Visar Zhiti/
– Të prishësh pushimet?
Por të rregullosh…
Ndodhin ngjarje jo vetëm me ne, por dhe me librat tanë:
1.
Këto ditë arkitekti nga Tirana, z. Odise Zoto, më shkruante se “është pjesëtar i një grupi ekspertesh të Fondacionit Santagata në Torino, që ka fituar garën e organizuar nga Cultural Heritage without Borders – Albania për Planin e menaxhimit të burgut të Spaçit”..,
Më vjen mirë që vendi im kujtohet për kujtesën, sado vonë, që bashkëpunon me Europën e kulturës, po mendoja.
Dhe teksa vazhdonim të shkëmbenim mesazhe, arkitekti më dërgon një imazh, kishte lidhje me burgun e Spaçit: libri im italisht mbi ca gurë, “Sulle strade dell’inferno”, (“Rrugët e ferrit”), po ku ishte kështu? “Po e lexon Giulia, një nga drejtueset e projektit, që është me pushime në Greqi… “, më shkruante. Ndoshta në ndonjë ishull.
Më emocionuan gurët. M’u kujtuan njëherësh shumë poezi greke. Mesdheu. Pata një drithërimë, një keqardhje të bukur, pse ta fsheh dhe…
2
…m’u kujtua menjëherë ç’më kishte nisur shkrimtarja Erida Siqeca Petriti, autore e disa librave italisht. Miku i saj i shtrenjtë, siç më thoshte, shkrimtari Italian Roberto Masiero, shkruante në “IL DIARIO: Lezioni albanesi di educazione” me shumë ngrohtësi për atë dhe babain e saj e vuajtjet familjare dhe në gjysmën e dytë të artikullit vazhdonte: “…në një nga këto ditë (Erida) më bëri një dhuratë, një libër -obsesion. Të shkrimtarit Visar Zhiti, titulli elokuent: Në rrugët e ferrit. Nëntitulli: Jeta ime në burgun e Spaçit. Janë më pak se gjashtëqind faqe të mbushura. Për të prishur pushimet është ideal.”
Marr frymë thellë. Pushimet nuk janë të qeta. E kaluara zgjat kthetrat e saj. A kam faj? Po ky është kompliment: “Për të prishur pushimet është ideal”. – Libri yt shprish, – më thonë miqtë, – por për të ndrequr! A nuk të shkruajti arkitekti se kanë një projekt për kujtesën? Burgu-muze. Të mos harrojmë, që të mos e kemi, kë? Burgun pra, se po harruam, na vjen, erdhi…
Dhe lexoj e lexoj me ëndje shkrimin emocional të shkrimtarit Roberto Masiero:
“Si mund ta përballosh dhe të mbrohesh duke u përgjigjur në një gjyq kafkian, sepse ke shkruar poezi? Jo të qarta politike, jo. Ata që të akuzojnë, kanë vendosur që ti të jesh armik i popullit, edhe kur krijon imazhin e një dielli të bukur që perëndon, ata pa dyshim supozojnë që po aludon për perëndimin e socializmit të vërtetë. Atij komunist shqiptar. Dhe përfundon në burg: një dënim shumë i rëndë, në shoqëri me minjtë. Për të mos u çmendur, në gjysmëerrësirë, fillon të bësh me mënd poezi të reja, pa laps e letër…”, etj, etj.
Një shkrimtar “i huaj” shkruan kështu, që as i di burgjet shqiptare, ndoshta as Shqipërinë, por ai ka mike Eridën shqiptare, e kupton të ikurin, tjetrin dhe e do atë, se është Njeriu… Dhe nuk mundet të thotë ç’na thonë në Shqipëri: ç’janë këto poezi në burg? Pse i shkruajte? Pse na prishe qetësinë?
Dhe na vërsulen me brirë e shpifje, me dhëmbë e narcizismin e tyre, me rima si mprehje thikash…
Ndërkaq unë jam distancuar me kohë nga burgu im, jam munduar të mos jem as kur isha, me poezi patjetër, me dashurinë për tjetrin që vuante me ty, duke parë te gjithsecili Krishtin me kryqin mbi shpinë, që të mos ndodhë më, kurrë, teksa ndjehemi në burgun tjetër, të harresës së qëllimtë, të mosmirënjohjes vrastare, nuk duhen harruar dënimet, vuajtja e madhe, janë vrarë jetë… plot… me miliona… por e gjitha që t’i shërbejë përmirësimit, një të tashme pa urrejtje, pa tregtarë të dhimbjes njerëzore e trafikantë të saj, t’i shërbejë së mirës, vlerave, lirisë dhe dashurisë mes nesh… edhe poezisë.
E di që s’besojnë të gjithë dhe e di që u duhet të mos besojnë…
Në fakt e kisha me librin, por desha të falenderoj arkitekt Odise Zoto, shkrintren Erida Petriti, mikun e saj shkrimtar Roberto Masiero, nuk i kam takuar kurrë, por shpresoj të shihemi, gjithsesi na bashkon libri dhe po thosha se vërtet ai bën jetën e vet, libri kështu, dhe është i pavarur, edhe ai takohet me të tjerë, zë miq gjithkund. Libri është shpirt tjetër. Ne ia japim dhe e ruan më mirë, e bashkon me të tjerë. A nuk është mrekullia?