NGA ANTON ÇEFA/Eqrem Çabej, duke dhënë një ndihmesë të një rëndësie të dorës së parë në disa fusha të kulturës sonë, e ka renditur veten në një nga kryevendet e sofrës të dijes së botës shqiptare. Në hapësirën e gjerë të veprimtarisë së tij shkencore, që përfshin gjuhësinë, folklorin, letërsinë e kultivuar, etnografinë, etnopsikologjinë, arkeologjinë, ai do të mbetet gjithnjë një gur themeli dhe një pikë reference për studimet e sotme dhe të ardhme albanologjike. Interesat e tij shkencore, në fillimet e veprimtarisë së tij, u drejtuan në fushat e letërsisë gojore dhe letërsisë së shkruar. Megjithëse disertacioni i tij me temë : “Studime italo-shqiptare” në thelb lidhej me gjuhësinë, veprat e tij të para qenë : “Për gjernezën e literaturës shqipe”, botuar në vitet 1938-39 në revistën “Hylli i Dritës” dhe “Romantizmi në Europë Lindore e Juglindore dhe në literaturën shqiptare”, shkruar në vitin 1945; e cila mjerisht, për arsye që dihen, mbeti pa u botuar. Kjo bëri, ndër të tjera, që për ndihmesën e tij në fushën e psikologjisë sonë etnike të mos bëhëj fjalë.
Në veprën e parë, ai hulumtoi kryesisht dukuritë më themelore të botës sonë, duke filluar nga emri ynë tek shpirti etnik, për të vijuar çka plazmoi e frymoi të veçantë ky shpirt: gjuhën, etikën, zakonet, mënyrën e jetesës, poezinë, historinë, veshjet, etj. Ai u radhit ndër studiuesit e parë shqiptarë, krahas Konicës, Harapit, më vonë Koliqit, (pa përmendur studiuesit e huaj), që lavëruan këto lavra shkencore dhe dha mendime me vlera të pakrahasueshme.
Duke gjykuar mbi bazën e trajtesës së tij, mund të përfundojmë që për Çabejn, shpirti, në kuptimin teorik, është një tërësi atributesh mendore, volitive dhe ndjenjësore etike e estetike; çka përfshin thelbin e identitetit të një njeriu, të një grupi etnik a të një kombi; qenësia që e dallon atë nga njerëzit, grupet etnike dhe kombet e tjera. Kështu, duke u përpjekur të përkapet në të gjitha shtigjet e shpirtit shqiptar si rrrallëkush, ai na ka dhënë shtyllat kryesore të ndërtesës psikologjike të populli tonë, thelbin e identitetit të tij.
Sikurse e kanë cilësuar edhe studiues të tjerë vendës dhe të huaj, shqiptari dallohet në mënyrë të veçantë për individualizmin e tij. Çabej është i vetmi që bën fjalë për një individualizëm kolektiv të shqiptarit, në dukje absurde e paradoksale; por që ka një të vertetë të rëndësishme brenda vetes. Këtë dukuri, ai e lidh me organizimin e hershëm fisnor të popullit tonë. Ai shkruan: “Fisi, forma e zgjëruar e familjes së madhe, është shprehja më e thjeshtë e individualizmit kolektiv, i cili i përshtatet ndjenjës që ka shqiptari për jetë.” Shqipëria, në kohën kur Çabej po shkruante këto gjëra, d. m. th. , në vitet ’30 të shek.të kaluar, po jetësonte “një proces shoqëror të padukshëm, kalimin prej jetës vetjake të fisit në jetën e përbashkët kombëtare.”
Psikologjia e historisë sonë dhe njësia e kombit. Me shumë interes janë disa përfundime që ka arritur ky studiues në rrafshin psikologjik të historisë së popullit tonë . Para së gjithash, ai ka kundërshtuar pikëpamjen e disa studiuesve të huaj, që mendonin se “përçarja e tokës shqiptare në pjesë të izoluara dhe dyndjet centrifugale (shtegtimet e popullit tonë) nuk e kanë lënë Shqipërinë kurrë të shfaqet si njësi në kuptimin historik të fjalës.” Më pas, mbasi miraton mendimin e studiuesit H. Louis që një aspekt i njësisë historike është shfaqur në mosnënshtrimin dhe rebelimin e përhershëm të shqiptarëve ndaj përpjekjeve të pareshtura të të huajve për t’i nënshtruar, Çabej parashtron disa argumente me rëndësi në të mirë të zhvillimeve historike të përbashkëta të popullit tonë gjatë shekujve. Këto janë :
- Një rrymë episodike dhe dramatike e përshkon gjithë historinë shqiptare.
- Një rol “më të rëndësishëm se gjetiu” ka luajtur tek shqiptarët si tek stërgjyshërit e tyre, ilirët, fuqia e personalitetit. Ai shkruan: “Një fytyrë e tillë e fortë i bashkonte shqiptarët dhe ngjallte për pak kohë ndjenjën kombëtare. Historia e Shqipërisë është histori e personalitetit”. E konkretizon këtë me figurën e Skendërbeut dhe të Ali Pashë Tepelenës. Veç kësaj, duke e cilësuar natyrën e shqiptarit për një “remb dramatik”, siç do ta shohim më poshtë , ai ka theksuar që karakter dramatik ka edhe historia e Shqipërisë në fytyrat e saj kryesore.
- Një argument tjetër me peshë qëndron në faktin se ‘ndarja konfesionale’, siç e quan ai ndarjen në besime, nuk ka dëmtuar në themel njësinë kombëtare. … “Ndërgjegja e fisit dhe ndjenja nacionale kanë qenë gjithmonë më të forta”. Ky fakt i njohur nga shkenca (në “Shënimet”, ai përmend Jereçekun, Stermetz-in, Joklin) duhet marrë para sysh kur studiohet historia shqiptare.
- Njësinë e kombit, ai e konstaton, gjithashtu, në njësinë e gjuhës, folklorit, krijimtarisë letrare, etj. Degëzimi i gjuhës në gegërisht e toskërisht – shpjegon Çabej – nuk është i vjetër. “Shqipja e vjetër e përbashkët ka rrojtur deri në Mesjetën e lartë në trajtat kryesore më gjatë se rumanishtja e përbashkët”.
- Ruajtja pandërprerë që nga kohë të vjetra e traditave i shërben atij si argument për problemin në trajtim: “Trajtat e moçme në mënyrën e jetesës dhe në kulturën materiale e shpirtërore . . . nuk janë ruajtur, them, aq besnikërisht te asnjë nga popujt e sotëm indogjermanë sa ndër shqiptarë . Ky konstatim ka vlerë edhe përkundrejt Ballkanit, i cili është edhe ky mjaft konservativ. Sepse helenët që u civilizuan shpejt lanë heret doket e lashta, popujt e tjerë u dukën në Ballkan në një shkallë më të zhvilluar të kulturës ose u formuan këtu më vonë. Vetëm te shqiptarët mund të flasim për një traditë sedentare dhe të paprerë që nga koha e vjetër.” Për këtë kanë kontribuar dy faktorë: karkteri i vendit, me vlerë për zonat malore, dhe tenaciteti i banorëve, me vlerë për gjithë popullin tonë. Me karakterin konservativ lidhet gjithashtu ruajtja për një kohë të gjatë e strukturës fisnore dhe mënyrës së jetesës.
- Dhe së fundi, njësinë shqiptare e gjen në mënyrë të përkryer tek “trajtat e brendshme shpirtërore” siç i quan ai atributet në hullitë e të menduarit, ndjenjave, vullnetit, etj., për të cilat do të flasim më poshtë .
Gjithsesi, krahas njësisë, studiuesi ynë i nderuar ka vënë në dukje edhe dukurinë e partikularizmit në historinë tonë. Të parët tanë, ilirët, kanë qenë të ndarë në shumë fise, që kanë rrojtur shpesh në “grindje të ashpër mes tyre”. Lidhur me këtë, ai sqaron se ideja bazë e jetës politike tek grekët ka qenë “polis-i” (qyteti shtet, shënimi im), ndërsa tek shqiptarët “gens” (fisi, shënimi im). Dhe vazhdon: “Rrallë pat mundur ndonjë dorë e fortë të bashkonte shumë fise ndër ilirë, dhe, në qoftë se po, vetëm për një kohë të shkurtër.”
Me një gjykim kategorik, më mirë se kushdo tjetër, Çabej ka shprehur mungesën e predispozicionit të popullit tone ndaj shkencave teorike pa synime praktike dhe njohjes hyjnore iracionale si dhe praktikave të kësaj njohjeje: “Përbri shpirtit të energjisë dhe karakterit rezolut qëndron mungesa e prirjes për mistikë dhe për mendimin spekulativ. Sepse shpirti i popullit shqiptar është krejt realist dhe i kësaj bote.” Ky atribut themelor shpirtëror dëshmohet edhe me faktin që tek shqiptarët, siç e çekëm më lart, “ndjenja etnike ka qenë gjithmonë më e fortë se ndjenja religjioze”.
Shpirti realist e praktik i shqiptarit, mungesa e prirjes për mistikë dhe për mendimin spekulativ, nga njëra anë, dhe energjia dhe karakteri rezolut që e cilësojnë atë, nga ana tjetër, kanë bërë që veprimtaria historike e shqiptarit të jetë zhvilluar kryesisht në lëmë administrative dhe ushtarake. Natyra administrative dhe cilësitë orgnizative janë shfaqur dhe njëmendësuar kryesisht në vende të huaja. Këtë e dëshmon më së miri historia e Perandorisë Romake, gjatë së cilës stërgjyshët tanë ilirë kanë luajtur një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm. E njëjta gjë mund të thuhet për historinë e Perandorisë Osmane.
I bashkuar me të gjithë studiuesit vendas dhe të huaj, që kanë gjurmuar në këto rrafshe të dijes, Çabej ka theksuar natyrën luftarake të shqiptarit. Sulmet e huaja të vazhdueshme për ta pushtuar vendin e kanë brumosur shqiptarin më tej me natyrën e tij luftarake. “Zotësia ushtarake i është lindur kësaj race – shkruan ai, – ajo i ka ngjitur shqiptarit vulën e ushtarit të përjetshëm”. Për ilustrim, ai ka sjellë fjalët e një Anonimi të vitit 1308: “Natyra e ushtarit është një trajtë e përbashkët karakteri, një atribut konstant i këtij kombi; është kryesisht figura e luftarit, me të cilën kombet e tjera e paraqesin më mirë shqiptarin”.
Një hapësirë të konsiderueshme në trajtesën e Çabejt zënë tiparet volitive të karakterit të shqiptarit. Në këtë hulli tematike, ai ka cilësuar natyrën e rezervuar si “thelbin shpirtëror të shqiptarit” dhe e ka vlerësuar si një dallojë të dorës së parë në krahasim me popujt e tjerë të Europës Jugore. Këtë cilësi të shqiptarëve, ai e shpjegon, nga një anë, si veti të trashëguar prej të parëve, dhe, në një anë tjetër, si ndikim nga natyra e ashpër dhe e mbyllur e vendit. Natyra e rezervuar bën që shqiptari jo vetëm ndaj të huajit, por edhe ndaj të afërmit të sillet i rezervuar dhe i mbyllur. “Kjo është sjellja e njeriut që është i zoti i vetvetes, i cili për të ruajtur të drejtat e veta, është i matur në fjalë e në punë”. Por kjo natyrë e rezervuar përmban në vetvete edhe kontrastin: “duke mos përjashtuar edhe karakterin e hapur”, që e gjejmë, gjithashtu, tek shqiptari.
Duke vazhduar me këtë cilësi të vullnetit, Çabej ka vënë në dukje edhe natyrën dhelpërake dhe kokëfortësinë, veti më së tepërmi të banorëve të maleve: “është një shenjë e individualizmit, siç ka qenë gjithmonë shqiptari, që rezervimi i tij, në raste të veçanta të jetës të kthehet në një qëndrim të egër e kokëfortë”. Edhe këtë cilësi Çabej e bie si “pasojë e racës”, pra e trasghëguar, dhe që dëshmohet edhe tek ilirët dhe në kolonitë shqiptare, sado që ato janë shkëputur prej shekujsh prej mëmëdheut.
Nëpërmjet vlerësimeve të Herbert Louis, Çabej ka dhënë shpirtin inisiativ të popullit tonë. Louis ka shkruar: “Një nga përshtypjet më të forta që të lë një pjekje me popullsinë shqiptare është sigurisht kjo, që te çdo shqiptar shohim një njeri që vepron me kokë të tij. Secili, i zgjuar a i trashë, disponon përmbi një fuqi vendimi të konsiderueshme dhe është mësuar të rrezikojë në veprimet e tij kamjen edhe gjakun. Kështu në një situatë të vështirë çdo pjesëmarrës, pavarësisht nga fuqia gjykuese e madhe ose e vogël, tregon një madhësi habitëse, sepse gjithkush është në gjendje të marrë një inisiativë të fortë. Shkurt nuk ka një masë indiferente.”
Nga cilësitë e tjera të vullnetit të popullit tonë, Çabej përmend këmbënguljen, karakterin rezolut dhe natyrën energjike. Karakteri këmbëngulës dhe i qëndrueshëm ka sjellë si pasojë ruajtjen e zakoneve, lidhjen pas tyre, “që është veti tjetër e përbashkët e karakterit të shqiptarit”. Për lashtësinë e zakoneve tona, Çabej shkruan: “Në qoftë se qërojmë një nga shtresat e influencave të huaja në zakone, do të ndeshim më së fundi në thelbin indoeuropian. Të nxjerrësh në dritë këtë shtrat themelor do të thotë të zbulosh rishtas atë që ka qenë dikur e përbashkët në zakonet shqiptare.” Edhe gjuha shqipe e dëshmon këtë. M. Meillet ka shkruar:“Forca e rezistencës së gjuhës shqipe dëshmon tenacitetin e kombit.”
Në gjykimet e tij për cilësitë mendore, Çabej është mbështetur më së shumti tek të huajt. Ami Boué e cilëson shqiptarin për “hollësi e prezencë të jashtëzakonshme të mendjes. Janë popull i përgjigjeve të shpejta e therëse par exellance”. J. Ph. Fallmerayer e ka dalluar si “mendjeshkurtër”, në kuptimin e njësoj përtacie për të menduar gjatë për një problem. Duke shkoqitur këtë kontrast të karakterit të popullit tonë, Çabej ka argumentuar një tipar tjetër të këtij karakteri: një rremb dramatik që e përshkon atë. Ai shkruan: “Meqë kontrasti përmban në vetvete thelbin e dramaticitetit, shohim se një rremb dramatik e përshkon karakterin e shqiptarit, i mësuar më shumë të veprojë me rrëmbim se sa të rrijë e të mendojë.”
Impulse të fuqishme shpirtërore e kanë nxitur shqiptarin drejt shtegtimeve të shpeshta jashtë trojeve të veta. “Këto fuqi shtegtimi na shfaqen si faktor vendimtar që në epokat prehistorike e gjatë gjithë historisë shqiptare gjer në kohët më të reja. Kështu shohim se si që në kohët më të lashta fise ilire shtrihen më njërën anë andej detit në Itali, më anën tjetër në Gadishullin Ballkanik duke kontribuar atje në mbrujtjen e nacionit italik, këtu në formimin e nacioneve helenik e trak, më vonë të nacioneve serbe, greke të re e turke . . .” Dhe më poshtë: “Ky popull malësor i fortë jep gjakun e tij për mbrujtjen e kombeve të reja ballkanike; jo vetëm me anën e përzierjes etnike, por dhe në pikëpamje politike, si kasta luftare e Ballkanit, me armë në dorë.
Këto impulse, të lindura nga lakmia për fushat pjellore përtej maleve të larta të Shqipërisë, ushqyen me kalimin e kohës një dëshirë të pashuar për shtegtim. Por krahas kësaj dëshire në shpirtin e shqiptarit është mbrujtur një ndjenjë fisnike e fuqishme, që Çabej e quan “malli i tokës”, d. m. th. një mall i pashterrur dhe i pamposhtur për vendlindjen. “Dëshira për shtegtim – shkruan ai – dhe malli i tokës bashkohen tek karakteri shqiptar në mënyrë të çuditshme.” (Siç e ka vënë në dukje edhe Hann-i). Dhe më pas: “Lidhja shpirtërore me tokën u është e përbashkët gjithë shqiptarëve. Kështu ne shohim tek i ikuri në dhe të huaj se si, i shtyrë nga malli, dëshiron gjithmonë të kthehet në atdhe.”
Veç kësaj, shqiptarin e dallon një lidhje e ngushtë me familjen, një nderim dhe një predispozicion shpirtëror i veçantë për te: “është qëllim i jetës së gjithkujt të përpiqet për nderin dhe mbrothësinë e njerëzve të vet.”, shkruan Çabej. Këtë botë të pasur e të fisme emocionale e fisnikëron më tej heroizmi dhe një dëshirë e flaktë për liri, çka janë shtysa të forta në karakterin dhe në qëndrimin shpirtëror të shqiptarëve si edhe të stërgjyshërve të tyre ilirë.
Në fushën e estetikës, Çabej ka vënë në dukje aftësitë e popullit tonë për të kuptuar, vlerësuar dhe krijuar të bukurën në veprimtarinë praktike dhe në art, kryesisht në letërsinë gojore dhe atë të shkruar, veçantitë dhe origjinalitetin e folklorit tonë, pa lënë mangut edhe realizimet e së bukurës në rrafshe të ndryshme të kulturës materiale. Ndër të tjera, ai ka theksuar fantazinë trajtuese dhe fuqinë plastike të popullit tonë në krijimin e fjalëve. Për këtë studiues të nderuar, fjalët dhe këngët janë “pjesë shpirtërore”, dhe “një organizëm i gjallë”. Në trajtimin e poezisë epike të vendeve ballkanike, ai ka theksuar se popujt e Ballkanit janë edhe sot “më afër qëndrimit epik të shpirtit sesa p. sh. popujt e Perëndimit. Nderimi i trimave dhe lartësimi i tyre në këngë është në Ballkan edhe tash një dukje e shpeshtë”. Gjerësisht, në dy veprat që kemi përmendur më lart, është pasqyruar fytyra e veçantë dhe origjinale e shpirtit të popullit tonë në hullitë e krijimtarisë së tij letrare gojore dhe të shkruar.
Duke folur për pasurinë e madhe të kostumeve popullore dhe larushinë e mahnitshme të tyre, studiuesi ynë ka vërejtur që “e bardha është ngjyra kombëtare e veshjes shqiptare. Veçanërisht, kësula e bardhë është ajo që, me gjithë ndryshimet e formës . . . e dallon shqiptarin nëpër gjithë Ballkanin.”
Më duket me interes të them dy fjalë, në përfundim, për metodikën e tij në shtjellimin e lëndës. Përgjithësisht, ai nuk mjaftohet thjesht me parashtrimin e mendimeve të tij dhe të dijetarëve të huaj, por flet edhe për burimet, shkaqet dhe rrjedhimet e konstatimeve të tij; duke i trajtuar, në këtë mënyrë , faktet dhe dukuritë jo vetë m në vijë sinkronike, po edhe në atë diakronike. Kështu, për shumë atribute shpirtërore (si dëshirën e shqiptarëve për shtegtim, dashurinë për lirinë, aftësitë administrative, natyrën luftarake, heroizmin, individualizmin, rolin historik të personalitetit, etj.), ai nxjerr në dritë përbashkësinë iliro-shqiptare, duke ndërtuar edhe në këtë fushë aq të rendësishme lidhjet e popullit tonë me të parët e tij, ilirët. Në këtë studim rëndësor, ai ka argumentuar, kështu, njësinë etnike, kulturore, historike të kombit tonë, njësi që lidhen me njësinë gjeografike.
Shënim: të gjitha citimet janë marrë nga vepra “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”, përgatitur për shtyp nga Brikena Çabej dhe botuar nga MÇM, Tiranë, 1994.