarësh nuk kishte, të paktën një mesazh ngushëllimi. Po as nga Zotëria e tij Edi Rama. Si kryeministër i Shqipërisë, po as si katolik i shpallur. E as nga Kuvendi i Shqipërisë, po ashtu….Si duket rastin për të nderuar vehten e institucionet e shtetit shqiptar me një homazh për një heroinë të heshtur të besimit të shqiptarëve e kishin shpërfillur. Kurse nga mediet pareshumta që përditë përdhosin vetëemrimin e tyre kombëtare me trushpërlarjen e shqiptarëve edhe pritej mungesa, në raste si ky ku gjëndet e nderohet virtyti…Ata na e vërtetojnë përditë se s’është ky as qëllimi e as destinti i tyre… Mjerimi i shoqërisë sonë ky ! Dhimbja jonë e përbashkët kjo ! Po kush ishte Motër Marije Kaleta ? Ishte ajo murgesha, që me rrëfimin e saj më 21 shtator përloti edhe vetë Papa Françeskun në Katedralen e Shën Palit në Tiranë, ia ka kushtuar herët jetën besimit te Zoti. Që nga momenti i shfaqjes së thirrjes, në Kuvendin e motrave stigmatine në Shkodër dhe pas pak vitesh e nxjerrë jashtë me dhunë, në marsin e vitit 1946 bashkë me simotrat e tjera stigmatine, nuk është shmangur për asnjë çast nga kjo rrugë. Prej aty kthehet në Pistull, në fshatin ku familjen e saj, dy prindërit Ejllin dhe Shuken së bashku me të, i kishte sjellë dom Ndoc Suma, xhaxhai i saj i caktuar famullitar në atë fshat. Aty ajo ka përcjellë pastaj gjithë ditët e vitet e saj deri sot, më shumë të vrazhda se të kthjellëta; aty ka vdekur i pari prift i kthyer nga burgimi dhe vuajtja e tmerrshme dhe dy-tre muaj më pas edhe i ati… Pa arritur në mesomoshën e saj, aty ka bërë pastaj, nga pak e përditë, gjërat e zakonshme të mbijetesës, duke filluar nga gjërat e vogla… Lutja ka qenë e para, e përditshmja, e përmbrëmshmja e përhershmja dhe e përjetshmja e saj, e ngrirë në gjunjë, me shikimin e sytë lart drejt Hyjit… Janë disa prej përjetimeve të mia në fëmijërinë e hershme, kur familja e saj, tashmë e firuar në dy gra, ajo dhe e ëma, për rreth një vit kanë bashkëjetuar me ne në shtëpinë e prindërve të mi…E prej blêjve të gramatikës së italishtes së shkollës së saj të Stigmatineve a fjalorit të Cordigniano-s, kemi mërmëritur fjalët e para të gjuhës së huaj. Marija nuk ishte feniksi që u ngrit nga hiri, jeta e saj ka qenë si jetët e të tjerëve, kushtuar besimit në Zotin pa asnjë thyerje edhe në kohën e anti-Zotit, e gatshme për t’u flijuar e martirizuar, ashtu si axha i saj dhe si shumë e shumë prelatë të tjerë përpara tij. Ka pagëzuar fëmijë e ka bërë të gjitha sakramentet që i lejonte petku (rroba) i murgeshës (tashmë i përshtatur) e kujdesshme, por e pafriguar, e dhënë e gjitha Zotit. Ajo ka bashkëjetuar mrekullisht edhe me të ndryshmit, ua ka bërë të gjithëve pa dallim, kush i ka dëshiruar ritet sakramentare të fesë, aq të frikshme për kohën, me një devocion të madh. Rrëfimi i të vërtetave të saj e pati mallëngjyer derisa e ka përlotur vetë Papa Françeskun, në mbrëmësoren me rregulltarët e rregulltaret e Kishës shqiptare në Katedralen e Tiranës, në vizitën e tij të 21 shtatorit të vitit 2014… Dhe ky çasti i saj fatlum e ka shpërfaqur shpirtin e madh të murgeshës së vogël në vëmendjen e shpërndarë të botës. Në librin e tij “Viandanti” [Shtegtarë] (enti botues “Gjergj Fishta, 2009) italiani nga Ferrara, Domenico Bedin, shkruan për Marijen: “Ha ormai 80 anni, piccolina e asciuta come madre Teresa, ma lei é dritta come un fuso ed il suo sguardo é insieme assorto e volitivo. Lavoró tutta la vita in campagna nelle cooperative; ogni tanto, clandestinamente, si trovava con Adelaide e altre amiche da un prete, per celebrare la Santa Messa e confessarsi. Nel suo villaggio e nei paesi intorno tutto sapevano di questa donna segretamente suora, ma nessuno la denunció. Maria divenne il punto di riferimento di ciascun cristiano che di notte o di giorno, con la scusa di scambiare qualche uovo o delle verdura, si recava a casa sua per pregare, ricevere un benedizione, dire il rosario o addirittura far batezzare un figlio”.(Është tashmë 80 vjeçe, trupvogël dhe e dobët si Nënë Tereza, por ajo është e drejtë si një bastun dhe shikimi i saj është i zhytur në mendime (i përhumbur) e në të njëjtën kohë i vendosur. Punoi gjatë gjithë jetës në fshat nëpër kooperativa; herë pas here, në mënyrë klandestine, takoheshin me Adelaiden dhe me shoqe të tjera te një prift, për të celebruar Meshën e Shenjtë dhe për t’u rrëfyer. Në fshatin e saj dhe në vendet përreth, të gjithë e dinin që kjo grua ishte fshehtas një murgeshë, por askush nuk e denoncoi. Maria u bë pikë referimi për çdo të krishterë që natën apo ditën, me pretekstin se donte të shkëmbente ndonjë vezë apo perime, shkonte në shtëpinë e saj për të marrë një bekim, për të thënë rruzaren apo madje edhe për të pagëzuar një fëmijë.) …Paç dritën e amshueme Motra Marije. Lutu për ne !