Më 4 shtator në Vatikan zhvillohet ceremonia për shenjtërimin e Nënë Terezës. Një Shënjëtëreshë shqiptare, por njëkohsisht Shënjëtëreshë edhe e botës, shënjtërimi i të cilës, pothuaj pa precedencë, po celebrohet jo vetëm në trojet shqiptare dhe nga Kisha Katolike, por edhe anë e mbanë botës. Natyrisht se shënjtërimi i nobelistes për paqë Nënë Terezës konsiderohet si një ngjarje me rëndësi në historinë e Kishës Katolike, por është veçantë edhe në historinë e kombit shqiptar dhe mund të thuhet se është një ngjarje me rëndësi botërore, pasi veprimtaria e Nënë Tereza shtrihej në të gjitha kontinentet dhe si e tillë ajo i përkiste mbarë botës pa dallim feje ose ideologjie. “Nënë Tereza është Kombet e Bashkuara”, ishin fjalët që kishte përdorur Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Perez de Quellar për të paraqitur murgeshën shqiptare para Asamblesë së përgjithshme të OKB-ës më 1985, për të pasqyruar faktin se, sipas tij, Nënë Tereza është modeli i punës dhe i veprimtarisë që në të vërtetë duhej të bënte Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Në këtë tokë, sa ishte gjallë Nënë Tereza — me lutjet, me veprimtarinë dhe me dashurinë e saj pa kusht dhe pa kufi për të gjithë, e sidomos për më të varfërit e kësaj bote — Nënë Tereza e Shqiptarëve dhe e mbarë botës frymëzoi të gjithë pa dallim, duke përhapur rreze drite e shprese në skutat më të errëta dhe më të harruara të botës, përfshirë edhe trojet shqiptare. Anë e mbanë botës, përfshirë edhe trojet shqiptare – në Shkup, në Tiranë, në Prishtinë, Prizren e Gjakovë ,për disa ditë me radhë tashti po zhvillohen aktivitete fetare e kulturore me rastin e shënjtërimit të bijës së kombit shqiptar, Nënë Terezës, kësaj “Ikone të misionit në shekullin e XX”, siç e ka cilësuar Papa Gjon Pali i dytë.
Shkrimtari britanik, Çarlës Dikëns ka thënë se, “ishte koha më mirë dhe ishte koha më e keqe”, duke iu referuar Revolucionit francez të vitit 1775. Kjo thënje ndoshta i përshtatet edhe botës së sotëme shqiptare. Nga një anë, mund të thuhet se koha e sotme mund të konsiderohet, historikisht, si më e mira për shqiptarët ndërkohë që në të gjitha trojet e veta ata gëzojnë si kurrë më parë kaq liri e pavarsi për veten e tyre. Por nga ana tjetër, mund të thuhet gjithashtu se për shqiptarët mund të jetë edhe një kohë e keqe, sepse mundësitë pozitive që paraqet kjo periudhë për të ardhmen e kombit shqiptar, nuk po përfillen me një kuptim më të plotë të realizimit të objektivava kombëtare, kryesisht për arsye të mosmarrveshjeve dhe përçarjeve politike në radhët e vetë shqiptarëve si edhe të mungesës së bashkpunimit midis tyre për një të ardhme më të ndritur për brezat e ardhëshëm, ashtu siç do ta kërkonte e mbara e kombit dhe e drejta e të Madhit Zot.
Kam drojë se, falë situatës aktuale politike anë e mbanë trojeve shqiptare, “kohët më të mira” për kombin shqiptar po na rrëshqasin nga dora për gjithmonë dhe se “burimi i shpresës” po thahet dhe se një “periudhë terri” e një dimëri të gjatë dëshpërimi të pa shpresë, do të karakterizojë fatin e kombit shqiptar në të ardhmen e afërt.
Por shpresa nuk vdesë kurrë. Në këtë ditë përkujtimi të shënjtërimit të Nënë Terezës, kombi shqiptar duhet të reflektojë mbi të kaluarën, të tashmen si dhe mbi mundësitë që ofron e ardhmja. Me shënjtërimin e saj të dielën që vjen, sidomos Shqiptarët do të kenë pajtoren dhe ndërmjetsuesen e vet para të Madhit Zot. Si e tillë, të gjithë ne — në mënyrën e vet dhe sipas traditës — të kërkojmë prej sajë lutjet dhe ndërmjetsimin e saj që kjo periudhë në historinë e kombit shqiptar sot, të jetë një ndër etapat më të ndritura për një të ardhme më të mirë për shqiptarët, të grumbulluar rreth një sofre të përbashkët.
T’i lutemi Shënjtëreshës Nënë Tereze që ajo, nga ana e saj, t’i lutet të Madhit Zot që kombi shqiptar të mënjanojë “kohërat e këqia” dhe që udhëheqsit e tij, mbi të gjitha, të punojnë për fatet e Atdheut dhe të bashkombasve të vet në një frymë vëllazërimi dhe të mos bëhen vegëla të vërbëta të interesave të huaja që kurrë nuk i kanë shërbyer mirëqenjes së shqiptarëve. Lutemi që shqiptari të mund të dallojë njëherë e mirë mikun prej armikut, por edhe mbështetsit e kombit shqiptar, nga ata që duan t’a shkatërrojnë atë dhe historinë e tij. Të dallohen dashamirësit nga shkatrruesit. Vëllazërimi me të huajt, në mungesë të vëllazërimit shqiptar, nuk ka asnjë vlerë. Ai që mohon veten dhe identitetin e vet, nuk u duhet gjë as të tjerëve.
Lutemi që udhëheqsit e sotëm të kenë guximin dhe bindjen që të rivendosin dhe të çmojnë vlerat e vërteta historike të atdhedashurisë, si dhe vlerat morale, intelektuale, shpirtërore dhe kulturore historike të kombit shqiptar. Lutemi gjithashtu që me rastin e shënjtërimit, në frymën e jetës dhe të veprimtarisë së Nënë Terezës për dashuri dhe mirëkuptim për të gjithë njerëzit pa dallim feje ose krahine — edhe shqiptarët së bashku, të mund të bien dakort që të ndërtojnë një të ardhme politike dhe ekonomike në baza të shëndosha respekti e bashkpunimi, pikëspari me njëri tjetrin e pastaj me të tjerët. Lutemi që çdo shqiptar ta ndjejë veten të lirë dhe të barabart, në një shoqëri të lirë e demokratike, në një atdhe ku i gëzon të gjitha të drejtat që i përkasin, bazuar në ligjet kombëtare dhe ndërkombtare. Për të ndërtuar një të ardhme të tillë, është e nevojshme që shqiptari të trajtojë më mirë shqiptarin i cili ndoshta mendon ndryshe nga ai dhe që në procesin e jetës politike ta trajtojë atë si kundërshtar politik dhe jo si armik të përbetuar. Ndryshe, Shqipëria e lirë, demokratike dhe anëtare e denjë e kombeve të përparuara, nuk bëhet.
Është krijuar një situatë fatzezë kur Shqipëria dhe Kosova, nga një anë, po pajtohen dhe bashkpunojnë me armiqtë dhe okupatorët shekullorë, madje duke i quajtur të huajt “vëllëzër” dhe “aleatë strategjikë” të shqiptarëve, ndërkohë që në trojet shqiptare nuk pajtohet vëllai me vëlla, kryesisht për arsye politike të kaluara dhe aktuale. Nëna Tereze do të na këshillonte, se po të dëshirojmë paqën, së pari duhet të pajtohemi me më të afërmin tonë. Nuk kemi askënd më të afërm se vëllain. Duhet pranuar se historia tregon se shqiptari nuk është sjellur mirë me shqiptarin. Fatkeqsisht, kjo situatë vazhdon edhe sot. Historia na mëson gjithashtu se asnjë grup i vetëm, asnjë ideologji e vetme e çfarëdo ngjyre qoftë dhe asnjë individ sado diktator i egër të jetë, nuk mund të ndërtojë një shoqëri stabile dhe dhe një shtet me të vërtetë të lirë dhe të pavarur, ku të gjithë shqiptarët do ta ndjenin veten pjesë të pandarë të tij. Ky është një mision i përbashkët, në të cilin duhet të marrin pjesë të gjithë, përndryshe bërja e Shqipërisë (kam parasyshë mbarë trojet shqiptare) do të mbetet një projekt i pa realizuar.
Prandaj, të shpresojmë se shënjtërimi i Nënë Terezës do të shërbejë si një rast për secilin prej nesh që të këthjellojmë mendjen, të shqyrtojmë ndërgjegjen dhe të heqim dorë nga paragjykimet, inatet, egoizmat dhe urrejtjet ndaj njëri tjetrit – duke filluar nga nivelet më të larta politike e deri tek bashkombasit më të thjeshtë – vese këto të këqia të cilat pengojnë rëndë ndjenjat vëllazërore që duhej të mbizotëronin në radhët e shqiptarëve pa dallim dhe përgjithmonë me qëllim për të krijuar kështu një atdhe ku të gjithë të ndihen të barabartë, me detyra dhe përgjegjësi për të kontribuar drejtë fateve më të mira të kombit. Shënjtëresha jonë Nëna Tereze lutu për Shqiptarët – bashkombasit tuaj! Lutu që ata “të ndezin dritën e dashurisë dhe të paqës” midis tyre si komunitet dhe me njëri tjetrin të “hapin zemërat” dhe “të shtrijnë dorën e shërbimit” vëllazëror, duke filluar me ata që janë më të afërmit e tyre. Lutu Nënë Tereza që një vëllazërim aq i dëshirueshëm dhe aq i nevojshëm në këto kohëra të pasigurta në trojet shqiptare dhe në botë në përgjithësi — të sjellë më në fund midis të gjithë shqiptarëve pa dallim — një harmonizim pipkamjesh dhe veprimtarishë, në dobi të kombit dhe bashkjetesës shqiptare të brezave të ardhëshëm të shqiptarëve. Me shpresën se siç ka thënë Papa Françesku në parathënien për librin, “Të duam të padashurin”, përmbledhje e fjalimeve të Nënë Terezës, duke iu drejtuar të rinjve shqiptarë ka shkruar se Shqipëria është vendi më i ri në moshë në Europë dhe si e tillë u bën thirrje të rinjve shqiptarë: “Fluturoni lartë si shqiponja, simbol i vendit të Nënë Terezës.” Brezi i ardhëshëm i shqiptarëve nuk meriton asgjë më pak as më shumë se të fluturojnë lartë si shqiponja në çdo pikpamje të jetës dhe aktivitetit të tij.