Humanistja shqiptare Nënë Tereza, fituese e çmimit Nobel, pritet të shpallet e shenjtë në shtator të vitit 2016.
Gazeta zyrtare e konferencës së peshkopëve italian, Avvenire, shkruan se Papa Francesku miratoi të enjten një dekret për njohjen e një mrekullie që i atribuohet ndërmjetësimit të saj me Perëndinë.
Nënë Tereza e cila vdiq në shtator të vitit 1997, u shpall e lume në vitin 2003 nga Papa Gjon Pali i Dytë. Lumnimi është hapi i fundit para shenjtërimit.
Zyrtarët e Vatikanit nuk kanë komentuar njoftimet e gazetës e cila tha se papa mund të organizojë ceremoninë e shenjtërimit në shtator të vitit 2016.
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, që u bë më pastaj në gjithë botën e njohur si Nënë Tereza, u lind në Shkup më 26 gusht të vitit 1910 në një familje me prejardhje nga Prizreni.
Më 1979 ajo mori çmimin Nobël për Paqe. Nënë Tereza vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkuta të Indisë, ku kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës duke ndihmuar të varfrit.