
Në mbrëmjen e datës 8 nëntor, në Muzeun Kombëtar të Letërsisë Rumune, Shoqata Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR) organizoi një recital me muzikë dhe poezi shqipe. Veprimtaria u zhvillua në kuadrin e Ditëve të Kulturës Shqiptare që po mbahen këto ditë në Rumani.
Nën recitimin mjeshtëror të aktorit Angel Rababoc (aktor i Teatrit Kombëtar “Marin Sorescu”), salla „Perpessicius” e Muzeut Kombëtar të Letërsisë Rumune, për gati një orë, u mbush nga verbi poetik dhe arti shqiptar.
Koordinatori i Qendrës Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, në kuadër të ALAR, Dr. Luan Topciu, i cili është dhe përkthyesi i poezive të recituara, kishte përzgjedhur për këtë mbrëmje poetike dhe muzikore poezi nga autorë kanonikë të letërsisë shqipe si Asdreni, Fan Noli, Kuteli, Ali Podrimja, Martin Camaj, Ismail Kadare, Visar Zhiti, Fatos Arapi, Migjeni, Xhevahir Spahiu, Azem Shkreli. Poezia shqipe u duartrokit dhe u vlerësua së tejmi nga të pranishmit, të cilët e konsideruan një befasi të madhe. Arti, kultura, muzika dhe poezia janë rrugët më të frutshme në komunikimin midis popujve dhe kulturave. Është një komunikim i drejtpërdrejtë emocional dhe shpirtëror.
Ndërsa grupi muzikor “Serenada” i ALAR, i përbërë nga këngëtarja Florentina Vinica Barbu, kitaristët Daniel Bertesteanu dhe Rami Fares, interpretoi muzikë tradicionale shqiptare nga jugu e veriu, muzikë arbëreshe, arvanitase etj. U duartrokitën me ovacione këngët: “Moj e bukura Morenë”, “Margjelo”, “E dehun jam”, “Bilbili”, “Zare tradafile”, “Kremi leshkat” etj., këngë të cilat bëjnë pjesë në repertorin e grupit “Serenada”, i cili, gjatë këtyre viteve, ka krijuar një repertor të pasur me muzikë tradicionale shqiptare, e interpretuar në evente të ndryshme. ALAR ka nxjerrë 3 CD me muzikë shqiptare tradicionale me grupin “Serenada” gjithashtu dhe 2 CD me interpretimin e korçarit, solistit të Operas së Bukureshtit Gjergji Mani dhe Ionela Mani-it. Gjithmonë muzika shqiptare tradicionale ka zgjuar interes për publikun rumun në sajë të autenticitetit të saj dhe pasurisë së gamës muzikore.
Muzika e vjetër shqiptare përkon me periudhën historike kur ka ndodhur dhe emigrimi masiv i shqiptarëve në Trojet Rumune.
Në këtë mbrëmje poetiko-muzikore shqiptare mori pjesë deputeti Bogdan-Alin Stoica si dhe kryetari i ALAR dr. Radu-Cosmin Savulescu kryetari i Dhomës së Tregtisë Rumani-Shqipëri.
Fjala poetike dhe muzika e përzgjedhur sollën një frymën shqiptare dhe përcollën ndjeshmërinë artistike të pjesëve dhe krijimeve që bëjnë pjesë në trashëgiminë kulturore të kombit shqiptar.
Në sallën Perpessicius” e Muzeut Kombëtar të Letërsisë ishin prezentë anëtarë të minoritetit shqiptar në Rumani, poetë dhe intelektualë rumunë, miq e simptizantë të kulturës shqiptare. Recitali u filmua nga Televizioni publik i Rumanisë. Poezitë e recituara bëjnë pjesë në Antologjinë e poezisë shqipe nga zanafilla deri në ditëtë e sotme, hartuar nga Dr. Luan Topçiu dhe Dr. Renata Melonashi – Topçiu dhe që pritet të botohet vitin e ardhshëm.
Ditët e Kulturës Shqiptare do të vazhdojnë me Ekspozitën kushtuar shkrimtarit me origjinë shqiptare, Viktor Eftimiu, me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së tij, e titulluar “Viktor Eftimiu – një short rumuno-shqiptar”, Ekspozita hapet në datën 11 nëntor 2022, në Bibliotekën e Qarkut Gorj “Christian Tell” (Târgu Jiu). Ekspozita do të përfshijë fotografi dhe dokumente arkivore të shkrimtarit Viktor Eftimiu (1889-1972), të cilat ruhen në arkivën e Shoqatës Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR). I lindur në Shqipëri, në Boboshticë, Korçë, Viktor Eftimiu ishte një shkrimtar pjellor dhe një personalitet i shquar i jetës kulturore në Rumani.
Zyra e Shtypit ALAR, Bukuresht