
Lindita Komani/
Nga një kronikë televizive ku me shumë pozitivitet një arkitekte dhe një gazetar bisedonin sesi do të restaurohej ndërtesa e bukur në Mitrovicë, pjesë e listës së trashëgimisë kulturore të Kosovës, brenda pak ditësh u kalua në një debat të zjarrtë me fokus Xhafer Devën dhe mosrehabilitimin e tij.(Xhafer Deva) Nuk ka jetuar, por e ka ndërtuar shtëpinë, u shpreh arkitektja Rrezarta Loxha-Vitaku. Ishte viti 1930, kur për herë të parë në Mitrovicë dhe në rajon ndërtohej një ndërtesë me bodrum, përdhes dhe dy kate, e stilit europian, që ndërroi kahun e ndërtimeve dhe stileve të deriatëhershme. Me këtë ndërtesë, arkitektura në Mitrovicë nisi të diversifikohej, gjë që i jep asaj shumë vlerë. Por për shkak të traditës që shprehej në jetën e zhvilluar brenda oborrit të shtëpisë, Xhafer Deva për të mos krijuar jokomoditet tek fqinjët që do të ndiheshin të vëzhguar nga katet më të larta të shtëpisë, nuk jetoi në të. Me ardhjen e komunizmit, familjes Deva, ndoshta më e pasura në Kosovë, iu konfiskuan shumë prona në Mitrovicë dhe edhe sot tri mes këtyre pronave janë në listën e mbrojtjes nga Qendra e Mbrojtjes së Trashëgimisë. Arkitektja Loxha-Vitaku u shpreh më tej se projekti i parë për restaurimin e kësaj ndërtese që në mungesë të një cilësimi tjetër njihet si shtëpia e Xhafer Devës, edhe në zërat e buxhetit vjetor të qeverisë së Kosovës, është hartuar në vitin 2010 dhe u bënë 12 vjet që rishikohet e shtyhet në kohë. Në 2015 objekti pësoi zjarr dhe në 2017-2018 zhvillohen punime për përforcimin e konstruksionit. Sipas arkitektes, fasada e ndërtesës ka pësuar ndryshime në kohë, por jo aq sa të mos mund të përmirësohet më. Në projektin më të fundit, Ministria e Kulturës në bashkëpunim me UNDP, hartojnë dhe kalojnë në komision një projekt i cili u miratua për zbatim. Dhe pikërisht me gëzimin se zbatimi i këtij projekti ishte fare pranë, arkitektja ndau lajmin se ndërtesa do të marrë një funksion konkret dhe do të shërbejë si Qendër Rajonale për Trashëgimi. Më në fund qendra do ta ketë përfundimisht të zgjidhur statusin e vendndodhjes së saj. Kati përdhes do të jetë galeri e hapur për të gjithë artistët. Dy katet e sipërme do të jenë zyra te Qendrës. (Burimi: https://www.youtube.com/watch?v=p4fcygsEmIw&t=6s) Çfarë kishte dhe ka të paqartë, shqetësuese apo acaruese në këtë projekt shumë të mirë restaurimi dhe rifunksionalizimi? Nuk e kuptoj nga distanca se kush e ndezi zjarrin e debatit, por nxitës ka qenë sigurisht edhe ambasadori gjerman në Kosovë Jorn Rohde, i cili shprehu shqetësim lidhur me restaurimin e planifikuar. Një shqetësim i pavend nga një përfaqësues i shtetit i cili, ndonëse ishte baza frymëzuese e nazizmit dhe shkaktar e nxitës i Luftës së Dytë Botërore, nuk shquhet për ndonjë harresë, lënie pas dore apo egërsi të ushtruar mbi trashëgiminë arkitektonike të kohës së nazizmit. Pyetje që më erdhën në mendje teksa lexoja shkëmbimet e shumta në internet ishin:A e di ambasadori gjerman që ndërtesa për të cilën flitet është ngritur që në 1930 në tokën e me paratë e një familjeje të pasur si ajo Deva? Nuk ka punë as nazizmi, as lufta, as dreqi dhe i biri në të.A e di ambasadori dhe të tjerët që Deva nuk ka jetuar në të dhe që ajo ka mbetur thjesht ndërtesë, asnjëherë me funksion shtëpie, por e shfrytëzuar për qëllime të tjera?Projekti i restaurimit ka 12 vjet që ka nisur, me gjithë miratimet nga komisionet përkatëse dhe shtyrjen në kohë për kushedi ç’arsye, por asnjëherë nga kjo që po zjarrmon këto ditë në internet. Përse sulmohet qeveria aktuale për këtë projekt?UNDP nuk e dinte se kush ishte Xhafer Deva kur pranoi të bënte bashkëpunim me Qendrën e Mbrojtjes së Trashëgimisë së Kosovës?BE nuk e dinte se kush ishte Xhafer Deva kur mori përsipër ta bashkëfinanconte?Pse u desh gjithë ky zjarr kundër idesë së shfrytëzimit të një ndërtese me status të mbrojtur të trashëgimisë kulturore për ta rifunksionalizuar në Qendër Rajonale të Trashëgimisë së Kosovës?Ata që e kundërshtojnë këtë rifunksionalizim, çfarë kanë thënë për shembjen e Teatrit Kombëtar në Shqipëri? Po për mbajtjen ne këmbë të Shtëpisë së Diktatorit Enver Hoxha në Gjirokastër? Po për mbajtjen në këmbë të Piramidës së tij dhe tashmë rifunksionalizimin e saj në qendër teknologjie? Po për rifunksionalizimin e Shtëpisë së Gjetheve? Por për Bunk’artin? Në këto kushte, është e udhës qe qeveria e Kosovës të mbështesë projektin e rifunksionalizimit të ndërtesës së bukur të Mitrovicës me aq fonde sa kishte parashikuar ta bënte dhe për pjesën tjetër të thirret në ndihmë qytetaria qoftë e Kosovës, apo e Shqipërisë dhe e diasporës mbarë nëse është e nevojshme. Shuma totale për të cilën bëhet fjalë është 300 000 euro (Burim: https://www.youtube.com/watch?v=U8NdeZmeN-8). Për këtë do të mjaftonte që Qeveria e Kosovës të bënte një thirrje për kontribute financiare dhe jam e sigurtë që do të mblidheshin shumë të tilla. Ky model i bashkëpunimit qeveri – qytetarë për restaurimin e trashëgimisë kulturore do të ishte mirë të zbatohej në çdo rast kur qendrat/institutet tona për mbrojtjen e trashëgimisë tonë kulturore, qoftë në Kosovë, Shqipëri apo tjetërkund në rajon, synojnë të mbajnë gjallë e në jetë ndërtesa me vlerë që dëshmojnë për sqimë, kulturë e investim në arkitekturë të kultivuar mes nesh shqiptarëve.
(Fotoja marrë nga grupi Albanian Vintage Photography, people, cities, culture and history)