Nga Astrit Lulushi/
Si një fllad i lehtë që fryn përmes gjetheve, është melodi kënge pa fjalë që kurrë nuk ndalet, duke rrëzuar para kohe gjethet e zverdhura,
– kështu janë për njeriun shpresa e dëshira, ndjenja të një lloji, të dyja presin që diçka të ndodhë.
Shpresa lind si utopi, ëndërr, pastaj bëhet aspiratë, supozim, besim – në garë me dëshirën e cila ushqehet nga qëllimi, durimi, uria, lakmia, shpërblimi.
Kjo dëshirë sot është mjaft e madhe. Disa ndjehen të pangopur, edhe pse të tejmbushur. Se çfarë kërkojnë të arrijnë, as vetë nuk e dinë. Zhvatin çdo gjë, nuk kanë mëshirë, edhe njeriun, trupin pa kursyer kockat, të gjithë e hanë.
Nëse kjo kishte qenë ëndrra e tyre kur përmbysën diktaturë, duhet thënë, gabim që u lanë ta bënin, pasi sot ata zgjojnë mes të rinjve nostalgjinë për ‘të. Zgjimi i tyre nuk kishte ardhur, çekiçi i rëndë i Diktaturës i kishte goditur fortë, duke i lënë në koma, në gjumë të thellë, ku ata shihnin ëndrra në TV, të një Perëndimi mes filmave që i kuptonin si kronika lajmesh të vërteta. Njerëz kaq naivë! Eshtë njësoj si ta ndërtosh jetēn duke lexuar romane dhe në fund të përplasesh me murin që vetë ke ngritur.